• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

52 vjetori i Revoltës së Spaçit (21 maj 1973 – 21 maj 2025)

May 21, 2025 by s p

Revolta e Spaçit (21 – 23 maj 1973) përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci Shkaqet e kësaj revolte ishin kushtet çnjerëzore në të cilat vuanin të burgosurit e burgut, puna e tyre skllavëruese, përdorimi i torturave psikologjike dhe fizike, si edhe gjendja e mjeruar e popullit nën diktaturën komuniste, kundër së cilës ata u ngritën dhe qëndruan heroikisht.

Revolta e të burgosurve të Spaçit ishte një lëvizje politike. Ajo vërtet shpërtheu në mënyrë spontane në mbrojtje të jetës së shokut të tyre Pal Zefit, por menjëherë mori formë të përgjithshme e të organizuar me një shtab drejtues e me kërkesa kryesisht politike të përcaktuara. Parullat kryesore të revoltës ishin: “Nuk pranojmë të shkojmë në punë. Qeveria komuniste e Tiranës është e poshtër. Kjo qeveri së shpejti do të përmbyset. S’ka liri, s’ka demokraci, ka vetëm diktaturë. Duam drejtësi. Ushtria është me ne. Vëllezër ushtarë, hidhni armët e bashkohuni me në! Poshtë komunizmi! Poshtë Enver Hoxha! Duam bashkim me Evropën e lirë! Rroftë Evropa e lirë! Ja vdekje, ja liri, nuk shkojmë më në galeri!” etj. Heronjtë e Revoltës së Spaçit ishin Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj – si dhe protagonistët kryesorë: Luan Burimi, Dashamir Kazazi, Hodod Sokoli, Luan Koka, Sami Dangëllia, Paulin Vata, Syrja Lame, Fadil Dushku, Gëzim Medolli, Demir Pojani, Kostandin Papaj, Rexhep Lazri, Ferit Kumanaku, Pal Marku, Bedri Çoku, Murat Marta, Jonuz Norja dhe pjesëmarrësit e tjerë: Çaush Çoku, Ndrec Çoku, apo flamurtari që mbante lart flamurin pa yll, Seliman Çuni, Sherif Allamani, Haxhi Bena, Mersin Vlashi që vizatoi shqiponjën në flamurin e kuq, Naim Pashai, Napolon Koleci, Shuaip Seti, Nuredin Vargo e mjaft të tjerë. Pas përleshjeve me gardianët e policët, pas shpërthimit të dyerve të birucave, pas thyerjeve të tabelave të emulacionit, ballafaqimeve dinjitoze me autoritetet e shqetësuar të burgut, me drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, të cilit ia ktheu vëndçe Hajri Pashai: “Së shpejti do të vini ju këtu, në vendin tonë. Ju jeni qeveri e poshtër, e gjakosur, që shtypni popullin dhe këtu do ta paguani së shpejti” etj. Po akti më madhor ishte heqja e flamurit të kuq mbi tarracë e mandej vendosja e flamurit me shqiponjën dykrenore, që u përshkrua nga plumbat, por nuk u ul dhe valoi për herë të parë në qiellin e tokës shqiptare, pas 30 vjetësh pa yllin e kuq, simbolin e komunizmit. Menjëherë pas shtypjes së revoltës, filloi gjyqi kundër organizatorëve e pjesëmarrësve të saj, në kundërshtim me premtimet e angazhimet demagogjike të mëparshme, për ta shuar revoltën. Gjykata e Lartë vendosi më 25 maj 1973 dënimin me pushkatim për Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain, dhe Pal Zefin, ndërsa për të tjerët ridënime me 25 dhe 20 vjet të tjera burg. Gjithsej 60 të ridënuar, që përbëjnë me qindra vite burgu.

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”

Filed Under: Reportazh

PREZANTIMI I DRAMËS “DASMA JONË” NË SHKOLLËN SHQIPE “FOL SHQIP” NË QUEENS – NEW YORK

May 20, 2025 by s p

Hamid Alaj/

Shoqata “Besi” dhe Shkolla “Fol Shqip”, me nxënësit e saj, me rastin e përfundimit të semestrit pranveror në shkollën P.S. 88 në Ridgewood, Queens, para një audience të gjerë prezantuan dramën “Dasma Jonë”, bazuar në librin “Dasma krajane dhe ceremoniali i saj” nga autori krajan Hamid Alaj.

Me këtë rast, dua të falënderoj udhëheqësinë e Shoqatës “Besi”, me në krye kryetarin z. Sejdin Xhaferaj, si dhe të gjithë këshillin drejtues për besimin që më dhanë për regjinë e kësaj drame. Pas një pune intensive, së bashku me ndihmës-regjisoret znj. Medina Xhaferaj, znj. Sabrina Xhaferaj, znj. Medina Hoxha, znj. Merime Asanaj dhe znj. Servete Xhaferaj, arritëm të sjellim një vepër të plotë dhe të denjë për traditën tonë.

Falë përkushtimit, pasionit dhe seriozitetit të tyre gjatë gjithë përgatitjeve dhe provave, puna jonë u kurorëzua me një paraqitje dinjitoze. Ato punuan pa u lodhur, me koordinim të shkëlqyer mes vete, duke dhënë shembull të vërtetë bashkëpunimi dhe profesionalizmi.

Nuk ka më bukur se të kujtojmë dhe të përcjellim, sado pak, traditat tona edhe këtu në mërgim – dhe t’i trashëgojmë ato te brezat e rinj të komunitetit tonë krajan.

Skenografia ishte në nivel të lartë artistik, e ndërtuar me elemente autentike të traditës krajane: qilima dhe struga, sofër me stola përreth, derë dhe mure të përfaqësuara nga “akshihanija” krajane – një punë mbresëlënëse nga skenografët që na rikthyen në të kaluarën tonë familjare.

Para publikut, të gjithë ishin të mrekullueshëm. Dua të theksoj se yjet e këtij prezantimi ishin vetë nxënësit: vogëlushët dhe vogëlushet me veshje tradicionale krajane, që përfaqësuan me krenari brezin e ardhshëm të komunitetit besian e krajan – e më gjerë, të gjithë shqiptarëve.

Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme: prindër, të afërm dhe miq, të cilët e mbushën sallën dhe e përjetuan me emocion çdo moment. Secili rol u shoqërua me duartrokitje dhe këngë nga audienca, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme.

Pas përfundimit të shfaqjes, Shoqata “Besi” ofroi ushqime dhe pije freskuese, duke mbyllur me një atmosferë festive dhe të ngrohtë.

Kjo dramë, si një sukses i përbashkët, do të publikohet së shpejti në kanalin tonë YouTube dhe në platformat e tjera.

Falënderoj sinqerisht të gjithë stafin organizativ për mundësinë që më dhanë të jem pjesë e këtij eventi. U ndjeva thellësisht i emocionuar dhe i privilegjuar që më besuan këtë punë. Qoftë për hajër në hapat e ardhshëm – sepse kjo dramë hapi një derë të re për të ruajtur dhe përçuar traditat tona edhe këtu në diasporë.

Ftoj që kjo dramë dhe këta pjesëmarrës të ftohen edhe në eventet tuaja – për një prezantim dinjitoz që nuk do t’ju zhgënjejë.

Urime dhe suksese të gjithëve që kontribuuan në realizimin e kësaj drame!

Urime dhe suksese në të ardhmen për Shoqatën “Besi” dhe Shkollën “Fol Shqip”!

Filed Under: Reportazh

“5-vjetori i themelimit të Shoqatës Iliria St. Louis”

May 19, 2025 by s p

Më 18 maj 2025, Shoqata Iliria në St. Louis organizoi një event të rëndësishëm me rastin e pesëvjetorit të themelimit të saj, duke e shoqëruar këtë përvjetor me Festën e Lakrorit, një manifestim tradicional që simbolizon trashëgiminë dhe mikpritjen shqiptare.

Aktiviteti u hap me fjalën zyrtare të z. Besian Gjika, kryetarit të Shoqatës Iliria, i cili prezantoi një rezyme të angazhimit 5-vjeçar të organizatës në mbështetje të komunitetit shqiptar. Në fjalimin e tij, ai theksoi arritjet e Shoqatës në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor, duke shprehur mirënjohjen për kontributet e anëtarëve, bizneseve dhe mbështetjen e të pranishmëve.

Pas fjalës së tij, senatori i Missouri-t Doug Beck, përshëndeti komunitetin shqiptar, duke vlerësuar rolin e tij në forcimin e diversitetit kulturor dhe integrimin shoqëror në St. Louis. Ai shprehu konsideratat e tij për Shoqatën Iliria dhe përgëzoi organizatorët për përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe zhvillimin e traditave shqiptare.

Në vazhdim, të pranishmit shijuan ushqime tradicionale shqiptare të përgatitura me mjeshtëri nga amvisat e komunitetit. Një moment me rëndësi të veçantë ishte prezantimi i bizneseve Nova Cafe dhe Dea Market, të cilat ofruan një ekspozitë të produkteve të tyre, duke kontribuar në mbështetjen e sipërmarrjeve shqiptare në diasporë.

Po ashtu, z. Sokrat Bozo, koleksionist i njohur, prezantoi një koleksion unik me artefakte shqiptare, duke përfshirë fotografi me veshje tradicionale dhe foto të ndryshme me firnat e ndërtuesve të “Harkut të Saint Louis-it”, që pasqyroi ndërthurjen e kulturave dhe historinë e komunitetit.

Eventi përfshiu gjithashtu aktivitete argëtuese për fëmijët, të cilët morën pjesë në lojëra të ndryshme dhe në një ndeshje futbolli, duke sjellë një atmosferë festive dhe gjithëpërfshirëse. Një element kreativ i aktivitetit ishte edhe “face painting” i realizuar nga Erika Hajdini, e cila dekoroi fytyrat e fëmijëve me figura artistike dhe personazhe të ndryshme.

Ky aktivitet jo vetëm që përkujtoi rrugëtimin e Shoqatës Iliria, por edhe shërbeu si një mundësi e vlefshme për anëtarët e komunitetit shqiptar që të takohen, të ndajnë eksperienca dhe të forcojnë lidhjet ndërmjet tyre. Falë organizimit të suksesshëm dhe pjesëmarrjes së gjerë, kjo festë mbetet një moment domethënës në historinë e komunitetit shqiptar të St. Louis.

Filed Under: Reportazh

Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz

May 15, 2025 by s p

Imer Lladrovci/

Në fund të dhjetëvjeçarit të shekullit të kaluar, trysnia e shtetit serb mbi shqiptarët po rritej vazhdimisht. Kosova ngadalë, por sigurt po rrëshqiste drejt luftës. Në këtë rendje të çmendur drejt rrëmujës së madhe ishte pothuajse e pamundshme të ndryshohej kahu i historisë. Jo pse shqiptarët e donin luftën, por pse atyre ajo iu imponohej. Në këtë kohë u  bë  e qartë për këdo se liri të Kosovës nuk do të kishte pa luftë. Edhe shqiptarët kishin pasur iluzionet e tyre kur kishin dashur ta ndryshonin botën me idenë e paqës. Megjithatë, historia na mësonte se kurrë nuk kishte ndodhur asnjëherë që një pushtues të tërhiqej nga territori i pushtuar pa luftë. Por, siç shkruante filozofi gjerman Georg Friedrich Hegel se historia na mëson se njerëzit e shpërfillin atë, nuk duan të mësojnë nga ajo. Raportet serbo-shqiptare kishin qenë që në krye të herës tipike: pushtues- i pushtuar. Kishin qenë dhe kishin mbetur të tilla. Presidenti serb Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević) nuk rezononte si një burrështetas që ofron zgjidhje për problemet politike, por si një politikan që  e di që zgjedhësi serb do ta ndëshkonte me votë çdo zbutje të kursit politik ndaj shqiptarëve, sepse dihej që problemit të Kosovës i kishte dhënë formë pikërisht politika e tij e pakomromis. Në fillim të karrierës së tij politike, ai kishte besuar se me forcë do të mund t‘i zgjidhte të gjitha problemet, tani në fazën e fundit të jetës së tij politike po e shihte se forca e tij nuk mjaftonte për ndryshimin e ëndërruar, sado që ai kishte realizuar pjesën më të madhe të asaj që kishte premtuar, por fitorja e tij ishte një fitore e Pirros dhe këtë gjë ai e dinte mirë, por  ishte tepër vonë për pendim, kështu që ai gjithçka do të investonte në ndëshkimin e shqiptarëve, dmth. në dëbimin masiv të tyre, duke realizuar për një kohë të shkurtër ëndrrën e shovinizmit serb për Kosovën porhuajse pa shqiptarë. 

Dihej nga të gjithë se Serbia e kishte marrë me luftë Kosovën në vitin 1913. Me përjashtim të propagandës serbe që e ushqente masën me iluzionin se një mobilizim i madh i serbëve mund ta ruante këtë krahinë brenda kufijve të shtetit serb. Dhe pa luftë Serbia  nuk ishte e disponuar tua dorëzonte Kosovën  shqiptarëve. Me forcë do ta mbajmë Kosovën si izraelitët Palestinën, bërtiste shkrimtari dhe ideologu i nacionalizmit serb, Dobrica Qosiq (Dobrica Ćosić). Propaganda serbe nuk kishte pushuar për më shumë se një shekull të fliste për idenë e Kosovës si Jerusalemin serb, kurse shqiptarët, në vetëmbrojtje të ekzistencës së tyre të zhveshur fizike, nuk kishin asnjë mundësi reale  për ta shmangur katastrofën, sepse serbët u kërkonin atyre hiq më pak se të dorëzoheshin, nëse donin të mbijetonin fizikisht. Por, cili shqiptar do ta pranonte një fat të tillë të robit! Shqiptarët thjesht donin që kjo luftë që po përgatitej të ishte një luftë dhe jo një masakër, siç projektohej në zyrat e shtetit serb. Zbulimi i operacionit „Patkoi“ e vërtetonte katërcipërisht këtë drojë shqiptare. „Patkoi“ nuk ishte një ide fikse që e prodhon frika e madhe dhe as obsesion patologjik. Ai nuk ishte asgjë  tjetër veçse një formë ushtarake operacionale e elaborateve serbe për zhdukjen e shqiptarëve. Serbët askund në hapësirën e ish Jugosllavisë nuk kishin qenë në gjendje të luftonin me formacione të organizuara ushtarake, por vetëm me popullsinë civile të paarmatosur. 

Ekzistojnë dëshmi të shkruara serbe, shqiptare dhe ndërkombëtare për luftën kundër shqiptarëve në fillim të shekullit XX, kështu që kushdo që do të donte të informohej objektivisht, kishte material të mjaftueshëm për  rrjedhat e luftërave ballkanike në vigjilje të Luftës së Parë Botërore ku lufta kundër shqiptarëve  përbënte një element qenësor. Mjafton të kujtojmë shkrimet e serbëve Dimitrije Tucoviq (Dimitrije Tucović) dhe Kosta Novakoviq ( Kosta Novaković), raportet për Vatikanin të kryeipeshkvit shqiptar të Shkupit e Prizrenit, imzot Lazër Mjeda, pastaj librat e austriakut Leo Frojndlih (Leo Freundlich) „ Golgota shqiptare“ që bazohet në raportet e Lazër Mjedës dhe artikujt  e gazetarit rus  Leo Trocki (Leo Trotzki) që u botuan fillimisht  në gazetën ruse „ Kijewskaja mysl“ (Киевская мысль) dhe që më vonë  në trajtë të librit me titullin domethënës „Luftërat ballkanike“. Në fund të shekullit XX ekzistonin konstelacione të tjera në Ballkan, në Europë dhe në botë. Serbët e dinin këtë gjë. Madje në zyrat më të larta të shtetit të tyre ky realitet njihej, mirëpo nuk ekzistonte vullneti politik për një zgjidhje paqësore. Sipas ish ministrit të jashtëm të Jugosllavisë, shkrimtarit Vuk Drashkoviq (Vuk Drašković) presidenti serb Sllobodan Millosheviq e shikonte Kosovën si një gur mulliri në qafën e Serbisë, ndaj dhe bënte një politikë vetëvrasëse të luftës me shqiptarët, në mënyrë që të lirohej nga ky problem dhe ithtarët e tij të mos e hetonin tradhëtinë. Kjo paraqitje e politikës serbe të kohës gjen shpjegim të shkëlqyer në aktet e terrorit shqiptar në Likoshan, Çirez dhe,  në mars, në Prekazin e Jasharajve legjendar. Në Likoshan e Çirez serbët masakruan civlët shqiptarë, kurse në Prekaz policia serbe, që ishte më shumë se polici, hasi në rezistencë të madhe të familjes Jashari dhe të banorëve të tjerë të fshatit. Edhe këtu serbët kryen masakra mbi fëmijë, gra, pleq, e civilë, por këtu u luftua edhe si UÇK.

Po bëhej thuajse një shekull i tërë që kur Kosova ishte vënë nën sundimin e fqinjit të saj të veriut. Serbët,  pas dështimit të daljes në Adriatik përmes Bosnjes, siç na dëshmon në librin e tij filozofi i ri serb Aleksandar Pavlović („Imaginarni Albanac : Simbolika Kosova i figura albanca u srpskoj kulturi“) „Shqiptari imagjinar: Simbolika e Kosovës dhe figura e shqiptarit në kulturën serbe“, daljen në Adriatik po përpiqeshin ta realizonin përmes tokave shqiptare në veri e në verlindje të Shqipërisë së atëhershme etnike. Në shekullin XIX u krijua miti i Betejës së Kosovës dhe miti i serbëve që ishin asimiluar përmes fesë islame në shqiptarë: të të ashtuquajturëve arnautashë. Sipas Beogradit politik, shqiptarët nuk e dinin se ishin serbë që flisnin shqip, ndaj dhe  toka që e banonin nuk i takonte Shqipërisë, por shtetit serb që tashmë ekzistonte dhe kishte krijuar një mbështetje të madhe jo vetëm në Rusi, e cila kishte nevojë të madhe për Serbinë për politikën  e saj ballkanike, por edhe në Europë ku kishte që prej kryengritjeve serbe një simpati të madhe për luftën e tyre kundër Turqisë. Këtë opinion të favorshëm elita politike dhe kulturore serbe donte ta përdorte  për ekspansion territorial të shtetit të ri serb. Miti,  gjithmonë në bërthamën e tij, ka një të vërtetë që zbërthehet e fragmentarizohet në shërbim të një politike të caktuar. Dhe pikërisht kjo po ndodhte në rastin serb. E vërteta është se ka pasur një popullsi sllave që është shkrirë në popullsinë vendëse, mirëpo kjo ka ndodhur shumë kohë përpara se të vërrshonin ushtritë  osmane si pushtuese në këto anë. Pastaj përmasat e elementit sllav kanë qenë krejt të tjera nga ato që i paraqiste miti: shqiptarët kishin mbetur shqiptarë edhe përkundër bashkëjetesës shekullore dhe interferimit me sllavët e atëhershëm që u dynden,  kështu që propaganda në favor të  ekspansionit politik i fqinjëve të tyre ishte me të vërtetë një paturpësi e madhe. Historia e vërtetë nuk kthehej lehtë në shërbëtore  të politikës. Ajo, historia, fliste në favor të shqiptarëve dhe jo të serbëve. Në studimet e gjenetikës së populacionit, sipas studimeve më të reja, shohim se në genomin serb janë të pranishëm shqiptarët dhe paraardhësit e tyre me rreth 40%, pra shumë më tepër se në genomin shqiptar ku sllavët, jo serbët, janë të pranishëm me 15%. Serbët do të duhej t‘i kërkonin në mesin e tyre ilirët e arbanasët e mesjetës së hershme dhe shqiptarët e asimiluar në serbë pas Krizës Lindore. Miti i tyre politik ishte konstruktuar për nevojat e  politikës ekspansioniste, ngase e vërteta historike kishte qenë krejt ndryshe. Megjithatë, serbët u treguan kokëfortë dhe vazhduan me politikën e tyre kundërshqiptare, e cila arriti deri në brezin tonë. 

Me 28 shkurt 1998 në klubin shqiptar“ 7 shtatori“ të Wuppertal-it u mblodhën shumë mërgimtarë për t‘u informuar për mënyrën sesi ta ndihmonin financiarisht përmes fondit „Vendlindja thërret“ Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë tubim folën, Xhemajl Fetahaj,Sabri Kiçmari dhe Unë. Në atë tubim Xhemajl Fetahaj mori vendimin për t‘u kthyer në Kosovë ku ai do të vritej rreth një vit e  gjysmë më vonë  në Koshare, në fund të majit të vitit 1999, vetëm pak ditë para se nënshkruhej kapitullimi i ushtrisë serbe në Kumanovë dhe ushtritë e vendeve të NATO-së të marrshonin në vendin tonë. Tubimi u mbajt pikërisht në ditën kur serbët kryen masakrën e parë në Likoshan dhe në Qirez. Ne e dinim se po luftohej në Kosovë, por nuk dinim pothuajse asgjë konkretisht.Pas mbarimit të tubimit shkuam të Halim Baraliu në qytetin Schwelm se bashku me disa veprimtarë ku morëm thirrje telefonike nga baci Feh(Fehmi Lladrovci)nga rrethi i Mynhenit (München). Ai na dha një informacion të saktë për atë që kishte ngjarë në Likoshan e Qirez dhe shprehu bindjen se tashmë lufta me serbët kishte filluar dhe nuk do të kishte kthim pas. Duhet shtuar se ai dhe askush tjetër në këtë moment nuk dinte gjë për synimet e politikës serbe, se disa ditë më vonë trupat e armatosur serbë do t’ia mësynin familjes Jashari, për të tretën herë. Gjashtë muaj më vonë ai vetë do të ishte në shënjestër të ushtrisë serbe dhe bashkë me gruan e tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, dhe një grup luftëtarësh së brigadës, që e udhëheqte, do të binte në fushën e luftës. 

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filoi me 5 mars me sulmin serb mbi familjen Jashari dhe zgjati deri me 7 mars të vitit 1998. Adem Jashari nuk ishte një luftëtar i zakontë i UÇK-së. Ai ishte kryekomandanti i saj, që kishte luftuar edhe në Likoshan. Në luftë u përfshi edhe vëllau i tij Hamzë Jashari dhe babai i tij plak, Shaban Jashari, dhe gjithë anëtarët e tjerë, gra e fëmijë. Ata rezistuan disa ditë, por arsenali i tyre i armëve ishte ku e ku më i dobët se i sulmuesëve që jo vetëm ishin të armatosur shumë më mirë, por ishin, edhe nga pikëpamja e numrit, në epërsi të dukshme. Sidoqoftë, familja Jashari nuk kishte ndërmend të dorëzohej. Në një intervistë për BBC-në, pas sulmit të dytë, plaku Shaban Jashari kishte thënë se nuk kemi ku të shkojmë përtej shtëpisë. Qëndresa e familjes qe paralajmëruar, por sikur nuk besonte askush që mund të ndërhynte në atë që do të ndodhte.  Serbët, disa ditë më herët në Likoshan e në Qirezë, kishin treguar se nuk ndaleshin para asnjë krimi, sado i shëmtuar të jetë ai.  Dhe, ne e dimë se ç‘ ndodhi me 5, 6 e 7 mars 1998: një familje e tërë u flijua në altarin e lirisë së kombit. Nga ky rrethim doli e gjallë vetëm Besartë Hamzë Jashari,  që atëbotë ishte një qupëz prej vetëm 11 vjetësh. Ky akt trimëror atdhetar e tronditi  publikun shqiptar. Në vazhdim gjithë Drenica u ngrit në këmbë. Dhe gjithë Kosova u hodh në kryengritje, kurse shqiptarët kudo që ishin u solidarizuan në forma rë ndryshme me familjen Jashari. Në këtë epope të madhe u vra dhe kryekomandanti Adem Jashari, mirëpo ky  akt i tij guximtar pati jehonë të madhe kombëtare. Kështu filloi kryengritja e jonë 27 vjet më parë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga një grup i vogël gueril u kthye në një ushtri të mirëfilltë, një shumëfishim kaq i shpejtë i rradhëve të saj nuk ishte parë askund në botën moderne. Dhe, vetëm një vit më vonë avionët e NATO-së hodhën bombat e tyre në Beograd dhe në të gjitha qytetet jugosllave, përfshirë këtu edhe  Kosovën ku ishin vepronin 140.000 ushtarë të rregulltë jugosllavë nga Serbia  dhe  Mali i Zi, të cilat ishin të vetmet republika që kishin mbetur në federatën e dikurshme. Përveç këtyre ushtarëve, në Kosovë ishin përshirë edhe mijëra vullnetarë të tjerë në grupet e armatosura, në mesin e tyre edhe shumë mercenarë rusë. 

Foto: balkaninsight.com

Filed Under: Reportazh

Akademik Zymer Neziri është përzgjedhur anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, Humanistikës dhe Letërsisë (Akademia Europaea)

May 10, 2025 by s p

Fitim Veliu/

Epikologu, studiuesi, teoricieni dhe kritiku letrar shqiptar Zymer Neziri, është përzgjedhur anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, Humanistikës dhe Letërsisë (Akademia Europaea). Në këtë Akademi janë 88 fitues të Ҫmimit Nobel. Ky institucion shkencor ka një rol thelbësor dhe vendimmarrës në fushën e arsimit, shkencës, letërsisë, inovacionit në zhvillimin e shkencës evropiane. Academia Europaea (e formuar në vitin 1988) është akademi pan-evropiane e shkencës, e shkencave humane dhe e letrave, me një anëtarësim prej mbi 5500 studiuesish të shquar nga Evropa dhe vendet e ndryshme të botës, ndër ta janë 88 nobelistë. Ishte studiuesja Lea Ypi, e tash edhe Zymer Neziri, pra dy studiues shqiptarë në këtë akademi me famë botërore.

Neziri është anëtari i parë shqiptar në këtë Akademi, i cili përfaqëson folklorin, etnologjinë, epikologjinë dhe letërsinë shqiptare.

Biografia

Zymer U. Neziri, këshilltar shkencor dhe profesor i folkloristikës, u lind më 6 nëntor 1946, në Siparant (Zahaq) të Pejës, Kosovë. Ai është mbledhës dhe studiues i këngëve epike legjendare shqiptare, të njohura si Eposi i Kreshnikëve. Fokusi i tij kryesor akademik është trashëgimia kulturore. 

Sfondi personal dhe arsimor 

Z. U. Neziri e ka prejardhjen nga një familje e fshatit Shtupeq i Vogël, krahina e Rugovës. 

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Siparant (Zahaq), dhe në Pejë, në vitin 1960. Edhe shkollën e mesme, gjimnazin,  e kreu në Pejë, në vitin 1964, kurse shkollën normale në Prishtinë, në vitin 1966. 

Studimet e larta i kreu në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren (1969) dhe pak më vonë kreu edhe studimet e shkallës së dytë në të njëjtën fushë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës (1971). 

Nga viti 1972 deri në vitin 1974 ndoqi studimet e shkallës së tretë në Degën e Letërsisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Aty mbrojti magjistraturën në vitin 1979. Teza e tij ishte “Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë”, e drejtuar nga akademik prof. dr. Rexhep Qosja. 

Pas shumë vitesh pengesa politike, mbrojti disertacionin e doktoratës “Poezia legjendare e Rugovës”, në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në vitin 1995, me mentor akademikun prof. dr. Rexhep Qosja. 

Karriera akademike dhe profesionale 

Pas shpërbërjes së Federatës jugosllave, ai u lejua të kthehet në Institutin Albanologjik, në qershor 1992, duke rimarrë postin e mëparshëm si asistent shkencor (1971-1973) pas 19 vjetësh. 

Nga viti 1996 deri në vitin 2003 ka shërbyer si udhëheqës i Departamentit të Folklorit dhe ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP). 

Nga viti 2006 deri në vitin 2013, ka qenë anëtar i redaksisë së revistës Gjurmime albanologjike, Folklor dhe Etnologji, ku më parë kishte shërbyer si sekretar shkencor nga viti 1972 deri në vitin 1973. 

Ka mbajtur këto tituj akademikë: bashkëpunëtor shkencor /asistent profesor (1996), bashkëpunëtor i lartë shkencor/ profesor i asociuar (2000), si dhe këshilltar shkencor/profesor i rregullt (që nga viti 2003). 

Mbledhja dhe kërkimi folklorik 

Që nga viti 1967, ai është aktivisht në mbledhjen e folklorit, me kontributet e tij të botuara në vëllime të shumta të IAP-it. Fokusi i tij kryesor kanë qenë këngët epike historike dhe legjendare. 

Ndërmjet viteve 1979 dhe 1988, ai mblodhi dhe regjistroi poezi epike legjendare në rajonin e Rugovës. Ai e vetëfinancoi këtë projekt, duke mbledhur 15 vëllime materiale, me mbi 100 000 vargje, që është një nga koleksionet më të mëdha arkivore të këngëve të Eposit të Kreshnikëve të fundit të shekullit të kaluar. Prej tyre janë botuar vetëm tre vëllime. 

Ai drejtoi një projekt të dytë (2012-2016), duke regjistruar edhe 15 vëllime shtesë të këngëve të Eposit të Kreshnikëve nga pesë vende të Ballkanit,  ku jetojnë shqiptarët: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Ky projekt u financua nga Ministria e Arsimit (MASHT) dhe kishte për qëllim sigurimin e dëshmive për dosjen e UNESCO-s për Eposin e Kreshnikëve. Koleksioni, i përbërë nga mbi 100 000 vargje, është i arkivuar edhe në Ministrinë e Arsimit në Prishtinë dhe në Arkivin e Qendrës së Studimeve Albanoogjike (QSA) në Tiranë. 

Kërkime në arkiva ndërkombëtare 

Krahas kryerjes së një kërkimi të gjerë në arkivat e Tiranës, ka kryer vizita studimore në SHBA dhe Austri: 

Universiteti i Harvardit (shtator-tetor 2002 & shkurt 2007): Atje hulumtoi koleksionin e profesorit amerikan Milman Parry, i cili regjistroi këngë epike gojore shqiptare në vitet 1934-1935 në veri të Kosovës, Sanxhaku i Pazarit. Ai shqyrtoi gjithashtu koleksionin e ndihmësit të Parry-t, Albert Lord, i cili regjistroi rreh 20 000 vargje të Eposit të Kreshnikëve në Shqipërinë e Veriut, në vitin 1937.  

Vjenë (nëntor 2005): Si bursist i Ministrisë Federale Austriake të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës, ai hulumtoi dorëshkrimet folklorike shqiptare të Maximilian Lambertz-it në Akademinë Austriake të Shkencave dhe në Bibliotekën Federale Austriake. 

Projektet dhe publikimet ndërkombëtare 

Ai bashkëdrejtoi një projekt ndërkombëtar në Harvard (2002) për përgatitjen e këngëve epike shqiptare të mbledhura nga Albert Lord, së bashku me profesorët David Elmer (Harvard), Nicola Scaldaferri (Universiteti i Milanos) dhe John Kosti (Universiteti i Teksasit në Austin). 

Kontribues në antologjinë Ëild Songs, Sëeet Songs: The Albanian Epic in the Collections of Milman Parry and Albert B. Lord (Universiteti i Harvardit, 2021, ISBN 978-0-674-27133-3).

Pozicionet aktuale dhe të mëparshme, disa sosh: 

Udhëheqës: Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, 1996-2003.

Anëtar: Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës, 1996-2003.

Anëtar: Senati i Universitetit të Prishtinës, 1997-2001. 

Anëtar: Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, 2009-2012.

Udhëheqës: Komisioni i Kosovës për përgatitjen e propozimit për Eposin e Kreshnikëve për UNESCO, 2010-2012.

Çmime dhe mirënjohje

Në vitin 2009 është fitues i çmimit Pjeter Bogdani (2009), për tekst shkencor, nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, për veprën Studime të Folklorit, II, Prishtinë. 

Në vitin 2012 është fitues i Medaljes së Artë, për punë kërkimore-shkencore, nga Instituti Biografik Amerikan, Karolina e Veriut, SHBA.

Në vitin 2014 është nderuar si Qytetar Nderi i Bajram Currit për kontributin e tij në përpjekjet kulturore dhe akademike.

Në vitin 2016 ka qenë fitues i çmimit ndërkombëtar Mendim Special, nga Europa Nostra, për punë kërkimore-shkencore, Madrid, Spanjë.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 181
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT