PROF.DR. TEFË TOPALLI
Ish-nxënësi i shkëlqyer i Gjimnazit të Shtetit, në Shkodër, poeti Vehbi Bala, ndoqi dhe përfundoi studimet e larta në dy vende të Lindjes: universitetin në Kroaci, në gjuhën serbokroate, një variant i gjuhës sllave që kishte qenë me shekuj në kontakt me shqipen dhe në Rumani, në gjuhën rumune – e vetmja idiomë neolatine, që, sipas albanologëve të huaj e vendës, ka pasur lidhje e marrëdhënie të lashta me gjuhën tonë, që me ilirishten. Me Zagrebin, atij iu këputën dhunshëm studimet kulturore, ndërsa me Bukureshtin, ai do të punojë gjatë, së pari, në lëmë të përkthimit të ndërsjellët të letërsisë, sidomos prej poetikës së M.Emineskut, V.Eftimiut dhe, në mënyrë të veçantë, për monografinë e Elena Gjikës (Dora d’Istrias). Mund të thuhet se poeti u formua filologjikisht mes dy gjuhëve dhe dy kulturave: asaj kroate në Federatën jugosllave dhe letërsisë në Rumani – një ish-mbretëri midis Perandorisë ruse dhe Perandorisë dualiste austrohungareze.
***
Vehbi Bala (Shkodër, 4 dhjetor 1923 – Tiranë, 10 korrik 1990) ka qenë poet, profesor, monografist dhe historian i letërsisë shqipe. U njoh që në moshë të re për krijimtari letrare dhe publicistike dhe nisi të botojë qysh kur ndiqte Gjimnazin e Shtetit në Shkodër.
Gazeta “Tomorri” dhe “Bleta” kanë shkrimet e tij të hershme dhe u bë ndër redaktorët e revistës ilegale të qytetit, “Liria”, së bashku me Llazar Siliqin, Aleksandër Banushin e tjerë në vitet 1943 e 1944. Vehbi Bala u regjistrua dhe nisi studimet e larta në Universitetin e Barit (1943), por i ndërpreu dhe mori pjesë në lëvizjen për çlirimin e vendit. Pas luftës, u dërgua në degën e filozofisë të Universitetit të Zagrebit (1946-48), por studimet e larta i vijoi dhe i përfundoi në degën e gjuhëve dhe letërsive neolatine në Universitetin e Bukureshtit, 1948-1952. Me t’u kthyer në Atdhe, shërbeu si mësues në gjimnazin e Gjirokastrës, punoi me talentet e reja, ku bënin pjesë edhe nxënësit e tij të atëhershëm Ismail Kadare, Dritëro Agolli, i cili, edhe kur u ngrit në nivelet më të larta të shkrimtarisë së tij, e quajti atë rreth letrar një “Akademi letrare”, duke nderuar kështu punën këmbëngulëse e cilësore të mësuesit V.Bala. Më pas ishte mësues gjimnazi dhe në vijim, pedagog i Letërsisë Shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, ku, së bashku me prof..Jup Kastratin themeluan Katedrën e Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë. Këtu ai mbajti ligjërata për letërsinë shqipe si dhe më vonë, nga viti 1976, profesor i brendshëm në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ngarkua me disiplinën Bazat e Teorisë së Letërsisë dhe me programet e specializimit pasuniversitar në këtë fushë.
Në vitin 1972, atij iu dha titulli i lartë shkencor si pedagog, “Profesor”, ndërsa në vitin 1977, “Mësuesi i Popullit” që e ndriçoi më shumë figurën Profesor Vehbi Balës. Për punën me pasion dhe cilësi, ai ka qenë lauruar me çmimin e Republikës së shkallës së parë.
Mes nxënësish dhe mësuesish të Gjimnazit të Shtetit, Shkodër
Poeti shkodran u shfaq si poet me vëllimet “Shtigje Drite” 1946, “Vjersha” 1954, “Gjaku i falun” 1955, “Një përrallë e vërtetë” (1957), “Poezia e Rrugës” 1959, “Në rrjedhë të jetës” 1969, “Burim poezie” 1977, “Epigrame” 1979, “Persiatje” 1981, “Vallja e luleve” 1986. Ai hartoi edhe libra për fëmijët. Robert Elsie, në veprën e tij “Historia e letërsisë shqiptare”, ndër shumë poetë para ardhjes në pushtet të komunistëve, krahas Kristaq Cepës, Vedat Kokonës, Petro Markos, etj., rendit edhe Vehbi Balën. Ishte autor e bashkautor i shumë teksteve shkollore dhe akademike. Në fushën e studimeve letrare spikati me monografitë “Jeta e Elena Gjikës” 1967, “Fan S. Noli” 1972, “Migjeni” 1974, “Viktor Eftimiu” 1978, “Pashko Vasa” 1979, “Gjergj Fishta. Jeta dhe vepra” 1998 etj.
Për Vehbi Balën kanë dhënë vlerësime të larta profesorët Alfred Çapaliku, Klara Kodra, Fatbardha Hoxha (Fishta), dramaturgu Fadil Kraja dhe shkrimtari i njohur, Skënder Drini, i cili thoshte se Vehbi Bala dhe Shkodra, janë një lidhje me një binom me shumë përmasa. Fadil Kraja: “Në historinë e letërsisë së re shqipe të njëkohshme, Vehbi Bala ka hyrë si poet lirik dhe në ndonjë poemë, si vjershëtar i poezisë liriko-epike”. Sipas Krajës, poezia dhe tërë krijimtaria poetike e Balës, dallohet nga “përshkrimi realist dhe nga një romantikë vepruese. Ajo dallohet gjithashtu për stilin origjinal.” Vehbi Bala përktheu nga shqipja në rumanisht “Novela shqiptare”, ndërsa nga rumanishtja në shqip solli poezi të klasikut rumun Mihail Eminesku. Ai ka përkthyer poezi edhe nga Johann Wolfgang von Goethe dhe autorë të tjerë të letërsisë botërore.
Poezia e tij e hershme “Doli nana në çardak” nga përmbledhja “Në rrjedhën e jetës
u përfshi në disa antologji poetike të kohës dhe u kompozua prej Çesk Zadejës. Vehbi Bala është “Qytetar Nderi” i Shkodrës. Emri i tij iu përjetësua duke iu dhënë një rruge në këtë qytet, me vlera të padiskutueshme historike dhe kulturore.
Vepra monografike
Për pedagogun e letërsisë, Vehbi Bala, që në hyrje, duhet të vëmë në dukje dy anë kryesore: së pari, ai radhitet ndër krijuesit e pakët të letërsisë shqipe, pas Luftës II Botërore, i cili brenda pak më shumë se dhjetë vjetëve, 1946 -1959, shkroi dhe botoi 7 vëllime me poezi. E dyta, V.Bala, është ndër shkrimtarët e rrallë të kësaj kohe, që, njëherësh poet, bën emër edhe si studiues i letërsisë, i kualifikuar në nivel të lartë në dy universitete (Kroaci dhe Rumani), duke mbetur përsëri vjershëtar. Kur bëri emër V.Bala, në vitin 1948, u botua poema “Me ty Stalin” e Aleksa Çaçit, poema nga Dhimitër Shuteriqi “Enverit” dhe në vitin 1949, poema “Prishtina” e Llazar Siliqit. Botonin në atë kohë edhe M.Gurakuqi, Nonda Bulka, Spiro Çomora, Dioniz Bubani, Aleksandër Banushi, M. Greblleshi, F. Gjata, Sh. Musaraj, P. Marko, L. Qafzezi, S. Spasse, S. Vaqarri, M. Zaloshnja e pak të tjerë. Për të shtuar një të tretë, do vënë në dukje se Vehbi Bala, që në rini të tij, ndoqi një rrugë të hapur nga tradita letrare, e cila, në mjedisin shkodran ishte si një vlerë e veçantë, me një radhë shkrimtarësh dhe poetësh të rinj të një niveli tjetër, aq të njohur në mbarë letërsinë shqipe. Ai kishte fituar një kulturë të gjerë nga profesorët e gjimnazit të shtetit, të cilët interesoheshin aq shumë edhe për zhvillimin e talenteve në lëmë të artit e letërsisë.
Për këtë brez letrar, shkrimtari ynë Ismail Kadare, shkruan në parathënien e një përmbledhjeje poetike me vjersha të krijuesit të ri, Ervin Hatibi: “Tani që letërsia e sotme shqipe ka gati gjysmë shekulli që ekziston, pa kurrfarë pretendimi për të bërë një periodizim të saj, mund të vihet re megjithatë se ka pasur tri valë shkrimtarësh që kanë ndjekur njëra-tjetrën. Vala e parë që erdhi pas Çlirimit me të cilën u bashkuan shkrimtarë që shkruanin edhe më parë (për fat të keq jo më të shquarit), krijoi shtresën e parë të letërsisë së tanishme, me suksese por edhe me mungesa të ndjeshme….”
Për një pamje më të imët, të autorëve që po vinin themelet e një letërsie të re, nga vitet 1945-1960, siç dhe e kufizon këtë periudhë shkrimtari ynë i madh, duhet të mësojmë se nga 120 autorë të letërsisë shqipe në hapësirat shqipfolëse në tre shtete, 21 kishin kryer studime në Tiranë, 16 autorë në Beograd, 1 në Zagreb, 2 në Rumani, 1 në Samboll, 6 në Greqi, 11 autorë në Itali, 6 në Francë, 2 në Prishtinë, 1 në Çeki, 4 në Bullgari, 16 autorë në Rusi (BS), 7 në Austri dhe 26 ishin autodidaktë, përndryshe, shkrimtarë me arsimin e mesmëm. Si studiues, prof.Vehbi Bala, ka 30 shkrime teorike letrare për çështje të vendit që zënë autorë të ndryshëm me veprat e tyre, si dhe trajtesa interpretimi, që ishin aq të diskutuara përgjatë viteve 1960 – 1990.
Botime artikujsh në Buletinin shkencor të ILP
▲ Çështje të përmirësimit të metodave të mësimit dhe të edukimit në lëndët e gjuhës dhe letërsisë / Bala, Vehbi (1970) in Buletin shkencor (7/ 1968)
▲Disa çështje të zhvillimit te kulturës shqiptare në letrat e Dora d’Istria-s dërgue Jeronim de Radës / Bala, Vehbi (1968) in Buletin shkencor (5/ 1966)
▲Fytyra e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ne letërsinë shqiptare (Vëzhgime dhe konkluzione) /Bala, Vehbi (1967) in Buletin shkencor (6 /1967)
▲Hermetizmi- rrymë e letërsisë dekadente / Bala, Vehbi (1974) in Buletin shkencor (1/ 1974)
▲ Hyrje ne shkencen e letersise 2 / Bala, Vehbi (1990) / IIF-012592
▲Jeta e Fan S. Nolit / Bala, Vehbi (1971) in Buletin shkencor (1 1971)
▲ Jeta e Millosh Gjergj Nikollës- Migjeni / Bala, Vehbi (1973) in Buletin shkencor (2/ 1972)
▲ Katedra e gjuhës dhe e letërsisë / Bala, Vehbi (1977) in Buletin shkencor (2/ 1977)
▲ Letërsia dhe artet në shërbim të LANÇ në rrethin e Shkodrës / Bala, Vehbi (1976) in Buletin shkencor (2 / 1976).
▲Letra të panjohura të Pashko Vasës dhe dokumente të tjera rreth tij / Bala, Vehbi (1979) in Buletin shkencor (1 /1979).
▲ Lidhjet kulturore shqiptaro-romune / Bala, Vehbi (1965) in Buletin shkencor (1964)
▲ Lidhjet letrare shqiptare-romune / Bala, Vehbi (1965) in Buletin shkencor ( 1965)
▲ Mbi kuptimin materialist të formës kombëtare dhe kritika kundër disa koncepteve metafizike rreth saj / Bala, Vehbi (1973) in Buletin shkencor (2/ 1973)
▲ Mbi metodën artistike të letërsisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare / Bala, Vehbi (1975) in Buletin shkencor (1/ 1975).
▲ Me prof. Maks Lambertz, mikun e shquar të Shqipërisë. Kujtime / Bala, Vehbi (1982) in Buletin shkencor (2/ 1982).
▲ MIllosh Gjergj NIkolla – Migjeni / Bala, Vehbi (1972) in Buletin shkencor (1/ 1972).
▲ Në dritën e dokumentave të pabotuara / Bala, Vehbi (1975) in Buletin shkencor (1/ 1975).
▲ Në dritën e letrave të panjohura / Bala, Vehbi (1970) in Buletin shkencor (9/ 1970).
▲ Në kërkim të thesarit / Bala, Vehbi (1958) in Buletin shkencor (1/ 1957).
▲ Paralele në letersinë gojore shqiptare dhe romune / Bala, Vehbi (1966) in Buletin shkencor (4/ 1966).
▲ Pashko Vasa – “O moj Shqypni” – Në kuadrin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrendit / Bala, Vehbi – (1977) in Buletin shkencor (1/ 1977).
▲ Për historinë e letërsisë shqipe / Bala, Vehbi (1975) in Buletin shkencor (2 /1975).
▲ Për popullarizimin e letërsisë së sotme shqipe / Bala, Vehbi (1961) in Mësuesi (1/18 1 Shtator- 29 Dhjetor 1961).
▲ Përjetimi i një epopeje me pushkë dhe përjetësimi i saj me këngë / Bala, Vehbi (1974) in Buletin shkencor (2/ 1974).
▲ Portreti i Fan S. Nolit / Bala, Vehbi (1970) in Buletin shkencor (7/ 1968).
▲ Shtypi shqiptar në Rumani / Bala, Vehbi (1964) in Revistë shkencore e Institutit Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës (1, V. 1 janar – qershor 1964).
▲ Si lindi ideja për botimin e një reviste klandestine / Bala, Vehbi (1973).
▲ Viktor Eftimiu / Bala, Vehbi (1978) / IIF-001487 in Buletin shkencor (1 /1973).
Të dhëna për figurën dhe veprën e Naum Panajot Veqilharxhit / Bala, Vehbi (1973) in Buletin shkencor (2/ 1973).
▲ Traditë dhe novatorizëm / Bala, Vehbi (1969) in Buletin shkencor (8/ 1969).
▲ Viktor Eftimiu në vendlindje, nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë / Bala, Vehbi (1976) in Buletin shkencor (1/ 1976).
( 30 shkrime teorike letrare)
II. Vehbi Bala – poet
Peshën më të madhe të krijimtarisë së V.Balës e mban poetika, botimet që bëri ai në lëmë të vjershërisë së gjuhës shqipe. Që në përmbledhjen e parë “Shtigje drite”, shtypur në Ora e Shkodrës, 1954, duket pjekuria e të shkruarit dhe tematika e zgjedhur, variacionet strukturore të vargut, në kërkim të shprehjes artistike dhe formimit individual të stilit poetik, që pas jo shumë publikimeve do të njihej tashmë si stil i Vehbi Balës. Kjo gjë vjen e del në pah si në sythin Ngjyra dhe plagë – me 23 vjersha, ashtu edhe në ndarjen tjetër me titullin metaforik Flaka, ku autori ka rreshtuar 16 poezi, me tema nga jehona e luftës çlirimtare, tek jeta e re që po agonte dhe po shtonte shpresat për ndryshim e përparim. Në këtë botim autori del para lexuesit me risi në strukturat e teksteve poetike, në organizimin e gjuhës së strofa, në vargje monokolonë, në rimema skemash të ndryshme dhe figuracion të kapshëm e të ndjerë.
Në vitin 1954, V. Bala i kthehet letërsisë për fëmijë, me dy publikime për të vegjël: me Përrallëza dhe gjëza dhe Përrallëza dhe gjëza për fëmijë. Janë fabulat më të bukura që mund të gjenden në vjershat për të vegjël: me kafshë të njohura e të rralla, si: bleta, xhixhilloja, flutura, grethi, gjinkalla, bilbili, gjeli, qeni dhe dhelpna, pulat, zoga, macja, laraska, lepuri, bretkoca, etj., por edhe me perime e me leksik të kuptueshëm, figura të thjeshta, të organizuara me strofa dhe monokolonë. Nuk mungojnë te këto vëllime as fabulat rrëfenja – shtruar në vargje – si zbërthime të fjalëve të urta “Mendja e madhe – e zeza e të zot”, apo fabula tjetër “Sqapi dhe dhelpna”; të cilat vazhdojnë edhe në përmbledhjen tjetër të këtij viti. Ndër fabula autori merr e gjen edhe Pavodën, një shpend që nuk ka mjedis rritjeje në vendin tonë. Gjëzat për të vegjël jepen gjithnjë të rimuara, me 4 vargje dhe sillen rreth botës së njohur të të vegjëlve, si: veza, shtizat, kova, stinët, tanda e hardhia me vila rrushi, llampa elektrike, lule-dielli, penda, radioja, aeroplani. Do të ishte mirë që këto vargje për fëmijë të qarkullonin në botimet e reja, ku librat për këtë moshë, shpesh, vijnë nga autorë të huaj, të cilët shkruajnë e përshkruajnë për fëmijë të atyre vendeve nga janë, në mjedise të jetës së tyre dhe me një psikologji ndryshe prej ballkanasve, më drejt, shqiptarëve. Po në vitin 1954, si viti më i begatë i autorit në publikime letrare, radhisim tubën “Vjersha”, një varg poezish, ndarë në “Kangë partizane” dhe “Vargje dashunie”, ku del edhe kushtimi që i bën “Gjuhës amtare”, në disa strofa safike, ndër më të bukurat e penës së tij; nuk mungojnë këtu edhe pasazhe poetike nga puna koletive, që sapo kishte nisur në vendin tonë.
Po çfarë të rejash solli poeti V.Bala në poezinë shqipe?
Le t’ përgjigjemi pjesshëm kësaj pyetjeje.
Së pari, ai do të quhet militant në artin e vjershërimit, përballë problemeve sociale që kishte vendi ynë, sidomos për gjakmarrjen kanunore, një “normë” vetëqeverisjeje e vetëgjyqësisë që po merrte jetë njerëzish, edhe të pafajshëm, kur Shqipëria kërkonte qetësinë e bashkimin, pas fitores mbi fashizmin. Ishte një jehonë që vinte bujshëm edhe nga vepra e madhe që po realizonte përtej kufirit; në Kosovë, veprimtari i shquar Anton Çeta: pajtimin e gjaqeve. Kështu, poeti ynë, V.Bala, harton dhe publikon poemën “Gjaku i falun”, 1955, për thirrje dhe aksion shoqëror në familjet e shumta, të cilat do të thyenin nenet e egra të Kanunit e do të vëllazëroheshin, siç u vëllazëruan Shpend Sadrija me Smajl Elezin, në kuvend të burrave të besës shqiptare! Edhe poema tjetër “Një përrallë e vërtetë”, 1957, bën objekt rrëfimi ngritjen mbi norma të reja pune, familjen e re të një brezi, që kërkonte të jetonte ndryshe nga e kaluara. Të dyja veprat janë thurur në analogji me vargun popullore, se atij i drejtoheshin: popullit, ende në ato vite gjysëm analfabet!
Në vitin 1969 autori shfaq një hap përpara në artin poetik: publikon vëllimin “Në rrjedhën e jetës” , që e quan “album”, ku vjen e shfaqet leitmotivi i autorit me dy strofa, që erdhën e u shndërruan në një kredo në udhën e jetës, jo vetëm për poetin shkodran, por për çdo qytetar të ndershëm:
“Të verdha e t’kuqremta bijnë fletët
përmbi asfalt, që ndrit nga pikla shiu.
O vjeshtë e tretë kot m’i kujton vjetët,
që vanë e ikën porsi ik veriu!
Mue keq më vjen për vjetët që vanë,
të rit’, që m’iku dhe s’më kthehet ma,
por keq s’më vjen për jetën që kam bamë,
po t’duhej, prap ksaj rruge i kisha ra….!”
Së dyti, poeti V.Bala, radhitet ndër ata krijues në vargje të asaj periudhe të letërsisë sonë, që lëvroi me sukses sonetin, kur klasikët e këtij lloji letrar: Mjeda dhe Asdreni kishin vite të shfaqjes së tingëllimave në poezinë tonë. Tuba me vjersha të tilla “Tingëllimat e Shëngjinit” dhe “Tingëllimat e Pogradecit” është pjesa më e qëlluar e përmbledhjes që shënuam më lart, ku i këndohet me aq romantizëm natyrës së bukur detare e liqenore dhe njeriut të thjeshtë midis saj.. Në veprën e fundit “Vallja e luleve”, Tiranë 1987, autori do të botojë një përmbledhje vetëm me tingëllima. Ja një sonet nga ata të Shëngjinit, ku poeti pushonte verë për verë:
Në det të hapët…
Në det të hapët nisen peshkatore.
U farfurijnë dritëzat fanarë.
Ndrit hanëza mbi valët kristalore
si palaré prarue n’margaritarë.
Gjithë natën, me qëndresën burrënore,
i mbushni rrjetat plot, o peshkatarë;
jua kam zili atë zemër flakë gazmore
n’beteja t’ashpra deti guximtarë.
U fik një llampë. U kyç dhe nji kabinë.
Ja, pista u mbyll, por vala s’hesht mbi valë,
as çifti i ri për dashuninë e dlirë.
Nga buza e malit zhduket nji maqinë.
E para peshkatore kthehet dalë.
Natën e mirë, Shëngjin, natën e mirë “
E treta, kur ndjekim vepër pas vepre poetikën e V,Balës, vërejmë se arti i tij sa vjen e ravijëzohet brenda stilit vetjak, si në poetizimin e leksikut të vjershës, ashtu edhe në përzgjedhjen e temës, jo vetëm me shikimin nga vendlindja, por edhe jashtë Shqipërisë (Në Palestinë e në Irlandë, në Brazil e në Itali); edhe tre sonetet që dalin tek përmbledhja “Burim poezie”, ku autori ka përfshirë edhe 6 shqipërime, pa poezinë e famshme “Mbreti i Thules”, me të cilën do të vihet pranë përkthyesve të shquar të letërsisë së huaj, duke nisur me Mjedën e paarritshëm.
Së katërti, për atë periudhë krijimi poetik, në letërsinë shqipe, V.Bala është i vetmi që ka hartuar një përmbledhje me “Epigrame”, në vitin 1979, me të cilët merr e karakterizon portrete e syfete, kritikë letrarë, arrogantë, smirënjohësit, koprracët, tifozllëkun e tepërt, mizantropët, nusen, vjehrrën, diturinë, asteizmin (sharjet për të lavdëruar).
E pesta, poeti Vehbi Bala, te “Përsiatje”, 1981, na njeh edhe me një tip poetik, quajtur medalion, po ashtu edhe përafrimin e sentencave me epigrame (f. 47-59).
Vehbi Bala, lindur e rritur në një familje të vjetër inteketuale të Shkodrës, ka tregues të një varianti shkrimor mjaft të përparuar për kohën, edhe krahasuar me sërën e krijuesve bashkëqytetarë të tij ose më gjerë: deri edhe me poetë e shkrimtarë të tjerë, në Kosovë.
Nderi më i madh që mund t’u bëhet autorëve tanë të traditës, siç është ky përvjetor shekullor, do të ishte ribotimi i veprës së tyre së tyre; për V.Balën, presim të shohim në një përmbledhje gjithë poetikën e tij, mbi të cilën mund të bëhet objekt studimi jo vetëm vargu, por njëherësh, edhe organizimi gjuhësor, në rrafshe të ndryshme.
***
Vepra poetike e V.Balës
Përkthim i poezisë “Mbreti i Thulës”
(Krahasime të strofës së parë)
Përkthimi i Mjedës:
“Deri n’dekë besnik ke s’thohet
Ishte n’Tule ‘j padisha,
Diq e dashtna mbas do kohet
E ‘i got’arit n’shej i la…
Përkthimi i S.Malëshovës
“Na ishte një mbret në Tule,
I besës gjer në varr.
I dha, tek vdiste mikja
Një kupë derdhur në ar.
(Ndonëse i ri, Bala provon me sukses të përkthejë letërsi nga majat e letërsisë botërore, krahas përkthyesve të njohur, si: Mjeda, Sejfullah Maleshova e më i riu, Jorgo Bllaci)
Sipas V.Balës
“Besnik gjer buzë varri
në Tule ish një mbret;
tek vdiste, një kupë âri
i fali mikja e vet…
Përkthimi i Jorgo Bllacit
“Një herë pat sunduar
Në Tulën larg, një mbret,
Një kupë i kish dhuruar
Kur vdiq mikesha e vet
Origjinal i poetit gjerman
“Es war ein König in Thule
gar treu bis an das Grab.
Dem sterbend seine Buhle
einen goldenen Becher gab…
Tiranë, 4 dhjetor 2023