• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FILLUAN FESTIMET E KRISHTLINDJEVE

December 8, 2024 by s p

Thanas L. Gjika/

(Koncerti i Korit të Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, Worcester MA)

Kisha shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë”, Worcester MA, sipas rregullit të saj të përvitshëm, më datën 7 dhjetor ora 7:00 PM hapi sezonin e festimeve të Krishtlindjeve me koncertin e këndshëm që dha kori i kishës me këngët kushtuar Lindjes së Jezu Krishtit. 

Fr. Mark Doku, prifti i kishës, e hapi festën. Në fjalën e rastit veç të tjerave ai falenderoi dirigjentët, z-njtë Lazi Danga & Jon Anderson, dhe anëtarët e korit: Androniqi, Olgeta e Sofiela Danga, dhe Terry Peters, Chrisy Andersons, Henry Anderson, Kevin Koroveshi, John Sedares dhe Remingnton Janssen. 

Më tej Fr. Marku falenderoi grupin e madh të grave dhe vajzave që punuan disa ditë me radhë nën drejtimin e Zonjës Barbara Pero për të zbukuruar sallën e ngrënies e për përgatitjen dhe servirjen e ushqimeve. 

U kënduan gjashtëmbëdhjetë këngë, njëra më e bukur se tjetra, por të gjitha në anglisht. Shpresoj që vitin e e ardhshëm të këndohen dhe disa këngë shqip, ashtu si këndohen në kishat ortodokse të Shqipërisë, sepse kisha “Fjetja e Shën Mërisë” (Saint Mary Assumption) si kishë shqiptare nuk duhet ta dobësojë karakterin shqiptar, por ta forcojë. Disa pjesë të liturgjisë Fr. Marku, i cili tani e zotëron gjuhën shqipe mjaft mirë, është e nevojshme t’i mbajë shqip, sepse shumë shqiptarë të moshuar duke mos ditur anglisht, po shkojnë tek kisha greke. 

Kur kam pyetur disa nga këta shqiptarë: “Pse nuk vini tek kisha jonë? Më janë përgjigjur: “Ne nuk marrim vesh anglisht, kurse greqisht dijmë disa fjalë. Kisha greke e “Shën Spiridhonit” është në mes të qytetit, dhe e kemi më pranë”. 

Mbas 32 vjet nga koha kur ndërroi regjimi dhe u hapën kufijtë, komuniteti ynë shqiptaro-amerikan është shtuar. Edhe anëtarësia e kishës sonë është shtuar e forcuar nga pjesëmarrja e të riardhurve mbas vitit 1992. Mbas këtij viti e këtej i janë bërë kishës disa përmirësime arkitekturore dhe mbi të gjitha asaj iu zbukuruan muret me pikturat e realizuara me sukses prej piktorit të talentuar Dhimitër Çika, të cilat kanë një vlerë sa dyfishi i karabinasë së godinës fillestare të vitit 1992. Shqiptarët e riardhur po bien në sy edhe si donatorë në shumë.  Festa fetare dhe komunitare, sidomos në organizimin e Festivalit të kulturës shqiptare. Edhe në listën e donatorëve të këtij koncerti, përvec familjeve të ardhura para L2B si familjet Eleonor & John Sedares, Tom Christo, Barbara Pero, Paul Proco, kishin kontribuar dhe familje të ardhura pas vitit 1992: Altin Kosta, Pavlina Tollkuci dhe Sophia Zhidro. 

Bashkia e qytetit na ka thënë se në Worcester MA dhe rrethinat jetojnë mbi 25 mijë shqiptarë. Nga këta shumica janë korçarë, përmetarë e gjinokastritë të besimit ortodoks. Por nuk është bërë punë e mjaftueshme afruese dhe kështu kisha jonë nuk ka më shumë se 500-600 anëtarë, kur mund të kishte disa mijëra…

Pasi përfundoi koncerti, pjesëmarrësit zbritën poshte te salla e madhe e ngrënies. Tavolinat ku darkuan mbi 100 vetë kësaj radhe ishin stolisur shumë më bukur se herët e tjera. Ranë në sy mbulesat e bardha krejt të reja të zbukuruara me shirita shumëngjyrësh, dhuratë e familjes Danga; vazo me lule të gjalla “Christmas Flowers”, pjata të bardha plot lule anash, kurse lugët pirunat e thikat plastike të cilësisë së parë të lyera me varak të verdhë, dukeshin si të lara në flori.

Ushqimet ishin vendosur në dy tavolina të mëdha në mes të sallës, ku njerëzit vetëshërbeheshin. Sallatra, mezera, ushqime deti si karkaleca, oktapod, etj, qofte me mish viçi, kuvare e kërpudha të mbushura, fasule pllaqi, etj dhe ëmbëlsira të shumllojshme…

Për herë të parë u përdorën disa tavolina të vogla të rrumbullakta të larta, ku hanin e pinin në këmbë tre – katër veta. Gostia vijoi nga ora 8:00 deri në 10:30 PM.

Të gjithë u kënaqën së tepërmi, dhe herë pas here thoshin: “Kësaj here jemi kënaqur më shumë se vitet e tjera, ju lumshin duart zonjave që e ngritën nivelin e shërbimit e të paraqitjes së gostisë”

Shprehja e kënaqësisë vijoi edhe të nesërmen, pra sot ditë e dielë 8 dhjetor, tek salla poshtë ku u pinë kafet e të ndarave për zonjat Eileen Tisdale dhe Valentina Raci…

Filed Under: Reportazh

“DJEMTË E SHËN MËRISË” FESTUAN DITËN E FLAMURIT

December 6, 2024 by s p

Thanas L. Gjika/

Më 3 dhjetor ora 6::30 PM filloi tek salla e poshtme e Kishës “Fjetja e Shën Merisë ” gostia e përmuajshme e Shoqërisë “Djemtë e Shën Merisë ”. Kjo darkë iu kushtua Festës së Pavarësisë. Kësaj radhe numri i pjesëmarrësve ishte më i madh. Edhe menyja ishte më e pasur sidomos me mezera të ndryshme plus gjellën me peshk e pilaf, sallate e ëmbëlsira. Gatimet si gjithnje i kishte kryer Z. Ilir Mihallari, Trebicka, gjyshi i të cilit, Rako Sotir Trebicka, ka qenë vatran në vitet 1912-1920, në degen Siatle Washington, bashke me vëllezërit e tij Hari, Simi, Nisi.

Father Marku hapi gostine me lutjen “Ati Ynë ”. Pas bekimit të tij shkuam të gjithë e mbushem pjatat me mezera, e me pas me sallate e Peshk me pilaf. Te pira alkolike ose jo alkolike ishin me bollek tek tavolina tjetër. Disa pjesëmarrës kishin sjellë dhe pije te tyre.

Pasi Ilia Terova, kryetari i shoqërisë me Ilir Mihallarin sekterari i thesarit, shoqëruar nga shumë pjesëmarrës, kënduan hymnet e flamurit Amerikan dhe Shqiptar, lexuan axhenden e mbledhjes deri në muajin dhjetor, mbi të ardhurat, shpenzimet, dhuratat dhe mbetjen prej $ 4.903.

Pastaj u thirren të dilnin në krye vëllezërit Ndoc e Geg DELIA veshur me rroba kombëtare dhe me ciftelitë e tyre të bukura. Këta kënduan këngë të ndryshme patriotike sidomos për flamurin tone kuq e zi, meqenese darka i ishte kushtuar Dites se Pavaresise.

Kështu shqiptaro-amerikanet e Worcester MA e festuan dy herë Diten e Flamurit, herën e parë me 26 Nentor tek sheshi i Bashkise ku para ngritjes se flamurit, buciten kenget patriotike te kenduara prej vellezerve Delia; dhe kete mbremje ku vec valvitjes se flamurit, hymneve kombetare u kenduan perseri kenge patriotike prej dyshes DELIA.

Ma do zemra qe instrumenti i ciftelise qe po perdorin me mjeshteri vellezerit DELIA ketu tek ne dhe shume instrumentiste te tjere ne Shqiperi, Kosove, Maqedoni te Veriut dhe ne Mal te Zi e kudo ne diasporen tone, te terheqin vemendjen e specialisteve boterore te muzikes dhe ta shpallin kete instrument, nenen e kitares dhe buzukut, pasuri te UNESKO-s.

Filed Under: Reportazh

Mandrica, fshati shqiptar në Bullgari

December 4, 2024 by s p

Saimir Kadiu/

Mandrica (bullgarisht: Мандрица) është një fshat i vogël dhe unik në Bullgari, i njohur për rrënjët e tij shqiptare. E vendosur në rajonin e Ivaylovgradit, vetëm pak kilometra larg kufirit grek, Mandrica është një shembull i rrallë i pranisë shqiptare në Ballkan jashtë territoreve të sotme shqiptare. Ajo qëndron si një dëshmi e diversitetit kulturor të rajonit.

Historia e Mandrikës

Mandrica u themelua nga shqiptarët. Me kalimin e shekujve, fshati u zhvillua në një qendër që ruajti gjuhën e tij të veçantë dhe traditat kulturore. Komuniteti shqiptar në Mandricë ishte i njohur për mjeshtërinë e tij, bujqësinë dhe aftësinë e tij për të ruajtur identitetin e tij kulturor ndër breza, pavarësisht ndryshimeve dhe sfidave me të cilat përballej rajoni.

Identiteti dhe gjuha shqiptare

Banorët e Mandricës fillimisht flisnin një dialekt të veçantë shqip, të dallueshëm nga ata në Shqipëri dhe viset e tjera shqipfolëse. Ndërsa gjuha shqipe është zhdukur kryesisht nga përdorimi i përditshëm në fshat, shumë zakone dhe tradita kanë qëndruar. Disa banorë të moshuar ende flasin shqip dhe trashëgimia kulturore e fshatit ruhet përmes traditave gojore, festave dhe zakoneve lokale.

Arkitektura e Mandricës

Mandrica është e njohur për arkitekturën e saj mbresëlënëse. Shumë prej shtëpive, të ndërtuara në shekullin e 19-të, janë struktura me tulla dykatëshe, gjë që është e pazakontë për rajonin. Veçoritë arkitekturore të Mandricës pasqyrojnë ndikime ndërtimore shqiptare të shkrira me traditat vendase, duke krijuar një estetikë unike që është një tipar përcaktues i fshatit.

Zhvillimi demografik

Si shumë zona rurale në Bullgari, Mandrica ka vuajtur nga rënia e popullsisë. Në dekadat e fundit, shumë banorë janë larguar nga fshati për të kërkuar punë në qytetet më të mëdha ose jashtë vendit. Sot Mandrica ka mbetur vetëm një grusht banorësh, por ajo mbetet një simbol i trashëgimisë shqiptare në Ballkan.

Rëndësia e Mandricës

Mandrica është më shumë se një fshat – është një dëshmi e gjallë e pranisë dhe diversitetit kulturor shqiptar në Bullgari. Ai shërben si një kujtesë e lidhjeve dhe shkëmbimeve historike midis popujve të Ballkanit. Për historianët, etnologët dhe turistët, Mandrica ofron një mundësi magjepsëse për të eksploruar historinë e pasur dhe rrënjët kulturore të rajonit.

Mandrica është një vend unik që demonstron kulturat e ndërthurura dhe të larmishme të Ballkanit. Pavarësisht rënies së popullsisë, fshati mbetet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të rajonit. Mandrica meriton të ruhet dhe vlerësohet – si një simbol i historisë dhe identitetit shqiptar që vazhdon të ekzistojë përtej kufijve modernë të Shqipërisë.

Një bullgar i famshëm nga Mandrica

Një bullgar i shquar nga Mandrica është Hristo Daskalov, një politikan dhe mësues i respektuar që jetoi në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Hristo Daskalov kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin kulturor dhe politik të Bullgarisë dhe punoi pa u lodhur për të promovuar arsimin dhe përparimin e rajonit.

Filed Under: Reportazh

Kalendar: 80 vjetori i lindjes së Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova

December 2, 2024 by s p

-Presidenti Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve\

 SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 2 Dhjetor 2024/ Para 80 viteve,  në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, ka lindur Ibrahim Rugova, i cili kujtohet si Presidenti historik dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës.

Tradicionalisht, përfaqësues institucionalë e politikë dhe qytetarë  i bëjnë homazhe Presidentit historik dhe vizitojnë familjen e tij.

 Në veprimtaritë në Kosovë theksohet se  në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e popullit, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

Që para më shumë se tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, para 35 viteve – në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit të 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për Shtet Sovran dhe të Pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Po në vitin 1992 kur u votua në zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare, Rugova për herë të parë si President i parë i Kosovës Ditën e Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorin e festoi në Vlorë në 80 vjetor. Nga Vlora dhe në festimet tjera e urimet nëpër vite të 28 Nëntorit Presidenti Rugova theksonte edhe mesazhin se Pavarësia e Kosovës është plotësim i Pavarësisë Shqiptare, “e cila u cungua pa vullnetin e shqiptarëve”.

“Në 28 Nëntor 1992 Presidenti Rugova qëndron në Vlorë në festimin e 80 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai realizon takime me Presidentin Sali Berisha dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar”, shkruaj nga faqe historie.

Në 80 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit, në 28 Nëntor 1992, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, uronte të gjithë shqiptarët në botë.

“Një  URIM I MADH në këtë kremtim jubilar për të gjithë shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në viset e tjera etnike dhe në diasporë, duke filluar nga Zelanda e Re, Australia, Evropa dhe Amerika, të cilët gjithmonë kanë qenë të lidhur me Shqipërinë dhe me trojet etnike shqiptare dhe me çështjen shqiptare”.

Ky ishte urimi i parë për 28 Nëntorin i Dr. Ibrahim Rugovës si President i Kosovës i zgjedhjeve të para pluraliste të 24 Majit 1992. Presidenti historik Rugova ka uruar në një deklaratë ekskluzive të botuar me titullin “Shqiptarët sot janë më të bashkuar se asnjëherë”  në 28 Nëntor 1992 në ballinën e gazetës së rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia okupatore të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.

I zgjedhur president i Kosovës në zgjedhjet e para pluraliste, Dr. Rugova pas vizitës në Shqipëri në Nëntor për festën e 80 vjetorit të Pavarësisë, në Dhjetor 1992 shkoi në Bruksel, ku takohet me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje Pesidentit Rugova si lider i popullit shqiptar për kontributin e tij në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari Amerikan i Shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.

Presidenti Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 30 viteve fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, si edhe në raste të tjera, falënderonte e vlerësonte shumë për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Atë intervistë të parë me Presidentin e parë të Kosovës e zhvilloja në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. 
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. 
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës. 
 “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. 
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger.

 Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

 Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.

Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.

Në Tetorin e vitit 2005,  Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.

 “Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.


“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.

Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:

“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.

Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

 Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005.
 “Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ibrahim Rugova u shua në 21 Janar 2006. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës.

SHKRIME NGA ARKIVI:

KRYETARI I VATRËS, Z. ELMI BERISHA, NDEROI ME MIRËNJOHJE TË ARTË DR. IBRAHIM RUGOVËN (PAS VDEKJES)

Të Premten, 3 tetor 2020, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” z. Elmi Berisha ka nderuar Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova (Pas vdekjes) me Medaljen e Artë të Vatrës.

       Në tekstin e Mirënjohjes shkruhet:

 Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” nderon me “Mirënjohjen e Artë” – Post Mortem – Presidentin e Parë Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për kontributin e jashtzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, për udhëheqjen vizionare të Rezistencës të Kosovës për Liri dhe Demokraci, për ndërtimin e urave të miqësisë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Dr. Rugova ishte arkitekti i ndërtimit të shtetit dhe Pavarësisë së Kosovës.”

I pyetur nga gazeta Dielli, Kryetari Berisha, tha se ishte i privilegjuar që e ndau këtë nderim me familjen Rugova, i cili kishte një vlerësim të jashtzakonshëm për Vatrën. Z. Berisha tha se takimi me Zonjën e Parë të Kosovës, Fane Rugova dhe pjestarët e tjerë të familjes në Shtëpinë Historike të Presidentit, ishte i përzemërt dhe i mbushur me emocione.

– Ne biseduam dhe kujtuam miqësinë dhe bashkëpunimin për rreth tri dekada me Presidentin Rugova. Posaçërisht kujtuam kohën kur isha përfaqësues special i Presidentit Rugova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë Zyrës së Senatorit Republikan Bob Dole, – tha Kryetari Berisha.

Zonja Fane falenderoi Vatrën për nderimin që i bëri Presidentit Rugova.

   Ky nderim që iu bë Presidentit Historik nga Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” përkoi me 31 vjetorin e vizitës së Parë të Dr. Ibrahim Rugovës në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Ishte Seminari kushtuar 300 Vjetorit të Pjetër Bogdanit, kur Dr. Rugova u ftua së bashku me ligjërus të tjerë në SHBA. 

Me 4 tetor të vitit 1989, Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, organizoi seminarin shkencor, në të cilin ishin të ftuar folës të zgjedhur dhe personalitete të njohura shqiptare në fushën e kulturës, të fesë dhe politikës Kombëtare të asaj periudhe, si : Profesor Arshi Pipa, At Danjel Gjeçaj, Dr. Ibrahim Rugova dhe Profesor Dr. Engjëll Sedaj (të ardhur nga Kosova), si dhe Profesor Martin Camaj, ardhur nga Gjermania. (Gazeta Dielli)

ME VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova….  Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 i 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ishte vendosur mbishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…

Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…

22 Janar 2006: PIKËLLIM I MADH NË CERRCË, TEK MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA

– Nga Behlul Jashari –

     PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/ – Pikëllim i madh ka rënë në vendlindjen e Presidentit Ibrahim Rugova, në Cerrcë të Istogut, te molika që ai kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, kur ishte tetë vjeç. Presidenti Rugova vdiq në moshën 61-vjeçare, molika vazhdon të rritet në vendlindjen e tij edhe pas 53 vjetëve.
     Rreth asaj molike u tubuan njerëzit e fshatit, sapo morën lajmin për vdekjen e Presidentit dhe si në një vend të bekuar qëndrojnë të bashkuar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 orë nga lajmi i hidhur. 
     “Me duart e veta e pat mbjellë këtë molikë”, thotë xhaxhai i Ibrahim Rugovës, Ali Rustë Rugova, njeriu që e rriti dhe e shkolloi dhe që sot pret ngushëllime. “A ende e paske molikën time?”, e kishte pyetur Rugova i lumtur xhaxhain  në vizitën e fundit që i bëri vendlindjes.
     Në luftën e fundit, forcat serbe dogjën e rrënuan shtëpitë e familjes Rugova. Aliu tregon me dorë andej ku tani nuk ka më shtëpi dhe thotë: “Në këtë vend ka lindur Ibrahimi, këtu e kemi pasur truallin e shtëpisë”.
     Por historia e familjes Rugova është edhe më e hidhur. Vetëm një muaj pasi lindi, foshnja që e kishin quajtur Ibrahim, mbeti pa babanë: Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, ndërsa më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë, Ukë Rugovën dhe gjyshin, Rustë Rugovën. Ky i fundit ishte luftëtar i njohur kundër grupeve çetnike që kishin depërtuar gjatë Luftës II Botërore në krahinën e Rugovës.
     “I kanë vra në Kullën e Popit. I vrau OZNA, UDB-ja. As sot nuk ua dimë eshtrat”, tregojnë njerëzit e familjes Rugova. Më e moshuara e Cerrcës, Rabë Rugova, mbi njëqind vjeçe, tregon edhe histori të tjera. “Uka, babai i Ibrahimit, ka pasë lindë pas gjashtë vajzave dhe ishte gëzim i madh për familjen e farefisin. Kur Ukën e vranë, për Ibrahimin u kujdes vëllau im, Aliu, si për djemtë e vet”.
     Në Cerrcë tregojnë se plaka Rabë shpesh çohet edhe natën dhe e puth fotografinë e të nipit, President i Kosovës. Tregojnë edhe histori të tjera. Tregojnë se tek i biri, Uka, Ibrahim Rugova ka përtërirë emrin e të atit, Ukës së vjetër. 
     Bashkë me të tjerët, pret ngushëllime edhe Ajet Hasanaj, shok i fëmijërisë dhe i shkollës i Ibrahim Rugovës. “Ibrahimi ishte i gjithë Kosovës”, flet ai me dhembje të madhe për humbjen e madhe. “Kosova do shkojë përpara edhe pas Rugovës, se ka veprën e tij të madhe. Ibrahim Rugova do mbetet përgjithmonë President i Pavarësisë së Kosovës”, thonë njerëzit në Cerrcë, në vendlindjen e Presidentit Rugova.
/pas/s.s./

Filed Under: Reportazh

Albanian Flag Raising in Worcester, MA – Takeaways

December 1, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

“America has stood up for Albania as a nation many times in its history and has welcomed thousands of Albanians,” said Frank Zdruli in his remarks delivered shortly after the Albanian flag raising in front of the Worcester City Hall, on November 26. A “third generation Albanian American,” whose ancestors settled in the new country after migrating from Korca, Albania, in the last century, like many compatriots, Zdruli considers Worcester “a cradle of the rise of the Albanian Identity in the American Diaspora… and “the protective Castle of our Albanian Identity” today.

Mayor Joseph Petty and two Council members of Albanian descent Donna Colorio and Ethel Haxhia highlighted the significance of Albania’s Declaration of Independence followed by the reading of the Proclamation of the Worcester City Hall. The remarks by Archpriest Father Mark Doku, Gregory Stefon and Frank Zdruli who spoke on behalf of the Saint Mary’s Assumption Albanian Orthodox Church, Worcester, pointed out at the new dynamics that the thriving community of Albanians has seen since the 90s and onward. The speeches blended well with the cultural program featuring poems recited by students and traditional singing performers.

A particular visual reminder of honoring the ancestral homeland and the Albanian nation as part of Worcester’s community history came in the form of a fifty-year-wedding-anniversary photo of Helen Naum and Xhejms Miço Soter (Sotir). The Soter family descendents, sisters Karen Bullis and Gretchen Moody, and their daughters, Jillian and Kyra, recall how their grandparents came from Drenova to the US, later married and had their children here. They felt that bringing the family’s keepsake – the picture of their grandparents’ golden wedding anniversary to the Albanian flag raising ceremony in Worcester was an homage to their Albanian heritage.

In the crowd that gathered to honor the 112 anniversary of Albania’s Independence, there were Worcester Albanians who have been born here, others who have settled early last century, and those who crossed the Atlantic at the turn of the new century and even in the last decade. All gathered at the square with a deep sense of gratitude. A photo brought purposely by the second generation Americans Karen and Gretchen Soter (Sotir) mingled well with mental images and emotions of Worcester Albanians regardless of when or how long they have been here. 112 years after Albania proclaimed its independence on November 28, 1912, in Vlora, Worcester Albanians honored the same symbol, that, on Thursday, they saw rise up next to the city and the American flag, the black double-headed eagle at the center of a red field.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT