• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“NËSE KËTA DO TË HESHTIN, GURËT DO TË KLITHIN!”(LK 19,40)

April 26, 2023 by s p

Shkruan: Don Lush Sopi/

Në këto kohëra të turbullta dhe tejët shqetësuese për vendin tonë, si dhe për kombin tonë në përgjithësi, mendja dhe shpirti i njeriut nuk mund të qëndron i qetë dhe indiferent ndaj ngjarjeve që po ndodhin, të cilat po nxisin dhe po tentojnë të shkaktojnë përçarje e destabilizim në shoqërinë tonë, si në aspektin kombëtar gjithashtu në ate fetar. Mohimi i historisë sonë të lavdishme, fyerjet ndaj personaliteteve të mëdha kombëtare dhe fetare të cilët kanë lën gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të lashtë,  fyerjet dhe kërcënimet ndaj historianëve, akademikëve, hulumtuesëve dhe studiuesëve tanë,  pa asnjë kundërargument në bindjet dhe vlerësimet e tyre historike dhe aktuale, të bazuara dhe të argumentuara nga arkivat më të rëndësishëm botëror, fyerjet dhe kërcënimet ndaj atyre që shprehen kundër dukurive negative që e rrezikojnë identitetin tonë kombëtar dhe kulturor, fyerja dhe përbuzja e Flamurit kombëtar, deklarata të pa matura dhe të pa argumentuara, me qëllime të caktuara, që janë ushqim helmues apo kancer për shoqërinë tonë, nuk më lenë shpirtin të qetë. Andaj, mu kujtua një pjesë e Shkrimit Shenjt ku shkruan: Atëherë i thanë (Jezusit) disa farisenj që ishin në popull: “Mësues, qortoji nxënësit e tu!” Ai iu përgjigj: “Nëse këta do të heshtin, gurët do të klithin!” Kur u afrua dhe e pa qytetin, qau mbi të e tha: “O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen! Por tashti është e fshehur per sytë e tu! E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të të rrethojnë me llogore, do të bëjnë rrethim e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. Do të të përplasin për tokë ty e fëmijët e tu në ty dhe s’do të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për gjë kohën kur Hyji erdhi të të ndihmojë.” Këto fjalë të Krishtit, jo vetëm që më inspirojnë dhe frymëzojnë, por edhe më obligojnë t’i paraqes  nga këndëvështrimi im, pikëpamjet e mia për temat të cilat po shkaktojnë huti dhe përçarje në shoqërinë tonë.

Shoqëria jonë është në krizë të thellë, ndoshta si kurrnjë herë më parë. Situata e tanishme në Kosovë, në çdo aspekt, si në aspektin politik, ekonomik, fetarë edukativë, kulturor…është jo stabile, e tensionuar dhe pa perspektivë për një të ardhme më të mirë, sepse të ardhmën e saj po e pengojmë vet. Historia e popullit shqiptar është histori e të gjithë shqiptarëve, pa dallim të përcaktimit shpirtëror apo fetar të tyre. Kjo histori është shkruar me shkronja të arta, përmes flijimeve dhe sakrificave, përndjekjeve dhe torturave të ndryshme, persekutimeve dhe martirizimeve të shumta  nga sundues,  ideologji dhe okupator të ndryshëm gjatë shekujve. Këtë histori nuk mund ta zhbëj askush, as ta ndryshoj sepse është shkruar jo vetëm me shkronja të arta, por edhe me gjak të derdhur nëpër shekuj.  Është histori që e njeh e gjithë bota e civilizuar. Personalitetet që kanë lenë gjurmë të mëdha në historinë tonë të lavdishme, Rilindasit Kombëtar dhe Fetarë gjatë shekujve, personalitetet e mëdha edhe të kohës sonë që dhanë gjithçka për të arritur ku jemi sot, si dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, nuk mund t’i  zhvlerësoj askush, pavarësishtë tendencave dhe investimeve të mëdha të shteteve armike të Kosovës,(me dritë të gjelbërt nga ne), për t’ia arritur këtij qëllimi, edhe pse paraqesin rrezik potencial që  lakmimet apo apetitet e tilla shumë lehtë të përfundojnë si lakmia e Judë Iskariotit i cili veq tjerash tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta për  ta tradhtuar Mësuesin e vet. (Mt 26, 15).

Pra, fyerja e  Flamurit kombëtar nga kushdo qoftë, veçanërisht nga prijësit fetar, është akt i shëmtuar dhe ofendues për miliona njerëz të vdekur të cilët kanë dhënë jetën për Flamurin Kuq e Zi, dmth. për Pavarësinë e popullit dhe Shtetit Shqiptar, si dhe fyerje dhe ofendim për miliona shqiptar të cilët bashkohen dhe betohen po në këtë Flamur. Flamuri kombëtar i bashkoj në të kaluarën dhe do t’i bashkoj edhe në të ardhmën të gjithë shqiptarët kudo në botë.

Nuk urrej dhe nuk fyej njeri, sepse nuk është në natyrën e edukatës sime familjare, aq më tepër, nuk më lejon përkushtimi im shpirtëror si klerik i besimit monoteist i kishës universale. Por, nuk mund të pajtohem me personat të cilët bëjnë deklarata kontraverse apo veprime të pamatura dhe të dëmshme kur është në pyetje identiteti ynë kombëtar dhe kulturor, pavarësisht pozitave që mbajnë.

Deklarata: “Kush s’mund me i pa xhamitë në Kosovë, le t’ia mësynë Beogradit”, është deklaratë e rëndë, e nxituar, dhe jo e nivelit të duhur. Kjo deklaratë, apo ky mllef…mund të kuptohet në mënyra të ndryshme, sepse në thelb ajo përmban  kuptim të gjerë dhe të dëmshëm për shoqërinë tonë. Nëse e kuptojmë në kontekstin e thënë, ajo mund të kuptohet dhe “përkthehet” edhe në këtë mënyrë: Kush s’mund të pajtohet me historinë e vërtet të popullit shqiptar, kush s’mund me i pa kishat katolike në Kosovë, kush s’ mund t’i ndëgjon emrat e personaliteteve të mëdha kombëtare dhe fetare, nga të cilët kemi gjuhën, kulturën, traditën, emancipimin dhe civilizimin Evropian, si dhe shumë çka tjetër… t’i themi t’ia mësynë Beogradit!!! Jo, asesi, sepse është derdhur shumë gjak me shekuj, për ta gëzuar këtë tokë martire të gjithë shqiptarët pa dallim besimi dhe bindje. Çfarë t’ju themi atyre të cilët fyejnë Shën Nënë Terezën (të cilën e gjithë bota e thërret Nënë) duke e quajtur serbe, që e fyejnë edhe shenjtërinë e saj duke deklaruar se ajo e ka vendin në ferr! Çfarë t’ju themi atyre të cilët Gjergj Kastriotin Skenderbeun, Heroin tonë Kombëtar e quajnë serb, sepse paska luftuar kundër vëllezërve të tyre turq! Çfarë t’ju themi atyre  që deklarojnë se Perandoria Osmane na ka ruajtur identitetin tonë kombëtar! Çfarë t’ju themi atyre që deklarojnë se turkun e kanë vëlla! Çfarë t’ju themi atyre që deklarojnë se “gjaku i jobesimtarëve (jo muslimanëve) është pija më e mirë për muslimanët!” Çfarë t’ju themi atyre që deklarojnë se “Katoliku është shtatë herë më i keq se shkau (serbi)! Çfarë t’ju themi atyre që deklarojnë: “Ma mirë me të vdekë qika (vajza) se me u martu me katolik!” e sa e sa deklarata tjera tërësisht antikombëtare, të cilat me shumë vështërësi po duhet me i përpi për hir të interesit tonë kombëtar. Çfarë t’ju themi këtyre njerëzve? T’ju themi t’ia mësynë Beogradit, Turqisë, Arabisë…! Jo, asesi, sepse me këtë logjikë Kosova shpejtë do të zbrazej nga shqiptarët, për t’ju mundësuar dhe plotësuar dëshirën të tjerëve ta gëzojnë këtë tokë martire, për të cilën popullli shqiptar ka derdhur gjak me shekuj. Adn-ja e gjakut shqiptar nuk përcakton përkatësinë fetare, por përkatësinë kombëtare. Prandaj, të bashkuar, duhet të kontribuojmë, të udhëzojmë dhe të këshillojmë të gjithë shqiptarët, pa dallim besimi, që ta ruajmë si sytë e ballit identitetin tonë kombëtar, ta duam historinë tonë, t’i nderojmë dhe respektojmë personalitetet që kanë lënë gjurmë të mëdha në historinë e kombit tonë shqiptar, ta duam Kosovën ashtu me tempujt tanë fetarë (kisha dhe xhamia) ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin sepse jemi vëllezër dhe motra të një toke, të një gjuhe dhe të një gjaku. Gjatë gjithë historisë, të mirat dhe të këqiat i kemi ndarë së bashku dhe do të vazhdojmë t’i ndajmë së bashku, sepse rrugë tjetër nuk kemi.

Përpos deklaratave të sapërmendura, tentohet që edhe në aspektet tjera t’i jipen meritat njërit apo tjetrit, për ate që është arritur bashkërisht, në emër të kombit. Shumë herë kam ndegjuar deklaratat: “Pse ne kalojmë mirë me njëri-tjetrin, merita është e muslimanëve” apo: “Merita për tolerancë fetare ndër shqiptarë ju takon muslimanëve”, si dhe deklarata tjera të ngjajshme në këtë kontekst, veçanërisht kur ato vijnë nga persona publik që bartin përgjegjësi, janë të dëmshme për shoqërinë. Njerëzit që nuk e njohin historinë, që nuk lexojnë, mund ta kuptojnë në një kontekst krejt ndryshe. Meritat për tolerancë fetare nuk ju takojnë as muslimanëve as katolikëve, por përgjithësisht ju takojnë Shqiptarëve. Toleranca (vr. i. mirëkuptimi dhe dashuria ndaj njëri-tjetrit), nuk ka filluar me ne, por shekuj më parë,  dhe jo vetëm  toleranca fetare, por asgjë nuk ka filluar dhe nuk do të përfundon me ne. Deklaratat e tilla kryesisht bazohen në shumicë (shqiptarë të besimit islam) dhe pakicë (shqiptarë të besimit krishterë), por mos të harrojmë se dikur ka qenë e kundërta. Prandaj e thekësova që meritat ju takojnë shqiptarëve në përgjithësi, sepse në Kosovë besimtarët (pa dallim) jane pakicë, ndërsa Shqiptarët  janë shumicë.  Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Me bindje të thellë, por me dhembje në shpirtë e themë, që populli ynë shqiptarë gjatë gjithë historisë së vet, kurrnjë herë nuk ka qenë më i ndjeshëm për temat që prekin besimin, se sot. Sot, po të varej toleranca fetare nga muslimanët dhe katolikët, ajo do t’ishte rrezikuar si asnjë herë më parë në historinë tonë, siç po rrezikohet edhe identiteti ynë kombëtar, kultura jonë e lashtë, nderi dhe morali familjar nga grupe dhe individë, të cilët nuk kursejnë asgjë për t’i arritur qëllimet e tyre. Prandaj, duhet të kemi shumë  kujdes dhe të jemi maksimalisht të maturuar në çdo veprim, duke mos lejuar per asnjë çmim devijimin nga identiteti ynë kombëtar dhe kulturor, nga vlerat morale, njerëzore dhe Hyjnore që e kanë karakterizuar familjen dhe shoqërinë tonë në përgjithësi.

Popull i im i dashur Shqiptar, vëllezër dhe motra, këtë mesazh meditimi-reflektimi e shkrova nga zemra dhe shpirti, me të vetmin qëllim, që të ecim sy hapur, të bashkuar si vëllezër dhe motra, në dritën e lirisë së vendit tonë të dashur, Kosovës sonë martire, për të sotmën dhe të nesërmen më të mirë, më të ndritur dhe më të sigurtë për të gjithë.

Përndryshe, do të na mallkoj historia, do të na mallkoj kjo tokë martire, do të na mallkoj gjaku i derdhur ndër shekuj i bijëve dhe bijave tona shqiptare, por, mbi te gjitha do ta mallkojmë vetveten. Ndërsa, mallkimi (dënimi) i vetvetes është gjëja më e tmerrshme dhe më tragjike që mund t’i ndodhë njeriut dhe shoqërisë në përgjithësi.

Zoti e bekoftë Kosovën tonë martire.

Zoti e bekoftë popullin tonë shqiptarë, si dhe gjithë qytetarët e Shtetit tonë të dashur.

Filed Under: Reportazh

Shqipëria u ekspozua në Columbia

April 25, 2023 by s p

Bekim Bruka/

Shoqata Shqiptare e Universitetit Columbia organizoi një ekspozitë të drejtuar nga studentët të premten e 14 prillit, e fokusuar në vitet e Shqipërisë komuniste dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi. Studentët dhe komuniteti shqiptar në zonë paraqitën objekte, dokumente dhe foto, me qëllim që të tregonin historitë e familjeve të tyre përmes temave makro-historike.

Ekspozita e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Universitetit Columbia ishte një mundësi për të nxjerrë në pah historinë dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në këtë rajon të Ballkanit. Duke iu kushtuar vitet e Shqipërisë komuniste dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi, studentët dhe komuniteti shqiptar u ndanë me publikun histori dhe histori personale të pasura.

Ekspozita u organizua nga studentët, dhe u përqendrua në historitë e familjeve të shqiptarëve në këtë rajon. Ata paraqitën objekte dhe dokumente të çmuara, si fotografi, libra dhe veshje, për të ilustruar jetën dhe kulturën shqiptare në kohërat e vështira të diktaturës komuniste. Në këtë mënyrë, organizatorët e ekspozitës synuan të ndajnë historinë dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve me publikun e gjerë, duke i dhënë rëndësi kështu një pjese të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Bekim Bruka

At’ Kola, “Frati i Hotit”, si At’ Benardini i “Visareve të Kombit”…

April 24, 2023 by s p

Frano Kulli/

At Kolë Berisha vjen pa mëdyshje e hyn në aradhen e “Françeskanëve të M’dhaj”, jo për hatër, por sepse ka vendin e vet aty; atë vend, ai e ka “zanë ” me veprën e vet. Një aso vepre që se ka peshën e veprës së Fishtës a Prendushit, Harapit a Pal Dodajt, Justin Rrotës a Martin Gjokës , me të vërtetë. Por që ai është përvijues i denjë i At’ Benardin Palajt e Donat Kurtit po. I atyre dijetarëve e zelltarëve të mëdhenj, që i sollën albanologjisë shqiptare e folklorit në veçanti “Visaret e Kombit”, të pavdekshme dhe “Përrallat kombëtare”
Të parët studiues, që i kodifikojnë ato vlera të trashëgimisë sonë dhe i kthejnë nga gjendja orale (gojore) e tyre në një kolanë botimesh të mirëfillta studimore e shkencore, duke ruajtuar gjendjen e tyre burimore, pra autenticitetin e tyre, është libri “Visaret e kombit”. Mbledhë e kodifikue prej At Benardin Palaj e At Donat Kurtit. Dy françeskanë, të cilët në misionin e tyre kulturor atdhetar, kishin eksploruar në imtësi dhe më pas i kishin përmbledhur hulumtimet e tyre në librin e sipërpërmendur, “Visaret e Kombit”. Me nëntitullin: Kangë kreshnikësh dhe legenda, libri përmban këngë kreshnikësh dhe legjenda, të mbledhura dhe të redaktuara nga dy autorët e sipërpërmendur. Çka do të shënonte edhe të parën punë të mirëfilltë studimore moderne në këtë fushë. Do ta vijojnë këtë punë-mision edhe Prof. Karl Gurakuqi e Filip Fishta. Edhe ata, referuar teksteve të botuara tashma, i përgatisin për botim dhe ia paraqesin lexuesit të interesuar të zgjedhura e të komentuara. Kurse i gjithë korpusi, përgjatë atij viti jubilar, pra 1937, përmbush 15 vëllime (gjithnjë nën titullin “Visare të kombit”) me krijimtari folklorike, tashmë jo vetëm nga eposi , por nga të gjitha zhandrret e kësaj fushe të krijimtarisë së popullit, me një shtrirje nga e gjithë bota shqiptare, nga veriu në jug si dhe nga shqiptarër e Greqisë dhe Arbëreshët e Italisë.
“At Bernardini ishte frati i kangvet ”, do të thoshte për tê Ernest Koliqi.-Nuk e dij se kush pat thanë qi gjithkund në botë poetët këndojnë për popullin, vetëm në Balkan populli këndon për poetët. Deri tash për mue poeti ma i madh i Shqipnis’ asht populli i ynë. Kjo e vërtetë, më shëndriti para syve të mendes në Palç,[fshat në krahinën e Nikaj-Merturit] në qelën e Fratit të Kangve. Ai, në vetmin e gjatë të malit, i ka vu veshin kangës së pashtershme qi buron shi nga zemra ma e thellë e kombit arbnuer edhe ia ka rrëmbye harresës. Mbi lëpiza të pluhunuene të qelës së Palçit, flen fara e prendvernave të përtardhuna të poezisë re shqiptare.
Porse kjo ka qenë “zeja” e krejt “Françeskanve të mdhaj” të Shqipërisë. E atyre meshtarëve, famullitarë të malësive kryesisht, që sot e kurdoherë përbëjnë një copë ashti të kombit …At’ Kolë Berisha, njëri prej tyre, fort i shenjuar në këtë “zeje”.
Edhe sikur të mos keshë pasë rastin me i pá krejt “turrat e letrave të zverdhuna” të At Kolës, por vetëm disa prej tyre e le ma pastaj të kesh shfletuar disa prej shumë daktiloshkrimeve, që ai i ka lanë fort bukur të sistemuara aty në një odë në Kuvendin françeskan të Tuzit, përqasja me përshkrimin e Koliqit për “Fratin e kangëve”, At Benardin Palajn të vjen vetvetishëm. Ngjasimin e përshkon i njejti fill: hulumtimi, përmbledhja e kodifikimi i thesareve të trashëgimisë kulturore shqiptare. Dikush këngët e vallet , extratin shpirtnor të popullit, e dikush tjetër pa interferue te pararendësi, të tjera dhunti të kulturës doksore e zakonore shqiptare. Po edhe të kulturës materiale, jo shpirtnore të saj. Pader Kola, na vjen si vijimtari i shenjuar i kësaj tradite. Librat e botuar por, po aq lënda që ka lënë të daktiloshkruar, edhe pa iu nënshtruar një rendi të mirëfilltë studimor, por vetëm një vozitje përkitazi, ta ngulisin të përplotë mendimin se ato janë punë të mirëfillta ditunore, ardhur prej hulumtimeve të gjata, sidomos nëpër male, ku jeta gëlonte “shtirë” (si thonë malsorët) si lulja në gur. E prap të ndërmendet Koliqi, teksa përshkruan impresionet e veta prej vizitës që i bënte mikut të vet, At Benardinit: “… Ato çasa të shkurtë trishtimi midis malesh më bajnë të mendoj vetmín e kishtarve, të mësuesve, të nëpunsave t’anë qi jetojnë nder vise ma të humbuna t’atdheut. Sidomos merzija e gjatë dimnore, kur bora për gjashtë muej pret çdo marrëdhanje me qytete, tham do të jetë e tmerrshme. Por ndoshta e shumta mësohen. Ata qi nuk mund të mësohen në shkretí, vuejnë, por sigurisht ua lehtëson vuejtjen vetëdija e naltë e detyrës, e misjonit qi n’ato vise vetmitare kryejnë.”
Njëjtë, për nga thelbi i përshkrimit dhe ndjesive që përftohen prej tyre janë edhe përshkrimet e At Kolës, rrugës për në Toplanë të Dukagjinit… Pak vite ma vonë, 5 a 6, saktësisht në vitin 1943, kur prej Kuvendit françeskan të Shkodrës, Provinçiali e cakton me shkue famullitar në Toplanë. At Anton Harapi, ai që e kishte bashkëshoqërue në Meshën e parë, bash në Priften, në katundin e vet, me 15 gusht 1942. Meshën e parë në ditën me shêj për atje; diten e Zojës së Grudës. Ditë feste e shéndi, feste që lutej me miq… Në Toplanë duhej me mrritë natën e Shënkollit, me 5 dhjetor. Dimër, borë e akull, cerm si nalt ndër male. I lodhun fort prej udhëtimit të mundimshëm. Mbramja përreth zjarmit shtrue në sofër me të mirat e Zotit, me mish e me raki deri në mesnatë. E, mikpritësi ku kishte me bûjtë, të gatshëm me e zbardhë këso dore… Por me padijen gati pagane të tyre, se për fratin, që nesër ka me thanë meshën e ditës së festës së urdhnueme , mesnata duhet me e gjetë të çuem pres sofret. Kaq shumë mundime sa fratin e bajnë me ndie si nji trandje prej peshës së kryqit përmbi shpinë… I ndamë me malet, larguar prej andej qysh në fëmininë e herëshme, vaditë [mësuar, përshtatur] me jetën qytetëse në Shkoder e në Siena e Romë, sigurisht nuk ishte e kollajtë për té. Vetmia e atjeshme ku e ku me jeten rregulltare, plot larmí në Kuvendet françeskane. Por siç qëmton mjeshtri, Koliqi, “vuejtjen ua lehtëson vetëdija e naltë e detyrës, e misjonit qi n’ato vise vetmitare kryejnë.”…Njëjtë si me krejt bashkëvllaznit e vet françeskanë, destini kryesor i të cilëve qe shërbesa meshtarake në male.
16 muaj shërbeu në Toplanë, Pader Kola. Mandej, për 30 vjet meshtarí në Traboinë të Hotit. Përposë punëve të meshtarisë, mbledh si bleta ditë për ditë e stinë për stinë nektarin e shûjten [ushqimin] e jetës atje. Mbledh doke e zakone, pa ja dá, njeh e shënon virtyte po edhe vese të gjindjes së atyshme. Me njet e me devocion, me shumë dashni e pa aspak zéher [helm]… “Mos mendo, o nieri, se k’to gjana i shkrova per me naltue vedin…” vijon një kumti i tij përmbyllës i veprës që ka lënë. E begatë sa s’bëhet dhe e përzgjedhun. Sofrat në Malësinë e Madhe, Ndér e burrni ndër malet tona, Rrjedha e disa shprehjeve popullore, Kajde e dyzene, Visare të Malësisë, Kangë e vaje, të përgatitura e botuara e shumta mbasi ai është nisë për në amshim, nën përkujdesjen sqimatare të Dr. Gjovalin Gjeloshit.
E të tjerat : Mullijtë e Cemit, Kisha të vjetra në Shas e Malsi, Varia: Etnografi e histori (në tre volume) Kangë heroike, Dyzenet e çudnarëve… Një “turrë e madhe e letrave të zverdhuna”, që presin dorën e përkujdestarit, Gjovalinit. Sigurisht me bekimin e përkrahjen e Pader Pashkut (Gojçaj), të Provincialit të sotçëm të Provincës françeskane shqiptare. E përposë tyre, një album me foto, kohëshkrepja e të cilave shtrihet në rreth 4 dekada. Relike të çmueshme e një pasuri e begatë e trashëgimisë kombëtare, ardhur e shenjuar si punë të papërsëritëshme në thesarin kombëtar, të njërit prej “Françeskanëve të Mdhaj” që shkëlqejnë me veprat që lanë, At’ Kolë Berishës.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Frano Kulli

“AT GJERGJ FISHTA – I KOMBIT DHE I ZOTIT”

April 18, 2023 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Simpozium historik kushtuar jetës dhe veprës së poetit tonë të shquar Gjergj Fishta “Nderi i Kombit”.

Shoqata “Nënë Tereza” me qendër në Namur të Belgjikës është një nga organizatat më aktive në zemër të Evropës, e cila me aktivitetet e saja ka dëshmuar frymën e saj të atdhetarisë dhe seriozitetin e punës në promovimin e vlerave kombëtare shqiptare para Evropës dhe mbarë botës.

Aktiviteti i radhës ishte pasditen e dt.1 Prill në një sallë komunitare të tejmbushur me pjesëmarrës organizimi i një siompoziumi historik “At Gjergj Fishta i Kombit dhe i Zotit”.

Me një kontribut të jashtëzakonshëm aktivitetesh në Belgjikë e më gjërë, Shoqata “Nënë Tezera” zë një vënd të rëndësishëm jo vetëm në komunitetin shqiptar të Belgjikës, por edhe në mardhëniet me institucionet belge, kryesisht ato të Namurit, me të cilat prej vitesh kanë krijuar një frymë bashkëpunimi, duke u bërë edhe urë lidhëse me institucionet homologe shqiptare e Kosovare.

Atë ditë që në Namur të Bëlgjikës po flitej shqip, mbi qiellin e Europës po fluturonte simboli i letërsisë dhe i kulturës shqiptare, At Gjergj Fishta, një ndër katër avionët e Flotës Ajrore Shqiptare ishte pagëzuar me emrin e këtij poeti të madh.

Kush ishin ato që organizonin këtë aktivitet kaq madhështor?

Adnan Rexhepi, President i Shoqatës “Nënë Tereza” në Namur dhe Arian Bajraktari, drejtor i Shkollës Shqipe “Faik Konica”, organizator i këtij aktiviteti.

Po kush ishin ato shqiptarë me zemër të madhe që kishin udhëtuar në hapsirat qiellore të ëndrrave të Fishtës për të ardhur në këtë takim kaq domethënës?

Ata ishin figura të shquara, përfaqësues të kulturës dhe religjioneve fetare si: Don Dr. Mikel Sopi, Famullitar në Ferizaj – Kosovë, Hoxhë Avni Dobra, studiuesi dhe hulumtuesi i Fishtës Frano Kulli dhe historiani Ndue Bacaj.

Aty shpalosen aftësitë e tyre, patosin kombëtar, artistët Mirush Kabashi “Nderi i Kmbit” dhe Anila Dervishi me vargjet epike të Fishtës, lahutarët rapsodë Pretash Nilaj “Mjeshtër i Madh” dhe Xhavit Balidemaj, si dhe harpistja Bujana Ameti, etnografia Rita Shkurtaj, Kryetare e Shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, me veshje të demostruara nga Deart Bajraktari, Anxhela Shkurtaj dhe Denajda Bajraktari, të cilët si një trupë profesioniste dhuruan emocione të jashtëzakonshme, duke elektrizuar një sallë të tejmbushur.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij simpoziumi e kthyen këtë takim historik në një festë të madhe, falë edhe moderatoreve Linda Kavaja dhe Saranda Rexhepi, të cilat vranësirën e qiellit belg e zbutën me rrezet e ngrohta që Fishta në udhëtimin e tij ajror përcillte nga Shqipëria.

Vogëlushët e Shkollës “Faik Konica” – Namur me mësuesit Muhamed Bekteshi, Annie Celami, Elsa Haskurti, Donalda Miftaraj Noka, e pasuruan këtë event me cicërimat e tyre.

Fjalën e rastit për hapjen e tij e mbajti z. Adnan Rexhepi me cilësinë e Presidentit të Shoqatës “Nënë Tereza”, organizatore e këtij aktiviteti.

Ishin çaste emocionuese ku në një vend mik u bashkuan tingujt e Himneve tona Kombëtare dhe të pranishmit me dorë në zemër u përulen para vogëlusheve të Shkollës Shqipe “Faik Konica” që interpretuan të veshur me uniformën kuq e zi.

Gjatë simpoziumit, morën pjesë dhe përshëndetën Kryetari i Bashkisë Namurit z. Maxime Prevot, si dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë z. Pjerin Ndreu.

Me shumë dashuri dhe krenari aktivitetin e përshëndetën edhe diplomatët Viola Kaloshi dhe Miftar Kryeziu.

“Ne jemi një vend i vogël, por me histori të madhe” u shpreh në ligjeratën e tij z. Adnan Bajraktari, Drejtori i Shkollës Shqipe “Faik Konica”, por në këtë aktivitet organizator dhe kordinator, i cili foli për rëndësinë e këtij simpoziumi, duke treguar se kudo që të jemi, kemi për detyrë të bëhemi propogandues, përçues, mbrojtës dhe trashëgues të vlerave tona kombëtare.

Diaspora me aktivitetin e saj, me shoqatat, me mediat, me aktivitetet kulturore, artistike, shkencore e sportive, është siç mund ta quajmë Ambasada e interesave tona kombëtare.

Ky aktivitet u ndoq me shumë interes nga mediat lokale belge dhe ato shqiptare. Nga Shqipëria bashkë me ne udhëtoi edhe gazetari i mirënjohur, malësori i “thekur” Tom Therçaj, përfaqësues i Radio Televizionit Shqiptar, i cili referatin e tij në këtë simpozium e solli përmes kameres së tij me një dokumentar brilant kushtuar figurës madhështore të letërsisë dhe historisë shqiptare At Gjergj Fishta.

Shkuam atje me aq dëshirë për të pasqyruar këtë aktivitet në mediat tona ku kontribuojmë, Linda Kavaja dhe Maison Kavaja në TV1 Channel – Shkodër dhe unë në median e shkruar, por edhe në Televizionin “Kultura Shqiptare” në SHBA.

Në fund organizatorët shpërndanë mirënjohje dhe çertifikata pjesëmarrje në emër të shoqatës “Nënë Tereza” në Namur të Belgjikës.

Mbresat tona janë të jashtëzakonshme, pasi udhëtuam drejt një vendi që Bota e njeh si “Benelux”, por luksin e vërtetë e gjetëm mes bashkëatdhetarëve tanë, të cilët kishin ulur nga qielli “Qiellorin” At Gjergj Fishta.

Prill 2023

Filed Under: Reportazh

Lef Nosi, monument i vlerave kombëtare

April 15, 2023 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Delegat i Elbasanit ( bashke me Dervish bej Biçakçiu, Shefqet Daiu, Mithat Frashëri), nënshkrues i Aktit të Pavarësisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit.

Lef Nosi është krijuesi i filatelisë shqiptare. Familjarët e të afërmit e Lef Nosit, saktësojnë se nën drejtimin e Nosit, qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, ku më interesanti ishte ai i pullave të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”.

Nga kujtimet e të afërmve dhe miqve mësohet se Lef Nosi i ka dhuruar “British Muzeumit” 65 ekzemplarë të pullave postare, me qëllim për ta ruajtur si etalon në këtë institucion prestigjioz dhe për të shmangur falsifikimin e tyre.

Po kështu, pulla dhe reperte arkeologjike shqiptare Lef Nosi i ka dhuruar nëpërmjet mikes së tij, Margaret Hazllëk, universitetit të Aberdinit në Skoci për t’i ekspozuar në muzeun e tij prestigjioz .

Lef Nosi ka qenë njohës i gjuhëve turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht.

Nga bashkëkohësit thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mit’hat bej Frashërit (1880-1949), një figurë tjetër e qëndresës anti-komuniste.

Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli”, në Elbasan, mban vulën personale të Lef Nosit, madje që në themelimin e saj, duke qenë edhe në këshillin shkencor të bibliotekës së asaj kohe.

Ai blinte rregullisht libra të shkruara për Shqipërinë dhe ia dhuronte bibliotekës, ndër të cilën mbajnë vulën e tij: “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së vjetër të veriut, gegërisë”; “Banka Kombëtare e Shqipnis”; “Albania the master Key to the Near East” i botuar më 1919; “The Balkan Peninsula”, me autor Frank Fox, botuar në vitin 1915. Pasionin e Nosit për librat e ka përshkruar me hollësi Dora D’Istria në librin “Gli Albanesi in Rumenia”.

Aq i madh ishte personaliteti i Lef Nosit sa qe pranohej edhe nga vete komunistet…Ja cfare shkruan Qemal Stafa ne nje leter drejtuar Nosit:

“I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet…” dhe në përfundim: “Përherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai”.

Por clirimi i vendit e gjeti Lef Nosin ne nje pozicion shume te veshtire… Pjesemarrja e tij ne Keshillin e Regjences gjate pushtimit gjerman solli jo vetem fundin e tij fizik, por edhe denigrimin e gjithe vepres se tij patriotike dhe filologjike.

Patriotizmi i tij ishte ne drejtimin e duhur, por ndoshta zgjodhi apo rrethanat e kohes i afruan anijen e gabuar…por absolutisht nuk i leu duart me gjak shqiptaresh.

Me 1 shkurt 1946 ne Tirane u hap gjyqi kundër regjentëve Patër Anton Harapi, Lef Nosin dhe Maliq Bushati.

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar “gjyq ushtarak i Tiranës” edhe pse të akuzuarit nuk ishin dhe nuk kishin qenë kurrë ndonjëherë, asnjëri, ushtarak. Të tre të akuzuarit u thirren “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Trupi gjykues qe kryesohej nga major Irakli Bozo, pati në përbërje: major Gjon Banushi, major Tonin Jakova dhe prokuror major Misto Treska.

Të nesërmen gazeta “Bashkimi” vijoi me njoftime propagandistike: “Krerët e Tradhtisë japin llogari”, “Lef Nosi në bankën e të akuzuarve”.

Sipas reporterit të kronikës së gjyqit, Lef Nosi u paraqit në gjyq i drobitur, i lodhur dhe me zor nxirrte fjalët nga goja. Referuar dosjes hetimore-gjyqësore dhe procesit të gjykimit, zhvilluar më 1 shkurt 1946, Lef Nosi akuzohej se: gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë (jepen emrat e vendeve ku janë krijua çetat balliste sipas rretheve); ka qenë nisiator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare; anëtar i Regjencës; ka inspiruar, urdhëruar e ndihmuar okupatorin në veprimet kriminale, vrasje, tortura, arrestime, burgime, internime e shpërngulje të popullatës në kampet e shfarosjes; ka bashkëpunuar me konsullin Von Scheinger; ka inspiruar dhe ndihmuar organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar e Legalitetit; ka qenë vegël e ndigjueshme e okupatorit , etj.

Pjesa me e madhe e akuzave ishte e pabesueshme edhe per vete trupin gjykues, por vendimi ishte marre prej kohesh…

Nuk u pushkatuan thjeshte tre kuislinge nga regjimi komunist, por tre figura nga me te rendesishmet e historise dhe kultures shqiptare…

Keshtu perfundoi jeta e Lef Nosit, i kryqëzuar nga tri regjime.Fillimisht është arrestuar nga turqit, është internuar nga italianët dhe më në fund u pushkatua nga komunistët.

Pas vitit 1990 Lef Nosi eshte nderuar si patriot i shquar dhe dekoruar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Eshte shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit dhe ne bulevardin kryesor te Elbasanit eshte ngritur statuja e tij.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Saimir Kadiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 174
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT