Hazir MEHMETI, Vjenë
Austria është vendi ku shqiptarët studiuan dhe vepruan shekujve. Nga këto Universitetet dolën figura madhore kombëtare në gjuhë, art, shkencë. Kjo traditë vazhdon dhe në ditët tona. Mes atyre që trasojnë rrugën e lavdishme me dobi për njeriun dhe kombin, sot është edhe skulptori i njohur Destan Gashi dhe Barbara Gashi, piktore.
Nga dashuria dhe respekti e vizituam atelienë e tij të pasur, nga ju sjellim disa rreshta.
Një ditë të bukur udhëtojmë deri në Himberg, jo larg Vjenës, aty ku është Atelieja e familjes Gashi. Oborri me skulptura dhe koloritin krijonin ambient të bukur. Destani na priti me bujarinë e tij të çiltër, veçori e tij prej njeriut bujar me shpirte artisti. Një gotë raki nga dora e parë mes skulpturave që flasin thellë nga shpirti e tij.
Mirësevini! Na nderuat, tha i gëzuar duke na shikuar me radhë.
Një ambient ku shkruan maja e daltës në gur; mes tyre gra e burra muskulor pozitash që flasin, aty flamuri i trevave etnike shqiptare; aty rruga e tij mes dragonjve, kuçedrave, engjëjve, idhujve, ushtarit të rënë buzë gurit kufitar; aty legjendat, hasjanjet, I sapo linduri i Rozafës, Portret Skënderbeu, Kali i Doruntinës e shumë tjera. E fundit që takuam ishte skulptura në gurin e veçantë e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të rrethuar me skulptura mermeri biseda bëhet më reale, e natyrshme në ambientin e punës, aty ku kënaqësia artistike ndihet lehtë, fillon biseda jonë e shoqëruar me mall Atdheu. Dashuria e malli të jep forcë, kjo ndihej gjithandej ateliesë së artistit.
Vepra ime më e dashur është I Sapolinduri i Rozafës e cila tani është në lokalitetin e njohur në Baden, periferi e Vjenës. Jam mahnitur nga krahina e Hasit me ato traditat karakteristike të ruajtura nga hasjanet dhe ishte ky burim frymëzimi për mua në realizimin e gjashtë hasjaneve në gurë, aty e kam ndie veten jashtëzakonisht të lumtur. Ato punime i kam në Kosovë.
Kam ekspozuar para disa vitesh, ishte hera e parë pas pritjes sime të gjatë. Në transportimin e skulpturave pata mbështetjen e Ministrisë së Diasporës. Ekspozita u mbajt në mesoren e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Ishte një ndjenjë gëzimi e lumturie e pa përshkruar. Pas Prishtinës ishte Shkodra, qyteti shqiptar i kulturës, ku hapa ekspozitën e radhës.
“Me Barbaren kemi studiuar së bashku në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel. Barbaren e kam jo vetë bashkëshortë, por edhe shoqe e gjithçka tjetër. Ajo flet rrjedhshëm shqipen, i do shumë shqiptarët dhe i respekton. Është shumë e sjellshme në jetën e përditshme. Ajo pikturon dhe karakteristika e pikturave të saj është uji, uji në lëvizje.
Djali ynë emrin e ka Guri, Guri Gashi. Pas lindjes e biseduam me Barbarën rreth emrit. Me çka punoj unë, e pyeta Barbarën. Me gur, më tha ajo duke qeshur sikur ta zbulonte enigmën tonë për të cilën nuk kishim folur, por doli shumë i thjeshtë nga brumi i veprave artistike që flisnin gjithandej hapësirave të pallateve, kështjellave, bankave, parqeve, fabrikave e shtëpive. Ia vëmë emrin Guri, e trashëgoftë, i them i emocionuar. Barbara ndjeu lehtësim dhe krenari me emrin aq të bukur e domethënës në jetën e tyre. Sot Guri krenar me prindërit e tij është i rritur me koloritin shpirtëror të brushës dhe madhështisë e skalitur në gur.”
“Dashuria e Destanit është guri, nëse ia dhurojmë një bjeshkë nuk do ti mjafton”, kritiku austriak i njohur i artit, Sandra Sagmeister
Destani është vet legjendë, e ushqeu Rosafa me gjirin e saj, i dha forcë e kurajë deri në Brukselin e njohur, ia hapi dyert e shpirtit krijues mbi tabanin mijëvjeçar pellazgë-ilir. I shkëlqyeshëm në skulpturë, i shkëlqyeshëm në pikturë. Brukseli hapi zemrën, e donte ligjërues Destanin, “Këtu të duam profesor, urdhëro skenën e mësimdhënies, urdhëroni besimin tonë!” Dekorimi: “Medaljoni i Qytetit të Brukselit” ku kontinenti flet.
Destani falënderoi i heshtur hipur në Kalin Pullali drejtë shtigjeve ku prehej mermeri: Itali, Spanjë Austri e gjithë andej ku troku nuk ndalej. Në qytetin ku udhëtohet vetëm me barka e priti Zana e tij Borëbardhë me pikturat e jetës për nesër. Brusha e dalta u bënë jetë e art, art e jetë. Skulpturat e Destanit e pikturat e Barbarës sot dhurojnë kënaqësi arti në Parlamentin Europin, Parlamentin Austriak, Bankat e njohura në Austri, Hapësirave të oborreve mbretërore, kopshteve të qendrave kulturore, parqeve madhështore të metropoleve dhe shumë dashamirëve të artit gjithandej globit. Ai është pjesë e aktiviteteve artistike të organizuara nga Bashkia, Landi i Vjenës, Austrisë së Ulët dhe pjesë e katalogëve më në zë në vend. Për te folën shumë pozitivisht kritikët e artit, sot flasin dekoratat e shumta ndër më të dashurat “Medaljoni i Qytetit të Brukselit”.