• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E ardhmja e kombit, e përkrahur nga LAPSH-i, prindërit dhe dashamirësit e gjuhës shqipe, kremtoi 28 Nëntorin në zemër të Zvicrës

December 8, 2025 by s p

REPORTAZH – MANIFESTIMI FESTIV I 28 NËNTORIT I LAPSH–it, KANTONI CYRIH

Përgatiti: Dashnim HEBIBI @ foto nga

Lulzim Hasi përgjegjës edhe në Administratë e financa të LAPSh-it për Kt. Cyrih

Winterthur, 6 dhjetor 2025

Në Winterthur të Zvicrës, mbrëmë më 06 dhjetor u krijua një atmosferë që do të mbahet gjatë në kujtesë – një festë që tejkaloi dimensionet e një manifestimi kulturor dhe u shndërrua në një përjetim kombëtar të pashlyeshëm. Salla ishte e mbushur përplot me bashkëkombas, ardhur nga të gjitha trevat shqiptare: Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e diaspora e gjerë. Në një hapësirë larg atdheut, por aq pranë shpirtit të tij, u ndje fuqishëm se gjuha shqipe është atdheu që e mbajmë me vete kudo.

Emocioni i parë: hyrja solemne e nxënësve

Manifestimi nisi me një moment që elektrizoi gjithë sallën. Fëmijët – e ardhmja e kombit larg vendit të të parëve – hynë të rreshtuar me veshje kombëtare, me flamuj të Shqipërisë dhe Kosovës në duar. Zërat e tyre e mbushën sallën me emocion, ndërsa prindërit nuk i fshehën dot lotët e gëzimit dhe krenarisë. Dukej sikur të gjithë ishim për një çast në Tiranë, Shkup apo në Prishtinë – e megjithatë më shumë se kaq, sepse rrallë herë edhe në atdhe mblidhen në një sofër kaq të madhe shqiptarë nga të gjitha trevat.

Në rreshtat e nderit ishte paraparë vendi për korin diplomatik shqiptar në Zvicër, mirëpo askush nga përfaqësuesit shtetërorë nuk mori pjesë.

Në ato vende të zbrazëta u ulën njerëzit që prej tri dekadash janë diplomatë të vërtetë të mbijetesës së gjuhës shqipe: mësuesit veteranë si Hamzë Morina, Nexhat Maloku, Saime Isufi, Nexhmije Ibrahimi, Hasan Spahiu dhe shumë të tjerë. Krahas tyre ishin edhe përfaqësues të shoqërive kulturore: ansambli “Trojet” me kryetar veprimtarin e njohur Zeqë Gashi, SHKA “Bashkimi” me z. Zahim Bajraktari, si dhe Arton Jusufi – ish–luftëtar i Betejës së Koshares.

Programi festiv – një mozaik identiteti

Manifestimi u moderua nga publicisti dhe studiuesi PhD. Dashnim Hebibi, i cili e udhëhoqi mbrëmjen me profesionalizëm e ngrohtësi njerëzore ashtu u cilësua nga shumë të pranishmit që e solli moderimin në një sofër, në një familje. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe himnit të Kosovës, moderatori dha fjalën për përshëndetje dhe e theksoi me krenari faktin se LAPSH është institucioni i vetëm që për 30 vite i ka bashkuar të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine apo bindjeje politike.

Përshëndetjet

Ndër të parët në skenë u ngjit Naser Ulaj, kryetar i LAPSH për kantonin Cyrih. Ai falënderoi të pranishmit dhe theksoi se këtë vit vendosi të mos mbajë një fjalë të gjatë, për t’ia lënë skenën nxënësve që ishin përgatitur me muaj të tërë.

Pastaj, me duartrokitje të zjarrta u pritën edhe personalitete të tjera:

Prof. Dr. Xhavit Lipaj, shkencëtar i njohur, i cili kishte ardhur nga Andermati i Zvicrës dhe përshëndeti me një fjalim të fuqishëm për rolin e LAPSH-it, mësuesve dhe prindërve.

Mësuesit veteranë Hamze Morina dhe Nexhat Maloku, të cilët folën me emocione për rrugëtimin e gjatë të LAPSH-it.

Mësuesja Saime Isufi, kryetare e LAPSH për Bernë, e cila lexoi një referat të mrekullueshëm për rëndësinë historike të 28 Nëntorit.

Po ashtu, në sallë ishin të pranishëm figura të njohura të komunitetit: Meti Krasniqi, ish–kryetar i rrjetit të miqësisë dhe bamirës; poetja Shqiponja Vrajolli me familje; veprimtari Përparim Sabriu nga Struga dhe shumë të tjerë. Ambasadori i RMV-së në Bernë të Zvicrës, Shkëlqesia e Tij z. Rexhep Demiri, përmes një telegrami përshëndetës që u lexua nga z. Hebibi, i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i përgëzoi për punën e madhe që ka bërë dhe po bën LAPSh-i. Ai kishte shkruar se ka qenë edhe vetë nxënës i LAPSh-it dhe se do të duhej që numri i fëmijëve që ndjekin shkollën plotësuese shqipe të jetë edhe më i madh, si dhe u shprehu respekt të veçantë mësueseve dhe mësuesve që po punojnë.

“Kësaj here nuk munda të jem fizikisht në mesin tuaj, sepse më herët i kisha dhënë fjalën një manifestimi tjetër, por kjo nuk do të thotë se nuk jam me ju. Gëzuar dhe Zoti e bekoftë gjuhën tonë.”

Artistët mysafirë

Nga Shqipëria enkas për këtë manifestim kishte ardhur këngëtarja e mirënjohur Gentjana Gjergji, e cila solli në skenë këngë të fuqishme kushtuar Flamurit, Nënë Terezës dhe Adem Jasharit. Në një pjesë tjetër të programit, mbrëmjen e zbukuroi edhe artisti i mirënjohur Krist Lleshaj, i cili u prit me shumë entuziazëm nga publiku me këngë të bukura për bashkim kombëtar e padyshim edhe për nobelisten e të shenjtën Nënë Tereza. Instrumentalist i të dy artistëve ishte mjeshtri i sintit Gazmend Bislimi.

PROGRAMI ARTISTIK DHE ARSIMOR

Programi i mësuese Afërdita Veliu

Nxënësit recituan dhe kënduan për atdheun, flamurin dhe gjuhën shqipe. U veçuan interpretimet e Alisa Baliut e Adea Jusufit nga Rainca e Preshevës – të mbesave të familjes së njohur Jusufi, ku tre vëllezër kanë luftuar në Betejën e Koshares. Ky moment krijoi emocion të veçantë në sallë.

Mësuesja Afërdita foli për sfidat dhe bukurinë e punës me fëmijët në mërgim, duke theksuar se ruajtja e gjuhës është mision, jo thjesht punë.

Pasqyrë mbi LAPSH Cyrih

Z.Hebibi informoi publikun: në kantonin Cyrih janë 349 nxënës, 7 mësues, 32 paralele, si dhe një administrator – Lulzim Hasid he stafi tjetër si Gëzim Kasumaj, Fatjon Bajrami. Një shifër që tregon shumë, por jo sa duhet në raport me numrin e madh të shqiptarëve në këtë kanton. Prandaj iu bë thirrje prindërve:

“Dërgoni fëmijët në shkollën plotësuese shqipe.”

Programi i mësuese Elfete Hasi

Nxënësit interpretuan valle, recitale, poezi dhe këngë popullore. Vallja “Shota”, vallja e Rugovës, poezitë “Një gjak, një flamur”, si dhe monologu i fuqishëm “Mos ma prekë djepin” u pritën me ovacione.

Programi i mësuese Sabahate Krasniqi

Interpretimi i këngës “Pa duvak s’kam me u ba nuse” nga Nina Jahiu e Siera Elshani u shoqërua me brohori. U lexuan poezi kushtuar Skënderbeut, flamurit dhe atdheut.

Programi i mësuese Dafina Haziraj

Zarife Krasniqi recitoi poezinë “Atdheu”, duke rikthyer në sallë qetësi dhe emocion të pastër.

Programi i mësuesit Naser Ulaj

Në pjesën përmbyllëse u shfaq një mozaik i pasur interpretimesh: poezi, këngë, tekste për pavarësinë, për gjuhën shqipe dhe për amanetin e të parëve. Kënga “Shqipëri, o nëna ime” nga Lejla dhe Alejna Bajraktari, e shoqëruar me qifteli nga Akil Tahiri, ishte kulminacioni i pjesës festive.

Fjalë falënderimi dhe respekt për sponsorët

LAPSH Cyrih falënderoi sponsorët që prej vitesh ndihmojnë me zemër, ndër ta:

BeFi AG – Winterthur

GEPART AG – Urdorf

Spitexanima GmbH – Zürich

DACH 2000 GmbH – Aarau

MB Baudichtungen GmbH – Dietikon

Zürichsee Garten Gashi – Horgen

SHALA Montagen GmbH – Dietikon

Po ashtu u falënderuan mediat prezente: helveticALforum.ch, Bota Sot, Gazeta “Dielli” (SHBA), Open TV (Maqedonia e Veriut) dhe TV Hapsira.

Moderatori, në fund të programit, me humor dhe sinqeritet tha:

“Jam pak lodhur duke qëndruar në këmbë, por jeta zgjatet kur je në skenë me të ardhmen e kombit. Mësuesit nuk plaken – sepse ata e ruajnë gjuhën shqipe.”

PROGRAMI I ZGJERUAR ME EMRAT E NXËNËSVE – MANIFESTIMI I 28 NËNTORIT, LAPSH CYRIH

Programi artistik i mbrëmjes së 28 Nëntorit në Winterthur ishte zemra e manifestimit – një mozaik i dashurisë për gjuhën shqipe, për historinë dhe simbolet kombëtare. Çdo mësuese dhe çdo nxënës solli një copëz identiteti në skenë, duke e bërë sallën të marrë frymë njësoj me emocionin e tyre.

PROGRAMI I MËSUESES AFËRDITA VELIU

Mësuesja Afërdita Veliu solli në skenë nxënës të cilët u pritën me shumë duartrokitje. Çdo numër artistik ishte një dëshmi e punës së palodhur që ajo bën me fëmijët, të cilët jo vetëm recituan, por jetuan tekstin dhe emocionin e tij.

1. “Trim mbi trima ai Gjergj Kastrioti” – Alisa Baliu & Adea Jusufi

Dy vajzat nga Rainca e Preshevës, Alisa dhe Adea, u ngjitën në skenë me plot krenari. Ato mbajnë mbi shpatulla trashëgiminë e familjes Jusufi – tri breza luftëtarësh e kontribuuesish. Interpretimi i tyre për heroin kombëtar Gjergj Kastriotin emocionoi publikun me timbrin e pastër të zërit dhe artikulimin e qartë.

2. “Djali dhe shqiponja” – Jon Sabriu

Jon Sabriu nga Dollogozhda e Strugës e që jeton në Bülach, i vogël në moshë, por i madh në vetëbesim, solli një interpretim plot gjallëri. Ai përqafoi simbolin e shqiponjës si mbrojtëse të fëmijërisë shqiptare kudo në botë.

3. “Atdheu” – Nerona Uka

Me zë të ëmbël dhe të përqendruar, Nerona Uka recitoi me ndjenjë të thellë poezinë “Atdheu”. Në secilën fjalë dukej dashuria e saj për rrënjët që e lidhin me vendin e të parëve.

4. “Era dhe Flamuri” – Tara Abdullahu

Tara solli një tekst poetik ku era, flamuri dhe zemra shqiptare bashkohen në një tablo të bukur. Ajo fitoi zemrat e publikut me qetësinë dhe sigurinë e saj.

5. “Duaje atdheun tënd” – Nerona Uka, Aurora Omaj, Ronela Asani, Reina Selimi

Katër vajza të talentuara – Nerona, Aurora, Ronela dhe Reina – u bashkuan për të dhënë një mesazh të fortë: dashuria për atdheun duhet mbajtur gjallë, sidomos në mërgatë. Harmonia e tyre në recitim ishte e rrallë.

6. “Gjuha dhe Flamuri” – Alisa Korça & Jora Kryeziu

Interpretim i ndjeshëm për dy simbolet më të shenjta të shqiptarisë. Alisa dhe Jora e ngritën skenën me seriozitet dhe maturi.

Pas numrave artistikë, mësuesja Afërdita Veliu dha edhe një prononcim të shkurtër mbi sfidat dhe gëzimet e punës me fëmijët në Zvicër, duke theksuar se gjuha shqipe është dhurata më e madhe që prindi ia jep fëmijës.

PROGRAMI I MËSUESES ELFETE HASI

Mësuesja Elfete Hasi solli një program të pasur, ku u ndërthurën vallja, poezia, monologu dhe kënga. Pjesa e saj ishte një shpërthim kulturor i traditës shqiptare.

1. Vallja “Shota” – Sara Gerbovci & Erzen Morina

Dy fëmijët Sara dhe Erzeni e nisën programin me vallën “Shota”, duke e ngrohur sallën dhe duke i dhënë ngjyrë e ritëm mbrëmjes.

2. “Gjuha jonë, Nëna dhe mësuesi” – Lejla, Samira, Leona, Dea, Kenza

Pesë nxënëse recituan së bashku, duke e kthyer skenën në një mbretëri të fjalës shqipe. Recitimi i tyre ishte i harmonizuar si një kor i vogël poetik.

**3. Recitali “Nga Manastiri te Kulla e Jasharajve” & “Një gjak një Flamur” –

Juled Dauti, Uerda Behluli, Erjona Husaj, Lea Shala, Ambra Husaj, Sara Grabovci**

Ky ishte një nga numrat më të fuqishëm të mbrëmjes. Nxënësit sollën dy motive të rëndësishme të historisë kombëtare – alfabetin e Manastirit dhe sakrificën e familjes Jashari.

4. “O sa mirë me qenë shqiptarë” – Lejla Gerbovci & grupi

Ky interpretim e ndezi sallën. Fëmijët kënduan me gëzim dhe krenari.

5. Monologu “Mos ma prekë djepin” – Jara Dauti

Jara dha një monolog të fuqishëm emocional. Zëri i saj i ngazëllyer përcolli dhimbjen e nënave shqiptare dhe dashurinë për fëmijët.

6. “Atdheu im” – Alejna Ukshini

Alejna recitoi qetë dhe pastër, me një botë të brendshme artistike që i la përshtypje publikut.

7. Vallja e Rugovës – Grupi i vajzave

Vallja e Rugovës e sjellë nga vajzat ishte një moment e shprehje e traditës së pastër.

8. “Mora fjalë” – Grupi i nxënësve

Një këngë klasike shqiptare, e interpretuar me shumë dritë e ngrohtësi.

PROGRAMI I MËSUESES SABAHATE KRASNIQI

1. “Pa duvak s’kam me u ba nuse” – Nina Jahiu & Siera Elshani & grupi

Interpretim i gjallë, ritmik dhe shumë autentik.

2. Poezi kushtuar Skënderbeut – Ajet Dilaveri, Denis Useini, Akil Sadrija

Tre djem recituan poezi për heroin kombëtar, me zë të fortë e të qartë.

3. “O flamuri i dashur” – Noah & Gent Morina

Dy vëllezërit Morina e mbushën sallën me ngrohtësi dhe krenari.

4. “I dashur atdhe” – Fisnik Krasniqi

Fisniku recitoi me emocion për atdheun dhe rrënjët shqiptare.

PROGRAMI I MËSUESES DAFINA HAZIRAJ

– Poezia “Atdheu” – Zarife Krasniqi

Zarifja solli një recitim të butë, delikat, por me shumë ndjenjë.

PROGRAMI I MËSUESIT NASER ULAJ

Pjesa e fundit e manifestimit, shumë e pasur dhe e larmishme:

1. “28 Nëntori” – Fisi Shala, Norik Maralushaj, Sumeja Kamberi, Leonita Fazliu

Një grup i përkryer fëmijësh që solli emocion dhe solemnitet.

2. “Toka jonë” – Rigersa Kamberi & Alea Lutfiu

Dy vajza të talentuara, të cilat recituan me thellësi.

3. “Jam shqiptar dhe krenar” – Hira, Elhajda, Anika, Inara, Inola

Një grup që shpërndau energji pozitive në të gjithë sallën.

4. “Jam një djal shqiptar” – Rron & Lian Gashi

Dy djem të guximshëm që e shprehën krenarinë kombëtare me plot jetë.

5. “Festa e pavarësisë” – Ilir Tahiri, Era, Elina, Rilind Shala

Interpretim me mesazh të fortë për 28 Nëntorin.

6. “Amaneti i të parëve” – Xhesina & Leandra Selimi

Dy vajzat e vogla sollën një poezi të rëndë në kuptim, por të përcjellë me pafajësinë e fëmijërisë.

7. “Poezia për shkollën shqipe” – Olsa Shala, Lirian Tahiri, Anesa Hasani

Fëmijët falënderuan shkollën e tyre me tekst të bukur dhe të ndjerë.

8. “Gjuha jonë” – Fina & Stina Shala

Dy motrat recituan me një sinkron të jashtëzakonshëm.

**9. “Shqipëri o nëna ime” – Lejla & Alejna Bajraktari e shoqëruar me qifteli nga Akil Tahiri**

Ky numër ishte kurorëzimi artistik i gjithë programit. Zëri i vajzave, i shoqëruar nga tingujt e qiftelisë, solli lot gëzimi e mallëngjimi në shumë sy.

Programi i fëmijëve ishte qendra e gravitetit të gjithë mbrëmjes. Çdo emër, çdo zë, çdo vallëzim ishte dëshmi e qartë se gjuha shqipe, kultura dhe identiteti jetojnë përmes fëmijëve – dhe përmes mësuesve që ua japin këtë pasuri brez pas brezi.

Z.Hebibi ftoi kryetarin Ulaj dhe gjithë stafin e LAPSH-it për një foto kujtimi, ndërsa skena më pastaj iu la në dorë artit dhe shpirtit shqiptar. Kënga dhe vallja vazhduan deri në orën 22:00, duke e mbyllur mbrëmjen me gëzim të madh dhe krenari të përbashkët.

Ky manifestim nuk ishte thjesht festim i 28 Nëntorit. Ishte një demonstrim i fuqisë së diasporës, i përkushtimit të mësuesve dhe i dashurisë së fëmijëve për gjuhën e prindërve të tyre. Në një kohë kur diplomacia shpesh mungon, LAPSH po qëndron si institucioni më i fortë i unitetit kombëtar në mërgatë.

Gëzuar festat e fundvitit! U qoftë i mbarë viti 2026 për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Në fund të këtij reportazhi, mbetet e pamundur të përshkruhet e tërë ajo që u pa: një program i pasur, që na jep shpresë se për LAPSh-in do të punohet dhe do të përkrahet edhe më shumë nga ata që duhet. Nderime për prindërit, mësuesit dhe afaristët bamirës që po e ndihmojnë shkollën plotësuese shqipe ‘Naim Frashëri’.

Filed Under: Reportazh

Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

December 5, 2025 by s p

Sejdin Xhaferaj/

NEW YORK — Shoqata Besi, e themeluar nga komuniteti shqiptar me rrënjë në fshatin Besa të Malit të Zi dhe që operon zyrtarisht nga Queens, N.Y., organizoi më 29 Nëntor 2025, në ambientet e Eastwood Manor, një mbrëmje kushtuar 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Aktiviteti u karakterizua nga pjesëmarrja e gjerë e komunitetit dhe një program kulturor i përgatitur me kujdes.

Në hapje të evenimentit, Presidenti i Shoqatës, z. Sejdin Xhaferaj, theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit shqiptar në diasporë, duke nënvizuar se “kur jena bashkë — jena të pathyeshëm; gjuha e gjaku na bashkojnë, e vlerat na mbajnë të lidhun kudo ku rreh zemër shqiptari.” Fjalimi i tij u prit me interes nga pjesëmarrësit dhe vendosi tonin e mbrëmjes.

Organizimi i programit u mbështet nga Nënkryetari Nexhad Xhaferaj, ndërsa kontribuues të rëndësishëm në logjistikë ishin Ramazan Lika, Senad Vela dhe Senad Xhaferaj, të cilët u angazhuan në mbarëvajtjen teknike dhe koordinimin e pjesëve të ndryshme të aktivitetit.

Pjesë qendrore e mbrëmjes ishte programi i Shkollës “Fol Shqip”, një iniciativë edukative e Shoqatës Besi që synon ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare tek brezi i ri. Koordinatorja e shkollës, Medina Xhaferaj, së bashku me mësueset Nevila Kraja dhe Fatbardha Dibra, si edhe koreografët Sebastjan Tinaj, Amela Xhaferaj dhe Ayla Hoxha, prezantuan një seri recitimesh dhe vallesh tradicionale të interpretuara nga nxënësit. Performancat e fëmijëve u pritën me duartrokitje të gjera dhe vlerësime pozitive nga të pranishmit.

Atmosferën festive e pasuruan edhe interpretimet e artistëve Shpresa Gojani dhe Valdet Luka, të cilët sollën një repertor patriotik që ngjalli bashkim dhe entuziazëm në sallë. Momenti kulmor i mbrëmjes u shënua me sjelljen në skenë të një flamuri të madh kombëtar, rreth të cilit fëmijë, prindër dhe pjesëmarrës u bashkuan në këngë si “Kuq e Zi je ti” dhe “Xhamadani Vija-Vija,” duke krijuar një atmosferë të veçantë simbolike.

Në prapaskenë, puna e Komitetit të Shoqatës siguroi funksionimin pa probleme të çdo segmenti të eventit. Kontributi i Sabrina Xhaferaj në koordinimin e disa pjesëve të programit, si edhe mbështetja e Medina Hoxhës, Merime Asanit dhe Servete Xhaferaj, i dha aktivitetit strukturë dhe rend të qëndrueshëm përgjatë gjithë mbrëmjes.

Shoqata Besi shprehu mirënjohjen e saj për prindërit e Shkollës “Fol Shqip”, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në vazhdimësinë e programit, si dhe për të gjithë anëtarët, familjet dhe mbështetësit e komunitetit shqiptar në New York. Sipas organizatorëve, aktiviteti synon të vazhdojë traditën e festimeve kulturore dhe forcimit të lidhjeve brenda diasporës.

Filed Under: Reportazh

Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro

December 3, 2025 by s p

By Blerta Alikaj

December 2, 2025, New York

On November 29, 2025, Dr. Evia Nano, MD, warmly welcomed close family and friends to a thoughtfully curated, intimate book signing at her office located on the 10th floor of 65 West 36th Street, New York, NY 10018. The evening’s centerpiece was author Dearta Logu Fusaro, honored as the guest of the night, who shared her debut book, The Illyrian Way. This remarkable book chronicles an awe-inspiring journey through the Western Balkans, where Dearta and her husband, Justin, trekked 435 miles on foot, weaving together unforgettable experiences, breathtaking photographs, treasured local recipes and remedies, and meticulously crafted trail maps spanning Slovenia, Croatia, Bosnia and Herzegovina, Montenegro, Kosovo, North Macedonia, and Albania.

During the event, Dearta captivated her audience with heartfelt reading and an engaging Q&A session. Attendees of various generations and professions enthusiastically participated, sparking vibrant dialogue and connecting deeply with the author’s narrative of belonging and embracing open dialogue with neighboring countries. The gathering not only celebrated the book’s first shipment but also fostered a powerful sense of inspiration among guests, uniting everyone in a collective yearning for a modern Balkan Renaissance —a testament to the enduring spirit, culture, people, and beauty of the region. Dr. Nano concluded the night with a warm sentiment about forums as such being an opportunity to spark a new way of celebrating culture and getting involved in future multi-media Balkan collaborations.             

    

 

Filed Under: Reportazh

NJË DOKUMENTAR ME VLERA KOMUNITARE E KOMBETARE

December 1, 2025 by s p

Hamid Alaj/

Në prag të festave të Nëntorit, edhe Shoqata “Kraja” zhvilloi disa aktivitete nën patronazhin e saj. Njëri prej tyre ishte aktiviteti i mbajtur sonte në prani të komunitetit krajan. Të pranishëm ishin një numër i konsiderueshëm aktivistësh, biznesmenësh, atdhetarësh e patriotësh të komunitetit krajan.

Në Qendrën Komunitare Shqiptare në Staten Island, në orët e mbrëmjes duke filluar nga ora 17:00, u shfaq dokumentari filmik “Flamurtarët e Jehonës së Krajës”, i përgatitur nga aktivisti dhe regjisori i dokumentarit, z. Bekim Adili nga Kërçova, nën patronimin e Shoqatës “Atdhetare Kraja”.

Ka filma që shihen, por ka edhe filma që ndihen. Ky i mbrëmjes së sotme ishte një dokumentar që, për shumicën e të pranishmëve, solli në dritë realitete që dikur i kishim dëgjuar gojë më gojë, shpesh me frikë, derisa mbërritën deri te veshi ynë. Dokumentari paraqet anën njerëzore dhe dashurinë për të ndriçuar atdhetarizmin e këtyre “Flamurtarëve të Jehonës së Krajës”.

Që në fillim të tubimit, të pranishmit patën mundësinë të shijonin një “orë kokteji” të shtruar nga Shoqata “Kraja” në nderim të tyre, me ushqime të ndryshme dhe pije freskuese.

Programin e mbrëmjes e udhëhoqi Drenica Perashi, mbesa e njërit prej flamurtarëve, patriotit dhe atdhetarit të trevës së Krajës, z. Ali S. Perashi. Ajo, ashtu siç i ka hije mbesës së një atdhetari, përshëndeti të pranishmit në emër të shoqatës dhe “flamurtarëve” të Krajës, duke i falënderuar për pjesëmarrjen. Më pas, programi vijoi me këngën e heroinës krajane, tashmë të ndjerës znj. Nazire Curaj, interpretuar nga këngëtari krajan Blerim Marshiqi, me tekst të z. Hysen Kraja, e shoqëruar me vallëzim nga grupi “Barbana”, që vepron në kuadër të Shoqatës “Kraja”.

Fjalën më pas e mori nënkryetari i Shoqatës “Kraja”, z. Hysen Kraja, i cili përshëndeti të pranishmit në emër të organizatës. Ai theksoi:

“Sonte jemi tubuar për të nderuar Krajën tonë të dashur dhe për të kujtuar veprimtarinë e atdhetarëve krajanë me rastin e formimit të organizatës së tyre ‘Jehona e Krajës’. Dokumentari është një homazh për ata që heshtën dhe për ata që ruajtën kujtimin e atyre që vepruan me admirim. Ata e ngritën Krajën në piedestalin më të lartë, e ne, brezat e sotëm, nuk mund t’u dalim kurrë borxh. Ata sakrifikuan gjithçka për të drejtat e krajanëve dhe për kombin shqiptar në përgjithësi.”

Ai shtoi se shembulli i tyre mbetet themel për çdo veprimtari atdhetare që vazhdon edhe sot.

Më pas foli ideatori i dokumentarit, z. Bekim Adili, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen. Ai tregoi se si lindi ideja e realizimit të dokumentarit, duke theksuar se lidhja e tij me Krajën nisi përmes bashkëshortes së tij, një nuse krajane, e cila e nxiti të hulumtonte dhe të ndërmerrte këtë projekt.

Ai u shpreh:

“Si fillim u njoha me atdhetarin dhe një nga anëtarët e ‘Jehonës së Krajës’, z. Ali S. Perashi, i cili më dha njohuri të mjaftueshme për veprimtarinë e kësaj organizate. Në shpirtin e tij ndjehej qartë historia që duhej ndriçuar, sidomos ajo e heroinës krajane, znj. Nazire Curaj.”

Ai shtoi se, për realizimin e dokumentarit, u konsultua edhe me aktivistë të tjerë të Shoqatës “Kraja”, të cilët pranuan menjëherë të bashkëpunonin.

Po ashtu përmendi bisedat me atdhetarë të tjerë të “Jehonës së Krajës”, si: Xhafer Markashi, Rasim Perashi (nip i Hasan Perashit), Sulejman Çuka dhe imam Jusuf Boli.

Në fund, ai falënderoi të gjithë kontribuuesit, duke theksuar:

“Ky dokumentar është bërë për idealet e këtyre burrave, të cilët sakrifikuan gjithçka për çështjen kombëtare. Me përulësi përkulemi para tyre që të mos harrohen kurrë.”

Pas fjalimeve, u shfaq dokumentari para të pranishmëve.

Në përfundim të mbrëmjes, Shoqata “Kraja” ndau mirënjohje për kontributet e tyre atdhetare dhe patriotike: për ideatorin e dokumentarit, z. Bekim Adili; për z. Ali S. Perashi; dhe për imam Jusuf Bolin.

Mirënjohjet u dorëzuan nga kryetarja e Shoqatës “Kraja”, znj. Venera Gjenashi.

Filed Under: Reportazh

PËRPARA FLAMURIT SHQIPTAR NË CHICAGO

November 30, 2025 by s p

Në metropolin e Çikagos, Komuniteti Shqiptar në Illinois – Albanian Community of Illinois me president të riun nga Presheva, Edon Shaqiri organizuan me shqiptarët Festën e Flamurit. Në mesditën e 28 Nëntorit në DownTown, ndanë Rrugës Washington, u ngrit lart mes brohërimave Flamuri Shqiptar, aty mes rrokaqiejve, edhe mbi veprën monumentale dhe të njohur të Picasso-s, – shkruante shkrimtari Visar Zhiti. Në ceremoni ishin dhe kongresmeni Joe DioGurdi me bashkëshorten, po edhe Kosulli i Republikës së Kosovës, Drilon Zogaj. Po kështu dhe në mbrëmjen festive në Niles. Salla e madhe ishte plot, e zbukuronin të rinjë dhe flamujt kudo, këngët dhe vallet.

Në fillim u kënduan dy Himnet Kombëtare, ai Shqiptar dhe ai Amerikan. Presidenti i Komunitetit, Edon Shaqiri, pasi do t’i uronte mirëseardhjen të githëve, do të fliste për rëndësinë e kësaj date dhe lavdinë e saj dhe do t’ia jepte fjalën “të Ftuarit të Nderit”, shkrimtarit Visar Zhiti. Emocionuese do të ishin dhe kujtimet e çiftit Shirley dhe Joe Dio Guardi, puna e tyre e çmuar. Dhe do të shpërthente koncerti, këngët e njohura patriotike dhe valet gjithe larmi ngjyrash e flamuj. Një festë e madhe, e bukur, dinitoze dhe me estetik;e kombëtare. Njëri prej organizatorëve që shquhet, por për urtësinë, është trajneri nga Kërçova, Taip Bes Hiri, ideatori i takimit me kongresmenin, mik të hershëm që “nga lufta”. Gjithçka shkëlqen dhe ai rri në prapavijë, si të gjithë në festë… Si një sintezë jo vetëm e asaj dite, por e ecurinë në shekuj të Flamurit Kombëtar po botojmë fjalën e shkrimtarit.

SHQIPONJË LIRIE ME TË KUQEN DIELLORE…

Nga Visar Zhiti

Festën Kombëtare, më të madhen e shqiptarëve, atë të Flamurit, pra, të Pavarësisë, kur hidhen themelet e shtetit modern shqiptar, e festojmë me madhështi në Atdhe e në gjysmën tjetër të Atdheut, në Kosovë, kudo në Ballkan ku ka copëza Shqipërie e shqiptarë, përtej detit, në Itali me arbëreshët e këngës dhe të poezisë, në të gjithë Europën, edhe përkëtej oqeanit, në Amerikë, në mbarë botën dhe mbase më bukur në diasporë festohet në SHBA dhe po aq solelmnisht në Chicago.

Sot u ngrit Flamuri shqiptar në DownTawn, dhe u valëvit mes atij të SHBA dhe të Shtetit Illonois.

Kur u mblodhëm, pamë se ishim shqiptarë nga të gjitha trevat tona, vërtet Shqipëria natyrale, etnike, – vetëm në SHBA ndodh kjo, – dhe mes nesh erdhi me bashkëshorten e tij dhe kongresmeni i shquar, me origjinë arbëreshe, Joe DioGuardi, që i kushtoi jetën çështjes shqiptare, çlirimit të Kosovës.

Na bashkoi Flamuri ynë, më i bukuri në botë, besojmë ne. Ky Flamur është ngritur hijerëndë në kështjella dhe pirgje dhe fusha beteje, ka mbulur heronjtë, por dhe nëpër dasma, vargani i krushqëve kishte kryeflamurtar, e mbajnë duart e fëmijëve, ky flamur ngrihet mbi institucionet shtetërore, presidencë, parlament, kryeministri, por dhe në ballkone pallatesh, ku banojmë, në tryeza pune e në zarfe me pullat postare, është në takime ndërkombëtare, ne ceremonira e në fusha sporti e festa e ngrihet lart bashkë me Himnin, ringrihet me çdo fitore e titull kampion, e gjejmë dhe në valixhe emigrantësh si amanet, në librat e shkollës dhe antologji poezish, në sheshe e në veprimtaritë kudo, në ambasada në të gjithë shtetet e në Organizatën e madhe të Kombeve të Bashkuara, aty me të gjithë flamujt e tjerë, i sigurtë, i barabartë.

SHEKUJT E FLAMURIT

Flamuri ynë ashtu si shqiponja e tij që shihej si një shpend hyjnor, vjen nga kohëra të lashta e mitologji, ka të bëjë me pellazgët, me të cilët janë të lidhur ilirët, siç besohet nga shumë shkencëtarë. Prandaj dhe na quajnë “Bij të Shqipes”! Zjarr prometean Flamuri ynë, – kam thënë… ​​​​​​Shqiponja ishte emblemë dhe e Pirros së Epirit. Gjendet dhe te shteti i parë i Arbërit i viteve 1199-1216, që kulmoi me shtetin e Skënderbeut, ku Kastriotët e kishin dhe në stemën e tyre. Gjergji ynë e ngriti mbi kalanë e Krujës, duke e çliruar nga pushtuesit otomanë në 28 Nëntor 1443, gati 6 shekuj më parë.

Me këtë Flamur Shqipëria u bë muri mbrojtës i Europës, i qyteterimit Perëndimor. Ai është Flamuri i “Atletit të Krishtit”, Skënderbeut, pa të cilin, – do të thoshte dhe në kongresin amerikan kongresmeni ynë, ndoshta dhe Amerika do të ishte ndryshe. Dy kokat e shqiponjës janë Orienti dhe Oksidenti, duhet vëzhguar në dy kahet, bashkimi mban dhe universin. Kur u nda perandoria e Romës, gjysma që mbeti Bizant, e bëri symbol shqiponjën me dy krerë, e mbajtën ilirët, etj. E kuqja e tij është kozmogoni, lidhet me dritën biblike, shpjegojnë studiuesit. Por do të simbolizonte dhe gjakun e derdhur për liri.

Donin ta copëtonin shpatat e perandorive dhe të ushtrive të huaja uzurpuese, gjylet e topave të tyre, donin ta grinin plumbat, ta zbehnin, ta përçudnonin duke i shtuar spatat liktoriane apo yllin e komunizmit, ai i sfidoi të gjitha dhe triumfoi. Në shekujt e pushtimit Flamuri do të përndiqej, do ta mallkonin e do ta digjnin. Hiri i tij mbetej në kujtesën e Kombit.Dhe po harroj si ishte, ja ashtu si flakët…

Rilindasit rithirrën Skënderbeun. po Flamurin?

Që në vitin e parë të shekullit XX, një djalë 26 vjeçar, Faik Konica, në mërgim, në Bruksel, do të tregonte në gazetën “Albania”, që e themeloi vetë se “…flamuri ynë, i cili është një nga më të ndershmit dhe më të lavduarit të botës, është pa dyshim edhe një nga më të vjetrit”. Me këtë Flamuar kishin shkuar dhe në Lidhjen e Dytë, atë të Prizrenit më 1887. Edhe arbëreshi Terenc Toçi e ngriti në Mirditë në vitin 1911.

Por një vit më vonë Plaku i bardhë, Ismail Qemali, pas 5 shekuj robërie, do ta ringrinte akoma më lart në Vlorë, po në 28 Nëntorin skënderbejan dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe hodhi themelet e shtetit modern shqiptar. S’kishte institucione e as ngrehina për to, as hotele. Nëpër shtëpitë e vlonjatëve kishin bujtuar, ku kishte zjarr dhe zemër.Po rrinin bashkë përfaqësuesit e krahinave, ministrat që do të emëroheshin, asambleja, senati, luftëtarët, malsorët, qehallarë, rojet, etj, etj. ​​​​​

Ndërkaq nga Rumania erdhi Himni i Flamurit. U pëlqye dhe u këndua aq shumë sa nuk u zëvendësua dot me asgjë tjetër. Njëra nga strofat në kohën e komunizmit, jo vetëm që nuk këndohej, por do të hiqej dhe nga botimet:​​​​​​​

Se Zoti vetë e tha me gojë

​ Se kombet shuhen përmbi dhé,

​ Por Shqipëria do të rrojë,

​ Për të, për të luftojmë ne.​

​​​​​​​​​​​​​​​​

Në 1913 Flamuri kombëtar është prapë në rrezik. Donin ta copëtonin Shqipërinë.​​​​​​​​At’ Gjergj Fishta ngre Flamurin mbi kambanoren e kishës së tij, si flatër engj;elli do ta quante dhe banderolat që nga aty do të lidheshin me minaret e xhamive.

MBËSHTEJA JETIKE E SHBA-së…

Roli i SHBA do të ishte vendimtar. Presidenti Wilson ndikoi shumë, I informuar dhe diaspora shqiptare, nga udhëheqësit e saj, Konica dhe Noli, kontakti me shqiptaro-amerikanët.​​​​​​​Sot në Tiranë është një shesh që mban emrin e Presidentit shpëtimtar, Wilson, me shtatoren e tij në mes.

Lëvizje dhe rebelime dhe demonstra me Flamur bëheshin herë pas here dhe në Kosovën që vazhdonte të ishte e pushtuar deri vonë. Shpesh forcat policore gdhiheshin duke gjetur të ngritur qyteteve gjatë natës Flamurin shqiptar. Sikur mbinte vetvetiu.

Kur të burgosurit politikë u ngritën në Spaç në revoltën që tundi së brendshmi themelet e diktaturës, në 1973, ata ngritën në mes të kampit, brenda telave me gjëmba, Flamurin pa yllin komunist. Po ku e gjetën? Një këmishë të bardhë e ngjyen me gjakun e tyre dhe piktori i burgosur bëri shqiponjën. E ngritën lart duke kënduar himnin me lot në sy. Katër të burgosur i pushkatuan dhe ridënuan dhjetra të tjerë, por dhe vetë burgun.

Prapë në 28 Nëntor 1997 shpallet se është krijuar Ushtria Çirimtare e Kosovës. ​​​​​​​​​​​

Dhe po në 28 Nëntor në Kosovë kishte lindur legjenda Adem Jashari, në 1955 në Prekaz. Bënin dimra të acartë atëhere, por më keq se dimri ishte dhuna policore e regjimit serb ndaj shqiptarëve. Në 28 Nëntor, ç’koinçidencë e bukur, që u tha dhe këtu, ka lindur dhe Presidenti Komunitetit Shqiptar në Illinois – Albanian Community of Illinois, Edon Shaqiri, familja e tij ikën nga Presheva nga shkaku I luftës n:e Shkup dhe prej andej në SHBA.

​Dhe do të ndërhynin forcat e NATO-s dhe SHBA në këtë betejë, jo vetëm çlirimtare, por dhe morale, mbrohej një popull nga eksodi masiv si në Bibël. Pas bombardimeve të Beogradit, Kosova u shpall Republikë më vete. Shqipëria u fut në NATO dhe Flamuri i saj është bashkë me flamujt e forcave Perëndimore euroatlantike, me demokracitë më të përparuara. Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare të vegjël në Ballkan, por me histori të lashtë, kanë gjetur te Shtete Bashkuara të Amerikës së madhe aleatin jetik, mbrojtësin dhe mbështetësin. Prandaj dhe sot Flamuri ynë si një vëllai vogël valëvitet pranë atij amerikan si një vëlla i madh, më i fuqishmi në botër dhe i drejtë. Më bukur se gjithkund Flamuri ynë është në zemra, atje ku jemi bashkë, ja, si sonte…

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT