
Më 18 maj 2025, Shoqata Iliria në St. Louis organizoi një event të rëndësishëm me rastin e pesëvjetorit të themelimit të saj, duke e shoqëruar këtë përvjetor me Festën e Lakrorit, një manifestim tradicional që simbolizon trashëgiminë dhe mikpritjen shqiptare.
Aktiviteti u hap me fjalën zyrtare të z. Besian Gjika, kryetarit të Shoqatës Iliria, i cili prezantoi një rezyme të angazhimit 5-vjeçar të organizatës në mbështetje të komunitetit shqiptar. Në fjalimin e tij, ai theksoi arritjet e Shoqatës në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor, duke shprehur mirënjohjen për kontributet e anëtarëve, bizneseve dhe mbështetjen e të pranishmëve.
Pas fjalës së tij, senatori i Missouri-t Doug Beck, përshëndeti komunitetin shqiptar, duke vlerësuar rolin e tij në forcimin e diversitetit kulturor dhe integrimin shoqëror në St. Louis. Ai shprehu konsideratat e tij për Shoqatën Iliria dhe përgëzoi organizatorët për përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe zhvillimin e traditave shqiptare.
Në vazhdim, të pranishmit shijuan ushqime tradicionale shqiptare të përgatitura me mjeshtëri nga amvisat e komunitetit. Një moment me rëndësi të veçantë ishte prezantimi i bizneseve Nova Cafe dhe Dea Market, të cilat ofruan një ekspozitë të produkteve të tyre, duke kontribuar në mbështetjen e sipërmarrjeve shqiptare në diasporë.
Po ashtu, z. Sokrat Bozo, koleksionist i njohur, prezantoi një koleksion unik me artefakte shqiptare, duke përfshirë fotografi me veshje tradicionale dhe foto të ndryshme me firnat e ndërtuesve të “Harkut të Saint Louis-it”, që pasqyroi ndërthurjen e kulturave dhe historinë e komunitetit.
Eventi përfshiu gjithashtu aktivitete argëtuese për fëmijët, të cilët morën pjesë në lojëra të ndryshme dhe në një ndeshje futbolli, duke sjellë një atmosferë festive dhe gjithëpërfshirëse. Një element kreativ i aktivitetit ishte edhe “face painting” i realizuar nga Erika Hajdini, e cila dekoroi fytyrat e fëmijëve me figura artistike dhe personazhe të ndryshme.
Ky aktivitet jo vetëm që përkujtoi rrugëtimin e Shoqatës Iliria, por edhe shërbeu si një mundësi e vlefshme për anëtarët e komunitetit shqiptar që të takohen, të ndajnë eksperienca dhe të forcojnë lidhjet ndërmjet tyre. Falë organizimit të suksesshëm dhe pjesëmarrjes së gjerë, kjo festë mbetet një moment domethënës në historinë e komunitetit shqiptar të St. Louis.