Prof.Milazim KRASNIQI/
Ata që i kanë lexuar me vëmendje kujtimet e Ismail Qemal Vlorës, kanë më shumë shans të kuptojnë pse pikërisht ishte ai themeluesi i shtetit shqiptar. Kanë shans të kuptojnë se ai me decenie ishte i formuar që të bëhej një udhëheqës i madh. Kanë shans të kuptojnë se dy vlera i kishte të jashtëzakonshme: pasionin për punë dhe guximin kokëkrisur. Me punë ai u dallua dhe u imponua si njeri i suksesit, kudo ku u gjend. Me guxim bëri që edhe armiqtë ta respektonin. Në të vërtetë, guximi i tij ishte përtej çdo konvencioni politik të asaj kohe: ai nuk ishte vetëm opozitar ndaj sulltan Abdylamidit e xhortuqve, po ndaj gjithë trashëgimisë absolutiste të sundimit osman, sepse Ismail Vlora ishte politikan me bindje liberale. Duke qenë bashkëpunëtor dhe mik i reformatorit të madh, Mit’hat pashës, pas vdekjes së tij, Ismail Vlora u bë simbol i lëvizjes liberale në Shtetin Osman. Prandaj e pranuan si burrështetas dhe lider të shquar oborret mbretërore të Fuqive të Mëdha të Evropës. Qeveritarë e diplomatë të shumë anglezë, gjermanë, austro-hungarezë, italianë, etj., besuan se ai idetë liberale i kishte bindje, i kishte botëkuptim, prandaj e kishin referencë.
Duke e pasur atë staturë të politikanit të madh liberal, të besueshëm e të parashkikueshëm, kur erdhi puna për fatin e Shqipërisë, ai u etiketua si autoritet pas të cilit duhej t’i shkonte historia shqiptare. Pa besimin në kredencialet e tij liberale, puna mund të shkonte shumë më keq se sa që shkoi edhe në aktin e themelimit të shtetit (mund të mos proklamohej fare!) e edhe në Konferencën e Londrës. Në fakt, Ismail Qemal Vlora ishte një lloj garancie për pavarësinë e një shteti të ri, i cili kur u shpall dhe kur u pranua në Konferencën e Londrës, de fakto nuk ekzistonte. Faktikisht ekzistonte vetëm besimi në seriozitetin dhe konsekuencën e themeluesit të atij shteti. Mbi atë besim të akterëve vendimmarës, filloi ekzistenca e shtetit shqiptar. Pra, nga leximi i kujtimeve të tij mua më rezulton se përgatitja e tij e gjatë në beteja të rënda politike në Shtetin Osman, duke mbetur konsekuent i ideve liberale, e përgatiti që të bëhej themeluesi i shtetit shqiptar. (Kjo nuk ia zvogëlon as nuk ka pse ia fshehtë edhe gabimet që në kontekste të ndryshme ka bërë, gjatë asaj karriere të stuhishme politike.)
Historianët kanë bërë lloj-lloj interpretimesh për personalitetin dhe rolin e tij. Por askush më mirë se sa ai vetë nuk e ka ditur të vërtetën për të. Prandaj unë më shumë i besoj rrëfimit të tij se sa intererpretimeve të historianëve. Rrëfimi i tij është i rëndësishëm për ta kuptuar, së paku pjesërisht, anën e padukshme të fateve historike të kombeve e shteteve: kur Zoti u ofron mundësi shpëtimi, u mundëson njerëzve adekuatë të dalin në ballë të punëve. Në rastin e themelimit të shtetit shqiptar, nuk gjej shpjegim tjetër. Shqiptarët ishin një komb në proces formimi, me përçarje evidente fetare e krahinore, me rrethim tërësisht armiqësor, me moskuptim të hidhur nga qeveria xhonturke, me skepticizëm të Fuqive të Mëdha, pra, me të gjitha rrethanat të pavaforshme. I vetmi favor në atë realitet ishte dalja e Ismail Qemal Vlorës në ballë të punës. P. S. Lexojini kujtimet e Ismail Qemal Vlorës! Merrni vesh!