• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100 – VJETORI I LINDJES SË POETIT  DHE PEDAGOGUT VEHBI BALA

December 4, 2023 by s p

PROF.DR. TEFË  TOPALLI


Ish-nxënësi i shkëlqyer i Gjimnazit të Shtetit, në Shkodër, poeti Vehbi Bala, ndoqi dhe përfundoi studimet e larta në dy vende të Lindjes: universitetin në Kroaci, në gjuhën serbokroate, një variant i gjuhës sllave që kishte qenë me shekuj në kontakt me shqipen dhe në Rumani, në gjuhën rumune – e vetmja idiomë neolatine, që, sipas albanologëve të huaj e vendës, ka pasur lidhje e marrëdhënie të lashta me gjuhën tonë, që me ilirishten. Me Zagrebin, atij iu këputën dhunshëm studimet kulturore, ndërsa me Bukureshtin, ai do të punojë gjatë, së pari, në lëmë të përkthimit të ndërsjellët të letërsisë, sidomos prej poetikës së M.Emineskut, V.Eftimiut dhe, në mënyrë të veçantë, për monografinë e Elena Gjikës (Dora d’Istrias). Mund të thuhet se poeti u formua filologjikisht mes dy gjuhëve dhe dy kulturave: asaj kroate në Federatën jugosllave dhe letërsisë në Rumani – një ish-mbretëri midis Perandorisë ruse dhe Perandorisë dualiste austrohungareze. 

          ***

Vehbi Bala (Shkodër, 4 dhjetor 1923 – Tiranë, 10 korrik 1990) ka qenë poet, profesor, monografist dhe historian i letërsisë shqipe. U njoh që në moshë të re për krijimtari letrare dhe publicistike dhe nisi të botojë qysh kur  ndiqte Gjimnazin e Shtetit në Shkodër. 

Gazeta “Tomorri” dhe “Bleta” kanë shkrimet e tij të hershme dhe u bë ndër redaktorët e revistës ilegale të qytetit, “Liria”, së bashku me Llazar Siliqin, Aleksandër Banushin e tjerë në vitet 1943 e 1944. Vehbi Bala u regjistrua dhe nisi studimet e larta në Universitetin e Barit (1943), por i ndërpreu dhe mori pjesë në lëvizjen për çlirimin e vendit. Pas luftës, u dërgua në degën e filozofisë të Universitetit të Zagrebit (1946-48), por studimet e larta i vijoi dhe i përfundoi në degën e gjuhëve dhe letërsive neolatine në Universitetin e Bukureshtit, 1948-1952. Me t’u kthyer në Atdhe, shërbeu si mësues në gjimnazin e Gjirokastrës, punoi me talentet e reja, ku bënin pjesë edhe nxënësit e tij të atëhershëm Ismail Kadare, Dritëro Agolli, i cili, edhe kur u ngrit në nivelet më të larta të shkrimtarisë së tij, e quajti atë rreth letrar një “Akademi letrare”, duke nderuar kështu punën këmbëngulëse e cilësore të mësuesit V.Bala.  Më pas ishte mësues gjimnazi dhe në vijim, pedagog i Letërsisë Shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, ku, së bashku me prof..Jup Kastratin themeluan Katedrën e Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë. Këtu ai mbajti ligjërata për letërsinë shqipe si dhe më vonë, nga viti 1976, profesor i brendshëm në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ngarkua me disiplinën  Bazat e  Teorisë së Letërsisë dhe me programet e specializimit pasuniversitar në këtë fushë.

Në vitin 1972, atij iu dha titulli i lartë shkencor si pedagog, “Profesor”, ndërsa në vitin 1977, “Mësuesi i Popullit” që e ndriçoi më shumë figurën Profesor Vehbi Balës. Për punën me pasion dhe cilësi, ai ka qenë lauruar me çmimin e Republikës së shkallës së parë.

                                Mes nxënësish dhe mësuesish të Gjimnazit të Shtetit, Shkodër

Poeti shkodran u shfaq si poet me vëllimet “Shtigje Drite” 1946, “Vjersha” 1954, “Gjaku i falun” 1955, “Një përrallë e vërtetë” (1957), “Poezia e Rrugës” 1959, “Në rrjedhë të jetës” 1969, “Burim poezie” 1977, “Epigrame” 1979, “Persiatje” 1981, “Vallja e luleve” 1986. Ai hartoi edhe libra për fëmijët. Robert Elsie, në veprën e tij “Historia e letërsisë shqiptare”, ndër shumë poetë para ardhjes në pushtet të komunistëve, krahas Kristaq Cepës, Vedat Kokonës, Petro Markos, etj., rendit edhe Vehbi Balën.  Ishte autor e bashkautor i shumë teksteve shkollore dhe akademike. Në fushën e studimeve letrare spikati me monografitë “Jeta e Elena Gjikës” 1967, “Fan S. Noli” 1972, “Migjeni” 1974, “Viktor Eftimiu” 1978, “Pashko Vasa” 1979, “Gjergj Fishta. Jeta dhe vepra” 1998 etj.

Për Vehbi Balën kanë dhënë vlerësime të larta profesorët Alfred Çapaliku, Klara Kodra, Fatbardha Hoxha (Fishta), dramaturgu Fadil Kraja dhe shkrimtari i njohur, Skënder Drini, i cili thoshte se Vehbi Bala dhe Shkodra, janë një lidhje me një binom me shumë përmasa. Fadil Kraja: “Në historinë e letërsisë së re shqipe të njëkohshme, Vehbi Bala ka hyrë si poet lirik dhe në ndonjë poemë, si vjershëtar i poezisë liriko-epike”. Sipas Krajës, poezia dhe tërë krijimtaria poetike e Balës, dallohet nga “përshkrimi realist dhe nga një romantikë vepruese. Ajo dallohet gjithashtu për stilin origjinal.” Vehbi Bala përktheu nga shqipja në rumanisht “Novela shqiptare”, ndërsa nga rumanishtja në shqip solli poezi të klasikut rumun Mihail Eminesku. Ai ka përkthyer poezi edhe nga Johann Wolfgang von Goethe dhe autorë të tjerë të letërsisë botërore.

Poezia e tij e hershme “Doli nana në çardak” nga përmbledhja “Në rrjedhën e jetës

u përfshi në disa antologji poetike të kohës dhe  u kompozua prej Çesk Zadejës. Vehbi Bala është “Qytetar Nderi” i Shkodrës. Emri i tij iu përjetësua duke iu dhënë një rruge në këtë qytet, me vlera të padiskutueshme historike dhe kulturore. 

                                                            Vepra monografike

Pashko Vasa, Vehbi Bala
Migjeni by Vehbi Bala
MUJË BUCPAPAJ: Monografia “Gjergj Fishta , jeta dhe vepra”, shkruar nga  Prof. Vehbi Bala - Gazeta Nacional Albania
Jeta e Elena Gjikës: (Dora d'Istrias) - Vehbi Bala - Google Books

Për pedagogun e letërsisë, Vehbi Bala, që në hyrje, duhet të vëmë në dukje dy anë kryesore: së pari, ai radhitet ndër krijuesit e pakët të letërsisë shqipe, pas Luftës II Botërore, i cili brenda pak më shumë se dhjetë vjetëve, 1946 -1959,  shkroi dhe botoi 7 vëllime me poezi. E dyta, V.Bala, është ndër shkrimtarët  e rrallë të kësaj kohe, që, njëherësh poet, bën emër edhe si studiues i letërsisë, i kualifikuar në nivel të lartë në dy universitete (Kroaci dhe Rumani), duke mbetur përsëri vjershëtar. Kur bëri emër V.Bala, në vitin 1948, u botua poema “Me ty Stalin” e Aleksa Çaçit, poema nga Dhimitër Shuteriqi “Enverit” dhe në vitin 1949, poema “Prishtina” e Llazar Siliqit. Botonin në atë kohë edhe M.Gurakuqi, Nonda Bulka, Spiro Çomora, Dioniz Bubani, Aleksandër Banushi, M. Greblleshi, F. Gjata, Sh. Musaraj, P. Marko, L. Qafzezi, S. Spasse, S. Vaqarri, M. Zaloshnja e pak të tjerë. Për të shtuar një të tretë, do vënë në dukje se Vehbi Bala, që në rini të tij, ndoqi një rrugë të hapur nga tradita letrare, e cila,  në mjedisin shkodran ishte si një vlerë e veçantë, me një radhë shkrimtarësh dhe poetësh të rinj të një niveli tjetër, aq të njohur në mbarë letërsinë shqipe. Ai kishte fituar një kulturë të gjerë nga profesorët e gjimnazit të shtetit, të cilët interesoheshin aq shumë edhe për zhvillimin e talenteve në lëmë të artit e letërsisë.

Për këtë brez letrar, shkrimtari ynë Ismail Kadare, shkruan në parathënien e një përmbledhjeje poetike me vjersha të krijuesit të ri, Ervin Hatibi: “Tani që letërsia e sotme shqipe ka gati gjysmë shekulli që ekziston, pa kurrfarë pretendimi për të bërë një periodizim të saj, mund të vihet re megjithatë se ka pasur tri valë shkrimtarësh që kanë ndjekur njëra-tjetrën. Vala e parë që erdhi pas Çlirimit me të cilën u bashkuan shkrimtarë që shkruanin edhe më parë (për fat të keq jo më të shquarit), krijoi shtresën e parë të letërsisë së tanishme, me suksese por edhe me mungesa të ndjeshme….”  

Për një pamje më të imët, të autorëve që po vinin themelet e një letërsie të re, nga vitet 1945-1960, siç dhe e kufizon këtë periudhë shkrimtari ynë i madh, duhet të mësojmë se nga 120 autorë të letërsisë shqipe në hapësirat shqipfolëse në tre shtete, 21 kishin kryer studime në Tiranë, 16 autorë në Beograd, 1 në Zagreb, 2 në Rumani, 1 në Samboll, 6 në Greqi, 11 autorë në Itali, 6 në Francë, 2 në Prishtinë, 1 në Çeki, 4 në Bullgari, 16 autorë në Rusi (BS), 7 në Austri dhe 26 ishin autodidaktë, përndryshe, shkrimtarë me arsimin e mesmëm. Si studiues, prof.Vehbi Bala, ka 30 shkrime teorike letrare për çështje të vendit që zënë autorë të ndryshëm me veprat e tyre, si dhe trajtesa interpretimi, që ishin aq të diskutuara përgjatë viteve 1960 – 1990. 

   Botime artikujsh në Buletinin shkencor të ILP

▲  Çështje të përmirësimit të metodave të mësimit dhe të edukimit në lëndët e gjuhës dhe letërsisë /  Bala, Vehbi (1970) in Buletin shkencor (7/ 1968) 

▲Disa çështje të zhvillimit te kulturës shqiptare në letrat e Dora d’Istria-s dërgue Jeronim de Radës / Bala,  Vehbi (1968) in Buletin shkencor (5/ 1966) 

 ▲Fytyra e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ne letërsinë shqiptare (Vëzhgime dhe     konkluzione)   /Bala, Vehbi       (1967) in Buletin shkencor (6 /1967) 

 ▲Hermetizmi- rrymë e letërsisë dekadente / Bala, Vehbi (1974) in Buletin shkencor (1/ 1974) 

 ▲  Hyrje ne shkencen e letersise 2 / Bala, Vehbi (1990) / IIF-012592

 ▲Jeta e Fan S. Nolit / Bala, Vehbi (1971) in Buletin shkencor (1 1971) 

 ▲ Jeta e Millosh Gjergj Nikollës- Migjeni / Bala, Vehbi (1973) in Buletin shkencor (2/ 1972) 

 ▲ Katedra e gjuhës dhe e letërsisë / Bala, Vehbi (1977) in Buletin shkencor (2/ 1977) 

 ▲ Letërsia dhe artet në shërbim të LANÇ në rrethin e Shkodrës / Bala, Vehbi (1976) in Buletin shkencor (2 / 1976). 

   ▲Letra të panjohura të Pashko Vasës dhe dokumente të tjera rreth tij / Bala, Vehbi (1979) in Buletin shkencor (1 /1979). 

   ▲  Lidhjet kulturore shqiptaro-romune / Bala, Vehbi (1965) in Buletin shkencor (1964) 

http://192.168.20.10/pmb_3.5/images/spacer.gif▲ Lidhjet letrare shqiptare-romune / Bala, Vehbi (1965) in Buletin shkencor ( 1965) 

▲  Mbi kuptimin materialist të formës kombëtare dhe kritika kundër disa koncepteve  metafizike rreth saj / Bala, Vehbi (1973) in Buletin shkencor (2/ 1973) 

   ▲ Mbi metodën artistike të letërsisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare / Bala, Vehbi (1975) in Buletin shkencor (1/ 1975). 

▲  Me prof. Maks Lambertz, mikun e shquar të Shqipërisë. Kujtime / Bala, Vehbi (1982) in Buletin shkencor (2/ 1982). 

   ▲ MIllosh Gjergj NIkolla – Migjeni / Bala, Vehbi (1972) in Buletin shkencor (1/ 1972). 

   ▲http://192.168.20.10/pmb_3.5/images/spacer.gif Në dritën e dokumentave të pabotuara / Bala, Vehbi (1975) in Buletin shkencor (1/ 1975). 

http://192.168.20.10/pmb_3.5/images/spacer.gif▲    Në dritën e letrave të panjohura / Bala, Vehbi (1970) in Buletin shkencor (9/ 1970). 

   ▲ http://192.168.20.10/pmb_3.5/images/spacer.gifNë kërkim të thesarit / Bala, Vehbi (1958) in Buletin shkencor (1/ 1957). 

▲  Paralele në letersinë gojore shqiptare dhe romune / Bala, Vehbi (1966) in Buletin shkencor  (4/ 1966). 

   ▲   Pashko Vasa – “O moj Shqypni” – Në kuadrin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrendit / Bala, Vehbi –  (1977) in Buletin shkencor (1/ 1977). 

▲  Për historinë e letërsisë shqipe / Bala, Vehbi (1975) in Buletin shkencor (2 /1975). 

▲ Për popullarizimin e letërsisë së sotme shqipe / Bala, Vehbi (1961) in Mësuesi (1/18 1 Shtator- 29 Dhjetor 1961). 

▲ Përjetimi i një epopeje me pushkë dhe përjetësimi i saj me këngë / Bala, Vehbi (1974) in Buletin shkencor (2/ 1974). 

▲ Portreti i Fan S. Nolit / Bala, Vehbi (1970) in Buletin shkencor (7/ 1968). 

http://192.168.20.10/pmb_3.5/images/spacer.gif▲ Shtypi shqiptar në Rumani / Bala, Vehbi (1964) in Revistë shkencore e Institutit Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës (1, V. 1 janar – qershor 1964). 

▲ Si lindi ideja për botimin e një reviste klandestine / Bala, Vehbi (1973). 

   ▲ Viktor Eftimiu / Bala, Vehbi (1978) / IIF-001487 in Buletin shkencor (1 /1973). 

 http://192.168.20.10/pmb_3.5/images/spacer.gif  Të dhëna për figurën dhe veprën e Naum Panajot Veqilharxhit / Bala, Vehbi (1973) in Buletin  shkencor (2/ 1973). 

http://192.168.20.10/pmb_3.5/images/spacer.gif▲ Traditë dhe novatorizëm / Bala, Vehbi (1969) in Buletin shkencor (8/ 1969). 

   ▲ Viktor Eftimiu në vendlindje, nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë / Bala, Vehbi   (1976) in Buletin shkencor (1/ 1976). 

( 30 shkrime teorike letrare)

  II.  Vehbi Bala – poet

Peshën më të madhe të krijimtarisë së V.Balës e mban poetika, botimet që bëri ai në lëmë të vjershërisë së gjuhës shqipe. Që në përmbledhjen e parë “Shtigje drite”, shtypur në Ora e Shkodrës, 1954, duket pjekuria e të shkruarit dhe tematika e zgjedhur, variacionet strukturore të vargut, në kërkim të shprehjes artistike dhe formimit individual të stilit poetik, që pas jo shumë publikimeve do të njihej tashmë si stil i Vehbi Balës. Kjo gjë vjen e del në pah si në sythin  Ngjyra dhe plagë – me 23 vjersha, ashtu edhe në ndarjen tjetër me titullin metaforik Flaka, ku autori ka rreshtuar 16 poezi, me tema nga jehona e luftës çlirimtare, tek jeta e re që po agonte dhe po shtonte shpresat për ndryshim e përparim. Në këtë botim autori del para lexuesit me risi në strukturat e teksteve poetike, në organizimin e gjuhës së strofa, në vargje monokolonë, në rimema skemash të ndryshme dhe figuracion të kapshëm e të ndjerë.

Në vitin 1954, V. Bala i kthehet letërsisë për fëmijë, me dy publikime për të vegjël: me Përrallëza dhe gjëza dhe Përrallëza dhe gjëza për fëmijë. Janë fabulat më të bukura që mund të gjenden në vjershat për të vegjël: me kafshë të njohura e të rralla, si: bleta, xhixhilloja, flutura, grethi, gjinkalla, bilbili, gjeli, qeni dhe dhelpna, pulat, zoga, macja, laraska, lepuri, bretkoca, etj., por edhe me perime e me leksik të kuptueshëm, figura të thjeshta, të organizuara me strofa dhe monokolonë. Nuk mungojnë te këto vëllime as fabulat  rrëfenja – shtruar në vargje – si zbërthime të fjalëve të urta “Mendja e madhe – e zeza e të zot”, apo fabula tjetër “Sqapi dhe dhelpna”; të cilat vazhdojnë edhe në përmbledhjen tjetër të këtij viti. Ndër fabula autori merr e gjen edhe Pavodën, një shpend që nuk ka mjedis rritjeje në vendin tonë. Gjëzat për të vegjël jepen gjithnjë të rimuara, me 4 vargje dhe sillen rreth botës së njohur të të vegjëlve, si: veza, shtizat, kova, stinët, tanda e hardhia me vila rrushi, llampa elektrike, lule-dielli, penda, radioja, aeroplani. Do të ishte mirë që këto vargje për fëmijë të qarkullonin në botimet e reja, ku librat për këtë moshë, shpesh, vijnë nga autorë të huaj, të cilët shkruajnë e përshkruajnë për fëmijë të atyre vendeve nga janë, në mjedise të jetës së tyre dhe me një psikologji ndryshe prej ballkanasve, më drejt, shqiptarëve. Po në vitin 1954, si viti më i begatë i autorit në publikime letrare, radhisim tubën “Vjersha”, një varg poezish, ndarë në “Kangë partizane” dhe “Vargje dashunie”, ku del edhe kushtimi që i bën “Gjuhës amtare”, në disa strofa safike, ndër më të bukurat e penës së tij; nuk mungojnë këtu edhe pasazhe poetike nga puna koletive, që sapo kishte nisur në vendin tonë.

Po çfarë të rejash solli poeti V.Bala në poezinë shqipe? 

Le t’ përgjigjemi pjesshëm kësaj pyetjeje.

Së pari, ai do të quhet militant në artin e vjershërimit, përballë problemeve sociale që kishte vendi ynë, sidomos për gjakmarrjen kanunore, një “normë” vetëqeverisjeje e vetëgjyqësisë që po merrte jetë njerëzish, edhe të pafajshëm, kur Shqipëria kërkonte qetësinë e bashkimin, pas fitores mbi fashizmin. Ishte një jehonë që vinte bujshëm edhe nga vepra e madhe që po realizonte përtej kufirit; në Kosovë, veprimtari i shquar Anton Çeta: pajtimin e gjaqeve. Kështu, poeti ynë, V.Bala, harton dhe publikon poemën “Gjaku i falun”, 1955, për thirrje dhe aksion shoqëror në familjet e shumta, të cilat do të thyenin nenet e egra të Kanunit e do të vëllazëroheshin, siç u vëllazëruan Shpend Sadrija me Smajl Elezin, në kuvend të burrave të besës shqiptare! Edhe poema tjetër “Një përrallë e vërtetë”, 1957, bën objekt rrëfimi ngritjen mbi norma të reja pune, familjen e re të një brezi, që kërkonte të jetonte ndryshe nga e kaluara. Të dyja veprat janë thurur në analogji me vargun popullore, se atij i drejtoheshin: popullit, ende në ato vite gjysëm analfabet!

Në vitin 1969 autori shfaq një hap përpara në  artin poetik: publikon vëllimin “Në rrjedhën e jetës” , që e quan “album”, ku vjen e shfaqet leitmotivi i autorit me dy strofa, që erdhën e u shndërruan në një kredo në udhën e jetës, jo vetëm për poetin shkodran, por për çdo qytetar të ndershëm:

“Të verdha e t’kuqremta bijnë fletët

përmbi asfalt, që ndrit nga pikla shiu.

O vjeshtë e tretë kot m’i kujton vjetët,

që vanë e ikën porsi ik veriu!  

Mue keq më vjen për vjetët që vanë,

të rit’, që m’iku dhe s’më kthehet ma,

por keq s’më vjen për jetën që kam bamë,

po t’duhej, prap ksaj rruge i kisha ra….!”

Së dyti, poeti V.Bala, radhitet ndër ata krijues në vargje të asaj periudhe të letërsisë sonë, që lëvroi me sukses sonetin, kur klasikët e këtij lloji letrar: Mjeda dhe Asdreni kishin vite të shfaqjes së tingëllimave në poezinë tonë. Tuba me vjersha të tilla “Tingëllimat e Shëngjinit” dhe “Tingëllimat e Pogradecit” është pjesa më e qëlluar e përmbledhjes që shënuam më lart, ku i këndohet me aq romantizëm natyrës së bukur detare e liqenore dhe njeriut të thjeshtë midis saj.. Në veprën e fundit “Vallja e luleve”, Tiranë 1987, autori do të botojë një përmbledhje vetëm me tingëllima. Ja një sonet nga ata të Shëngjinit, ku poeti pushonte verë për verë:

Në det të hapët…

Në det të hapët nisen peshkatore.

U farfurijnë dritëzat fanarë.

Ndrit hanëza mbi valët kristalore

si palaré prarue n’margaritarë.

Gjithë natën, me qëndresën burrënore,

i mbushni rrjetat plot, o peshkatarë;

jua kam zili atë zemër flakë gazmore

n’beteja t’ashpra deti guximtarë.

U fik një llampë. U kyç dhe nji kabinë.

Ja, pista u mbyll, por vala s’hesht mbi valë,

as çifti i ri për dashuninë e dlirë.

Nga buza e malit zhduket nji maqinë.

E para peshkatore kthehet dalë.

Natën e mirë, Shëngjin, natën e mirë “

 E treta, kur ndjekim vepër pas vepre poetikën e V,Balës, vërejmë se arti i tij sa vjen e ravijëzohet brenda stilit vetjak, si në poetizimin e leksikut të vjershës, ashtu edhe në përzgjedhjen e temës, jo vetëm me shikimin nga vendlindja, por edhe jashtë Shqipërisë (Në Palestinë e në Irlandë, në Brazil e në Itali); edhe tre sonetet që dalin tek përmbledhja “Burim poezie”, ku autori ka përfshirë edhe 6 shqipërime, pa poezinë e famshme “Mbreti i Thules”, me të cilën do të vihet pranë përkthyesve të shquar të letërsisë së huaj, duke nisur me Mjedën e paarritshëm. 

Së katërti, për atë periudhë krijimi poetik, në letërsinë shqipe, V.Bala është i vetmi që ka hartuar një përmbledhje me “Epigrame”, në vitin 1979, me të cilët merr e karakterizon portrete e syfete, kritikë letrarë, arrogantë, smirënjohësit, koprracët, tifozllëkun e tepërt, mizantropët, nusen, vjehrrën, diturinë, asteizmin (sharjet për të lavdëruar).

E pesta, poeti Vehbi Bala, te “Përsiatje”, 1981, na njeh edhe me një tip poetik, quajtur medalion, po ashtu edhe përafrimin e sentencave me epigrame (f. 47-59).

Vehbi Bala, lindur e rritur në një familje të vjetër inteketuale të Shkodrës, ka tregues të një varianti shkrimor mjaft të përparuar për kohën, edhe krahasuar me sërën e krijuesve bashkëqytetarë të tij ose më gjerë: deri edhe me poetë e shkrimtarë të tjerë, në Kosovë. 

Nderi më i madh që mund t’u bëhet autorëve tanë të traditës, siç është ky përvjetor shekullor, do të ishte ribotimi i veprës së tyre së tyre; për V.Balën, presim të shohim në një përmbledhje gjithë poetikën e tij, mbi të cilën mund të bëhet objekt studimi jo vetëm vargu, por njëherësh, edhe organizimi gjuhësor, në rrafshe të ndryshme.

***

                  Vepra poetike e V.Balës

Një përrallë e vërtetë by Vehbi Bala
ALBANIA BOOK,NE RRJEDHEN E JETES- VJERSHA - nga VEHBI BALA.SHTYP.N.FRASHERI  1969 | eBay
Gjaku i falun by Vehbi Bala

Përkthim i poezisë “Mbreti i Thulës”

                                                      (Krahasime të strofës së parë)

VOAL
VOAL

Përkthimi i Mjedës:

“Deri n’dekë besnik ke s’thohet

Ishte n’Tule ‘j padisha,

Diq e dashtna mbas do kohet

E ‘i got’arit n’shej i la…

Përkthimi i S.Malëshovës

“Na ishte një mbret në Tule,

I besës gjer në varr.

I dha, tek vdiste mikja

Një kupë derdhur në ar.

(Ndonëse i ri, Bala provon me sukses të përkthejë letërsi nga majat e letërsisë botërore, krahas   përkthyesve të njohur, si: Mjeda, Sejfullah Maleshova e më i riu, Jorgo Bllaci)

    Sipas V.Balës

    “Besnik gjer buzë varri

      në Tule ish një mbret;

      tek vdiste, një kupë âri

      i fali mikja e vet…    

Përkthimi i Jorgo Bllacit

“Një herë pat sunduar

Në Tulën larg, një mbret,

Një kupë i kish dhuruar

Kur vdiq mikesha e vet

                                            Origjinal i poetit gjerman

                                         “Es war ein König in Thule

                                           gar treu bis an das Grab.

                                           Dem sterbend seine Buhle

                                          einen goldenen Becher gab…

Tiranë, 4 dhjetor  2023

Filed Under: Reportazh

ISMAIL QEMALI DHE ISA BOLETINI

December 2, 2023 by s p

(DHE NJË INTERVISTË E PANJOHUR E ISMAIL QEMALIT PËR GAZETËN “IL PICCOLO DELLA SERA”)

Nga Evarist Beqiri*

*Autor i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”

Kjo intervistë e Ismail Qemalit publikohet për herë të parë në Shqipëri. Intervista është realizuar për gazetën italiane “IL PICCOLO DELLA SERA”, Trieste, më 19 qershor 1914. Ismail Qemali flet nga Brindisi, pak para rikthimit të tij në Shqipëri. Pas dorëheqjes nga drejtimi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, në janar 1914, ai u largua për pak muaj jashtë Shqipërisë, për t’u rikthyer sërish në qershor 1914, për t’u përballur sërish me situatën jashtëzakonshme ku gjendej vendi.

Në këtë intervistë Ismail Qemali flet për gjendjen e vështirë në të cilën gjendej Shqipëria dhe në mënyrë figurative dhe kuptimplotë shprehet se: “Kush ndjell erën, nuk mund të pres veçse furtunën.” Ai thotë se, “unë që e kam përballuar rrezikun me shpirtin e qetë dhe jam urryer nga Turqia, si edhe për të mirën e atdheut, nuk pranova kryesimin e qeverisë, u akuzova si bashkëpunëtor i xhonturqve në Shqipëri. Akuzë më qesharake dhe më të pabazë nuk mund të gjesh.”

Ismail Qemali vijon më tej intervistën duke analizuar shkaqet e anarkisë në të cilën gjendej vendi, pas veprimeve të KNK-së, Princ Vidit, Esat Toptanit dhe zhvillimit të lëvizjes dumbabiste: “Shqipëria e kishte një qeveri. Nuk e deshën, por preferuan t’ia linin në dorë atyre që duan ta zhvasin dhe të kënaqin ambiciet e tyre të shfrenuara. Koha është mësuesi më i mirë dhe i tregon njerëzit. Rikthehem në Vlorën time me shpirtin e qetë, sepse kam punuar përherë për të mirën e vendit tim. Shpifjet që më kanë prekur, nuk e kanë dëmtuar dot nderin tim, të cilin do ta ruaj të paprekur deri në vdekje.”

Në saj të karakterit të tij të fortë, integriteti i Ismail Qemalit mbeti kurdoherë i pacenueshëm. Ismail Qemali me gjithë fuqinë e shpirtit të tij fisnik, nuk rreshti asnjë ditë së punuari për Shqipërinë. Ai ishte shpëtimtari i Shqipërisë në momentin më vendimtar të historisë së saj. Ai ishte lloji i liderit, që atë që thoshte e kishte gjithmonë të bashkërenduara me atë që bënte. Ky ka qenë perceptimi i djeshëm, ky është perceptimi i sotshëm dhe ky do të vazhdojë të jetë edhe perceptimi i nesërm i udhëheqjes së Ismail Qemalit. Ja si e kujton, Tafil Boletini, nip i Isa Boletinit dhe bashkëpunëtor i tij i ngushtë: “Ismail Qemali axhën Isa e ka dashtë shumë dhe ia kishte besimin, por edhe ky i ka qendrue besnik deri në fund duke e vlerësuar si faktorin kryesor që e shpëtoi Shqipninë në momentin ma kritik. Kurse të tjerëve, që ma vonë byrykateshin për pozita, në atë kohë nuk iu ra ndërmend nji gja e tillë si ngritja e flamurit…

Ismail Qemali, me falenderime e lavdëroi axhën Isa për ndihmën që ka pasë në lamën politike prej luftave të tij të pakëputuna dhe i propozoi postin e ministrit të Luftës. Po axha Isa tha: “Jo, nuk asht ai vend për mua, pse edhe ktu e mrapa kam shumë detyra” dhe ia rekomandoi Mehmet pashë Dërallën…”

Tafil Boletini dëshmon se: “Ismail Qemali ishte jo vetëm diplomat, po edhe trim. Si pa gja të keqe thoshte, “kushdo që të na sulmojë na në kala të Kaninës do të vdesim”.”

Isa Boletini, Bajram Curri etj., ishin emisarët e fshehtë të Qeverisë së Vlorës, sepse në ato momente nuk ishte e volitshme angazhimi zyrtar i shtetit të ri shqiptar në organizimin e kryengritjes. Prandaj në fshehtësi ata së bashku me muhaxhirët kosovarë që ishin mbledhur në Vlorë, ishin duke organizuar lëvizjen çlirimtare në krahinat shqiptare të pushtuara nga serbët e malazezët.

Një tjetër moment domethënës, i cili shpalos udhëheqjen dhe karakterin burrëror të këtyre shqiptarëve të mëdhenj, është mënyra sesi Ismail Qemali dhe Isa Boletini, e pritën vizitën propagandistike të Sulltanit në Kosovë në vitin 1911. Kjo vizite synonte paqtimin e shqiptarëve pas reprezaljeve të dhunshme që turqit kishin kryer ndaj shqiptarëve kryengritës.

Xhonturqit menduan të ndryshonin taktikë me shqiptarët dhe të shfrytëzonin rastin e realizimit të vizitës së sulltanit plak Mehmet Reshatit V në Shqipëri. Në delegacionin që do të shoqëronte sulltanin, ata menduan të përfshinin Ismail Qemalin dhe disa deputetë të tjerë shqiptarë. Por, Ismail Qemali e refuzoi kategorikisht pjesëmarrjen në një delegacion të tillë dhe e denoncoi këtë udhëtim në opinionin publik si qesharak dhe të padobishëm.

Tafil Boletini shkruan se, “në verën e 1911, Sulltani do mbërrinte në Kosovë në tyrben e Sulltan Muratit. Ceremonia ishte edhe një propagandë e madhe për të gjithë ata që ende besonin në Perandorinë Osmane. Isa Boletini ishte ndër të parët në listën e atyre që do prisnin “Hazretin”, porse ai refuzoi.” Si pasojë e qëndrimit të palëkundur të këtyre dy burrave, vizita e Sulltanit në qershor të vitit 1911, u shoqërua me ftohtësi dhe nuk i përmbushi synimet demagogjike të xhonturqve.

Porta e Lartë ndiqte taktikën e shkopit dhe karotës, duke tentuar hera-herës që t’i joshte me poste dhe privilegje shqiptarët e shquar. Megjithatë zonat malore të Shqipërisë nuk iu nënshtruan kurrë ligjit islamik (sharia) dhe vijuan të zbatonin kodin e tyre zakonor. Tafili Boletini kujton se, “Hasan Prishtina në qershorin e vitit 1909, mbërrin në Mitrovicë, si i dërguar i posaçëm i Hysen Hilmi Pashës, Kryeministër i kohës. Hasan Prishtina, në emër të Stambollit, i premtoi Isës shpërblime dhe paqe nëse ky do të hiqte dorë nga kryengritjet e tij të herëpashershme. Baca refuzoi.” Ismail Qemali dhe Isa Boletini do ta vazhdonin betejën e tyre për Shqipërinë deri ditën që mbyllën sytë.

Ismail Qemali gjatë qëndrimit të tij në Francë, ku u vendos pas largimit nga Italia në prill të 1915, refuzoi një kërkesë të qeverisë franceze për të përfshirë territorin shqiptar në luftë, të cilën ia paraqiti burrështetasi i shquar francez Aristid Briand (11 herë kryeministër i Francës) dhe disa parlamentar të tjerë francez. Në një koktej të shtruar për nder të tij në vitin 1916, ata i kërkuan atij ndihmë për të përdorur territorin e Jugut të Shqipërisë, si mbështetje logjistike në ndërmarrjen e një aksioni të madh të aleatëve në Luftën e Parë Botërore.

Pas këtij refuzimi, Ismail Qemali, u detyrua të largohej nga Franca, së bashku me familjen e tij. Në maj 1918, ai u nis nga Parisi për në Barcelonë. Ndërkohë, qeveria italiane nuk e lejonte të kthehej në Itali ose të shkonte në Zvicër, sepse i ruheshin influencës së tij në komunitetin shqiptar aty. Kështu që ai shkoi në Spanjë, për të komunikuar më me lehtësi nëpërmjet ambasadës amerikane në Madrid, me shqiptarët e Amerikës, që e kishin caktuar ndërkohë si përfaqësues të tyre në Konferencën e Paqes që pritej të mblidhej në Paris. Më 20 dhjetor 1918, ai vjen nga Barcelona në Xhenova dhe niset drejt Peruxhias, për të koordinuar me qeverinë italiane strategjinë e tij të mbrojtjes së çështjes shqiptare në Konferencën e Parisit. Aty, ai do të mbyllte sytë me brengën e tij të madhe për fatin e Shqipërisë…

Ismail Qemali ishte kurdoherë i gatshëm për të mbajtur qëndrimin e duhur kundrejt së mirës dhe së keqes. Ai ishte i përgatitur për të sakrifikuar interesin vetjak dhe për të vuajtur pasojat që vinin nga mbajtja e qëndrimit të drejtë dhe të palëkundur. Ai i mbronte kurdoherë të dobëtit dhe të braktisurit që përballeshin me padrejtësi. Ai bënte atë që thoshte. Dhe nuk kishte asnjë forcë në tokë që mund t’a trembte.

Ka kategorizime të ndryshme për politikanët. Ka njerëz që mbahen mend si udhëheqës të mëdhenj, si burrështetas. Por, ka edhe të tjerë që shkojnë përtej këtyre kategorizimeve dhe populli iu hedh mbi krye petkun e profetit. Kjo për shkak të trashëgimisë së tyre sublime. Ismail Qemali hynte tek kategorizimi i fundit, të cilin e ka shprehur madhërisht në vargjet e tij kushtuar Ismail Qemalit, poeti i madh Ali Asllani:

“Ish Profit dhe mbet Profit;

Dhe qëndron ashtu si ishë;

Do mbaj emrin si e kishë;

Emr’i tija i vërtetë;

Esht Nëntor njëzet’ e tetë.”

Filed Under: Reportazh

GËZUAR 111- VJETORIN E PAVARËSISË, SHQIPËRIA E MADHE ETNIKE

November 30, 2023 by s p

Valdete Dida Cenalia/

Zemra e mban njeriun, si flamuri kuq e zi që na përfaqëson të gjithëve ne, në mbarë kombin shqiptar kudo që ndodhemi nëpër botë. Kombi shqiptar, si asnjë komb tjetër në botë i ka të shenjta datat historike, datat që lidhin shekujt, idealet dhe krenarinë kombëtare. Kombi shqiptar ka nje datë që na bën bashkë të gjithëve, pa dallim krahine e feje ashtu siç bëri dhe The Albanian Alliance of New Jersey (që drejtohet nga Alban Gaba) në këtë ditë madhështore të 28 Nëntorit. Në këtë ditë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu më 28 Nëntor 1443 në prani të fisnikëve shqiptare të Krujës, ngriti flamurin në kështjellën legjendare të Krujës, në trojet Arbërore me shqiponjën dykrenare. Më 28 Nëntor 1912 ora 14 plaku mjekërbardhe, Ismail Qemali në prani të delegatëve të të gjithave krahinave të kombit shqiptar valviti flamurin e Skënderbeut me shqiponjën dykrenare. Ai flamur u rikthye në trojet e veta, edhe pse të emigruar erdhi si shqiponjë e pamposhtur për të dëshmuar se përfaqëson kombin fisnik e të lashtë që në genin e tij nuk kishte as grabitjen e trojeve. Të mbushen sytë me lot, ndjehesh shumë krenare kur ti dëgjon emrin Shqipëri dhe Shqiptar. Kur Ekzekutivi i Qarkut Bergen James Tedesco shprehet se shqiptarët janë një popull i fortë, i pasur me shumë kulturë. Të mbushet shpirti, kur kryetarja e Bashkisë së Fairview Nju Xhersi, Violetta Berisha flet aq bukur shqip për këtë ditë të Flamurit, për kulturën, traditat dhe atë çfarë na simbolizon ne më së shumti, zgjuarsinë. Zgjuarsia dhe mprehtësia e Violettës shpalosi në pak minuta se kush ishin dhe janë shqiptarët, si shqiptarët e kanë ruajtur kulturën, gjuhën dhe traditat, ku dhe vetë familja e saj ka festuar çdo vit Festën e Flamurit edhe pse larg vendlindjes, jemi rritur me ngjyrat e këtij flamuri kuq e zi. Jam krenare që jam shqiptare! Gëzuar, Festën e Flamurit shqiptarë, kudo që ndodheni! Para ngritjes së flamurit Arjana Fetahu Gaba recitoi një nga poezitë e saj:

”Rrënjët i kemi Kastriot” Rrënjët kemi Kastriot

mbushur sheshi kuq e zi,

Ne faqe ca lot më ranë,

Nuk është dhimbje por dashuri,

Të shikoj vëllain me vëllanë.

Në zemër na vlon gjaku i Arbrit,

Jemi bijtë e Shqipërisë,

Me kostum veshur malësori,

Dridhet teli i çiftelisë.

Po shoh Vlorën, shoh Tiranën,

Shoh Kosovë e Çamëri,

Bie lahuta, gjëmon toka,

Vdesim ne për Shqipëri.

Po shoh Strugën dhe Preshevën,

Dibra, Shkodra që janë nji,

Kështu të jemi grusht bashkuar,

Rreth flamurit kuq e zi.

Në Nju Jork u mblodh Shqiptari,

Rrënjët kemi Kastriot,

O flamur valëvitu qiellit,

Të të njohë e gjithë kjo botë.

Filed Under: Reportazh

SHKOLLA SHQIPE NË LUGANO, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE NË ZVICËR

November 29, 2023 by s p

Mimoza Qarreti-Elshani, mësuese e shkollës shqipe në Lugano të Zvicrës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Lugano të Zvicrës, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Mimoza Qarreti-Elshani bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE LUGANO

Jam e lumtur që më keni ftuar të flas për shkollën e Luganos në kanton Ticino ku kam kënaqësinë të jem mësuese qe 2 vite. Ne bashkëpunojmë me Shkollën Shqipe e cila që nga viti 2019 e deri më sot ka hapur pika shkollore në 20 kantone të Zvicrës me mbi 110 pika shkollore dhe falënderojm koordinatorin zotëri Vaxhid Sejdiun për kontributin e palodhshëm. Në shkollën tonë mësimi organizohet një herë në javë, çdo të mëkurë nga ora 14:00 -15.45 në shkollën e Massagnos. Mosha e nxënësëve varion nga 6 -12 vjeç dhe me bindje të plotë e them që kemi nxënës të shkëlqyer të cilët nuk e kursejn veten në kryerjen e obligimeve ndaj shkollës. Në muajin nëntor kemi arritur të hapim dhe një pikë shkollore në Roveredo. Pë momentin jemi të kënaqur me funksionimin e këtyre shkollave, bashkëpunimin që kemi me prindër dhe rezultatet të cilat i kemi arritur por synimi ynë është që të rrisim numrin e nxënësëve. 



KURRIKULA MËSIMORE, BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT E KOMUNITETIN

Edhe shkolla e Luganos ashtu si të gjitha shkollat shqipe në Zvicër përdor tekste shkollore, të cilat kanë ardhur nga Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës. Ne punojmë në bazë të kurrikulës së përbashkët Shqipëri – Kosovë.Tani Kosova dhe Shqipëria kanë formuar një grup pune për hartimin e teksteve të gjuhës shqipe, të cilat i plotësojnë standardet e nevojshme për ngritje të cilësisë në mësimdhënie por mbi të gjitha të mësimnxënies. Prindërve të tjerë u bëjm thirrje që të regjistrojnë fëmijët e tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund ta ruajm gjuhën shqipe tek brezi më i ri. Tani mundësia është, prandaj mos lejoni që fëmijët tuaj të ndihen të izoluar kur të jenë me pushime në atdhe nga frika që mos të gabojnë kur të flasin. Bëni që ata të ndjehen të lumtur kur marrin rrugën për në atdhe.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ZVICËR

Fatmirësisht, tani kemi shqiptar të shumtë të cilët kanë arritur suksese të mëdha nëpër botë dhe na bëjnë krenar dhe nuk jemi më ai vendi ku bota nuk na ka njohur si popull që di të këndoj, aktroj e punoj nëpër institucione të rëndësishme, por tani ne e kemi dëshmuar këtë. Sipas mendimit tim  mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët të cilët po rriten në vend të huaj do ia shtoj vlerën dhe më shumë vendit tonë.  Në këtë mënyrë, fëmijët tanë do mund tu tregojnë bashkëmoshatarëve të tyre për kulturën dhe identitetin shqiptar.

REAGIMI I SHOQËRISË E SHTETIT ZVICERIAN

Duhet theksuar, që sapo kemi arritur të kemi një njohje nga ana e kantonit të Ticino ku fëmijët në fund të vitit marrin një diplom e cila është e njohur nga institucionet Zvicrrane .

Prandaj mund tę them që jemi shumë të kënaqur me institucionet shkollore zvicrane të cilat kanë një interes të veqant për mësimin plotësues sepse sipas tyre, kur fëmija di të flas mirë gjuhën e nënës do ta ketë më të lehtë të mësoj dhe një gjuhë të dytë. 

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Interesimi i nxënësëve është që ne të përdorim teknologjinë sepse u ndihmon në mësimnxënie. Nuk është e lehtë të organizohet mësimi sidomos për fëmijët të cilêt kanë vështirësi në gjuhën shqipe por me vullnetin dhe dëshirën që kemi jemi duke arritur rezultate të shkëlqyera.

KUSH ËSHTË MËSUESE MIMOZA QARRETI-ELSHANI?

Mësuese Mimoza Qarreti-Elshani është e lindur në një fshat piktoresk i quajtur Landovicë në afërsi të Prizrenit. Studimet universitare bachelor i kam kryer në drejtimin gjeologji-gjeografi  në fakultetin e Prishtinës ndërsa studimet master në GIS poashtu në Prishtinë. Në Zvicër kam ardhur në tetor të vitit 2010 dhe  që nga viti 2022 punoj si mësuese e Shkollës Shqipe në Lugano. Nga viti 2017 punoj si profesoresh zëvendësuese në drejtimin gjeografi dhe histori në ciklin e mesëm në kanton Ticino. Gjithashtu që nga viti 2019 deri në 2023 kam punuar në një firm në Zvicër në drejtimin gjeoinformatik. Pasi që mua më pëlqen të mësoj gjithmon gjëra të reja, aktualisht punoj si asistente në kontabilitet. Gjatë këtyre viteve kam ndjekur kurse të ndryshme në Zvicër. Për karrierën time i jam mirënjohëse babait tim tashmë të ndjerë Sami Qarreti ku falë tij sot jam kjo që jam. Gjithashtu falënderoj dhe gazetën Dielli në SHBA për interesin dhe kontributin e dhënë në këtëdrejtim

Filed Under: Reportazh

Vatra Miami organizoi ekspozitë me kostumet kombëtare

November 28, 2023 by s p

Në simbolikë të ditës së Flamurit 2023-të, fundjavën e tretë të Nëntorit, Dega e Vatrës Miami kishte të ftuara nga Kosova, Zonjën Valdete Berisha dhe Zonjën Lajde Kolgjeraj të cilat në mjediset e biblotekës të “Five Star Premium Residence of Hollywood” hapën ekspozitën me temë: “ Tradita e Artit Shqiptar ndër vite”. Këto zonja me përkushtimin dhe talentin e tyre kanë vënë emër të veçantë në mbledhjen dhe ekspozimin e kostumeve popullore nga mbarë trevat shqiptare.

Binin në sy veçanërisht kostumet e zonës së Hasit që i përkasin koleksionit privat të zonjes Kolgjeraj. Pikturat me motive të mjediseve dhe kostumeve nga pothuaj të gjitha trevat e Shqipërisë të punuara nga Zonja Berisha i shtuan gjithashtu vlerën kësaj ekspozite.

Të ftuarit patën një interesim të veçantë për kostumet dhe bizhuteritë popullore qindra vjeçare të mirëmbajtura dhe prezantuara me shumë profesionalizëm. Ato u ndalën dhe bënë pyetje për detaje që i shihnin si tërësisht orrigjinale.

Ky prezantim i artit dhe traditive tona të lashta në një mjedis relativisht të ri kulturor sikur është zona e Miamit solli një ditë ndryshe për seicilin të pranishëm dhe padyshim shënoi edhe një herë vlerën dhe madhështinë e kostumeve dhe dokeve tona të cilat na e shtojnë ndjenjën dhe krenarinë kombëtare sa herë që i hasim apo prezantojmë.Duam të besojmë se kjo traditë nuk do të shuhet me vitet, por përkundrazi do të mbetet e gjallë dhe frymëzuese për aq kohë sa bashkëatdhetarë pasionant sikur zonjat Berisha dhe Kolgjeraj do të tregojnë kujdes t’i mbledhin, ruajnë dhe shpërndajne këto vlera në çdo cep ku jetojnë shqiptarët, por edhe jo vetëm ata!

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 192
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York fillon vitin shkollor 2026-2027 më 19 shtator
  • Vatikani i Tiranës
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË VENDET NORDIKE
  • PROCESI I KAFKËS – KUR DREJTËSIA HUMB FYTYRËN
  • Kosova, kufijtë shqiptarë dhe beteja që vazhdon mbi vijat e hartës
  • Analizë e hartës «Shqipnija e Vërtetë» e Ahmet Gashit
  • Kur Amerika i tha Greqisë më 1949: Mos hyni në Shqipëri
  • Arsimi shqip në Mal të Zi, fillimi i vitit të ri shkollor në Komunën e Tuzit –Malësisë
  • KONTRIBUTI SHKENCOR I PROF. DR. HASAN KALESHIT NË HISTORINË KOMBËTARE SHQIPTARE
  • Masakra e Koplikut
  • “The true history of mankind will be written only when Albanians participate in its writing.” – Maximilian Lambertz, Austrian Albanologist
  • SHQIPTARËT DHE IDEOLOGJITË
  • VATRA JU FTON MË 13 SHTATOR NË PROMOVIMIN E VEPRËS KUSHTUAR SKULPTORIT VASIL RAKAJ
  • VATRA THIRRJE DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS VOTONI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
  • SAVE THE DATE!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT