Dielli/
New York më 14 Nëntor 2021 – Dega e Vatrës Ridgewood vizitoi Selinë Qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Kryetari z.Bashkim Musabelliu i shoqëruar nga organet drejtuese të degës dhe anëtarë, u pritën solemnisht nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, Kryetari i Degës së Vatrës Manhattan z.Agustin Mirakaj, Kryetari i Degës së Vatrës New Jersey Adem Malellari, vatranë, gazetarë, poetë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë. Në fjalën e hapjes dhe të mikëpritjes kryetari i Vatrës z.Berisha theksoi rëndësinë e krijimit të degëve të reja të Vatrës në të gjithë Amerikën e Kanadanë si një bashkim energjish, vlerash për të avancuar më tej çështjen kombëtare dhe shërbimin ndaj kombit e bashkatdhetarëve tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Z.Berisha e quajti sukses krijimin e kësaj dege e cila bashkë me degën më të re të Vatrës në Miami po i japin një fytyrë të re me prurje të reja intelektuale dhe kapacitete profesioanle mbarëkombëtare që i shërbejnë më së miri Vatrës së sotme dhe Vatrës të së ardhmes. Kryetari i Vatrës Ridgewood z.Bashkim Musabelliu ekspozoi para të pranishmëve punën e bërë deri tani dhe shpjegoi hapat që do të ndiqen në vazhdim me qëllim forcimin e degës së Vatrës në Ridgewood dhe Vatrës në të gjithë Amerikën dhe Kanadanë. Në këtë takim u bë anëtari më i ri i Vatrës në Ridgewood z.Bahri Boriçi ish kryetari i Bashkisë së Shkodrës dhe personalitete të tjera që në diasporën shqiptare të New York-ut. Z.Berisha nënshkroi kontratën e Vatrës qëndrore me degën e Vatrës në Ridgewood dhe New Jersey të cilat vazhdojnë traditën e trashëguar nga etërit themelues duke e futur Vatrën dhe marrëdhënien e saj me degët në një kornizë ligjore të forte dhe të qëndrueshme. Në përfundim të takimit festiv u shtrua një drekë vëllazërore në ambjentet e Federatës Vatra, përgatitur me fisnikëri e përkushtim nga patrioti Toni Musaj.