• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“FJALOR I MIKROTOPONIMISË SË ISTOGUT” NJË VAZHDIMËSI E KËRKIMIT DHE STUDIMIT TË TOPONIMISË SHQIPTARE

August 31, 2025 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Prej dekadash ekziston një mendim se studimet onomastike në hapësirën e Kosovës kanë filluar kryesisht në fund të viteve ’60, kur shkenca shqiptare në përgjithësi dhe organizimi institucional në veçanti u çliruan nga strukturat e sigurimit rankoviqist. Faktikisht në këtë mendim ekziston një e vërtetë e artikuluar për shkencën albanologjike, kryesisht nga vitet ’70 e këndej, por nëse e shikojmë gjendjen më thellë, nuk është vështirë të shihet se dija shqiptare për toponiminë e Kosovës, ashtu sikur edhe për çështjen gjuhësore, etnike – materiale e shpirtërore, të hapësirës etnike dhe gjeografike shqiptare ka treguar interesim që në vitet ’30-ta.

Është Profesor Ahmet Gashi, biri i Kosovës, gjeografi, intelektuali, patrioti, arsimtari i Shkollës së Elbasanit dhe shkencëtari i shquar i shkencës shqiptare të kësaj kohe, i cili në hartën e tij të trojeve etnike të viteve ’30 e bëri realitet disa herë hapësirën e Kosovës dhe e rishikoi, e sistemoi dhe saktësoi jo vetëm hapësirën e etnikumit shqiptar po edhe toponiminë, ojkoniminë, oroniminë e hidroniminë e trojeve etnike shqiptare. Kjo është koha kur shfaqen edhe artikujt e parë jo vetëm për të shquar toponiminë historike të Kosovës, po edhe për t’iu kundërvënë shkollës së Jovan Cvijiçit. Po në këto vite kemi artikullin e parë të Profesor Idriz Ajetit për toponiminë në gazetën e Sarajevës Muslimanski svjest (1938).

Pas Luftës së Dytë Botërore nuk kanë munguar kërkimet në fushë të toponimisë, ndërsa përmasa e studimit të saj mbështetej në dijen e antropogjeografisë, gjuhësisë historike dhe dialektologjisë, një metodë kjo, e cila në studimet shqiptare në Shqipëri, pothuajse vazhdon ta ruajë statusin e njëjtë, ndërsa në Kosovë, u bë dije më vete që në vitet ’70, kur onomastika jo vetëm u bë dije më vete si kërkim gjuhësor po edhe sektor i veçantë brenda institucioneve ku studiohej ajo.

Në këtë rrjedhë do shquar Sektori i Onomastikës në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Seksioni i Onomastikës në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, institucione këto të cilat realizonin aktivitete shkencore të kësaj natyre në përmasa jugosllave (i pari, përmes konferencës Onomastica jugoslavica) dhe në përmasa kombëtare (i dyti, përmes kërkimesh në teren, realizimit të magjistraturave e doktoratave, konferencave shkencore etj.)

Nuk mbetej prapa as projekti i madh kombëtar i kërkimeve në fushë të onomastikës historike dhe onomastikës së zbatuar, i Universitetit të Prishtinës dhe Institutit Albanologjik, realizimi i të cilit u bë i mundur përmes temave të magjistraturës dhe doktoratës. Le të kujtojmë këtu temat e magjistraturave dhe doktoratave nga studiuesi: Muharrem Peci, Onomastika e Shalës së Bajgorës (1983); Rexhep Doçi, Antroponimia e Llapushës (Prekorupës), (1983), Onomastika e shqiptarëve të Drenicës (1989) dhe Antroponimia shqiptare e Kosovës,I (1986); Bahtijar Kryeziu, Onomastika e Hashanisë (2000), Fjalor onomastik i Malësisë së Bujanocit (2006); Begzad Baliu, Onomastika e Gallapit (2003); Ramadan Asllani, Onomastika e Kaçanikut (2004); Maksut Haxhibeqiri, Toponimia e Ulqinit dhe rrethinës, Ulqin, 2001; Skënder Hoxha, Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (I) (1992); Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (II), (studim) (2000); Mustafa Ibrahimi, Mikrotoponimet në vendbanimet shqiptare të Prilepit, Krushevës dhe Velesit (2010); Xhemaludin Idrizi, Mikrotoponimia e Karshiakës së Shkupit (2003); Vebi Rrustemi, Hulumtime onomastike në Dervenin e Shkupit; Izmit Durmishi, Vëzhgime gjuhësore mbi toponiminë e Pollogut të Epërm të Gostivarit (2008) etj.

Vepra e dr. Sejdi Gashit, Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut, i dalë nga shtypi kohë më parë (dhjetor 2020) nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, paraqet një vazhdimësi të këtyre kërkimeve në gjysmëshekullin e fundit, qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë, qoftë në Tetovë-Shkup. Kjo vazhdimësi shihet prej projektit fillestar të realizuar si doktoratë (një traditë kjo e studimeve mbi modelin antropogjeografik (dialektologji, onomastikë përshkrim deskriptiv etj.) dhe modelin e botimit (hulumtim në teren, tipologji e mikrotoponimisë, studim etnogjuhësor e dialektor).

Vepra Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut, është strukturuar nga një parathënie, katër kapituj, rezymesë në gjuhën angleze dhe aparatit shkencor. Në parathënien e zgjeruar të këtij libri, autori sjell të dhëna për një traditë modeste të përshkrimit të toponimisë dhe antroponimisë së kësaj ane në gjuhën shqipe dhe për përkushtimin e tij që pas kërkimeve minimale të studiuesve të deritashëm ta marr përsipër një paraqitje sa më të plotë të kësaj lënde të pasur të mikrotoponimisë. Këtë lëndë gjuhësore, sikur e ka theksuar autori e ka mbledhur prej banorëve të tanishëm të kësaj ane duke udhëtuar nga njëri vendbanim në tjetrin dhe në situata të ndryshme: “në biseda të lira, në ndeja dhe festa të ndryshme, në dasma, në ceremoni varrimi; por edhe gjatë bisedave formale me folësit”. Në këtë mënyrë autori ka vjelë rreth 1200 njësi, të cilat, sikur thekson ai, emërtojnë fusha e toka bujqësore, zabele, kodra, brigje, lugje, livadhe e kullota, ara, lumenj, përrenj, troje, bjeshkë e male, kroje, varreza, qafa malesh, por edhe antroponime etj.

I bindur se paraqitjen e tyre sa më të saktë e ndihmon edhe hulumtimi i të folmes dialektore të kësaj anë, një specializim ky i tij në fushë të gjuhësisë, autori ka pasur në konsideratë dhe ka konsultuar edhe fjalorë të ndryshëm dialektorë të cilët që më parë kanë bërë përshkrimin e të folmes së kësaj ane dhe njësitë onomastike i ka regjistruar duke u mbështetur në regjistrat dialektore të këtij krahu të shqipes.

Kapitulli i parë sjellë të dhëna të cilat më parë i kishin përshkruar kryesisht antropogjeografët serbë e shqiptarë, por jo në ato përmasa, të cilat tani autori ynë i ka sheshuar e mbështetur në gjendjen aktuale të saj.

Të dhënat për pozitën gjeografike dhe klimën, përpjekjes për të dhënë një histori gjuhësore, etnografike, kulturore, patronimike të historikut dhe etimologjisë së vetë emrit Istog na e sjellin një pamje të mjaftueshme sociokulturore dhe socioetnografike, për të vazhduar më tej kërkimet në fushë të mikrotoponimisë dhe sidomos antroponimisë. Në këtë kapitull vend të rëndësishëm në kontekstin historiko-gjuhësor zë diskutimi mbi historikun e antikitetit dhe mesjetës së kësaj ane, si dhe diskutimi mbi etimologjinë e emrit Istog, i cili i konsideruar më parë përgjithësisht si oikonim sllav, këtu ubifikohet me patronimin Stoja, përkatësisht Istoja, duke ju referuar disa dokumenteve mesjetare të proveniencës sllave dhe osmane.

Kapitulli i tretë merret me veçoritë gjuhësore të të folmes së Istogut me rrethinë duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek dukuritë fonetike (ndërrimet e tingujve), veçori këto të cilat kanë ndikuar ndjeshëm jo vetëm në stabilizimin e njësisë onomastike të vendit, po edhe në ruajtjen e strukturës gramatikore dhe semantike të mikrotoponimisë shqipe përballë ndikimit të strukturës gjuhësore – administrative serbe, sidomos gjatë shekullit të fundit. Po këtu është përfshirë edhe një pasqyrë e rëndësishme e studimeve të derisotme për Istogun me rrethinë. Kapitujt më të rëndësishëm të këtij vëllimi janë fjalori i toponimisë së Istogut me rrethinë dhe kapitulli i patronimisë së kësaj ane.

Sikur është theksuar në hyrje të këtij vëllimi në regjistrin apo fjalorin e mikrotoponimisë janë regjistruar nga tereni rreth 1200 njësi. Autori i këtij hulumtimi sikur është kujdesur ta respektojë mendimin e Norbert Joklit, që në hulumtimin e tij t’i paraqes jo vetëm vendbanimet, përkatësisht ojkonimet e kësaj zone, po të gjitha gjetjet në teren, sepse duke shënuar vetëm vendbanimet, përkatësisht ojkonimet e regjistruara kryesisht nga administrata mesjetare e kishës në gjuhën sllave, një kohë të gjatë është krijuar edhe bindja se fjala është për vendbanime sllave edhe atë jo vetëm në Istog me rrethinë, po edhe në Kosovë e Shqipërinë Veriore e Jugore.

Në fjalësin toponimik të kësaj vepre autori është përqendruar në diskutimin dhe sjelljen e një pamje sa më të plotë të atyre ojkonimeve të cilat i gjejmë edhe në dokumentet e mëhershme, kryesisht mesjetare. Kjo është edhe arsyeja që ai të merret gjerësisht me vendbanimet, përkatësisht ojkonimet: Cërrcë, Lubozhdë, Vrellë, Studenicë, Kaliqan, Shushicë etj. Pa dashur të merremi me etimologjinë e emrave të vendbanimeve, le të theksohet në këtë rast prania e emrave të tyre në dokumentet shekullore së paku nga mesjeta e këndej, një dëshmi kjo e jetës sedentare të popullatës së tyre shqiptare ndër shekuj.

Duke e respektuar këtë qëndrim polemizues të Norbert Joklit me veprën e Selishqevit për toponiminë dhe popullsinë e Shqipërisë Jugore e Juglindore, autori i kësaj vepre njëkohësisht ka përmbysur edhe një prirje të studiuesve shqiptarë në Kosovë, të cilët prej vitesh në kërkimet e tyre në teren kanë regjistruar kryesisht mikrotoponiminë dhe antroponiminë, e cila shquante që më parë anën gjuhësore apo semantike të hershme shqiptare dhe eventualisht trashëgiminë e krishterë që mund të shfaqte ajo njësi. Gjithashtu, më vjen mirë që këtë prirje, të cilën e kam ndjekur në studimet e mia në vitet ’90 dhe e kisha diskutuar prej shumë vitesh me autorin, studiuesi dr. Sejdi Gashi, e ka marrë dhe realizuar me kujdes e me sukses.

Pavarësisht se këto njësi mikrotoponimike, kryesisht emërtime për fusha e toka bujqësore, zabele, kodra, brigje, lugje, livadhe e kullota, ara, lumenj, përrenj, troje, bjeshkë e male, kroje, varreza, qafa malesh etj., japin mundësi diskutimi mbi strukturën fonetike, morfologjike, dialektore e semantike të shqiptimit dhe artikulimit, ato nuk japin shumë mundësi diskutimi historik e etimologjik, prandaj autori i veprës e ka parë të aryeshme t’i regjistrojë dhe t’i përshkruajë nga aspekti dialektor me shenjat diakritike. Në këtë regjistër mjaft të pasur rëndësi të dorës së parë marrin edhe përshkrimet popullore dhe legjendare të disa njësive mikrotoponimike jashtë vendbanimeve, qofshin ato vendbanime të përkohshme fushore, qendra arkeologjike, zonave etnografike etj.

Kapitulli i fundit sjellë një regjistër patronimesh (f.123), me interes për studiuesit e kësaj fushe të onomastikës. E vërteta, onomastika shqiptare nuk ka bërë shumë studime për antroponiminë dhe patroniminë e kohës së re, ndërsa studimet mjaft të thelluara janë bërë kryesisht për antroponiminë antike (ilire) dhe deri diku për periudhën e mesjetës. Megjithëse dokumentariteti i antroponimisë dhe patronimisë është më i pasur dhe më i dukshëm në pesë shekujt e fundit, studimi mbi këtë korpus sikur është parë i parëndësishëm përballë kërkimeve në hapësirën mesjetare dhe të antikitetit. Regjistri i partonimisë së Istogut me rrethinë jep mundësi studimi, madje jo vetëm për strukturën gramatikore e dialektore të tij, po edhe semantike e krahasuese me periudha dhe kultura komplementare të kohëve më të moçme.

Vepra e dr. Sejdi Gashit, Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut mbyllet me një Resume (f.135) në gjuhën angleze si dhe me një shtojcë që paraqet aparatin shkencor të kërkimit e të parashtrimit të lëndës: Simbolet fonetike, shkurtesat për literaturën e konsultuar, shkurtesa të tjera, shkurtesat e emrave të vendbanimeve etj. Me interes, për vlerësimin dhe diskutimet e më tejme të lëndës në fund kemi edhe literaturën e përzgjedhur.

Dr. Sejdi Gashi, Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2020, f. 162.

Filed Under: Sociale

Gegnishtja dhe standardi i saj

August 25, 2025 by s p

Dr. Davida Marku

Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkoder/

Gjuha shqipe është një nga elementet kryesore të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Ajo ndahet në dy dialekte të mëdha: gegërishten në veri dhe toskërishten në jug. Këto dy dialekte kanë ndjekur zhvillime të ndryshme historike e gjuhësore, por bashkë përbëjnë një tërësi gjuhësore unike. Gegnishtja, si një variant i pasur dhe i hershëm i shqipes, ka dhënë kontribute të mëdha në letërsinë dhe kulturën kombëtare. Megjithatë, me miratimin e standardit të shqipes në vitin 1972, ajo nuk u përfshi drejtpërdrejt në bazën e standardizimit, duke ngjallur debat mbi pozitën e saj dhe marrëdhënien me gjuhën letrare të sotme.

Gegnishtja si dialekt i shqipes

Gegnishtja flitet kryesisht në Shqipërinë e veriut, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diasporën shqiptare në rajone të tjera. Ajo ka disa nënndarje kryesore: gegërishten veriore, verilindore, qendrore dhe jugore. Secila prej tyre ka tipare fonetike, morfologjike dhe leksikore që e bëjnë gegnishten një sistem të larmishëm. Një nga tiparet dalluese është ruajtja e zanoreve hundore (p.sh. “vênë”, “gjuên”), të cilat në standard nuk ekzistojnë. Po ashtu, gegnishtja përdor forma të veçanta foljore (p.sh. “kam me shkue” në vend të “do të shkoj”) dhe ruan një trashëgimi të pasur leksikore me ngjyresa arkaike dhe popullore.

Kontributi i gegnishtes në kulturë dhe letërsi

Shumë vepra të letërsisë shqipe janë shkruar në gegnisht. Autorë si Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, Ernest Koliqi e shumë të tjerë kanë lënë kryevepra të pavdekshme në këtë dialekt.

Për shembull, “Lahuta e Malcis” e Fishtës është një monument i epikës kombëtare, ndërsa Migjeni solli realizmin dhe modernizmin përmes gegnishtes letrare. Ky fakt tregon se gegnishtja nuk është vetëm një dialekt i folur, por edhe një gjuhë letrare me traditë.

Standardizimi i shqipes dhe roli i gegnishtes

Kongresi i Drejtshkrimit (1972) vendosi që standardi i shqipes të mbështetej kryesisht mbi toskërishten, ndërsa gegnishtja u përfshi në mënyrë të kufizuar. Arsyeja kryesore ishte synimi për unitet kombëtar dhe thjeshtimi i procesit të standardizimit. Megjithatë, kjo zgjidhje ka sjellë diskutime të vazhdueshme, sidomos në Kosovë dhe në qarqe të ndryshme akademike. Shumë gjuhëtarë argumentojnë se përjashtimi i gegnishtes nga baza e standardit ka varfëruar gjuhën letrare dhe ka krijuar një distancë midis të folurit të përditshëm dhe standardit. Nga ana tjetër, mbështetësit e standardit e shohin këtë si një kompromis historik që ka siguruar unitetin gjuhësor dhe kombëtar.

Gegnishtja sot dhe sfidat e saj

Sot, gegnishtja vazhdon të jetë gjallë dhe e përdorur gjerësisht në komunikimin e përditshëm, në muzikë, në media dhe në krijimtarinë letrare. Në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ajo mbetet dialekti kryesor i të folurit, ndërsa shumë autorë bashkëkohorë e përdorin në poezi e prozë. Megjithatë, sfida kryesore është ruajtja e saj si pasuri kulturore, duke mos e lënë të margjinalizohet përballë standardit. Një pjesë e studiuesve propozojnë që standardi të pasurohet me elementë të gegnishtes, në mënyrë që të bëhet më gjithëpërfshirës dhe më i afërt me të gjitha trevat shqiptare.

Përfundim

Gegnishtja është një pasuri e madhe e gjuhës shqipe, me vlera të veçanta historike, letrare dhe identitare. Marrëdhënia e saj me standardin nuk duhet parë si kundërshti, por si plotësim. Një standard i gjuhës që merr parasysh të gjitha trashëgimitë gjuhësore të kombit shqiptar është një standard më i pasur dhe më i qëndrueshëm. Prandaj, ruajtja, studimi dhe promovimi i gegnishtes mbetet detyrë e rëndësishme kulturore dhe shkencore për të ardhmen e shqipes.

Filed Under: Sociale

 “Zjarret ndër Emegjencat kritike të Rama-4”!

August 20, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Mbas pasojave të zgjedhjeve të damkosura të 11 Majit, pra përdhosjes së Kuvendit, përdhunimit të 4-ërt të Opozitës dhe arrogancës bolshevike të mbi-Pushtetit, Shqipëria po përballet me riciklimin e përvitshëm të llavës së zjarreve, më së shumti jo si fatkeqësi e natyrës, por nga dora/dalldisja e njeriut.

Paraprakisht, shprehim mirënjohjen për përkushtimin shëmbullor të ushtarakëve, policisë, shëndetësisë, gazetareve të terrenit, si dhe ndaj vendeve të NATO-s, komunitetit të biznesit dhe mbarë-Shqiptarëve për traditën fisnike të solidaritetit me banorët e prekur nga fatkeqësitë natyrore, në rastin konkret nga flakët e zjarreve.

Besoj se jemi në kohën e duhur për të bërë një vlerësim përmbledhës të gjëndjes, adresuar problemet si dhe për të kontribuar me disa këshilla strategjike mbi nevojat ulëritëse që ka modernizimi i Sistemit të Emergjencave Civile (në vijim EC).

Sigurisht, cilësia e përmbushjes së përgjegjësive shtetërore vlerësohet nga efikasiteti i strukturave dhe aktiviteteve operacionale për mbrojtjen e jetës, pasurive dhe infrastrukturave jetike nga fatkeqësitë natyrore, si p.sh. zjarret që përsëriten çdo vit, apo dhe epidemitë, aksidentet industriale, etj.  

Thënë këtë, do duhet të jemi të ndershëm me qytetarët: “Garancia 100% e mbrojtjes nga fatkeqësitë e naturës ose dora e njeriut, mbetet një mision i pamundur“. Asnjë vend, përfshi Franca, Japonia, Austria, Kanada, Zvicra, etj, nuk garanjojnë mbrojtje 100% nga p.sh zjarret.  

Prandaj modernizimi i Sistemit të EC (përqasjes, pajisjeve, efiçencës operacionale dhe rregullave të angazhimit) për të parandaluar, përballur me efikasitet si dhe minimizuar në maksimumin e mundshëm pasojat e fatkeqësive natyrore, mbetet sfidë dhe përgjegjësi e përhershme shtetërore 

Qeveria ka po ashtu legjitimitetin të përdorë mekanizmat shtetërore, përfshirë forcën e ligjit, për të ndëshkuar pa mëshirë këqbërësit, për zjarrvënien apo dëmtimin e qëllimshëm të infrastrukturave me rëndësi kritike për jetën e komunitetit. 

Së dyti, Shqipëria ka (në letër) një kornizë ligjore bashkëkohore që mirë-përcakton, llojet dhe përgjegjësitë e institucioneve në përballjen me EC:

Kushtetuta e Shqipërisë, në nenet 170, 171, 172, 173, 174, 175 dhe 176, definohen: (a) gjendja e luftës (kërcënohet territori), (b) e jashtëzakonshme (rendi kushtetues), si dhe (c) fatkeqësit natyrore ose teknologjike, në një pjesë, ose në të gjithë territorin e vendit. Gjithashtu në këto Nene, përcaktohen lloji i emergjencës, kohëzgjatja, parimet, “masa e kufizimit të drejtave të njeriut” si dhe balancohen përgjegjësitë e institucioneve kushtetuese, Parlamenti, Presidenti dhe Ekzekutivi. 

Në Ligjin Nr. 8756, dt. 26.3.2001: “EC = situatë kritike urgjente e një natyre të përkohshme, që kërcënom seriozisht jetën dhe sigurinë e shtetasve, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin, në një masë që kalon mbi mundësinë e organeve vendore”. Mbështetur po në këtë Ligj Qeveria, shpallë gjendjen e EC si dhe legjitimon përdorimin e strukturave, kapaciteteve dhe aseteve.

Ka disa VKM, si: “për ngritjen dhe funksionimin e strukturës kombëtare të planifikimit dhe përballimit të EC”; Organizimin dhe përgjegjësitë e shërbimit të EC”; “tarifat në situata emergjente”; si dhe udhëzimet për: “ngritjen e komisioneve vendore të EC, në bashki dhe në nivel qarku”, etj.

Së treti, Megjithë vullnetin, përpjekjet dhe përmirësimet në 15 vitet e fundit, kemi ende një sistem të brishtë të EC. Po si dhe sa adresohen mësimet e nxjerra nga 2 dekadat e fundit (?): 

Në të 3 elementët e EC (Parashikimi, peshimi dhe ndërtimi skenarëve; modernizimi i kapaciteteve dhe masa të përshkallëzuara) demostrohet “protagonizëm dhe veprimtari tē ç’integruara”.  

Kapacitetet duhet zhvillohen mbi bazën e mësimeve të nxjerra nga EC që kanë ndodhur apo kanë gjasa të përsëriten. Do uroja te jem gabim, por ashtu si ligjet, edhe 7 skenarët e EC (në RSM), nuk konsiderohen si reference për zhvillimin e kapaciteteve nga Institucionet përgjegjëse! 

Zhvillimi i kapaciteteve të EC do duhet të bëhet bazuar ne peshimin e kërcënimeve. Prioriteti i I-rë mbeten shpëtimi i jetëve njerëzore, pastaj shërbimet sociale (ujë, drita, spitale, shkolla), pronave, infrastrukturave, ambientit?, etj. Shpesh, arritjet maten me sasinë e prezencës në zonën e operacionit, në vend të efikasitetit në shërbim të komunitetit. Edhe media i drejton më shumë kamerat te “cili politikan apo zyrtar shkoi, ku dhe çfarë tha”, në vend që të fokusohet te efikasiteti në përballjen me rreziqet nga fatëkeqësitë e natyrës.

Vendosja e EC në vartësi të MM, përveç perceptimit populist, nuk ka rezultuar si zgjidhje por barrë në Buxhetin e MM dhe misionin e FA si dhe në (de) efiçencën e strukturave e EC.   

Po ashtu, “sindroma bollshevike për të gjetur armikun te Qeveria apo te Opozita e radhës” janë bërë të neveritura nga qytetarët. Thënë kjo, askujt nga Qeveria nuk duhet t’i shkojë në mendje se mbështetja u jepet qytetarëve për mëshirë, bamirësi, apo për votë elektorale për mbajtjen e pushtetit! Eshtë po aq neveritëse kur “Opozitarët e borderosë” krekosen në kolltuqet e Kuvendit mbas çdo humbje të radhës, ndërsa urdhërojnë Qeverinë: “ta ndalojë me patjetër dhe pa zero pasoja dalldisjen e natyrës apo të njerëzve të marrosur” !

Së fundmi, modernizini i kapaciteteve operacionale në përballjen me fatkeqësitë natyrore, përfshi zjarret nga dora e njeriut mbetet “ndër Emegjencat e qeverisë Rama 4”. Thënë këtë, nën papërgjegjësinë e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, po e përmbyll edhe me “5 këshilla strategjike”:

  1. Transformimi rrënjësor i sistemit të EC, me qëllim: “përmirësimin e qasjes zyrtare, modernizimin pajisjeve, strukturave dhe rregullave të angazhimit; pra i efikasitetit operacional si dhe i kulturës së bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore, me vendet e rajonit, NATO-s dhe BE-se”.
  2. Ngritjen e Inspektoriatit Kombëtar të EC, në vartësi të Kryeministrit (ose Zv) si dhe alokimin e fondeve përkatëse, duke përditësuar doktrinën, paketën ligjore, VKM-të, strukturën, etj.
  3. Vullnet dhe konsensus i pakushtëzuar politik, vizion dhe ekspertizë e spikatur, për të përcaktuar objektivat, mënyrat dhe mjetet (ends, ways & means) për përballimin e EC. Pritritet Nr.1 mbetet jeta e njerëzve dhe infrastrukturat kritike, ndërsa në planet afatmesëm, evitimi në maksimum i butimeve të përsëritjes së tyre, 
  4. Qytetarët nuk duan fjalime, pasi në raste fatëkeqësish presin dhe meritojnë zgjidhje sa më të shpejta. Mësimi kryesor nga përballja me zjarret dhe përmbytjet është ngritja e një sistemi të qëndrueshëm që peshon rreziqet dhe ndërton skenarët, identifikon dhe adreson mangesitë (mësimet) si dhe mat në kohë reale cilësinë e ushtrimit të përgjegjësive zyrtare pra: “kush bën çfarë, kur dhe në bashkëpunim me kë”! 
  5. Një projekti pilot për ngritjen e Sistemit të Mbrojtjes Civile mes RSh dhe Kosovës, me koncept, paketë ligjore, kapacitete dhe strukturë të përbashkët të komandim-kontrollit (C2). Konkretisht, përtej delireve patriotike të pushtetit apo rapsodive të Gjekmarkaj, do të këshilloja; “ngritja e një Qëndre (mbarë) Kombëtare të EC (QKEC); 3 njësive logjistike (force provider) si dhe 9 bazave të mbrojtjes civile, të shpërndara në gjithë territorin e dy vendeve sovrane”. 

Në shtesë, thirrjet për mbledhjen e Këshillit të (pa) Sigurisë Kombëtare, si: “për zjarret ashtu dhe krizën në lindjen e mesme”; kërcënimet e Presidentit të pa-emër ndaj Ajatallahut të Iranit, ashtu si shpallja e qeverisë së Pilinçit; përleshjet heroike të Mulve me Milet apo Gazëve me Zengjinetë në Kuvendin e mbas Shtatorit, mund të shërbejnë për të gajazur miletin, por kanë ZERO vlerë edhe në përballjen me fatëkeqësitë e natyrës. 

* Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për Sigurinë Kombëtare,

Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO. 

Filed Under: Sociale

Lufta hibride me metodat e zjarrvënies: Dimensioni i ri i kërcënimeve asimetrike

August 15, 2025 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj
Universiteti “Nënë Tereza”, Shkup/

Lufta hibride ka evoluar duke përfshirë mjete jokonvencionale për destabilizim, ku zjarrvënia strategjike është një instrument efektiv. Ky studim trajton rastet e zjarrvënieve të qëllimshme në vende të Evropës dhe Ballkanit, duke përfshirë Greqinë, Turqinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe Kosovën, të dokumentuara nga raportet e BE-së dhe NATO-s. Metodologjia bazohet në analizën e raporteve zyrtare, arrestimeve të personave të dyshuar dhe të dhënave operacionale nga agjencitë e sigurisë. Analizat tregojnë se zjarrvënia ka karakter hibride, me synim dobësimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe destabilizimin politik. Rezultatet nënvizojnë nevojën për mekanizma të integruar parandalues dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Studimi është i rëndësishëm për politikëbërës, ekspertë të sigurisë dhe autoritetet civile.

Në dekadën e fundit, lufta hibride është bërë një instrument i fuqishëm i konfrontimit ndërkombëtar. Ajo shtrihet përtej konfliktit ushtarak tradicional dhe përfshin mjete të sofistikuara: operacione kibernetike, dezinformim, presion ekonomik dhe zjarrvënie të qëllimshme. Në Evropë dhe Ballkan, zjarret e qëllimshme kanë shkaktuar dëme të mëdha mjedisore, ekonomike dhe sociale, duke shpërqendruar kapacitetet shtetërore.

Zjarrvënia e qëllimshme nuk është akt sporadik; analizat e BE-së dhe NATO-s konfirmojnë se shumë raste në Evropë dhe Ballkan janë të orkestruara dhe pjesë e operacioneve hibride, shpesh të lidhura me tensione gjeopolitike dhe motive kriminale. Arrestimet e personave që i kanë vënë zjarret në vende si Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e konfirmojnë këtë realitet[^1][^2].
Synimi kryesor është të analizojë fenomenin e zjarrvënieve strategjike si komponent i luftës hibride, të identifikojë metodat, objektivat dhe pasojat, dhe të ofrojë rekomandime për përforcimin e mekanizmave mbrojtës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Studimi sjell kontribut të rëndësishëm në literaturën e sigurisë duke evidentuar dimensionin mjedisor dhe strategjik të luftës hibride, duke ofruar të dhëna empirike nga Evropa dhe Ballkani dhe duke lidhur rastet e arrestimeve me strategjitë hibride të dokumentuara nga BE dhe NATO.

PJESA KRYESORE

1.Lufta Hibride dhe Elementi i Sigurisë

• Definimi: Lufta hibride përdor mjete jo-konvencionale për të destabilizuar shtetet pa akt të hapur ushtarak.
• Zjarret si instrument: Arrestimet në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë konfirmojnë përdorimin e zjarrvënieve për presion mbi institucionet, krijimin e panikut dhe ndërhyrje në rendin kushtetues².
• Roli i NATO-s dhe BE-së: Monitorim, analizë inteligjence dhe koordinim për parandalim të operacioneve hibride.
• Pasojat: Dobësim ekonomik, krizë mjedisore, presion social dhe potencial destabilizues për vendet më të cenueshme.

2.Metodat e Zjarrvënies në Kontekstin e Luftës Hibride
• Zjarrvënia si Operacion Psikologjik – panik dhe presion mbi qytetarët dhe institucionet[^3].
• Objektivat Strategjike – shkatërrimi i burimeve natyrore, dobësimi ekonomik, presion politik dhe shpërqendrimi i forcave të sigurisë.
• Metodat Operacionale – përdorimi i agjentëve lokalë, koordinim me dezinformim, shfrytëzim i kushteve klimatike.

3.Pasojat e Zjarrvënieve Hibride

• Ekonomike: humbje të konsiderueshme financiare dhe detyrime për rindërtim.
• Ekologjike: degradim i ekosistemeve, humbje biodiversiteti.
• Shëndetësore: sëmundje respiratore dhe efekte kronike.
• Sigurisë: dobësim i kapaciteteve operativ e rritje e nevojës për ndihmë ndërkombëtare.

4. Mbështetje me burime për elementin e “luftës hibride” dhe zjarrvënie strategjike nga raportet e BE-së dhe NATO-s.

● Burimeve zyrtare, raporte inteligjence dhe incidente të dokumentuara.”
• NATO dhe sabotazhi me zjarrvënie: Një analizë nga CSIS raporton se Rusia ka ndërmarrë sulme me zjarr në objektiva si dyqanet IKEA në Lituani, një qendër tregtare në Poloni, dhe ndërhyrje të tjera sabotimi, si një metodë e njohur e luftës hibride .
• Incidente të sabotazhit; pajisje ndezëse në shpërndarjet me avionë: Investigimi i EBU-së dokumenton më shumë se 60 incidente madhore hibride gjatë 2024 në Evropë që përfshijnë sabotaže, zjarrvënie dhe dezinformim — të gjitha konsiderohen si sulme hibride .
• Sabotazhe të koordinuara në Europë: Wikipedia për “Russian hybrid warfare in Europe” paraqet incidente konkrete, si zjarrvëniet në Poloni, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar gjatë 2024, që autoritetet i lidhen me operacione të orkestruara nga aktorët rusë .
• Raporte të forta për rritje të sabotazheve hibride: Rusi ka zhvilluar një fushatë hibridësh që përfshin zjarrvënie, manipulime informacioni dhe shantazh energjetik. RUSI raporton mbi 200 incidente të dyshuara hibride nga 2014 deri në 2024, me shumicën që ndodhin pas fillimit të luftës në Ukrainë .
• Rritje e kërcënimeve mbi Ballkanin: EUISS thekson nevojën për bashkëpunim të përforcuar BE–NATO në Ballkan për t’u përballur me kërcënime hibride, ndërsa rajoni identifikohet si i brishtë ndaj ndërhyrjeve të tilla .

4. Fenomeni alarmues i zjarreve pyjore në shtetet e Evropës dhe Ballkanit gjatë vitit deri më 12 gusht 2025.

Në periudhën 2024–gusht 2025, Europa dhe Ballkani përjetuan valë të nxehtit ekstreme dhe thatësira të gjata, duke favorizuar shpërthime të shumta zjarrish. Raportet e BE-së dhe NATO-s konfirmojnë se disa zjarre në Ballkan dhe Evropë nuk janë thjesht incidente natyrore, por pjesë e operacioneve hibride, duke përdorur zjarrin si mjet destabilizues. Arrestimet e disa personave në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë për zjarrvënie të qëllimshme mbështesin këtë vlerësim².
4.1.Ballkani
• Shqipëri: 34,000 ha të djegur që nga korriku 2025; disa zjarre të dyshuara të lidhura me veprimtari kriminale dhe ndërhyrje të koordinuara¹.
• Kosovë: 72 vatra, disa të dyshuara për zjarrvënie të qëllimshme si pjesë e skenarëve destabilizues; reagimi mbështetet nga FSK dhe aleatët².
• Mali i Zi: Operacione masive pranë Podgoricës dhe zonave fqinje; disa zjarrvënie të dyshuara për presion mbi komunitetet lokale³.
• Bosnjë-Hercegovinë: 58 vatra aktive; arrestime të dyshuara për zjarrvënie të qëllimshme; përdorim i dronëve dhe stafeve të trajnuara për kontroll.
• Serbi: 64 vatra zjarresh; disa incidente të dyshuara për operacione dezinformimi dhe presion politik.
• Maqedoni e Veriut: 49 vatra; mungesa avionësh, pjesëmarrje e FARK-ut në operacione tokësore.
• Kroaci dhe Sllovenia: 35 dhe 21 vatra; modele pozitive me dronë, AI dhe bashkëpunim ndërkufitar për monitorim dhe paralajmërim të hershëm³.

4.2.Evropa Perëndimore

• Spanja: 50,000 ha të djegur; përdorim i 12 avionëve zjarrfikës dhe 2 helikopterëve³.
• Portugalia: 44,000 ha të djegur në Trancoso; ndërhyrje e koordinuar me flota BE-je.
• Franca: Zjarre në Gironde dhe Provence; koordinim me EU Civil Protection Mechanism.
• Itali: 38,000 ha të djegur; përdorim avionësh amfibë dhe stafe të trajnuara³.
• Gjermani, Rumania, Bullgaria, Hungari, vendet Baltike: 12–27 vatra secila; përdorim dronësh dhe monitorim AI për reagim të shpejtë.
• Greqia: Flotë ajrore e avancuar; disa zjarre të dyshuara për manipulim publik dhe destabilizim¹.

5. Kapacitetet për Shuarjen e Zjarreve

Kapacitetet ajrore:
• BE-ja mobilizoi 22 avionë zjarrfikës dhe 4 helikopterë për 10 vende anëtare³.
• Ballkani ka flotë të vjetëruar; Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria shpesh mbështeten nga aleatët ndërkombëtarë².
Kapacitetet tokësore dhe personeli:
• Evropë: 650 zjarrfikës të trajnuar; mekanizma koordinimi përmes EU Civil Protection³.
• Ballkani: Mungesë e konsiderueshme stafi të trajnuar dhe rezervë; disa vende si Shqipëria dhe Kosova raportojnë mungesa kritike¹².
Përfundime dhe Rekomandime
• Përmbledhja: Zjarrvënia hibride është një instrument efektiv për destabilizim, i konfirmuar nga BE dhe NATO, duke përfshirë arrestime të autorëve në Kosovë dhe Ballkan.
• Mendime përfundimtare: Ky fenomen kërkon qasje të integruar ndërsektoriale dhe bashkëpunim rajonal.

• Rekomandime:

• Hartimi i strategjive kombëtare kundër zjarrvënieve hibride.
• Bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar për monitorim dhe reagim.
• Forcim i inteligjencës dhe përdorimi i teknologjive për zbulim të hershëm.
• Ligje të ashpra dhe masa penale për aktorët e arrestuar.
• Edukim publik dhe mekanizma raportimi bashkëpunues me qytetarët.
• Hartimi i strategjive kombëtare dhe rajonale kundër zjarrvënieve hibride.
• Investim në flota ajrore dhe tokësore moderne dhe trajnime për stafe të specializuara.
• Përdorim i dronëve, AI dhe teknologjive për paralajmërim të hershëm.
• Bashkëpunim ndërkombëtar për ndarjen e informacionit dhe koordinimin e emergjencave.
• Integrimi i masave parandaluese kundër përdorimit të zjarrvënieve si armë destabilizuese.

• Forcimi i kapaciteteve emergjente: Investime në trajnime dhe pajisje moderne.
• Bashkëpunimi rajonal: Mekanizma të përbashkët për reagim ndaj zjarreve dhe kërcënimeve hibride.
• Politika parandaluese: Strategji për parandalimin e zjarreve dhe identifikimin e kërcënimeve hibride.

Referenca / Fusnota

[^1]: European Union Agency for Law Enforcement Cooperation (Europol), Annual Report on Serious and Organised Crime Threat Assessment, 2023.
[^2]: NATO Strategic Communications Centre of Excellence, Hybrid Threats and the Use of Environmental Sabotage, Riga, 2022.
[^3]: Smith, James. Wildfires as a Tool of Hybrid Warfare. Journal of Security Studies, Vol. 15, No. 4 (2021): 45–62.
[^4]: Hellenic Fire Service, Annual Report, 2021.
[^5]: Turkish Ministry of Interior, Incident Report on Wildfires, 2021.
[^6]: Albanian Civil Emergency Agency, Bulletin on Wildfires, 2022.
[^7]: Ministry of Interior, North Macedonia, Fire Investigation Report, 2021.
[^8]: Montenegrin Police Directorate, Border Incident Report, 2022.
[^9]: Kosovo Fire and Rescue Services, Official Reports 2022–2023.
[^10]: Croatian Firefighting Association, 2022 Annual Report.
[^11]: European Environment Agency, Wildfires in Southern Europe, 2023.
[ 12] Racaj, M. (2025). Zjarret në Ballkan: Ndërmjet emergjencës, improvizimeve dhe mungesës së strategjisë, 6 gusht 2025.

Filed Under: Sociale

GONXHJA E SHKUPIT NË KURORËN E BOTËS

August 14, 2025 by s p

Si një simbol i paqes dhe shpresës, Nënë Tereza vazhdon të frymëzojë breza të tërë me mesazhin e saj të dashurisë dhe shërbimit ndaj të tjerëve. Pavarësisht kohës që kalon, filozofia e saj humane mbetet e pavdekshme dhe një udhërrëfyes për ata që dëshirojnë të bëjnë një ndryshim në botë. Për shqiptarët, ajo është një emër i paharruar, një model përulësie dhe dinjiteti

Nga Prof.dr Skender ASANI

Nënë Tereza, e njohur me emrin e lindjes Gonxhe Bojaxhiu, mbetet një nga figurat më frymëzuese dhe të ndritura të kombit shqiptar. E lindur në Shkup, ajo i dha kuptim të ri sakrificës dhe shërbimit ndaj njerëzimit, duke u shndërruar në një ikonë universale të dashurisë, paqes dhe humanizmit. Jeta dhe vepra e saj janë një dëshmi e fuqisë së bamirësisë dhe përkushtimit të pakushtëzuar ndaj të tjerëve. Si një figurë qëndrore e identitetit shqiptar, dhe si personazh kryesor i librit tim të posa botuar “GONXHJA E SHKUPIT NË KURORËN E BOTËS”,Nënë Tereza është një shembull frymëzimi për të gjithë ne. Ajo dëshmoi se madhështia nuk matet me pasurinë apo pushtetin, por me veprat e mira dhe gatishmërinë për t’u shërbyer të tjerëve. Në një kohë kur bota përballet me sfida të shumta, mesazhi i saj për dashurinë dhe dhembshurinë mbetet më i rëndësishëm se kurrë.

Trashëgimia e saj është një thesar shpirtëror për kombin tonë dhe për mbarë njerëzimin. Vepra dhe filozofia e saj na mësojnë se ndryshimi fillon me gjeste të vogla dashurie dhe mirësie. Prandaj, Nënë Tereza mbetet një figurë e pavdekshme, një dritë që vazhdon të ndriçojë rrugën e atyre që besojnë në fuqinë e dashurisë dhe shërbimit ndaj të tjerëve.

Në historinë e njerëzimit, pak figura kanë arritur të mishërojnë vlera universale si humanizmi dhe sakrifica në mënyrën që e bëri Nënë Tereza. Gonxhe Bojaxhiu – Nena Tereze, ajo ia kushtoi gjithë jetën ndihmës ndaj më të varfërve dhe të sëmurëve, duke u bërë një simbol i dashurisë dhe dhembshurisë pa kufij.

Humanizmi i saj nuk ishte thjesht një filozofi, por një mënyrë jetese. Duke themeluar Misionaret e Bamirësisë, ajo krijoi një rrjet global ndihme, duke u kujdesur për ata që shoqëria shpesh i harronte: të pastrehët, të sëmurët, fëmijët e braktisur dhe të vdekurit pa mbështetje. Për të, çdo njeri kishte vlerë dhe meritonte dashuri, pavarësisht fesë, kombësisë apo statusit shoqëror.

Por humanizmi i Nënë Terezës nuk do të kishte kuptim pa sakrificën e saj të jashtëzakonshme. Ajo la pas familjen, rehatinë dhe gjithçka personale për t’iu përkushtuar plotësisht të tjerëve. Kaloi vite të tëra duke punuar në kushte të vështira, shpesh mes sëmundjeve dhe varfërisë ekstreme, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga misioni i saj.

Nënë Tereza është dhe mbetet një shembull frymëzimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Në një botë ku shpesh dominon egoizmi dhe materializmi, mesazhi i saj për dashurinë dhe shërbimin ndaj të tjerëve është më i rëndësishëm se kurrë. Ajo na kujton se lumturia e vërtetë nuk vjen nga ajo që marrim, por nga ajo që japim.

Nënë Tereza e jetoi misionin e saj jo vetëm si një akt bamirësie, por si një angazhim të përhershëm për të ndihmuar më të dobëtit. Themelimi i Misionareve të Dashurisë ishte një nga arritjet e saj më të mëdha, duke krijuar një rrjet ndihme që u shtri në të gjitha kontinentet. Kauzat e saj humane nuk mbetën thjesht pjesë e së kaluarës, por vazhdojnë të jenë një udhërrëfyes edhe për të ardhmen tonë, duke na kujtuar se rruga drejt paqes dhe drejtësisë nuk mund të ndahet nga vlerat që ajo promovoi.

Shkupi, qyteti ku lindi dhe u rrit Nënë Tereza, ka një histori të pasur dhe një rëndësi të madhe për identitetin shqiptar. Për shekuj me radhë, ky qytet ka qenë një qendër kulturore, historike dhe shpirtërore për shqiptarët, duke dëshmuar lashtësinë dhe qëndrueshmërinë e tyre në këtë rajon.

Që nga periudha ilire, Shkupi ka pasur rrënjë të forta shqiptare, veçanërisht përmes fisit dardan, i cili ndikoi në formësimin e kulturës dhe traditave të kësaj zone. Me kalimin e shekujve, qyteti u bë një pikë kyçe e zhvillimit gjuhësor dhe kulturor shqiptar, duke qenë një vend ku u ruajtën dhe u përhapën vlerat kombëtare.

Ndikimi i krishterimit, veçanërisht i Kishës Katolike Shqiptare, luajti një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar. Figura të njohura si Pjetër Bogdani kontribuuan në mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar letrare dhe shpirtërore. Përkundër periudhave të vështira si sundimi osman dhe represioni jugosllav, shqiptarët e Shkupit mbetën të vendosur në mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave të tyre.

Shkupi nuk është thjesht një qytet, por një simbol i qëndresës shqiptare. Ai ka dhënë personalitete të mëdha që kanë ndikuar në historinë tonë kombëtare, duke përfshirë edhe Nënë Terezën, e cila u bë një figurë botërore e humanizmit. Përmes këtij qyteti, historia jonë dëshmon se identiteti shqiptar nuk është thyer asnjëherë, pavarësisht sfidave dhe ndryshimeve historike.

Prandaj, Shkupi mbetet një gur themeli për kombin shqiptar, një vend ku historia, kultura dhe identiteti kanë gjetur gjithmonë rrugën për të mbijetuar dhe për të ndriçuar të ardhmen.

Figura e Nënë Terezës është një nga më të ndritshmet jo vetëm në historinë botërore, por veçanërisht për kombin shqiptar. E lindur në Shkup me emrin Gonxhe Bojaxhiu, ajo u bë simbol i dhembshurisë, përkushtimit dhe humanizmit, duke ndikuar në miliona jetë në mbarë botën.

Ndikimi i saj kaloi përtej kufijve kombëtarë dhe fetarë. Përmes themelimit të Misionareve të Bamirësisë, ajo krijoi një rrjet të madh ndihme për të varfrit dhe të sëmurët, duke treguar se dashuria dhe kujdesi janë vlera universale. Jeta e saj ishte një dëshmi e sakrificës, duke e bërë atë një figurë frymëzuese për të gjithë njerëzimin.

Por për shqiptarët, roli i saj është edhe më i madh. Në një kohë kur kombi shqiptar kërkonte figura që ta përfaqësonin me dinjitet në botë, Nënë Tereza u bë një ambasadore e paqes dhe e humanizmit. Ajo e mbajti gjithmonë gjallë identitetin e saj shqiptar, duke e quajtur veten “një bijë e popullit shqiptar”. Kjo lidhje e saj me rrënjët shqiptare është një burim krenarie për kombin tonë.

Trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të ndikojë brezat e rinj. Ajo na mëson se madhështia nuk matet me pasurinë apo pushtetin, por me gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët. Mesazhi i saj na kujton se secili prej nesh mund të bëjë diçka të mirë për të tjerët, duke e bërë botën një vend më të dashur dhe më të drejtë.

Prandaj, Nënë Tereza mbetet një figurë e ndritur, një simbol frymëzimi dhe një pasuri shpirtërore për shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin. Roli dhe vepra e saj do të jenë gjithmonë një udhërrëfyes për ata që besojnë në fuqinë e dashurisë dhe të mirësisë.

Edhe pse pjesën më të madhe të jetës së saj e kaloi jashtë trojeve shqiptare, Nënë Tereza nuk e harroi kurrë origjinën e saj. Dashuria e saj për popullin shqiptar ishte e pakufishme, dhe ajo vazhdimisht e promovoi harmoninë dhe paqen. Vlerat që ajo përfaqëson – humanizmi, sakrifica dhe ndihma e pakursyer ndaj të varfërve – janë të rrënjosura thellë në kulturën dhe traditën tonë kombëtare.

Institucionalizimi i trashëgimisë së saj, siç po bëhet nga ITSHKSH përmes një departamenti të posaçëm, ndihmon në ruajtjen dhe studimin shkencor të figurës së saj. Shkupi, megjithëse përpjekjet për ta nderuar Nënë Terezën janë të dukshme, ka ende nevojë për përkujdesje institucionale më të thellë, si organizimi i meshave në gjuhën shqipe dhe ngritja e qendrave humanitare në emrin e saj.

Njerëzimi ka njohur shumë figura të mëdha, por pak prej tyre kanë ndriçuar botën me dritën e dashurisë dhe sakrificës si Nënë Tereza. Ajo mbetet një fanar ndriçues, jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë botën, si simbol i përkushtimit dhe dhembshurisë.

Jeta e saj ishte një dëshmi e gjallë e humanizmit të pastër. Duke lënë gjithçka pas, ajo zgjodhi të jetonte mes më të varfërve të Kalkutës, duke u bërë nënë për ata që nuk kishin askënd. Me veprat e saj, ajo tregoi se dashuria nuk ka kufij dhe se çdo njeri, pavarësisht fesë, kombësisë apo statusit, meriton dinjitet dhe kujdes.

Nënë Tereza jo vetëm që ndihmoi qindra mijëra njerëz, por edhe frymëzoi miliona të tjerë që të ndjekin rrugën e saj të mirësisë. Ajo na mësoi se nuk ka rëndësi madhësia e veprës që bëjmë, por dashuria me të cilën e kryejmë atë. Çmimi Nobel për Paqen që ajo mori në vitin 1979 ishte vetëm një simbol i njohjes globale të veprës së saj, por shpërblimi më i madh ishte dashuria që la pas në zemrat e njerëzve.

Edhe sot, vite pas shkuarjes së saj në amshim, figura e Nënë Terezës vazhdon të na udhëheqë. Ajo na kujton se bota mund të bëhet një vend më i mirë përmes veprave të vogla të dashurisë dhe mirësisë. Prandaj, ajo mbetet një fanar ndriçues, një dritë shprese që nuk shuhet kurrë.

Historia e saj na kujton se, pavarësisht sfidave që mund të hasim, vlerat tona dhe rrënjët tona kombëtare duhet të mbeten të patjetërsueshme. Trashëgimia e Nënë Terezës na kujton se forca e shpirtit dhe dashuria për tjetrin janë vlerat që duhet të na udhëheqin drejt një bote më të mirë dhe më të drejtë.

Nënë Tereza mbetet një nga figurat më të ndritura të njerëzimit dhe një krenari e madhe për kombin shqiptar. Jeta dhe vepra e saj dëshmojnë se humanizmi dhe sakrifica nuk kanë kufij, por burojnë nga dashuria e vërtetë për tjetrin. Përkushtimi i saj ndaj më të varfërve dhe të sëmurëve është një shembull i jashtëzakonshëm i altruizmit dhe dhembshurisë, vlera që janë thelbësore për një shoqëri më të drejtë dhe më të bashkuar.

Si një simbol i paqes dhe shpresës, Nënë Tereza vazhdon të frymëzojë breza të tërë me mesazhin e saj të dashurisë dhe shërbimit ndaj të tjerëve. Pavarësisht kohës që kalon, filozofia e saj humane mbetet e pavdekshme dhe një udhërrëfyes për ata që dëshirojnë të bëjnë një ndryshim në botë. Për shqiptarët, ajo është një emër i paharruar, një model përulësie dhe dinjiteti, një fanar ndriçues që do të udhëheqë gjithmonë rrugën tonë drejt mirësisë dhe solidaritetit.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT