• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri

January 20, 2026 by s p

Nga Dashnim HEBIBI/

Reportazh i zgjeruar nga promovimi i dy librave dhe ndarja e çmimit “Ikona e Diasporës Shqiptare” – Langenthal, 17 janar. E vonova raportimin e promovimit të dy librave dhe ndarjes së çmimit “Ikona e Diasporës”, sepse desha të lejoja emocionet të rrjedhin pa u ndalur nga profesionalizmi.

Që nga ora 23:00 e natës së 17 janarit e deri sot, kam marrë dhjetëra mesazhe dhe fjalë miradie për organizimin e mbrëmjes së madhe kulturore në Lagenthal, së bashku me mikun tim Florim Useini dhe miqtë e tjerë.

Nuk më ka ndodhur kurrë të vonoj një shkrim, por për këtë organizim më duhej të prisja dy ditë, për t’i ndarë emocionet në mënyrën e duhur. Megjithatë, më është e vështirë të përmend të gjitha ato që pamë. Do të përmend megjithatë disa momente, ku nuk munguan as lotët.

Mbrëmja e 17 janarit në Langenthal nuk ishte thjesht një ngjarje kulturore, por një manifestim i rrallë, ku fjala e shkruar, arti, diplomacia dhe përkushtimi atdhetar u ndërthurën në mënyrë të natyrshme dhe dinjitoze. Me pjesëmarrjen e mbi 300 bashkatdhetarëve, personaliteteve nga atdheu dhe diaspora, kjo mbrëmje dëshmoi se kultura shqiptare në mërgatë jo vetëm që jeton, por di edhe të organizohet me nivel të lartë përfaqësimi dhe përmbajtjeje.

Promovimi i dy librave, “Udhëtim drejt rrënjëve” dhe “Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, të bashkautorëve PhD. Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, u realizua sipas një programi të pasur dhe të detajuar, ku çdo pjesë kishte rolin dhe domethënien e vet.

Hapja solemne dhe përshëndetjet zyrtare

Manifestimi u hap me Himnin Kombëtar, interpretuar nga Ansambli “Trojet”, me qendër në Winterthur, i drejtuar nga Zeqë Gashi, një nga figurat më të përkushtuara në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në Zvicër. Që në fillim u krijua një atmosferë solemne dhe emocionale, e denjë për peshën e ngjarjes.

Përshëndetjen hyrëse e mbajti Florim Useini, i cili, me një stil të natyrshëm dhe komunikues, përshëndeti të pranishmit dhe veçoi personalitetet që nderuan manifestimin me praninë e tyre:

z. Darling Vlora, pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës, i shoqëruar nga publicisti i mirënjohur që jeton e vepron në Itali, Arsim Mulliqaj,

znj. Monika Zguro, këshilltare në Ambasadën e Shqipërisë,

z. Valon Gashi, Sekretar i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë,

z. Mentor Latifi, Ambasador i Republikës së Kosovës në Zvicër,

z. Rexhep Demiri, Ambasador i Maqedonisë së Veriut në Zvicër,

z. Vigan Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih,

z. Mehmet Ballazhi, Kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, Prof.Dr. Fadil Çitaku, Dr.Sali Sefa, ish konsull, Fadil Asani, Fadil Selmani-Kapiti, Taip Zeqiri, Ilmi Cakolli,

Shaban Tërstena, legjendë e sportit shqiptar, Berat Thaçi editor i shtëpisë botuese “Libri im” me qendër në Pejë, Prof. Dr.Ylber Qusaj, Rafet Ademi, Isa Maliqi, Fazli Musliu, Prof. Nasir Rrustemi, Remzi Durmishi, Musa Sylejmani, etj. Mysafirët erdhën nga Gjermania, Italia, Franca, Austria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe nga të gjitha trojet shqiptare, deri në SHBA.

Ndër të pranishmit ishin edhe përfaqësues nga LAPSH, përfshirë Hamze Morinën, mësues veteran dhe ish-kryetar i LAPSH, Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH për Cyrih, Perparim Sabriu, atdhetar, si dhe personalitete të shumta të jetës kulturore, akademike dhe shoqërore. Librat, me nga 400 dhe 600 faqe, janë botuar nga shtëpia botuese “Libri im” nga Peja, me editor Berat Thaçi dhe redaktor teknik Xhavit Thaçi, duke përfaqësuar një punë serioze dhe të përkushtuar intelektuale.

Kujtesë historike dhe fjala e autorit

Me propozimin e Dashnim Hebibit, u mbajt një minutë heshtje në nderim të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, dëshmorëve të Flakës së Janarit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar.

Fjala e autorit, Dashnim Hebibi, ishte e mbushur me emocione të përmbajtura, reflektim dhe mirënjohje. Ai falënderoi të gjithë ata që kishin kontribuar në realizimin e librave dhe në organizimin e kësaj mbrëmjeje, duke veçuar bashkautorësinë me Florim Useinin si një rrugëtim të përbashkët që ka lindur nga dashuria për kombin dhe mërgatën.

Ndërhyrjet artistike – lahuta, kënga dhe vallja

Programi artistik ishte një nga shtyllat kryesore të manifestimit. Lahutari Shaqir Demaj – Baca Shaqë, pjesë e Ansamblit “Trojet”, interpretoi një pjesë instrumentale me lahutë, duke rikujtuar rrënjët epike të kulturës shqiptare, veçanërisht domethënëse në vitin e lahutës.

Më pas, Marisa Murtezi dhe artistë të tjerë të rinj nga Ansambli “Trojet” sollën këngë dhe valle tradicionale shqiptare, ndërsa grupi i valltarëve, nën udhëheqjen e Donjeta Gashi, Ensar Morina dhe Leotrim Gashi, interpretoi një suitë vallesh kosovare që u prit me duartrokitje të gjata.

Paneli i promovimit – libri “Udhëtim drejt rrënjëve”

Në panelin e promovimit të librit të parë, u lexua fjala e redaktorit, e përgatitur nga Jeton Arifi dhe e lexuar nga poetja Shqiponja Vrajolli, e cila jeton dhe vepron në Zvicër. Fjala e redaktorit e cilësoi librin si një reportazh unik, me karakter dokumentar dhe emocional, që shndërrohet në një udhërrëfyes modern për diasporën shqiptare.

Një kontribut të veçantë intelektual dha Prof. Dr. Xhavit Lipaj, kritik letrar, krijues dhe përkthyes i librit. Në fjalën e tij, Lipaj vlerësoi strukturën, gjuhën dhe rëndësinë dokumentare të veprës, duke theksuar se “Udhëtim drejt rrënjëve” është një libër që i flet lexuesit jo vetëm si tekst, por si përvojë.

Diskutime dhe bashkëbisedim

Autorët Florim Useini dhe Dashnim Hebibi ndanë me publikun rrugëtimin krijues dhe bashkëpunimin e tyre, ndërsa Meti Krasniqi, i cili ka qenë pjesë e madhe e këtij udhëtimi, solli një përshëndetje të sinqertë dhe miqësore.

Fjala e diplomatëve dhe promovimi i librit të dytë

Në vazhdim, fjalë rasti mbajtën përfaqësues diplomatikë:

znj. Shukrije Ramadani, zv ambasadore,

znj.Monika Zguro, këshilltare e ambasadorit të Shqipërisë në Bernë

dhe z. Rexhep Demiri, i cili, përveçse si diplomat, u përjetua si figurë përbashkuese e mërgatës shqiptare.

Më pas u promovua libri “Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, kushtuar Ambasadorit Demiri. Kulmi i mbrëmjes arriti kur Ambasadori i RMV, Rexhep Demiri, mori në dorë librin e tij, ndërkohë që po fliste për veprën tjetër të autorëve Dashnim Hebibi dhe Florim Useini. Për një çast u ndal, sytë i ulen mbi faqet e librit, dhe një shtangje e heshtur mbushi sallën. Askush nuk e kishte njoftuar se kjo vepër i dedikohej atij.

Një peshë të veçantë historike dhe emocionale mbrëmjes së 17 janarit në Langenthal i dha prania dhe roli i z. Darling Vlora, pasardhës i Ismail Qemal Bej Vlorës. Pikërisht nga duart e z. Darling Vlora u nda çmimi “Ikona e Diasporës Shqiptare” për Ambasadorin Rexhep Demiri, duke e shndërruar këtë akt në një moment me simbolikë të rrallë për diasporën shqiptare në Zvicër.

Z. Vlora nuk ishte i pranishëm vetëm si mysafir nderi, por si bartës i një trashëgimie historike që lidhet drejtpërdrejt me themelimin e shtetit shqiptar. Dorëzimi i çmimit prej tij krijoi një lidhje të natyrshme mes idealit të Rilindjes Kombëtare dhe përkushtimit bashkëkohor të një diplomati që, përmes punës së tij të qetë dhe konsekuente, ka fituar respektin e gjerë të mërgatës shqiptare.

Dedikim i Çmimit

Ikona e Diasporës Shqiptare 2025

Shkëlqesisë së Tij,

Rexhep Demiri

Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Konfederatën Helvetike

Ky çmim i dedikohet një personaliteti që me dinjitet, vizion dhe përkushtim ka përfaqësuar jo vetëm shtetin që përfaqëson zyrtarisht, por edhe vlerat më të larta të diasporës shqiptare në Zvicër dhe më gjerë.

Përmes angazhimit të tij diplomatik, urtësisë institucionale dhe afërsisë së sinqertë me komunitetin shqiptar, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri ka ndërtuar ura bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe respekti ndërmjet institucioneve shtetërore dhe diasporës sonë aktive. Ai ka qenë një zë i arsyes, një figurë bashkuese dhe një përfaqësues i denjë i një diplomacie moderne, njerëzore dhe gjithëpërfshirëse.

Kontributi i tij i vazhdueshëm në forcimin e rolit të diasporës, në afirmimin e vlerave kulturore, shoqërore dhe kombëtare, si dhe në promovimin e imazhit të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, e bën atë një shembull të qartë të shërbimit publik me integritet dhe përgjegjësi.

Me këtë dedikim, Ikona e Diasporës Shqiptare 2025 nderon një figurë që simbolizon besimin se diplomacia nuk është vetëm përfaqësim shtetëror, por edhe shërbim ndaj njerëzve, historisë dhe së ardhmes së përbashkët.

Ky vlerësim është shenjë mirënjohjeje, respekti dhe nderimi për një personalitet që me veprën e tij ka lënë dhe po lë gjurmë të qëndrueshme në jetën e diasporës shqiptare. Ky manifestim po shndërrohet tashmë në një ngjarje tradicionale kulturore, e cila organizohet posaçërisht në kuadër të Flakës së Janarit – një simbol i qëndresës, sakrificës dhe kujtesës kombëtare shqiptare. Flaka e Janarit përkujton figurat dhe veprën e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, duke u shndërruar ndër vite në një thirrje për reflektim, unitet dhe vazhdimësi kulturore, veçanërisht në diasporë.

Me respekt dhe konsideratë të lartë,

Këshilli Organizativ

Ikona e Diasporës Shqiptare

PhD. Dashnim Hebibi

President

Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore

Cyrih, Zvicër.

IKONA E DIASPORËS SHQIPTARE 2025

Nr. Protokolli: 01

Me nderim të veçantë i akordohet

Shkëlqesisë së Tij, z. Rexhep Demiri

Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut

në Konfederatën Helvetike

Në shenjë mirënjohjeje të thellë për kontributin e tij të shquar diplomatik, për përkushtimin e palëkundur institucional dhe për angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të diasporës shqiptare, duke promovuar vlerat kombëtare, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe forcimin e lidhjeve midis atdheut dhe mërgatës.

Ky vlerësim i jepet si dëshmi e respektit dhe konsideratës së lartë për veprën dhe misionin e tij në shërbim të komunitetit shqiptar dhe diplomacisë bashkëkohore.

Me nderime të larta,

Për Këshillin Organizativ

Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore

PhD. Dashnim Hebibi

President

Zürich, 17 janar 2026

Në fjalën e tij, z. Darling Vlora u shpreh me përulësi dhe dinjitet, duke vënë në pah rëndësinë e vlerësimit të atyre personaliteteve që punojnë pa bujë, por me rezultate konkrete për komunitetin shqiptar jashtë atdheut. Prania e tij u përjetua nga të pranishmit si një nder i veçantë, ndërsa interesimi i madh për bashkëbisedim dhe fotografi dëshmoi se figura e tij mbetet një simbol i gjallë i vazhdimësisë historike shqiptare.

Ndarja e çmimit “Ikona e Diasporës Shqiptare” nga z. Darling Vlora për Ambasadorin Rexhep Demiri e ngriti manifestimin në një nivel të lartë simbolik, duke dëshmuar se historia, kur takohet me përkushtimin e së tashmes, krijon momente që mbeten gjatë në kujtesë. Ky akt u përjetua jo vetëm si vlerësim individual, por si një mesazh i fuqishëm për gjithë diasporën shqiptare: puna e ndershme dhe shërbimi ndaj komunitetit janë vlera që i rezistojnë kohës.

Mirënjohje dhe mbyllje

Në fund u ndanë mirënjohje për kontribuuesit kryesorë, përfshirë:

Mehmet Ballazhi,

Shaban Tërstena,

Ansamblin “Trojet”,

Zeqë Gashi

Shaqir Demaj – Baca Shaqë,

Musa Sylejmani,

Daut Luboja,

Berat Thaçi, editor i Shtëpisë Botuese “Libri Im”, etj.

Manifestimi u mbyll me një këngë nga Eliza Zeqiri e Ansamblit “Trojet” dhe me një fotografi të përbashkët, duke lënë pas ndjesinë se kjo mbrëmje ishte më shumë se një promovim – ishte dëshmi se puna e qetë, përkushtimi dhe vlerat e vërteta flasin më fort se çdo vetëlavdërim.

Langenthali, më 17 janar, u bë vendtakim i historisë, kulturës dhe shpirtit shqiptar. Një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë.

Fjala e Redaktorit te libri “Udhëtim drejt rrënjëve” e lexuar nga poetja që jeton e vepron në Zvicër, znj. Shqiponja Vrajolli

Reportazhi i formatit të zgjeruar, tashmë i vënë në dispozicion të lexuesit në fromat libri, është një dimension i ri në krijimtarinë publicistike të Dashnim Hebibit. Ai, në këtë vepër përshkruese, na paraqitet si bashkautor me z. Florim Useini, një bashkatdhetar i mërguar dhe kokë e këmbë i përkushtuar rreth përforcimit të lidhjeve midis mërgatës shqiptare me trojet autoktone, si vende të origjinës së tyre.

Qasja krejtësisht alternative e hartimit të përmbajtjes së këtij itinerari të ngjyrosur me nuancat historike të secilit destinacion të përkohshëm, të vizituar kalimthi gjatë rrugës që i fton udhëtarët në oborrin e shtëpisë së gjyshit plisbardhë, të lë shijen e një dokumentari televiziv, të realizuar nga dy mastershefë kuzhine, të cilët mbledhin receta gatimesh nga çdo regjion, qytezë e fshat që i hapë dyert e mikpritjes.

Për dallim prej tyre, bashkautorët e këtij libri të veçantë për nga karakteri, motivi e përmbajtja, ndalojnë nëpër vende që përshkojnë me ‚makinën e tyre të memories‘, jo për tia shtuar listës së tyre individuale të vendeve të vizituara, por të zbuluar elementin shqiptar (ilir) brenda secilës ndalesë, që do të duhej tu shërbente shqiptarëve të mërguar si arsye shtesë për ta përdorur këtë itinerar, jo si alternativë të re, por si një ‚Via Egnatia‘ moderne të diasporës shqiptare, e cila anashkalon gropat e Serbisë, të shoqëruara me tarifa të majme rrugore dhe keqtrajtim psikologjik, duke i dhënë përparësi një territori, i cili, përveçse shumë piktoresk, në shikim historik ishte i tëri ilir.

Lexuesi, duke përshkuar faqet e kapitullit të parë, i cili shpalosë veçoritë dalluese të secilës ndalesë, fillon ta ndjejë veten si shikues të një reportazhi filmik dokumentar, të cilin, herë e shoqëron lindja e diellit diku pranë Detit Adriatik, e herë e përkëdhelë perëndimi romantik i tij, tek sa automjeti i autorëve përshkues të kësaj gjeografie i afrohet Detit Jon, kaltërsinë e kristaltë të të cilit nuk e zbeh dot as muzgu.

Autorët, duke i dhënë vetes një mision të pazakontë, përmes përmendjes e përshkrimit të vendeve të përshkuara gjatë këtij udhëtimi pelegrinazh, i flasin lexuesit për historinë e secilës deriçkë ku kanë trokitur. Ata shpalosin të veçantat e tyre si veçori dalluese, por edhe ofrojnë arsye shtesë pse duhet të ndalojë aty çdo i mërguar shqiptar rrugës kthyese për atdhe.

Brenda përmbajtjes së këtij libri, përmes vizitave në monumentet historike e lapidarët e ngritur për heronjtë nga një popull mirënjohës, lexuesi e rijeton rrugëtimin e autorëve, duke sjellë në kujtesë historinë e dhimbshme e krenare të popullit shqiptar.

Për ti dhënë një këndvështrim të kritikës pozitive këtij udhëtimi të veçantë, autorët i kanë dhënë hapësirë vlerësimit të miqve e ndjekësve të tyre, të cilët, përmes një vlerësimi individual e të pavarur, e kanë cilësuar këtë udhëtim si shumë frymëzues.

Përmbajtjen relativisht të shkurtë të këtij reportazhi unik e përmbyllin komentet e ndjekësve të autorëve përmes rrjeteve sociale, të cilat, brenda faqeve të librit janë pasqyruar të paredaktuara.

Jeton ARIFI

Fjala e Redaktorit te libri i ambasadorit

Ky libër i karakterit biografik, i shkruar nga bashkautorët Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, jo rastësisht është titulluar ‘Dritëhijet e një Rrugëtimi Diplomatik’, ngaqë ai i kushtohet një njeriu, i cili, në sytë e bashkatdhetarëve të tij të mërguar nga vendi i origjinës shihet më shumë se vetë ambassador i shtetit të tyre. Afërsia e tij me njerëz, qasja e tij shumë njerëzore e altruiste ka motivuar autorët e kësaj nisme që figurën e tij ta bëjnë ti rezistojë kohës dhe t’ia ofrojnë publikut të gjerë edhe jashtë kufinjve administrativë ku ai ushtron profesionin fisnik të ambasadorit.

Si shqiptar i Maqedonisë së Veriut, i brumosur që në vegjëli me tradita kombëtare dhe i edukuar me frymë atdhetare, rrëfimi për të si diplomat është, në thelb, një dedikim, përmes të cilit dëshmohet krijimi i urave kulturore, e veçanërisht bashkimi i komunitetit shqiptar të ardhur në vendet e Evropës Qendrore nga troje të ndryshme shqiptare.

Në pjesën hyrëse të librit, autorët, mes tjerash, përmes ofrimit të të dhënave jetëshkruese rreth personazhit të tij, e fusin lexuesin brenda thelbit të përmbajtjes, duke shpalosur secili prej tyre këndvështrimin e tyre personal lidhur me figurën e spikatur të Shkëlqësisë së Tij z. Rexhep Demiri. Kreu i parë i kushtohet kryesisht biografisë së ambasadorit, nga e cila, lexuesit i ofrohet mundësia t’i mësojë rrënjët e z. Demiri, rrugëtimin e tij akademik, veprimtarinë e pasur publike, e veçanërisht ngritjen e tij deri në shkëlqim si figurë e shquar prej diplomati.

Pikërisht qëndrimi i tij në detyrë, si shef i misionit në Zvicër, dëshmon adaptueshmërinë dhe shkathtësinë e ambasadorit për të nxitur lidhjet ndërkombëtare, e veçanërisht përforcimit të angazhimit të shtetit dërgues me institucionet zvicerane dhe mërgatës shqiptare.

Përmbajtja e këtij kreu nxjerr në pah aspektin njerëzor të Ambasadorit Demiri, si ngrohtësinë, intelectin dhe aftësinë për të naviguar gjeopolitikat komplekse, e bën lexuesin kurrreshtar për burrin që ai përfaqëson prapa petkut të diplomatit.

Faqet e ilustruara të kreut të dytë të këtij libri karakterizohen me intervistat e miqve dhe kolegëve të personazhit të skalitur brenda kësaj biografie të zgjeruar, përmes të cilave janë shprehur përshtypjet dhe këndvështrimet e sinqerta të tyre për individualitetin ikonik të ambasadorit. Këtu, ndikimi i ambasadorit na paraqitet i gjallë përmes syve të të tjerëve.

Mjeshtria e autorëve në këtë segment është treguar përmes hartimit të një numri të caktuar pyetjesh të njëjta, të cilave i janë përgjigjur nga prizmi personal të gjithë të intervistuarit, që ka bërë përfitimin e një pasqyre heterogjene këndvështrimesh e përshtypjesh për çështje të njëjta, por që si përkufizim kanë ndërtuar shtatoren e gjallë të Rexhep Demirit me veçoritë superlative, si emërues të përbashkët.

‘Ambasadori i trojeve shqiptare’, një cilësim i bërë nga një prej të intervistuarve, në përshkrim të personalitetit të shkëlqësisë së tij, lehtësisht do të kishte mundur të bëhej vet titulli i këtij libri, sepse në sytë e komunitetit shqiptar, pavarësisht territorit shqiptar nga cili shtet e kanë origjinën, z. Demiri shihet si ambassador i tyre, falë qasjes së tij përbashkuese, afërsisë së natyrshme e mbështetjes konkrete.

Kolegë ambasadorë e konsuj, përfaqësues të komunitetit tregtar, klerikë, projës organizatash e shoqatash kulturore kanë lavdëruar profesionalizmin e tij, shkathtësitë dhe empatinë kulturore.

Si përkufizim dalin temat e përbashkëta – aftësia e tij për të ndërmjetësuar, shkathtësia për diplomaci të qetë, si dhe krenaria e tij në përfaqësimin e Maqedonisë së Veriut dhe trashëgiminë e tij shqiptare. Këto veçori e ngrisin nivelin e librit nga një biografi, në një eksplorim të menduar të asaj që e bën dikë ambasador ‘të mirë’.

Shumëngjyrshmëria e këtij libri biografik vihet në pah pikërisht në kreun e tretë, ku autorët kanë zgjedhur ta pasqyrojnë veprimtarinë e ambasadorit përmes fotografive në kohështrirjen e shërbimit të tij si konsull në Gjermani dhe si ambassador në Zvicër.

Para përmbylljes së punës së tyre rreth këtij libri, autorët, përveç shfletimit të episodeve të veprimtarisë publike të z. Demiri nga këndvështrimi i tyre personal, kanë intervistuar njëri tjetrin për ta vënë veten e tyre në pozitën e respondentëve tjerë nga kreu i dytë.

Mbi të gjitha, kjo prurje e re e Dashnim Hebibit, të cilën po e sjell në bashkautorësi me Florim Useinin, një bashkatdhetar i ambasadorit, simbolizon një dedikim për një diplomat në kulmin e shkëlqimit të tij.

Për lexuesit e interesuar rreth diplomacisë së Gadishullit Ilirik (Ballkanit), marrëdhëniet zvicerano-shqiptare, apo, thjesht, rreth një tregimi mbi përfaqësimin e qetë diplomatik, ky libër ofron material të mjaftueshëm për të analizuar.

Jeton ARIFI

Promovimi i librave “Udhëtim drejt rrënjëve” dhe “Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik” në Langenthal më 17 janar 2026, së bashku me ndarjen e çmimit “Ikona e Diasporës Shqiptare” për Ambasadorin Rexhep Demiri, përbën një dëshmi të qartë të gjallërisë kulturore, intelektuale dhe diplomatike të diasporës shqiptare në Zvicër. Kjo mbrëmje nuk ishte thjesht një aktivitet promovues, por një ngjarje që ndërthur histori, art, diplomaci dhe përkushtim kombëtar, duke reflektuar lidhjen e ngushtë midis trashëgimisë historike dhe veprës bashkëkohore.

Librat e autorëve Dashnim Hebibi dhe Florim Useini shërbejnë si pasqyra të rrugëtimit personal dhe kolektiv të shqiptarëve në mërgatë, duke ndërtuar ura njohjeje me vendlindjen dhe promovuar identitetin kombëtar. Në të njëjtën kohë, nderimi i Ambasadorit Rexhep Demiri, në prani të z. Darling Vlora, lidhi simbolikisht përkushtimin bashkëkohor me trashëgiminë historike, duke treguar se integriteti, shërbimi dhe përkushtimi ndaj komunitetit janë vlera që tejkalojnë kohën dhe kufijtë.

Mbrëmja e Langenthal-it dëshmoi se kultura, dijet dhe diplomacia shqiptare në diasporë janë të gjalla, të bashkuara dhe të afta të krijojnë momente historike, të cilat jo vetëm nderojnë individë të shquar, por fuqizojnë gjithë komunitetin dhe promovojnë identitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, përpjekjet individuale dhe kolektive për të ruajtur traditën, për të transmetuar historinë dhe për të ndërtuar bashkëpunime ndërkulturore shfaqen si shembuj frymëzimi për brezat e ardhshëm të diasporës. Në fund, bashkautorët, dy miq të vjetër, u përqafuan me njëri-tjetrin, edhe pse gjatë gjithë kohës kishin batuta të ëmbla, dhe programi i promovimit kaloi pa asnjë pengesë. Ata deshën të falenderonin të gjithë të pranishmit. Falenderuan sponsorët, të gjithë ata që punuan për realizimin e dy librave, si dhe të gjithë pjesëmarrësit, të cilët mbajtën fjalën e dhënë që nuk do të bënin asnjë koment ndaj ambasadorit.

Nga atdheu mbërritën edhe telegramet e urimit nga lideri Ali Ahmeti, filantropi Lazim Destani, si dhe ish-kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari. Librat pritet të ribotohen, pasi gjatë promovimit u shkuan thuajse të gjitha kopjet. Libri i ambasadorit është gjithashtu në gjuhën gjermane.

Kjo punë e madhe, gati njëvjeçare, dëshmon se ka njerëz të mirë që e dinë vlerën e atyre që punojnë.

Foto nga Mestro, Daut Luboja

Filed Under: Reportazh

KORÇA E SERENATAVE DHE HUMORI LETRAR

January 7, 2026 by s p

Konkursi mbarëkombëtar i letërsisë së humorit “Niko Nikolla”.

Para pak ditësh, më saktë në datat 13-14-15, në mes të muajit dhjetor, 2025, në teatrin “Andon Zako Çajupi”, në qytetin e Korçës, u organizua konkursi i III-të mbarëkombëtar i letërsisë së humorit “Niko Nikolla”. I gjithë takimi u projektua dhe u organizua nga Flora Nikolla, bijë e mjeshtrit të humorit Niko Nikolla.

Po i them që në fillim fjalët që duhen vendosur në fund të këtij shkrimi: – “Jam tejet i kënaqur që u bëra pjesë e këtij konkursi letrar, me librin tim “Filxhani me buzë të kafshuar”. (Tregime). Unë përmbusha një ëndërr të kahershme. Isha një ndër 31 autorët e përzgjedhur”.

Dikush mund të thotë me shaka: – Atëherë mbylle shkrimin, se e ke fikur edhe qëllimin….!”. Ndërkohë do t’i përgjigjem: – “Ky është vetëm fillimi, nga ku buron burimi, fryma dhe frymëzimi”. Them kështu sepse:

Së pari, e admiroj nismën dhe përpjekjet e znj. Flora, për të kujtuar e nderuar atin e saj Niko Nikolla, i cili njëherazi ishte dhe mbetet personalitet në humor dhe letrat shqipe. Më gjykoni nëse e teproj të shprehem: Cili nga ne krijuesit, shumë i njohur apo më pak i njohur, nuk do të krenohej që lart nga froni i Perëndisë në botën e përtejme, do të ndjejë t’i kujtohet e lartohet emri dhe vepra e tij….? Nuk ka rëndësi kush e ndërmerr një veprim të tillë. Vlerë ka veprimtaria, e cila dalë nga dalë po merr formë e një institucioni, për t’u përsosur e ndjekur në të ardhmen, duke përuruar e dalluar vlera të krijimtarisë në fushën e humorit. Besoj nuk është pak….!

Më tej: E çmoj për durimin dhe këmbënguljen për ta çuar deri në fund idenë e saj, kur në shumicën e herëve ndeshim dështim, pasi jo kushdo të mirëpret dhe të ndihmon, qoftë shtetar apo biznes. Znj. Flora ja ka dalë në krye. Besoj ndjehet e lumtur, mbase edhe e përkëdhelur. Por ajo që më shtyn të besoj, është fryma e besimit, mirëkuptimit dhe bashkëveprimit mes krijuesve, drejtuesve të shtetit dhe bizneseve.

Guxoj të them se: Nuk ka vdekur, as shuar apo venitur shpirti shqiptar, për të bërë gjëra të bukura dhe me vlerë, që i shërbejnë artit dhe kulturës kombëtare. Duhet të dish ku të trokasësh dhe të gjesh gjuhën e arsyes. E gjithë veprimtaria në Korçë, mund të shërbejë si udhë përvoje për të gjetur fonde, pa të cilat çdo përpjekje mbetet projekt në letër.

Në vazhdim, i shpreh falënderim dhe mirënjohje znj. Flora, që grumbulloi një numër kaq të madh krijuesish nga mbarë trojet Shqiptare, në fushën e letërsisë dhe karikaturave. Nuk është e lehtë të mbledhësh kaq personalitete të artit dhe letërsisë, në një veprimtari të ngjeshur për tre ditë me radhë. Cilido më beson, duke thënë një të vërtetë të trishtë, që e përjetojmë jo rrallë, kur duam të përurojmë një libër. Dhe, fshihemi për t’u dhënë një kafe miqve, shokëve dhe dashnorëve të librave.

Me sa di unë, nga Durrësi kishte edhe emra të tjerë pjesëmarrës, por që u tërhoqën në ditët e fundit. Mes tyre edhe Shpendi Topollaj, i cili kishte vërtet arsye të fortë, por ishte i pranishëm me një numër librash si dhuratë për Biliotekën Publike të qytetit. Kështu mbetem katër pjesëmarrës: Doranin Agalliu, Arjola Kondakçiu, unë Kadri Tarelli dhe Bashkim Hoxha, i cili nuk u paraqit, megjithëse iu shfaq emri dhe portreti në monitor.

Që në fillim e nisa me një shaka që lindi aty për aty, duke ju drejtuar një punonjësi të teatrit:

– Unë dhe shumë të tjerë vijmë nga larg. Më thoni ku mund të gjej një tullë të nxehtë, siç bëjnë korçarët që vinë të shohin shfaqje……!?

– Më vjen keq, – m’u përgjigj punonjësi, – Po ce bre të shkretën, të ka mbetur ora në ato vite kur teatri ynë nuk kishte ngrohje….!? Ndërsa tani, eja me mua dhe bindu: – Pak hapa më tej, një valë e nxehtë ajri vinte nga lart dhe ngrohte sallën e madhe. Qesha….! Shakaja bëri vend.

Programi ishte vërtet i ngjeshur, duke përfshirë si fillim ekspozitën e karikaturave, ku merrnin pjesë autorë nga shumë vende të botës, natyrisht edhe nga vendi ynë dhe nga Dardania. Kam të drejtë të mburrem, pasi aty u ndesha me disa punime të autorit Arben Çejku, ish ambasador në Maqedoninë e Veriut, dikur nxënës në Shkollën e Mesme të Katundit të RI, në Durrës, shkollë që sot mban emrin “Jusuf Hoti”. Arbeni konkurroi në dy gjini, letërsi dhe karikaturë.

Në çelje të ekspozitës u mrekullova nga oratoria e artistes korçare Zamira Kita, për të vazhduar ditën tjetër kur u ngjit në skenë. Besoj se nuk jam i pari që e them, se ekrani sado i përsosur të jetë, nuk i përcjell dot ndjesitë e kontaktit të drejtpërdrejtë, ku ndjen zërin, mimikën, lëvizjet dhe magjinë e fjalës.

Pjesëmarrja ishte mbarëkombëtare. Këtu, më duhet të them se takova edhe miq të hershëm, ardhur nga Dardania: si Izet Avdyli nga Drenasi i Drenicës dhe Osman Goranci, nga Prizreni, etj.

Organizatorët ishin kujdesur që, në një tavolinë të gjatë të vendosur në hollin e Teatrit, të publikojnë libra që kishin sjellë autorë të ndryshëm, si Shepndi Topollaj, Doranin Agalliu, Artjola Kondakçi, Arben Çejku, etj, etj.

Jam mësuar me takime të tilla, por ngazëllehem kur shikoj se si shkrimtarët dhe artistët takohen me njëri tjetrin si miq të vjetër, e gjejnë gjuhën e përbashkët të mirëkuptimit, formojnë grupime të vogla, pa u njohur më parë dhe bisedat e kanë një fillim, por nuk kanë fund. Gjatë kësaj kohe bëjnë edhe prezantimin, qyteti nga vjen, mundësisht edhe çfarë librash dhe veprash ka botuar, etj, etj. Bisedat ishin aq të ngrohta sa askush nuk kujtohej të lëvizte, për të shkuar në një lokal për të darkuar. “Meri Boutique Hotel”, quhej, ku shumica prej nesh provonte së pari ngrohtësinë dhe bukurinë e “Buzuqeve” korçare, ku veç ushqimit dhe verës, kishte muzikë dhe këngëtare.

Këtu më duhet të ndalem, pasi pavarësisht se vendi ishte disi i vogël për aq pjesëmarrës sa ishim ne, u krijua një mjedis aq i ngrohtë, me këngë korçare, pse jo edhe shkodrane, çame dhe dardane. Shpesh këndonim të gjithë. Jam mësuar, ndaj nuk çuditem të them se shkrimtarët dhe artistët e krijojnë vetë spektaklin, jo vetëm me këngë e valle, por edhe më shumë me shakatë e kripura që rrëfenin, veçanërisht nga përvoja e tyre. Të them të drejtën, një mjedis i tillë meriton një shkrim më të gjerë, për të përcjellë ndjesi të magjishme që krijohen dhe përjetohen aq ngrohtësisht në lokalet e Korçës. Ndenjëm vonë, deri në ora 01, pas mesnate, kur provuam edhe “freskinë” e netëve të dimrit korçar.

Dita e dytë ishte plotësisht e mbushur nga mëngjesi deri në darkë vonë: 1. Me autobus vizitë në Menkulas të Devollit, në shtëpinë muze të Dritero Agollit (Ishte në ndërtim), 2. Dreka në një lokal pranë Bilishtit, 3. Kthim në Korçë. 4. Ceremonia e ndarjes së çmimeve, si pjesa më kryesore e takimit dhe konkursit.

Nuk është hera e parë që shkel në fushën e Devollit, pasi aty jam lindur dhe kaluar një pjesë të fëmijërisë së hershme. Ndërsa në Menkulas ka mbi 75 vjet. Isha fëmijë por mbaj mend se në udhët e fshatit kishte shumë gjallëri, sidomos nga fëmijët dhe nxënësit e shkollës.

Ndërkohë në qendër të fshatit, aty ku po ngrihet Shtëpia Muze, e financuar nga Bashkia e Bilishtit, na pritën pak banorë që kishin mbetur pa u larguar dhe pak fëmijë. Grupit tonë të shkrimtarëve dhe artistëve, iu bashkua edhe Kosta Nake, mësues, shkrimtar, poet dhe studiues nga Devolli, autor i shumë shkrimeve dhe librave studimor.

Kur fjalimet dhe përshëndoshjet me banorët vazhdonin, fare pa pritur, dikush solli gota dhe shishe rakie, për të ngritur një gotë në kujtim të të madhit Dritero Agolli, njëkohësisht për të përshëndetur të pranishmit, ku në sytë e dikujt kishte mbirë pika e lotit. Nuk di çfarë fshihej në të: mall, gëzim, brengë apo trishtim……..!

Nuk isha vetëm unë që u mrekulluam nga ajo e papritur, sepse u krijua një mjedis festiv vërtet i bukur, sidomos kur erdhi një grup valltarësh të rinjsh, djem e vajza nga Bilishti, përgatitur nga koreografi Sokol Çeka, të cilët kërcyen mjeshtërisht vallen “Devolliçe”, simbol i valles në Devoll, për të cilën devolliu, poet dhe shkrimtar Skënder Demolli, thotë me krenari: – “Këtu është derdhur shpirti i Devollit, që shpërthen si zjarr i fshehur mbledhur në shekuj”. (Valle e vlerësuar me çmim të parë në “Festivalin e Rinisë”, në Moskë. 1957)

Më erdhi mirë që ky takim i pazakontë në Menkulas, u vlerësua edhe nga Kryetari i Bashkisë së Bilishtit z. Eduard Duro, i cili iu bashkua grupit tonë. Them më erdhi mirë, pasi rrallë na ndodh (për mos thënë fare), që kryetarët e Bashkive të marrin pjesë në takime të tilla kushtuar artit dhe kulturës. Nuk e di pse ndodh kështu dhe kush e ka fajin, por ja që kështu ndodh dhe ne e pranojmë në heshtje.

Vonë u larguam nga Devolli, për t’u mbledhur përsëri në teatrin “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës. Ishte veprimtaria kulmore: Vlerësimi i krijimtarisë letrare humoristike dhe ndarja e çmimeve.

Veprimtaria u drejtua nga e palodhura Zamira Kita.

Më pëlqeu fjala e mbajtur nga z. Fatmir Toçi, në këtë rast kryetar jurie, i cili theksoi: – Vështirë për të vendosur cili meriton fitore. Jam i mendimit se të gjithë pjesëmarrësit janë të fituar, pasi ka fituar arti dhe kultura jonë shqiptare”. Jam në një mendje me z. Fatmir, pasi unë si pjesëmarrës në shumë takim e konkurse letrare, në Shqipëri, Dardani, Itali e Suedi, jam shprehur me bindje, se të fituar jemi ne pjesëmarrësit.

Unë jam i bindur, se shumë kujt nga soji i shkrimtarëve dhe poetëve nuk i hyjnë në vesh këto fjalë, pasi mendojnë se u bëhet padrejtësi duke mos e vlerësuar veprën e tyre si “kryevepër”. O zot çfarë marrëzie, kur dihet se 1-2-3 apo 4, do kenë çmime.

Nuk dua të mbuloj një program të ngjeshur që zgjati rreth dy orë, pasi është e tepërt. Kështu ndodh në të gjitha ngjarjet e konkurseve letrare apo artistike.

Ideja se çdo konkurrent do t’i përgjigjej shkurt vetëm një pyetje, për çastin m’u duk e arsyeshme, (shkurtonte kohën), por duke e parë më me kujdes, mendoj se duhesh thënë diçka për secilin konkurrent, për t’u njohur sado pak, me disa të dhëna të vendosura në monitor, si tituj nderi, dekorime dhe libra të botuar. Portreti nuk ngjit, nuk le shenjë nëse nuk shoqërohet me disa vlera apo cilësi, si intelektual dhe krijues. Duhesh gjetur një mënyrë për të treguar sadopak, nga meritat edhe krijimtaria e gjithsecilit pjesëmarrës.

Në fund çmimi i parë u fitua nga Bujar Kapexhiu. I cili përshëndeti duke thënë: “I bukur çmimi, por më i bukur bëhet kur shoqërohet me një zarf”. Me këtë rast u dhanë edhe shumë vlerësime të tjera, por mua më pëlqeu vlerësimi për dy pjesëmarrës: Skënder Demolli, korçar devolli, dhe Osman Goranci nga Prizreni, të cilëve ju premtua se do t’u botohej secilit nga një libër me komedi.

Darka në lokal tjetër, “Sidheri”, ku biseda nuk pushoi për orë të tëra, aq sa askush nuk shikonte orën që vraponte në atë natë të ftohë Korçe. Përvojë, për t’ua kujtuar atyre që duan të kalojnë një apo dy net në Korçë, të vishen mirë, pasi i ftohti t’i skuq faqet, të freskon ballin dhe t’i mpin veshët.

Në fund, besoj e vlen të thuhet se gjithë kjo punë kaq e madhe, nuk bëhet vetëm, pa pasur në krah bashkëpunëtorë të ditur e të zellshëm. E kam fjalën, jo vetëm për znj. Flora Nikolla, por edhe për znj. Nina Leka, e cila për ditë e muaj me radhë ka grumbulluar e përcjellë të gjitha kërkesat dhe dërgesat e autorëve të ndryshëm nga mbarë trojet Shqiptare.

Më duhet të jap një mendim, mbase realizohet: E gjithë veprimtaria të përmblidhet në një libër. Besoj se vlen. Fotografia fikson çastin, ndërsa libri përjeton dhe përjetëson ngjarjen dhe personazhet, që i mbetet brezave dhe kulturës kombëtare.

Urime dhe suksese në veprimtari të tilla, që kujtojnë njerëzit që kanë lënë gjurmë në kulturën e kombit.

Kadri Tarelli

Filed Under: Reportazh

PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM

December 27, 2025 by s p

-Sot, në datëlindjen e tij –

Nga Visar Zhiti/

Edhe ynë kam Lasgushin tim, gjithkushi ka një Lasgush të vetin, poetin qiellor…Grimca vezulluese si pluhur i mbetur yjesh, – kështu më duken ato ç’mund të kujtoj unë për poetin Lasgush Poradeci, e di, janë fare të pakta, varfanjake, por të miat, i risjell, se ai vetë llamburit ashtu si poezia e tij…

E kisha parë nja dy a tre herë, dikur, kur isha student, – po i thosha Edës time, – ndiej dhimbje që s’isha përpjekur ta shihja më shumë, ta dëgjoja, se pastaj e kemi takuar shpesh e më shpesh, por statujë…

…kur e shohim në bronz, kujtohemi befas, – e kam për kohën, – që ai paskësh qenë gjallë “tani së afërmi”, bashkëkohës, ndërsa kur ishte gjallë, e dinim të vdekur si rilindasit, Naimi, Asdreni…Siç dukej përgatitej shumëkohësia e tij, mbase kështu nis pavdekësia.

Në shkolla na e përmendnin poetin Lasgush Poradeci për ta kritikuar si poet të mbyllur në Kullën e Fildishtë, etj, etj, që s’kuptonte Realizmin Socialist, madje u përhapën rrëfimet se ai s’kuptonte shumëçka tokësore,

s’dinte ç’kohe i përkiste, më tepër ishte i qiellit ashtu si dhe poezia e tij qiellore. Do të ishte shkrimtari Ismail Kadare që me një shkrim brilant të tij do të kthente vëmendjen e botës letrare shqiptare tek ai, “Lasgushi qenkej gjallë”…

* * *

Ndoshta në burg atëhere, ne, të burgosurit politikë, që donim poezinë dhe në ferr, bisedonim më

hapur për atë, na ngushëllonte fosfori i mistikës së vargjeve të tij, gjuha, vërtet na mbronte nga sharjet shtetërore, bëmat e tij çapraz, pergjigjet e befta dykuptimëshe që kishim dëgjuar dhe i kujtonim, eh, s’mund të kalbeshin aq lehtë fjalët e shenjta në atë kohë mortore. Dhe diçka kam dashur të them në librat e mi, në burgologjitë, për atë pak dritë që kishte pikuar dhe në duart e mia. Ja:

1.

Miku im i atëhershëm, pastaj i burgosur politik, poeti Frederik Rreshpja më tregonte “se Fishta me Lasgushin janë takuar në Kafen e Madhe në Shkodër dhe kanë shkëmbyer libra me autograf njëri me tjetrin.

I thotë Fishta Lasgushit:

– Edhe un’ mund t’baj lirika t’bukra si tuat, por kam frik se des shpejt.

Gjallë mbeti Lasgushi, por nuk shkruan më…

2.

E ftuan një ditë në Fakultetin e Letërsisë, gabuam, thanë. U pataksën ca nga studentët, kujtuan se vinte fantazmë, kur e panë ashtu të vogël e të imët, e kishin ditur të vdekur. E pyetën:

– Ç’është realizmi socialist?

– Bërtit: unë, ti, ne, ne! Ja, ky është… – tha Mjeshtri plak. Mbi leshrat e argjendtë dukej sikur i kishin ngecur yje.

– Po ju keni përkthyer Majakovskin? – e ndëpreu sekretari i rinisë.

– Për bukën e gojës, – u përgjigj kopshtari magjik i qiejve.

(Nga libri “Rrugët e Ferrit”)

3.

“Një si copëz ylberi prej druri u tund mbi kryet e botës. Ishte bastuni i Lasgush Poradecit. Po zbriste nga shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve, i kishin hipur xhindet, më pa të mbështetur pas murit dhe iu duka i druajtur, a bëri sikur iu duka ashtu, pa kurajë, prandaj dhe më bërtiti:

– Po ti futu, mos ki zor, e çfarë janë ata?! – dhe tregonte me bastunin nervoz andej nga salla e madhe plot me shkrimtarë. – Maskarenj janë, shko, kë do, kape!

– Pres një…

– A, kujtova se kishe turp prej tyre, turp të kenë ata, – u nervozua sërish, – duke e valëvitur shkopin e tij hakërrues.

Faber, mërmërita i mrekulluar. Ç’të thosha? Zoti Lasgush m’u duk pak, pale shoku… gjëja më e papërshtatshme, e meritoja kokës bastunin e tij. Nga më erdhi në mendje kjo fjalë latine, farkëtar, më kishte mbetur në mendje, Faber… dhe iku, ashtu i paktë, i bardhë, duke u mbështetur në shkopin e tij. Dita fërgëllonte e ftohtë, me një diell anemik. Liriku ynë qiellor, parnasiani i vetëm, që e dinin të vdekur, kishte tundur edhe një herë shkopin e tij fantazmë, si dhunim kundër perëndive të reja. Dhe ndoshta do të ndalte pak më tej. Mos i duhej të ikte andej nga selvitë e Medresesë? Do të nxirrte nga xhepi i thellë i palltos një orë të madhe me zile, nga ato të tryezave a të murit, për ta parë. S’dihej pse e mbante ashtu, për ç’trill. Mbase për sfidë.

Ora e poetit duhet të jetë e madhe…”

(Nga libri “Ferri i çarë”)

***

Ishte koha kur shkoja andej nga Lidhja e Shkrimtarëve, para se të më burgosnin, çoja poezi në gazetën “Drita” e revistën “Nëntori”, po pse i botoni atij, – ankoheshin ndoca, – ai nuk e ka “biografinë të mirë”… dhe unë shkoja të takoja Kryetarin, Dritëro Agollin, miqtë Zija Çelën, Bardhyl London, etj.

Dhe pashë Lasgushin llamburitës.

4.

“Im atë rrinte me të internuarit, ndjehej si ata gjithmonë, me studiuesin dhe shkrimtarin Lazër Radi, me piktorin Lek Pervizi, me poetin Pano Taçi. Më kërkonte skeçe, – tregon ky i fundit, – për t’i vënë në skenë, pa emrin tim natyrisht, por që të merrja ndonjë honorar. Një herë pritëm Lasgushin, më donte, dhe në burg më kishte sjellë cigare dhe kafe, – dëshmon Panua, – nejse, pimë nga një gotë dhallë në klub dhe “u grindëm” se kush do të paguante. Më takon mua, kishte thënë Hekurani, jam më vendas… këtu e bëj unë pazarin…”

(Nga libri “Kryengritje shqiptare në parajsë” – poezi nga Hekuran Zhiti)

* * *

Bukur! – thashë me vete. Im atë e paskësh takuar Lasgushin dhe në Lushnjë, në klubin “Myzeqeja”përballë Komitetit dhe i paska paguar ai tre gotat e dhallit… të varfër… dhe në këtë varfëri “Mahnitëse!” – shtova, përsëri me veten time, që Lasgush Poradeci, faberi, ai i hutuari i xhindisur, që dukej se s’i dinte punët tokësore si jashtë realitetit, i paskësh çuar kafe dhe cigare poetit Pano Taçi në burg, atëhere, kur ata, të burgosurit politikë braktiseshin nga shokët dhe miqtë, madje dhe denoncoheshin prej tyre, me letra Partisë, Enverit, Degës… kurse Lasgushi i prapë, i kundër me gjithçka në socializëm… Po e adhuroja ende më shumë.

– Dëgjo ti, Shehu i Vogël, – thoshin se i kishte thënë Lasgushi shkrimtarit të ri Bashkim Shehu, djalë i Kryeministri të ashpër Mehmet Shehu, – thuaji atij tët ati, Shehut të Madh, të më çojë mua ambasador në Greqi dhe të shikosh sa mirë do të venë punët, jo me…

Ndërsa Bashkim Shehu ishte përgjigjur se, nëse do të kujtohej ndonjëherë babai i tij, do të thoshin se kishte qenë kryeministri në kohën e Lasgushit… – kështu thoshin.

* * *

Kur dola nga burgu, në Lushnjë, më dhanë fshehurazi një libër jeshil, vetëm për ca ditë që ta lexoja, se duhej patjetēr. Kishte ardhur nga Kosova, ia kishin sjellë nga Dibra e Madhe njerëzit e tij mësuesit të internuar Bilbil Cami. “Vdekja e Nositit – Lasgush Poradeci”, botim i mrekullueshëm, përgatitur nga poeti dhe studiuesi i njohur Sabri Hamiti. E kopjova me dorë të gjithë librin, poezinë e tij me radhë, megjithëse punoja punëtor krahu në fabrikën e tullave, lodhesha shumë. E ruaj ende bllokun e bukur, mbesa ime, nxënëse atëhere, vizatoi dhe portretin e Poetit, siç ishte në libër, me flokët e gjata, të ndaluara. Ia tregova këtë histori tani së voni dhe Besnik Hamitit, i shkruajta, nipit të Profesor Sabriut.

Lasgushin e gëzoi shumë ky botim, u ndje i çharruar dhe nga kopjet e pakta që pati, u dhuronte me autograf poetëve më të njohur të Realizmit Socialist, atyre që i afroheshin, ndokujt duke i shkruajtur “Nimfës shtat-hedhur të Partisë” dhe ndonjë tjetri “Borisë së Partisë”, kështu thoshin. Sa fin dhe dinak! Nuk mund ta akuzoje dot për lëvdatën… – bisedonim buzagaz.

Dhe lexoja me ëndje veprën e plotë të Lasgushit, që doli pas rënies së diktaturës, miqësinë emblematike me bashkëqytetarin e tij, Mitrush Kutelin, bashkëpunimi i tyre, ai, ai u përkujdes që në fillimet, në mërgim në Rumani, për poezinë lasgushiane, aq sa duket se e kemi dhuratë prej tij dhe të mendosh që jemi në vendin, ku duan ta rroposin njëri-tjetrin…

Njoha dhe vajzën e Lasgushit, Marien, e pyesja gjithë kërshëri teksa pinim kafe dhe s’ngopesha duke dëgjuar me adhurim për ato xhindosje gjeniale të Lasgushit. Dhe historitë me qenin e tij legjendar, Cucin, ai mbante qen, Poeti me qen, kur kjo nuk shikohej për mirë, si një sjellje borgjeze, aristokratike, ishte koha kur shteti i kishte të ndaluar qentë, madje dhe i vriste rrugëve. Lasgushi guxonte, dinte të donte çdo shpirt, të kujdo gjallese si shpirt i madh që ishte.

Më pas do të shihja librat me kujtime për Lasgushin, të Petraq Kolevicës, etj, studimin e bashkëqytetarit tjetër të tyre, Luan Topciu, gjyshi i të cilit kishte qenë mik me Lasgushin, etj, etj, rilexoja novelën e Kadaresë, atë portret që e rikrijoi habitshëm, do të shkruaja per romanin filozofik të Robert Martikos, kohën qiellore të poetit, etj. Lasgushi po sfidon harrimet e qëllimshme, – thosha, – fjala e tij e papërsëritëshme perlëzonte, – ishte Shqipëria që i jepte botës një poet, – nënvizoja atë që kishte thënë që herët Eqrem Çabej i madh.

Sërish Dr. Luan Topciu, së fundmi nxori esenë e shkëlqyer për Lasgushin, librin “Poet i vështirë” duke na shpjeguar kështu që e vështirë është thellësia e shpirtit, ajo humnerë gjithë mister dhe vuajtje, teksa poezia shkon qiejve, plot dritë, ku të gjithë kuptojmë nga shpirti i vetes. Dhe Luani më nisi sot një imazh të Lasgushit, është në shtëpinë e tij, mbase në Tiranë a Pogradec, ulur në një fron të thjeshte, ka një këpucë në dorë, tjetrën të paveshur ende, sikur po bëhet gati për rrugë të gjatë, atë të pavdekësisë. Cilën fytyrë kohe mori me vete, atë të europianit klasik apo të vetmisë së murgut të shenjtë, të pleqërimit sokratik apo të të riut syzjarrtë, gjithë ëndërr? Të poetit emblematik…

Ndërsa në shtatoren e tij në vendlidje, buzë liqenit, ku ai shëtiste me qenin, shkojnë adhurues, poetë të rinj, udhëtarë, vënë lule…Ndalëm një herë dhe ne, unë me shkrimtarin Andreas Dushi, breza të ndryshëm, nderim i njëjtë, folëm për të. Mbase në bronzin tij, më pak i gjallë, aty është Lasgushi. Më i keqkuptuar se kudo, i ridënuar në heshtje bronzi…Ai ndrit te poezia e tij. Ja, një iskër që endet në ajër përvëlueshëm:

TRASHËGIMI

– nga Lasgush Poradeci –

Ju më lini të flas unë,

T’u them fjalë vjershërije,

Në bunacë a në furtunë

Të këndoj siç më ka hije.

Hija ime nuk di dhunë,

Di veç frymëzim lirije,

Dhe di punë, punë, punë,

Mund pa fund për art magjije.

Që të them nga ç’pata shkruar

Me kuvënd të përvëluar:

Ja! një iskër mjeshtërije,

Ja! një iskër bukurije.

Dhe t’a shoh të pasqyruar

Vetëveten fije-fije,

Fije-fije poezije,

Që mban erë Shqipërije.

No photo description available.

See insights and ads

Boost post

All reactions:

1212

Filed Under: Reportazh

Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit

December 24, 2025 by s p

Festat e Fundvitit me fëmijët e shkollës “Gjuha Jonë” në Filadelfia tashmë marrin një kuptim të vecantë dhe teper simbolik. Aktiviteti i dites se sotme, date 21 dhjetor bashkoi në një sallë të madhe prindër , gjyshër, fëmijë, duke krijuar një atmosfere magjike. Temperaturat e ulëta përjashta nuk ndiheshin fare në sallën e mbushur me dashuri, ngrohtësi dhe krenari, ku cdo moment u kthye në një kujtim të vyer për të pranishmit. Pas përshëndetjes dhe urimit të kryetarit të shoqatës “Bijtë e Shqipes” zoti Dritan Matraku per një vit më të mbare, më të suksesshëm në të gjitha familjet shqiptare dhe një urim të vecntë për të gjithë nxënësit e shkollës shqip, aktiviteti nisi me shume emocion.

Të gjithë nxënësit, në të pesë klasat, do të sillnin këngë, recitime më gjuhën shqipe. Cdo fjalë e tyre ishte një dëshmi e dashurisë për gjuhën e prindërve të tyre, për kulturën dhe rrënjët tona. Sytë e tyre ishin tejmbushur me gëzim. Por aktiviteti do të shpaloste talentet e tyre në vallëzim klasik, në interpretim në piano, në këngë të vështira. Babagjyshi ( z. Eldion Pajollari) do të vinte dhe do të pritej me shumë kureshtje, emocion nga fëmijët nën atmosferën e këngëve të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve (Dj Tonin ishte fantastik). Fotografi me babagjyshin, me shoket dhe shoqet e klases, më mësuesit. Dhurata simbolike të përgatitura nga Kryesia e Shoqatës dhe pica party. Po a ka mundësi që të mbyllet një aktivitet pa vallet tona ritmike dhe unike?

Të gjthë në valle, mësues, prindër dhe nxënës që mundoheshin të ndiqnin hapat e më të rriturve. Falenderim të pafund për prindërit dhe mësuesit e shkollës shqipe në Filadelfia për kontributin, përpjekjet e tyre për të ruajtur dhe përcjellë gjuhën, kulturën tonë te brezi i fëmijëve shqiptaro-amerikan. Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri! Qoftë Viti 2026, i paqtë, i gëzueshëm dhe i begatë për cdo familje shqiptare!

Rudina Bani,

Anëtare e KD të shoqatës “Bijtë e Shqipe” dhe mësuese e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”

Philadelphia, 21 Dhjetor 2025

Filed Under: Reportazh

QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË

December 22, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

(Rreth librit “Shkrepje të rralla fotografike”)

   Plot 58 vjet më parë, djegia e një filmi celuloid, më dha mundësinë që për t`u justifikuar, t`i shkruaj një vajze, e cila sapo kishte nisur gjimnazin dhe që priste fotografitë që kisha bërë me disa të afërm, ku ishte dhe ajo, një letër prej katër faqesh, çka u bë edhe shkaku që prej kohësh që s`mbahen mend, Tatjana të jetë gruaja ime. Çfarë nuk do të jepja, sikur në albumet e shumta që kam, të ishin dhe ato fotografi fatkeqe. Kjo më ngjau edhe një herë tjetër, kur tek unë erdhën një natë Ismail Kadareja me Helenën dhe njërën vajzë. Unë, mesa duket isha një fotograf i pazoti, prandaj gjithmonë më vjen ndërmend thënia e shkrimtares Suzan Sontag se “…fotografët janë promovuesit aktivë të nostalgjisë”, kështu që jo vetëm nxorra mësimet e duhura, por edhe mësova të kem respektin më të madh për fotografët dhe artin e tyre. U bëra manjak i fotografive, aq sa nuk besoj se ka në Durrës një të dytë klient te “Foto Venecia” që t`i bëjë si unë paratë fotografi, sikurse më thonë miqtë me shaka. Kuptohet që dashje pa dashje u bëra ndjekës i këshillës së gazetarit fiorentinas Tiziano Terzanit: “Bëj vetëm foto, lër vetëm gjurmët e tua”. Kam nderimin dhe vlerësimin më të madh për fotografët dhe nuk lë ekspozitë apo album të tyre pa parë. 

Prandaj, sa herë miku im i dashur, teoricieni ynë i historisë së fotografisë, intelektuali i klasit të parë Qerim Vrioni, që ashtu siç e thotë nga arabishtja edhe emri i tij, është sa zemërgjerë aq dhe fisnik, më sjell librat e tij për këtë art magjik, i cili sipas producentit Andy Warhol, “…nuk ndryshon kurrë, edhe kur njerëzit që janë në të ndryshojnë”, ndihem i lumtur. Dje, teksa isha në Tiranë, ku më kishte ftuar “Nderi i Kombit” Bujar Kapexhiu për të marrë pjesë në promovimin e dy librave të tij, u takova me Qerimin i cili më dhuroi librin e botuar tash së fundi, me titull “Shkrepje të rralla fotografike”. Sapo mbërrita në shtëpi, nisa ta lexoj dhe ashtu vazhdova derisa e mbarova, dhe pa e zgjatur fillova të shkruaj diçka rreth emocioneve dhe përshtypjeve që më la. Me thjeshtësinë e tij karakteristike, Qerimi ka vendosur si nëntitull fjalët “Sprova dhe artikuj për fotografinë”, por kushdo që e lexon këtë libër, lehtësisht vëren se ai me kulturën e tij dhe pasionin që ka për ata që e konfiguruan këtë art, që përmes çastit mund të arrijë përjetësinë (Bresson), e paraqet veten si një autor jo vetëm me kulturë të madhe, me njohuri historike, me aftësi analitike, por edhe si një psikolog i vërtetë që arrin të futet në brendësi të gjendjeve shpirtërore si të personazheve, qofshin ata dhe anonimë, ashtu edhe të atyre burrave e grave që i realizuan ato foto. Ky libër nga ana e tij është edhe një shembull se si duhen mbledhur si gurë mozaiku artikujt e shkrimet e botuara aty – këtu, në një libër të vetëm.                        

                                                                                                                                          Autori Qerim Vrioni, duke folur për fillesat e fotografisë në Shqipëri shkruan me të drejtë se “Fotografët me intuitë, e kuptuan se arti i tyre komunikonte më lehtë me publikun sesa piktura dhe skulptura. Për këtë qëllim, fotografët shfrytëzuan fotografinë, këtë demokrate të madhe e të heshtur, për të ngritur lart frymën atdhetare”. Demokrate e madhe dhe e heshtur – a ka definicion më domethënës se ky i Qerimit, i cili ka zgjedhur ta nisë librin e tij me kartolinën e krijuar nga vepra e Theohar Gjinit kushtuar heroit tonë Gjergj Kastriotit, të cilin e kanë quajtur piktor mëmëdhetar dhe për të cilin Faik Konica dhe Fan Noli nga ana e tyre e kanë quajtur respektivisht “shqiptar të kulluar, atdhetar të vërtetë” dhe “Piktor të Parë të Shqipërisë”. Janë shumë domethënëse edhe diçiturat që korçari Vani Burda e shkodrani Kel Marubi i shoqërojnë fotot e tyre për t`i shpërndarë në popull, ku ky i fundit i dhuron nëpërmjet Kryqit të Kuq 500 nga kartpostalet e tija shqiptarëve të Amerikës. Të gjithë ata që kanë folur për rëndësinë që ka fotografia, kanë qenë në një mendje se duhet të jetë në radhë të parë zemra e jo syri që e përcaktojnë atë më objektivisht. Dhe po t`i shohësh me kujdes, në të gjithë shkrimet e këtij libri, e kupton se fotografët tanë, duke parë më shumë se fitimin, kanë pasur si qëllim ndikimin te njerëzit për zgjimin e vetëdijes kombëtare, për krenarinë e të qenit shqiptar. Mjafton fotua e rrallë për nga pjesëmarrja dhe kompozimi i fotografit Thimi Raci, lindur 1886, me titull “Dhjetë çifte dardhare” emigrantësh të ardhur pranë familjeve për Krishtlindje, Vitin e Ri dhe Ujin e Bekuar, që rreshtohen me veshje sa qytetare aq edhe tradicionale, në një ditë me dëborë, për të kuptuar se sa të lidhur ishin ata me atdheun dhe fshatin e tyre. 

Burrat të veshur me kostume allaevropiançe e gratë me xibun, ka kuptimin që kudo që ata shkojnë, kokën këtu e kanë dhe gjithçka të mirë marrin andej e sjellin këtu. Në këtë foto që aso kohe duhet të ketë ngjallur diskutime, autori i librit pasi na përshkruan vendosjen e zgjuar, planin e parë, sfondin, dritën me merakun që t`u bjerë në fytyrat e pashme, sikur na kujton se sa bukur e kishte përcaktuar fotografi Marco Scataglini se “Je ti që e bën foton, e jo aparati fotografik”. Dhe rezultat i kësaj është fakti se puna e këtij fotografi dardhar që kish mësuar nga mjeshtri Pero Kaçauni, jo vetëm që e paraqiti Dardhën në albume e ekspozita, aq sa thanë për të se “Dardha ka qenë brenda Europës”, por edhe i jep asaj një vend nderi në Historinë e Fotografisë Shqiptare. Në faqet e këtij libri, janë përfshirë me veprën e tyre edhe dy gra të famshme: Edith Durham dhe Margaret Hasluck, njëra angleze dhe tjetra skoceze, por që ne shqiptarët u detyrohemi aq shumë, sa për të parën, pasi ia kushtoj një librin tim, them se i duhet ngritur një statujë floriri për atë që ka bërë për ne. Nga Durhami ai ka zgjedhur foton romantike “Një barkë (me velë të hapur shën. im) në lumin Buna” dhe e analizon atë me të vërteta, duke vënë në lëvizje edhe fantazinë, dhe duke mos iu shmangur koniukturës ekonomike që kalonte vendi e sidomos Shkodra dhe lidhjeve tregtare që ajo kishte me Malin e Zi. E gjithë smpatia e autorit kalon te zonja Durham e cila ka në fondin e saj rreth 450 foto të Shqipërisë dhe shqiptarëve të fillimit të shekullit të kaluar, ku trajton peizazhin, portretin, historinë, dokumentin, etnografinë, gjeografinë, jetën sociale, etj. Si të tillë, ai ndihet mirë kur huazon për të fjalët e ish Presidentit Alfred Moisiu se ajo ishte “Një nga pesonalitetet më të shquara të Botës shqiptare…” 

Nga zoja Hasluck, Qerimi ka marrë në analizë kryesisht gjashtë foto mjaft interesante të saj, edhe ato të shkrepuara në çast, sipas parimit snapshot, ku dallon mirditori para kullës në Kthellë, banorë nga Shqipëria e Mesme, kala dibrançe në Burrel, baresha e re në krye të tufës etj. Këto foto janë mjaft mbresëlënëse, por akoma më mbresëlënëse janë komentet e autorit të librit i cili nuk mjaftohet te teknikat e përdoruar gjatë fotografimit, por na jep edhe një tabllo të besueshme rreth momentit kur ato janë krijuar. Duke u ndalur te foto e bareshës, nuk mund të mos e citoj komentin e tij: “Në foton Nr. 6 paraqitet një bareshë e re në krye të tufës së dhive, duke ecur në një rrugë automobilistike, ndoshta duke u kthyer në shtëpi pas kullotës ditore të tyre. Pranë saj duken edhe dy qentë që mbrojnë bagëtinë nga egërsirat. Në fund të kopesë duket edhe një burrë, me shumë gjasë, i ati i vajzës. Nga sa dallohet, baresha ka një fytyrë të hijshme dhe trup të rregullt. Ndoshta në një prej udhëtimeve të skocezes nëpër fshatra, vajza me kopenë e saj i ka prerë rrugën makinës, e ajo ka zbritur dhe me kënaqësi e ka fotografuar atë bashkë me dhitë. Dy qentë kanë kthyer kokat nga vajza si për t`a pyetur se si të sillen me udhëtarët përballë tyre”. Kuptohet që ky autor, falë talentit, hera – herës kalon në pasazhe letrare dhe kjo ia shton hijeshinë artikujve në veçanti e librit në përgjithësi. Më tutje renditen fotografët me emër si ish oficeri kriminalist i Pogradecit Ardjan Fezollari, liriku i peizazhit fotografik, Filip Vito, ikona e fotografisë gjirokastrite, peizazhet e të cilit për nga gjeometria i krahason me fotografin e famshëm francez,  Naun Vruho i cili “do të nëpërkalonte brenda objektivit të aparatit të tij edhe simbolet e veçanta vendore të qytetit, të cilat i kanë dhënë gjithmonë Beratit një status të epërm”, Kol Idromeno me atë foton në kishë, titulluar herë “Falja” e herë “Pendimi i një mëkatari”, Dedë Jakova që e njihte mirë përdorimin e perspektivës, Ernest Baba, fituesi i konkursit ndërkombëtar të fotografisë me atë foton e paharruar “Prek me sy” (Tuch with eyes), Ilia Xhimitiku që ndofta pa e njohur fare pikturializmin e fotografoi Urën e Goricës, sipas shijeve estetike të kësaj rryme, Stefan Kaçulini i Durrësit me “Kthimi i barkës në port”, e deri te ajo fotoskulptura “Ndezja e cigares” ku njihen personazhet: Musto Gugaj e Abaz Haxhiaj, por thuajse jo, autori i fotografisë, etj. 

Përmenden në libër edhe shumë fotografë të mirënjohur nga publiku me studiot e tyre, ku pak a shumë të gjithë e kemi nga një kujtim prej tyre, por që gjerë e gjatë për ta, historiani i fotografisë tonë, ka folur në libra të tjerë. Qerim Vrioni nuk lë pa shpjeguar edhe teknikën që fotografët kanë përdorur, pra si aparatet fotografike të kohës, ashtu edhe mënyrat e larjes, solucionet, stampimin e filmave në dhomën e errët që nga pllakat e xhamit, te filmat celuloid apo ato dixhitalet e sotme. Tregon vështirësitë me të cilat fotografët ndesheshin gjatë punës së tyre dhe bën krahasimet midis fotove bardh e zi dhe atyre me ngjyra. Na sjell edhe kuriozitete nga jeta personale e personazheve të tij dhe kjo i ngulit akoma më mirë ata në kujtesën e lexuesve. Dhe ata me punën e tyre plot ndërgjegje kombëtare, ndershmëri e pasion e shkruan historinë e fotografisë shqiptare, ashtu sikurse bën edhe fisniku Qerim Vrioni pa u lodhur, i cili sikur na thotë se ata patën si moto porosinë e gjermano – australianit Helmut Newton që thosh: “Dëshira për të zbuluar, vullneti për të emocionuar, kënaqësia për të kapur çastin, këto janë tre konceptet që përmbledhin artin e Fotografisë”.        

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT