• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐜𝐚 𝐞 𝐩𝐚𝐡𝐚𝐫𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐞 𝐉𝐨𝐡𝐧. 𝐅. 𝐊𝐞𝐧𝐧𝐞𝐝𝐲

May 29, 2025 by s p

(𝘔𝘦̈𝘴𝘪𝘮𝘦 𝘴𝘩𝘵𝘦𝘵𝘢𝘳𝘪𝘦 𝘥𝘩𝘦 𝘬𝘦̈𝘴𝘩𝘪𝘭𝘭𝘢 𝘱𝘦̈𝘳 𝘢𝘵𝘢 𝘲𝘦̈ 𝘢𝘴𝘱𝘪𝘳𝘰𝘫𝘯𝘦̈ 𝘵𝘦̈ 𝘨𝘢𝘳𝘰𝘫𝘯𝘦̈ 𝘯𝘦̈ 𝘱𝘰𝘭𝘪𝘵𝘪𝘬𝘦̈)

Nga Dr. Bledar Kurti

John F. Kennedy, Presidenti i 35-të i SHBA, lindi në këtë ditë, më 29 maj, 1917 dhe u nda nga jeta prej një atentati, në mënyrë tragjike, më 22 nëntor, 1963.

Kennedy, Presidenti i 35-të i SHBA, njihet edhe si Presidenti i një mijë ditëve, për shkak se qëndroi në detyrë vetëm tri vite. Një prej figurave më të dashura të popullit amerikan. President Kennedy, solli risi jo vetëm në krijimin e imazhit publik, në drejtimin e SHBA, por edhe ka frymëzuar deri në ditët tona çdo politikan apo individ me aspirata për poste të larta drejtuese. Dhe përveç imazhit të ri që shpalosi, ai tregoi edhe esencën e tij prej lideri në momentet më kyçe e vendimtare të historisë së Amerikës dhe mbarë botës.

Shpeshherë shtrohet pyetja se, përtej performancës dhe imazhit, cila është esenca e një shtetari? Padyshim, përgjigja është zgjidhja e krizave. Vetëm duke menaxhuar situatat dhe duke zgjidhur konfliktet brenda apo jashtë vendit një njeri meriton të quhet shtetar dhe lider.

Revolucioni që bëri Kennedy në marrëdhëniet me publikun (Public Relations) nisi që me rrugëtimin e tij për t’u bërë President por edhe me menaxhimin e situatave teksa drejtonte vendin i ulur në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Një njeri me plot disavantazhe fizike e personale, Kennedy arriti ti kthejë ato në pikat e tij më të forta. Kennedy ishte i pari ndër kandidatët presidencial të vetë-zgjedhur. Ai nuk priti për rradhën e tij sepse ndoshta ajo kurrë nuk do vinte. Konventat tradicionale kombëtare, dhe pëlqimi nga figurat e vjetra partiake nuk mund të arriheshin lehtë, për shkak të moshës së tij të re. E përveç moshës, një disavantazh tjetër ishte besimi fetar të cilit ai i përkiste. Kennedy ishte katolik dhe Amerika nuk kishte patur president katolik më parë. Ai ishte i ri, vetëm 43 vjeç, beqar, pa jetëshkrim të shquar, por vetëm me dëshirën për t’u bërë President. Prandaj, Kennedy institucionalizoi sharmin e tij dhe e shpalli veten si zgjedhja e duhur për popullin dhe fitoi postin e drejtuesit të shtetit më të fuqishëm në botë.

Edhe më sot, opinioni publik amerikan e konsideron Kennedy-n si shpëtimtar dhe si hero, sepse ishte ai që shmangu Luftën e Tretë Botërore gjatë Krizës së Raketave në Kubë, në vitin 1962, dhe se ishte ai që i dha një prestigj dhe imazh të ri ofiqit të Presidentit të SHBA.

John Kennedy tashmë është shndërruar në “mit”. Ai ka hyrë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe madje në historinë botërore, si një nga presidentët më të shquar të Amerikës dhe një udhëheqës i madh.

Përpara se të bëhej president, Kennedy kreu një fushatë presedenciale moderne e cila prej më shumë se gjashtëdhjetë vitesh la precedentë në fushatat e presidentëve dhe lidërve të ardhshëm. Sekreti i fushatës ishte “imazhi.” Dhe si mund të përcillej ky imazh në zemrat amerikane? Televizioni.

Në fushatën presidenciale të vitit 1960, Kennedy (demokrat) kandidonte për postin e Presidentit kundër Zv/Presidentit të kohës Richard Nixon (republikan). Edhe Nixon kishte moshë të re, 47 vjeç, veteran lufte, megjithatë Kennedy arriti fitoren më të ngushtë në historinë e zgjedhjeve presidenciale Amerikane. Debati televiziv midis dy kandidatëve, i pari i këtij lloji, u fitua nga Kennedy i cili i veshur me kostum të zi dallonte prej kundërshtarit të tij. Ai dukej i qetë dhe në kontroll. Nixon refuzoi të bënte grimin, ai dukej i tensionuar dhe kostumi i tij gri nuk dallonte nga sfondi, Zv/President prej tetë vitesh, Nixon dukej më pak presidencial sesa Kennedy. Rëndësia e imazhit u vërtetua kur sondazhet treguan se ata që e kishin ndjekur debatin Kennedy-Nixon në televizon shpallnin Kennedy-n fitues ndërsa ata që e kishin ndjekur në radio vlerësonin Nixon.

Gjatë kësaj fushate, Kennedy revolucionoi konceptin e fushatës presidenciale. Fushata e tij siguron edhe sot një formulë suksesi për këdo që kërkon të ngjisë shkallët e pushtetit. Pjesë e kësaj formule ishte demonstrimi i madhështisë së tij duke e përfshirë veten në rankun e George Washington, Abraham Lincoln, dhe F.D. Roosevelt. Si edhe imitoi gjestet e Winston Churchill dhe Evangjelistit Billy Graham.

Kennedy e kuptoi se për të fituar nuk ishte e nevojshme të merrej me politika kontroverse. Ai nisi të reflektonte te populli atë imazh që i nevojitej popullit. Qëllimi i Kennedy ishte pragmatic dhe siguronte vota. Ai kuptoi se votuesi kërkonte një lider me personalitet të frotë dhe jo politika abstrakte. Këtë shembull ndoqën edhe shumë politikanë të tjerë të së ardhmes.

Kennedy bëri më shumë takime dhe shtrëngoi më shumë duar sesa oponenti i tij. Shtrëngoi me mijëra duar dhe buzëqeshte çdo sekond. Fjalimet e tij e mahnisnin turmën pasi ishin kryesisht fjalime me karakter frymëzues. Simpatia për të shtohej dhe shpresa që ai ofronte i jepte zemër rinisë amerikane.

Në vitet 60-të, Televizioni ishte kulmimi i teknologjisë. Kennedy e shfrytëzoi këtë mundësi dhe arriti të depërtonte në miliona familje. Ai e kuptoi që publiku kërkonte një hero, ndaj ai preku zemrat e tyre me fjalime madhështore, shtrëngimet e ngrohta të duarve, buzëqeshjet e tij të ëmbla dhe sharmin e tij.

Në vitin 1956 Kennedy shkruajti një libër me titullin “Profiles in Courage” (Profile të Kurajos) për të shpalosur aftësinë e tij intelektuale. Libri u bë bestseller dhe fitoi çmimin Pulitzer.

Kujtimet e Luftës së Dytë Botërore dhe ato të Luftës së Koresë ishte akoma të freskëta në mendjet e amerikanëve, ndaj vendi kërkonte edhe një hero lufte. Kennedy kishte shërbyer në marinë gjatë lufës e në një moment beteje me një anije japoneze, më 1 gusht të vitit 1943, ai shpëtoi jetën e shokëve të tij, dhe sigurisht, kjo i shtoi pikë në garën e tij presidenciale, dhe anija në të cilën ai shërbeu, PT 109, u bë lodër për fëmijët, të cilët luanin me to dhe këndonin “Kennedy Është Hero”.

Gjatë fushatave të sotme, shihet se si këngëtarë të njohur mbështesin kandidatë ose parti politike. Kjo nisi me Kennedy, i cili mori më të mirin e të gjithë kohërave, Frank Sinatra, që me zërin e tij të magjishëm këndonte “Vote for Kennedy’ (voto për Kennedy.)

Kennedy shfaqej me pamjen e një atleti, por përtej imazhit të një njeriu sportiv, energjik, vigoroz, fshihej një njeri me një shëndet të dobët. Ai vuante nga sëmundja Adison. Ai gjithashtu kishte probleme me shpinën të cilën e justifikonte si pasojë e lëndimit gjatë viteve në luftë. Ai nuk i shfaqte në publik patericat dhe operacionet që bënte për shkak të përkeqësimit të sëmundjes së tij. Regjimi i tij ditor përfshinte 11 ilaçe të ndryshme dhe shpeshherë kalonte me javë të tëra në regjim shtrati. Megjithatë, vendosmëria e Kennedy për Shtëpinë e Bardhë rezultoi me sukses. Imazhi i tij i merituar u mirëprit prej publikut dhe John F. Kennedy u bë Presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenca e tij ishte e shkurtër por ajo ndodhi gjatë një atmosfere të ashpër të Luftës së Ftohtë. Kennedy do i duhej të përballej ushtarakisht dhe politikisht me kundërshtarët e botës së lirë, me diktatorët komunistë. Përplasja e tij e parë ushtarake ishte me liderin komunist kubanez, Fidel Kastro.

Vetëm tre muaj në detyrë, më 14 prill 1961, pa mbaruar ende muaji i mjaltit presidencial, Kennedy dha urdhër e tetë avionë luftarak B-26 bombarduan bazat ajrore kubaneze. Tri ditë pas sulmeve ajrore, më 17 Prill, 1961, një brigadë prej 1400 emigrantësh kubanezë të stërvitur nga CIA, u nisën për zbarkim në Plazhin e Derrave, në Kubë. Operacioni rezultoi në probleme madhore ndaj Kennedy kërkoi dorëheqjen e Drejtorit të CIA-s, Allan Dulles.

Një nga tensionet e tjera ishte Berlini. Më 13 gusht 1961, Bashkimi Sovietik nisi të ndërtojë një mur ndarës në Berlin, për të ndalur influencën perëndimore dhe për të kontrolluar rreptësisht gjermano-Lindorët. Ky veprim i menjëhershëm i sovietikëve tronditi mbarë botën. Më 26 qershor 1963, President Kennedy vizitoi Berlinin. I prekur dhe i mallëngjyer prej mikpritjes së berlinasve ai e flaku tutje fjalimin e parapërgatitur dhe nisi të improvizonte duke dhënë një fjalim të sinqertë dhe të paharrueshëm për berlinasit e mbarë botën.

“𝐾𝑎 𝑠ℎ𝑢𝑚𝑒̈ 𝑛𝑗𝑒𝑟𝑒̈𝑧 𝑠𝑜𝑡 𝑛𝑒̈ 𝑏𝑜𝑡𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑣𝑒̈𝑟𝑡𝑒𝑡 𝑛𝑢𝑘 𝑒 𝑘𝑢𝑝𝑡𝑜𝑗𝑛𝑒̈, 𝑜𝑠𝑒 𝑡ℎ𝑜𝑛𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑠’𝑒 𝑘𝑢𝑝𝑡𝑜𝑗𝑛𝑒̈, 𝑠𝑒 𝑐𝑖𝑙𝑖 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑛𝑑𝑟𝑦𝑠ℎ𝑖𝑚𝑖 𝑚𝑖𝑑𝑖𝑠 𝑏𝑜𝑡𝑒̈𝑠 𝑠𝑒̈ 𝑙𝑖𝑟𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑏𝑜𝑡𝑒̈𝑠 𝑘𝑜𝑚𝑢𝑛𝑖𝑠𝑡𝑒.

𝐿𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑖𝑗𝑛𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑒𝑟𝑙𝑖𝑛!

𝐾𝑎 𝑑𝑖𝑠𝑎 𝑞𝑒̈ 𝑡ℎ𝑜𝑛𝑒̈ 𝑠𝑒 𝑘𝑜𝑚𝑢𝑛𝑖𝑧𝑚𝑖 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑑𝑎𝑙𝑙𝑔𝑎 𝑒 𝑠𝑒̈ 𝑎𝑟𝑑ℎ𝑚𝑒𝑠.

𝐿𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑖𝑗𝑛𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑒𝑟𝑙𝑖𝑛!

𝐾𝑎 𝑑𝑖𝑠𝑎 𝑛𝑒̈ 𝐸𝑢𝑟𝑜𝑝𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑘𝑢𝑑𝑜 𝑞𝑒̈ 𝑡ℎ𝑜𝑛𝑒̈ 𝑠𝑒 𝑛𝑒 𝑚𝑢𝑛𝑑 𝑡𝑒̈ 𝑏𝑎𝑠ℎ𝑘𝑒̈𝑝𝑢𝑛𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑚𝑒 𝑘𝑜𝑚𝑢𝑛𝑖𝑠𝑡𝑒̈𝑡.

𝐿𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑖𝑗𝑛𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑒𝑟𝑙𝑖𝑛!

𝑀𝑎𝑑𝑗𝑒 𝑘𝑎 𝑒𝑑ℎ𝑒 𝑑𝑖𝑠𝑎 𝑡𝑒̈ 𝑡𝑗𝑒𝑟𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑡ℎ𝑜𝑛𝑒̈ 𝑠𝑒 𝑒 𝑑𝑖𝑚𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑘𝑜𝑚𝑢𝑛𝑖𝑧𝑚𝑖 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑠𝑖𝑠𝑡𝑒𝑚 𝑖 𝑙𝑖𝑔𝑒̈ 𝑝𝑜𝑟 𝑞𝑒̈ 𝑛𝑎 𝑙𝑒𝑗𝑜𝑛 𝑡𝑒̈ 𝑎𝑟𝑟𝑖𝑗𝑚𝑒̈ 𝑝𝑟𝑜𝑔𝑟𝑒𝑠 𝑒𝑘𝑜𝑛𝑜𝑚𝑖𝑘.

𝐿𝑎𝑠𝑠 𝑠𝑖𝑒 𝑛𝑎𝑐ℎ 𝐵𝑒𝑟𝑙𝑖𝑛 𝑘𝑜𝑚𝑚𝑒𝑛!

𝐿𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑖𝑗𝑛𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑒𝑟𝑙𝑖𝑛!”

Në ato momente berlinasit e ekzaltuar ishin gati ta shembnin murin me duar nëse Kennedy do ia kishte kërkuar ta bënin atë gjë. U deshën dekada që ai mur të rrëzohej dhe që Berlini lindor dhe ai perëndimor të bashkoheshin.

Për gjysëm shekulli, fill pas Luftës së Dytë Botërore, bota jetoi në ankthin e Luftës së Ftohtë. Ajo luftë pati shumë momente shqetësuese për paqen në botë. Gara nukleare, sfera e influencës, dhe beteja e spiunazhit ishin qëllimet parësore të kësaj periudhe, megjithatë pati një moment kur frika e të gjithë frikave pothuajse u bë realitet. Në tetor të vitit 1962, foto të bëra prej avionëve spiunë amerikanë treguan baza ushtarake ruse në Kubë, të pajisura me raketa nukleare të afta për të sulmuar territorin e Shteteve të Bashkuara.

Liderët e ushtrisë kërkonin të sulmonin menjëherë, por Kennedy qëndroi i qetë dhe gjakftohtë. Ai urdhëroi një bllokadë detare për të ndaluar raketat e tjera ruse që mund të hynin në Kubë dhe deklaroi se SHBA do i çarmatoste me forcë raketat ruse në Kubë.

Situata dukej e rëndë. Bota mbajti frymës e saj. Avionët ameritan B-52 të armatosur me raketa nukleare u ngritën në ajër në gatishmëri të plotë. 250 000 trupa ushtarake u vendosën në Florida gati për të pushtuar Kubën. Krushçovi i dërgoi telegram Kennedy-t se do i tërhiqte raketat nëse Shtetet e Bashkuara nuk do e pushtonin Kubën. Ndërsa presidenti Amerikan po i përgjigjej pozitivisht, mbërrin një telegram tjetër nga Krushçovi duke kërkuar se Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqnin raketat e tyre nga bazat amerikane në Turqi.

Disa orë më pas këtij komunikimi. Një avion amerikan U-2, u qëllua dhe u rrëzua në Kubë. Ato ishin orët më të errta të krizës. Konflikte të tilla të ashpra e forcojnë apo e shkatërrojnë një administratë. Administrata Kennedy u forcua dhe aftësitë e lidershipit të tij u vunë më në pah gjatë asaj krize.

Diplomacia dhe vendosmëria e Kennedy shpëtoi Amerikën dhe të gjithë botën nga shkatërrimi nuklear. Pas asaj krize, miti Kennedy nisi të rritej, megjithatë një ngjarje tjetër, kësaj here tejet e dhimbshme për kombin amerikan, do e bënte atë mit të përjetshëm.

Më 22 nëntor, 1963, gjatë një vizite në Dallas, Texas, Presidenti Kennedy u qëllua për vdekje. Ai ishte ulur në sendiljen e pasme të një limuzine të hapur. Në krah kishte Zonjën e Parë, ndërsa para tij Guvernatorin e Texas-it.

Ajo ngjarje pikëlluese tronditi Amerikën e mbarë opinionin publik botëror. Presidenti u vra. Amerika ishte në lot. I dyshuari për atë atentat ishte Lee Harvey Oswald por vrasja e Kennedy-t ka mbetur enigmë. Sa më shumë është shtuar kjo enigmë aq më shumë “miti Kennedy” është rritur.

Vitet 60-të ishin të vështira e të mbushura plot sfida, por SHBA doli triumfuese dhe shoqëria amerikane mbrojti denjësisht vlerat e saj, dhe lidershipi i Kennedy ishte simbol i një Amerike progresiste e të përkushtuar ndaj demokracisë dhe lirisë.

Nga një senator i ri me plot vizion, John F. Kennedy revolucionoi marrëdhëniet me publikun, modernizoi fushatën presidenciale, dhe në çaste kritike nxorri Amerikën dhe botën nga një katastrofë shkatërruese të pakthyeshme. Sot, Kennedy mbetet një “mit” dhe ata pak shtetarë që e meritojnë këtë vlerësim kanë kaluar përmes shumë sprovash të jashtëzakonshme, për këtë arsye John F. Kennedy e meriton të gdhendet në histori, jo vetëm si një prej presidentëve më të shquar amerikanë, por si një shtetar i vërtetë në mbarë botën.

“Mos pyet se çfarë mund të bëjë atdheu yt për ty, por çfarë mund të bësh ti për atdheun tënd,” ishin fjalët e Kennedy, të cilat iu adresuan popullit amerikan, por mbeten një frymëzim e thirrje për çdo qytetar të botës.

Filed Under: Reportazh

Edicioni i pestë i Festivalit të Gastronomisë Shqiptare në Greqi

May 27, 2025 by s p

Agapi Gika/

Edicioni i pestë i Festivalit të Gastronomisë Shqiptare në Greqi, me iniciativë të L.G.Sh.G, u finalizua me sukses. Kopshti i universitetit New York College mikpriti në zemër të Athinës bashkatdhetarë, vendas, turistë e komunitete të tjera emigrantësh mes gatimeve autentike shqiptare, qerasjeve, kostumeve tona popullore, produkteve dhe punimeve artizanale dhe programit të pasur artistik.

📌 Përshëndetën aktivitetin: Kryetarja e L.G.Sh.G. znj. Agapi Gjika, Diplomatja për çështjet e Diasporës pranë Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi znj. Joneda Dodaj, Anëtari i Këshillit Kombëtar të Diasporës për Greqinë z. Ermal Sulaj, Kryetarja e Komuniteti Shqiptar Greqi znj. Rovena Xhori, Sekretarja e Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi znj. Entela Ballaci Konti, si dhe Kryetarja e shoqatës “Progresi” znj. Eva Paloka. U lexua gjithashtu përshëndetje e z. Thanasis Cheimonas – Nënkryetar i Bashkisë së Athinës për Integrimin Social të Emigrantëve dhe Refugjatëve.

Të pranishëm njëkohësisht: përfaqësues të qendrave ACCMR dhe KEM të Bashkisë së Athinës, Forumit Grek të Emigrantëve,Komunitetit të Egjyptit në Greqi, Rrjetit e të Rinjve me Origjinë Emigrante “Horizonte”, Iniciativës së Emigrantëve Shqiptarë etj.

🥘 Në festival morën pjesë me gatimet e tyre përfaqësues të shoqatave: “Shoqata e Emigrantëve të Korinthit”, “Komuniteti Shqiptar Rafina”,“LiterArt”, “Lunxhëria”, “Studenti”, “Progresi”,”Busulla për n’Tironë”, “Me ju, për ju”, “Korça”, “Myzeqeja”, “Sofra e Tiranës”, “Bashkë me ju”, si dhe: furra “Ηπειρος”, shefja Katerina Hajna me gatime të “Stoa Gastromeze” dhe produktet e linjave ushqimore “Sporos Health Food”, të cilët nëpërmjet shijeve origjinale të pjatave shqiptare jo vetëm ngjallën mall tek bashkatdhetarët tanë, por edhe i njohën ato tek komunitet e tjera duke vënë në pah traditën tonë sa të pasur, aq edhe të vjetër.

🏆 U vlerësuan me Mirënjohje për promovimin e kulinarisë shqiptare në Greqi: kuzhinierja znj. Xhuli Ilirjani & z. Altin Hatia – drejtues i restorantit “P.S.”.

🖼️ Në ambjentet e festivalit u përfshinë: tavolinë pune për fëmijë me hapje petësh për byrek nga znj. Afërdita Gjata, ekspozitë me punë dore nga anëtaret e L.G.Sh.G., bizhuteri nga Iken Qalliu, çanta nga Marjana Zejnelhoxha, si dhe piktura të punuara nga piktoret: Mira Dizdari, Lumnie Gjikopulli dhe Enkeleida Jorgollari.

🎊 Pjesëmarrësit patën mundësinë të shijojnë gjithashtu kafen tradicionale “Argjiro”, si dhe një program të pasur artistik nga këngëtaret Erefili, Vasilika Kaçorri, Burbuqe Esti, maestro Keli Xhelili, si dhe grupet e valleve “Myzeqeja” & atë nën drejtimin e koreografes znj. Lura Llabani.

🍀 Falenderojmë në mënyrë të veçantë universitetin New York College për mundësimin e ambjentit, prezantuesen e këtij festivali znj. Vilma Baruti, si dhe fotografin Fredi Prendushi për materialin e pasur fotografik, i cili do të plotësohet në album gjatë ditëve të ardhshme.

🐝 Falenderojmë të gjitha shoqatat pjesëmarrëse dhe çdonjërën nga anëtaret dhe miqtë tanë që kontribuuan në mbarëvajtjen e kësaj feste te madhe të emigracionit. Mirënjohje për qindrat e bashkatdhetarëve dhe vendasve që u gjendën pranë nesh, duke e kthyer tradicionalisht këtë ditë në një pikë takimi vjetore të bujshme.

Lidhja e Gruas Shqiptare ne Greqi do të jetë gjithmonë urë përcjellëse e kulturës dhe trashëgimisë sonë të pasur.

Ky festival u zhvillua nën përkujdesjen e veçantë të Komunitetit Shqiptar në Greqi. 🇦🇱

Mirë u takofshim në edicionin e gjashtë!

Filed Under: Reportazh

ARBËRESHI IMZOT IGNAZIO CEFFALIA, NUNC APOSTOLIK I VATIKANIT NË BJELLORUSI

May 27, 2025 by s p

Nga Eda Zhiti/

Në Bazilikën “San Pietro” në Vatikan u mbajt Mesha e Shenjtë për shugurimin ipeshkvnor të arbëreshit, Imzot Ignazio Ceffalia nunc apostolik (ambasador) i Vatikanit në Bjellorusi.

Është një mison i lartë për të cilin tani Monsinjor Ignazio Ceffalia ka përvojë dhe arritje në diplomacinë vatikanase, por dhe një gëzimim i arbëreshëve te Italisë, veçanërisht të atyre nga Piana degli Albanesi në Siliçili, nga ai dhe është, i atij trualli të lavdishëm, por dhe i gjithë miqve të tij, që ne i bashkihemi.

E kemi njohur Ignazion, kur im shoq, Visar Zhiti, punonte në ambasadën e Shqipërisë në Vatikan, kemi folur me atë në takimet në Seline e Shenjtë, kemi ndjekur mesha te tij në kishën arbëreshë në Romë “San Atanasio”, ku është dhe Qendra “Besa”, e kemi patur dhe mysafir në shtëpi, etj, dhe e kemi ruajtur komunikimin kur sherbente ne Amerikës e Jugut në Venezuelë.

Na gezoi ftesa pẽr tẽ marẽ pjesě në Meshẽn e Shenjtẽ në Bazilinën e Shën Pjetrit në Vatikan, e celebronte Eminenca e Tij Kardinali Parolin, Sekretar i Shtetit, që i do shqiptarët, madje ai është që përuroi Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë. E ndoqẽm meshẽn me emocion vizualisht dhe e shoqẽruam Imzot Ignazion me lutje zemre në fillimin e ministerit tẽ tij.

Kardinali Parolin tha se: “𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞𝐬𝐚 𝐞 𝐢𝐩𝐞𝐬𝐡𝐤𝐯𝐢𝐭 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐝𝐡𝐮𝐫𝐚𝐭𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈…”.

Kardinali është i bindur se prelati do t’i bëjë ballë detyrës së re me sigurinë e hirit të Zotit, pavarësisht nga sfidat e brendshme “të natyrës politike dhe socio-ekonomike, por edhe fetare të marrëdhënieve me vëllezërit ortodoksë dhe nga tensionet lidhur me luftën tragjike në Ukrainë, së cilës nuk po i duket fundi”

Pamë dhe Monsign. Gallagher, Minister i Jashtem i Vatikanit, me të cilin jemi takuar shpesh, dhe motrat e dashura baziliane, mikun tjetër arbëresh Virgilio Avato, por mbi tẽ gjitha na prekẽn pẽrgjigjet e Monsignor Ignazio kur pranoi plot hir detyren e caktuar.

Edhe Eparkia e Piana degli Albanesi gjithë entuziazëm jepte njoftimin zyrtar: “Është gëzim i madh tẽ ndajmë njoftimin e Selisë së Shenjtë, sipas të cilit Ati i Shenjtë, Papa Françesku emẽroi Nunc Apostolik në Bjellorusi Shkëlqesinë e Tij Fort të Nderuar, Imzot Ignazio Ceffalia, Kryepeshkëv titullar i Fiorentino-s.

Sot, Eparkia e Piana degli Albanesi është në festë për të kremtuar një bir të Kishës sonë Italo-Shqiptare, i cili është ngarkuar me këtë detyrë me përgjegjësi të madhe dhe shërbim për një territor që përqafon Kishat e Lindjes dhe të Perëndimit në një moment historik sfidues si ky i tanishmi.

Imzot Ceffalia, meshtar i Eparkisë së Piana degli Albanesi, ka nisur karrierën diplomatike pranë Selisë së Shenjtë disa vite më parë. Ai ka shërbyer në disa përfaqësi papnore dhe ka përfituar një përvojë të gjerë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kishës.

Me këtë emërim, Ati i Shenjtë i beson Imzot Ceffalias misionin për të përfaqësuar Selinë e Shenjtë pranë Kishës dhe autoriteteve të Bjellorusisë, duke promovuar dialogun dhe bashkëpunimin në nivel kishtar dhe diplomatik.

E gjithë bashkësia kishtare e shoqëron Imzot Ceffalian me lutje, që Zoti ta mbështesë në këtë detyrë të re në shërbim të Kishës Universale dhe të së mirës së përbashkët.

Piana degli Albanesi, 25 mars 2025

Solemniteti i Lajmërimit

Dr. Nicoletta Borgia

Zyra e Komunikimit – Eparkia e Piana degli Albanesi”

I kujtova këto, sepse lidhen me arealin arbëror, është “gjaku ynë i shprishur, por jo i prishur” që na bashkon e frymëzon… dhe lutem: “Zoja e Bekuar, Shenjtja Rita e Kashẽs- ishte festa e saj kẽtẽ ditẽ, Shenjtja Nēnẽ Tereza e Martirēt shqiptarẽ e shoqẽrofshin nẽ ministerin e tij Imzot Ignazio Ceffalinë.

Edhe Papa i ri, Shenteria i tij Leoni XIV, vjzitën e parë jashtë Romës e bëri në Genazzano, te ikona shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, Pajtorja e Shkodrës, Pajtorja e Shqiptarëve. Arbëri e lashtë, Arbëri moderne, krenarë me ty.

Filed Under: Reportazh

U promovua krijimi i Shoqatës së Letërsisë Shqiptare “Fan Noli – Stockerau, Austri”

May 26, 2025 by s p

Miftar Tërshnjaku
Kryetar i Shoqatës “Fan Noli” – Stockerau, Austri/

Në zemër të kryeqytetit imperial të Evropës- në Vjenën e lashtë, aty ku historia frymon në çdo gur, u shkrua para ca dite një tjetër faqe krenarie për shqiptarët e mërgatës: promovimi i Shoqatës së Letërsisë Shqiptare “Fan Noli – Stockerau, Austri”, një natë e rrallë që gdhendi gjurmë të thella në shpirtin e çdo të pranishmit të gjakut shqiptar. Në këtë organizim me peshë kombëtare, si dy flakadanë drite mbi mallin shqiptar, u ndriçuan Dy Krenat e Shqiponjës: Poetja Lola Shehi dhe Artistja Flutura Maçi – dy motra të shpirtit kombëtar, dy zëra të letërsisë e artit, që si dy krahë Shqiponjë të një kombi u hapën për të përqafuar mërgatën shqiptare me krenari mall e dashuri.

Nën drejtimin vizionar të kryesisë së shoqatës së mërgimtarëve Shoqatës së Literaturës Fan Noli -Stockerau: Kryetar: Akad. M.Sc. Miftar Tërshnjaku, Nënkryetar: Akad. Prof. Gjergj Rrustaj, Sekretar i Përgjithshëm: Akad. Eu-Politikani Setki Ibraimi, kjo mbrëmje u shndërrua në një tribunë të lavdisë së shkrimeve në gjuhën shqipe dhe të fjalës dhe emrit të shenjtë shqiptar. Poetja Lola Shehi hapi udhën me një intervistë përplot ndjenjë me prof. Gjergj Rrustajn, rreth librit “Një koment i ikur” – një rrëfim që ndriçon errësirën e një kohe të dhimbshme, të përgjakur, ku Kosova lindi nga dhimbja drejt lirisë. Më pas, ajo u ndal me thellësi në poezitë e librit “Për një komb e një flamur” të poetit të njohur Miftar Tërshnjaku, ku fjala poetike rënkon për bashkimin kombëtar, për gjakun që s’u tha, për kufijtë që s’u shkrin e nuk u bashkuan, por të ruajtura në poezit e tuaj dhe të çdo autori.

Në vijim, Artistja Flutura Maçi – një emër që shndrit si yll në artin shqiptar – solli në skenë intervistën dyditore me Eu-politikanin Setki Ibraimi, një figurë e përkushtuar në shërbim të mërgatës. Fjalët e tij, me urtësinë e një atdhetari dhe vizionin e një europiani të vërtetë, prekën çdo shpirt të pranishëm.

Dhe si kurorë e kësaj mbrëmjeje: Ora 20:00 – Imperial Sallë, Royal Orchestra Wien. Një koncert me tinguj të artë që dridhën murët e sallës perandorake dhe zemrat tona shqiptare. Këtu në Vjenë. Falënderim i përjetshëm për Adrian Fejzullahun,Agon Fejzullahun dhe Fitim Velija, që ofruan bileta speciale imperial dhuratë për shkrimtarët, artistët dhe përfaqësuesit e tanë, si dhe për mikpritësin e pijeve Alfons Fejzullahu – i cili shpërndau bujari shqiptare në mes të një Europe që admiroi n’krenari.

Por mbrëmja nuk përfundoi aty…,pasë tingujve klasikë muzikorë u shfaq mikpritja shqiptare: Në orët e vona, në Cafe Schwarzenberg – një kafe historike artistike ku shpirti i artit dhe letrës gjuthmon gjallëron – ne shqiptarët u mblodhëm nën shijen e një kafeje e pije tradicionale me një përqafimi kombëtar. Aty, nën mikpritjen dhe gatishmërin e Setki Ibraimit, u tha fjala e fundit: Shqipëria është këtu, ku ka zemra që rrahin shqip!Ku ka shpirrt në ngjyrën kuq e zi.

Të nesërmen, me lot mallëngjimi, me përqafime e urime, kryesia e shoqatës përcolli për në aeroport dy krenat e shqiponjes Arbrore – Flutura Maçin dhe Lola Shehin – me urimin e madh: Mirupafshim motra të shenjta, dhe mirë se vini në tetor 2025, për ta ndriçuar sërish skenën tonë! Qofshit faqebardhë gjithmonë.

Filed Under: Reportazh

SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO – AMERIKANË DHE ALEANCA SHQIPTARE E NEW JERSEYT PROMOVUAN DY VEPRA LETRARE TË SHKRIMTARES AGE GJOKAJ IVEZAJ

May 24, 2025 by s p

Sokol Paja/

Garfield, New Jersey, 24 Maj 2025 – Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë dhe Aleanca Shqiptare e New Jerseyt promovuan dy vepra letrare të shkrimtares Age Gjokaj Ivezaj “Kush na mallkoi” e “Pikëllim dhe Shpresë”. Studiues të letërsisë, shkrimtarë, kritikë letrarë, gjuhëtarë e gazetarë analizuan, nderuan e vlerësuan krijimtarinë e Age Gjokaj Ivezaj si një kontribut të rëndësishëm në letërsinë e mërgatës shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zëvendëskryetari i qytetit të Garfield z.Kevin Kane në fjalën përshëndetëse theksoi se këto libra i flasin përvojës shqiptare dhe në shumë mënyra, ato rezonojnë me gjendjen njerëzore, përpjekjet tona, qëndrueshmërinë tonë dhe shpresat tona. Ndërsa merremi me historitë e Age Ivezaj sot, jo vetëm që po celebrojmë letërsinë, por po pranojmë gjithashtu forcën e komunitetit dhe rëndësinë e rrëfimit të historive në ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë.

Arjana Fetahu Gaba zëdhënëse e Aleancës Shqiptare të New Jerseyt theksoi se librat në gjuhën amtare kanë një ndikim shumë të madh për emigrantët dhe mbajtjen e identitetit të tyre kulturor e gjuhësor. Leximi i librave në gjuhën amtare ndihmon emigrantët të mbajnë të gjallë lidhjen me vendin e origjinës, zakonet, traditat dhe historinë e tyre. Librat në gjuhën amtare ndihmojnë në zhvillimin e fjalorit, aftësive të të lexuarit dhe të të shkruarit në gjuhën e tyre. Librat që ne kemi sjellë në këtë bibliotekë përmbajnë tregime që përçojnë vlera si ndershmëria, respekti, puna e ndershme, familja, etj. Këto ndihmojnë në edukimin moral të lexuesve, sidomos të rinjve, theksoi ndër të tjera zonja Arjana Fetahu Gaba.

Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë Dr. Yllka Filipi në kumtesën e saj “Vështrim i thelluar mbi romanin “Kush na mallkoi?” u shpreh se romani i shkrimtares Age Ivezaj, është një xhevahir demografik që dëshmon autoktonësinë e popullit shqiptar në shekuj në trojet e veta. Narracioni i zhdërvjellët në këtë vepër nis me jetën e përfundon me vdekjen njësoj si një segment ekzistencial i kufizuar nga të dy anët me fillimin dhe fundin e një sage kombëtare të limituar në kohë, por të shtrirë pafundësisht në vazhdimësi. Simbolika e vdekjes që dominon në vepër mbetet ende e paqartë dhe hermetike njësoj si terri që mistershëm fton yjet në lojën e shenjtë e të shkurtër të jetës. Kjo tendencë si qasje për të ndriçuar këtë lënde letrare zgjon vemëndjen e studiuesve, si në ritualin enigmatik që sjell thelbi i romanit bërthama e të cilit ngjizet nga rrahjet e zemrës së një dashurie të ndaluar me nëntëkst semantik tendencialisht të palidhur, po aq edhe në një vibrim shpirtëror tepër të guximshëm, tha ndër të tjera Dr. Filipi.

Shkrimtari dhe studiuesi Dr. Bexhet Asani në kumtesën “Saga e malësorëve në një roman” dhe “Një buqetë lulesh plot mall dhe atdhedashuri” theksoi se romani “Kush na mallkoi..?!” i shkrimtares Age Ivezaj, vjen në kohën kur te populli shqiptar shpërngulja kishte arritur kulmin. Këto pesëdhjetë vjet jo vetëm që u zbrazën fshatra të tërë, por u zbrazën edhe qytete kudo në trojet etnike shqiptare. Shpërngulje kaq masive nuk kishte përjetuar populli ynë që nga shekulli XV, që nga Moti i Madh, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Romani “Kush na mallkoi…?!” i Age Ivezajt do të mbetet një dokument faktografik i realitetit të hidhur shqiptar, pasqyruar në aspektin letraro- artistik dhe estetik. Mbase, edhe mund të mbeten edhe si dëshmi e kohës së ekzodit të shqiptarëve, nga ajo treve shqiptare prej nga vjen edhe autorja e këtij romani.

Kryetari i Aleancës Shqiptare të New Jerseyt z.Alban Gaba në bashkëpunim me Bibliotekën Publike të Garfield nderuan me Certefikatë Mirënjohjeje patriotët

Pjetër dhe Liljana Gashi për kontributin e tyre të shkëlqyer në komunitetin shqiptar në New Jersey.

Studiuesja e letërsisë Arjeta Kotrri – Ferlushkaj në kumtesën “Letërsia si mision” theksoi se duke qenë se kemi të bëjmë me letërsi qëllimore dhe shqetësimi autorial është përcjellja e mesazhit më shumë se sa lëvrimi tekstit në vetvete, amaneti i venë në kujtesën e Lekës nga të parët e tij godet drejt e në plagë. Ky paragraf ka histori, ka mirënjohje e falënderim, ka mesazh filozofik për jetën, ka dashuri të madhe për atdheun dhe ka gjithashtu shumë dhimbje. Pikërisht, përmes ndërthurjes së këtyre përjetimeve, autorjakërkon të arrijë të përçojë tek lexuesi mesazhet e saja tëmirëpeshuara dhe të identifikuara që në kapitullin e parë. Citojmë: “Amanet këtë tokë! Çdo gur e cep është larë me gjak nga tëparët tanë. Armiqtë kanë qenë të shumtë, na kanë pushtuar, por ne gjithmone kemi luftuar dhe kështu kemi mbijetuar. Jemi bërë edhe më të fortë, bash si këto gurë e këto shkrepatë maleve tona që na rrethojnë. Edhe nëna më ka thënë: jemi betuar se kurrë nuk do ta braktisim këtë tokë. Tokaështë e jona e ne, jemi të kësaj toke, jemi NJË dhe tëpandarë.”

Studiuesi Prof. Besim Muhadri në kumtesën “Vështrim kritik mbi përmbledhjen poetike “Pikëllim dhe shpresë” të Age Ivezaj” nënvizoi se poezia e Age Ivezajt është një thirrje e brendshme që vjen nga thellësia e mallit për atdheun dhe përvijon një ndërthurje të natyrshme mes dhembjes dhe shpresës. Në tërësi,

“Pikëllimi i shpresës” është një vepër që ruan identitetin ndërmjet vargut dhe nje dëshmi se fjala poetike mbetet strehë e qëndrueshme për kujtesën dhe njenjën, sidomos në kohë kur atdheu është larg, por gjithmonë i pranishëm në shpirt.

Poetja Arjana Fetahu Gaba emocionoi të gjithë pjesëmarrësit teksa recitoi poezinë

“Dëshira e mërgimtarit” shkëputur nga vëllimi poetik “Pikëllim dhe Shpresë” të autores Age Ivezaj Gjokaj.

Në analizën e titulluar: “Narracion i pikëllueshëm për fatin e keq në dashuri dhe emigracionin apo murtaja e bardhë për shqiptarët”, shkrimtari Mëhill Velaj emocionoi të pranishmit bashkë me djalin e Tomë Gjokaj, Palin dhe ka shkruar në kumtesë se fuqia narrative e Age Gjokaj – Ivezaj në romanin “Kush na ka mallkuar” ka një shtrirje shumë dimensionale duke u nisur nga jeta familjare, fisnore, krahinore e deri te ballafaqimet më ekzistenciale ekonomike e shoqerore ku individi i gjendur në mes të dilemes të heqi dorë nga e kaluara atdheu e familja detyrohet ta shkëpusë të kaluarën e tij nga shkaqe e rrethana demoniake të presionit politik. Ky roman është rrëfim i tronditjeve të mëdha që endezohen here rreth mergimit e here rreth vuajtjes, dashurisë, pësimit, vdekjes, e shpresës, tha ndër të tjera shkrimtari Velaj.

Në fjalën e mirënjohjes e falënderimit autorja Age Ivezaj Gjokaj theksoi se ky promovim është një përjetim i veçantë shpirtëror që më jep kurajo dhe frymëzim për rrugëtimin tim të mëtejshëm krijues. Vlerësimi nga kolegët është një nder për mua, motivim i madh që më jep forcë për të zgjeruar horizontin krijues. Veprat që po prezantoj sot janë një reflektim i këtyre përvojave, ndjenjave dhe mendimeve që kanë lindur gjatë shumë viteve. Çdo faqe është shkruar me dashuri e kujdes. Romani “Kush na mallkoi” ka të bëjë me shpërnguljet masive të shqiptarëve nën Mal të Zi dhe ish Jugosllavi në përgjithësi. Edhe pse ngjarja në roman zhvillohet në dy kontinente, lexuesi mund të jetë nga cili do vendbanim shqiptarë e ti duket se kjo dhimbje është identike dhe është përjetuar njësoj edhe në fshatin ose qytetin e tyre. Përmbledhja poetike “Pikëllim dhe Shpresë” është një vëllim poezish që jane krijuar gjatë një periudhe të gjatë kohore, këtë përmbledhje poezish ia kam dedikuar vëllait tim të ndjerë, Tomë Kolë Gjokaj, që vdiq shumë i ri, por la pas vepra te medhaja që nuk harrohen kurrë. Po e lexoj dedikimin që ia kam bërë vëllait tim. Me dashuri dhe respekt të pafund, kujtojë guximin dhe shpirtin tënd të pathyeshëm! Ky libër është një testament i dashurisë sime për ty dhe një kujtim i përjetshëm i kontributit tënd të jashtëzakonshëm për kauzën tonë kombëtare. Sakrifica jote e madhe dhe ndjenja e thellë e detyrës ndaj vendit janë një burim frymëzimi për të gjithë ne dhe atyre që të kanë njohur. Edhe pse nuk je fizikisht mes nesh, prania jote jeton në çdo faqe të këtij libri, tha shkrimtarja Age Ivezaj Gjokaj.

Ky aktivitet i shkëlqyer kulturor e atdhetar u ndoq dhe në mediat e Tiranës përmes lidhjes direkte falë gazetarit dhe analistit të shquar Denion Ndrenika.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 181
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT