
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Që prej krijimit si shtet me 1878, Serbia asnjëherë nuk e ka gjetur rehatinë e saj brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, madje edhe kur territorin i saj është zgjeruar më së shumti në Ballkan. Synimi afatgjatë e serbëve ishte ngritja e një perandorie që do të shtrihej nga Deti Adriatik e deri në Detin e Zi, me qëllim serbët, të bëhen kombi numerikisht më i fortë në rajon, që do të merrnin rolin kryesor. Brenda vetëm disa viteve, Serbia arriti të serbizonte territoret shqiptare në Toplicë, si dhe në dekadat e ardhshme edhe territoret tjera në Novi Pazar dhe Vojvodinë. ishte zhvilluar në një fuqi vendimtare rajonale. Tipike për furinë e entuziazmit kombëtar i fitoreve në Luftën e Parë Ballkanike 1912, ishte ideja e elitës politike dhe ushtarake serbe për pushtimin e Durrësit dhe daljes në Adriatik me qëllim që në të ardhmen të ndërtonte një flotë detare dhe të hapte shtegun e dominimit rus në Ballkan.
Kur trupat serbe pushtuan Durrësin në nëntor 1912 dhe futën nën kontroll portin e qytetit, ekzaltimi serb nuk kishte kufij, që është afishuar edhe në artikullin e gazetës “Politika” të datës 24 nëntor 1912, në të cilin populli i vetëm qiellor deklaronte se Adriatiku shqiptar u bë “deti i serbëve”: Por, kjo mbeti një ëndërr e parealizuar, edhe pse Beogradi asnjëherë nuk hoqi dorë nga ky synim.
Kjo ëndërr dukej e afërte edhe gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, kur shtetet e Antantës me Traktatin e Londrës të vitit 1915 i ofruan Serbisë territoret e gjysmës së Shqipërisë, duke përfshirë edhe pjesën e Adriatikut. Dhe në fund të Luftës së Parë Botërore, përkatësisht në Konferencën e Paqes në Paris, ishte presidenti amerikan Woodrow Wilson politikani që prishi planet serbe për dalje në detin Adriatik. Pas vendimit për krijimin e shtetit të sllavëve të jugut, Mbretërisë Serbe Kroate dhe Sllovene, Wilson u tregua i vëmendshëm ndaj ambicieve të pa frenuara të Serbisë dhe për këtë ai do të paraqiste argumente. Do të ishte gabim t’u jepet serb[ve flotë ushtarake –detare, mendoi Wilsoni: “Do të bëhet një kombe i harbuar, meqë edhe kështu ata janë popull turbullues, dhe nuk duhet të kenë një flotë që të luajnë mendsh.”
Politika serbe iu rikthye ambicieve për dalje në Adriatik edhe gjatë luftërave të viteve 1990-të.Sipas dokumentit (Gjashtë Objektivat Strategjike) të miratuar në maj 1992 nga Kuvendi i “Republikës Serbe” serbët kërkonin që “Republikës Srpska” t’i sigurohej një korridor midis Serbisë dhe Krajinës si dhe dala në detin Adriatik.
Përpjekjet serbe për dalje në Adriatik kishin për qëllim të realizonin projektin e një Serbie si një fuqie rajonale. Andaj, cilësimi i Adriatikut si “territor serb” në bazë të rëndësisë strategjike dhe jo të përbërjes etnike, do të thoshte se ky territor jo serb duhej të pushtohej dhe serbizohej me forcë. Pavarësisht dështimit të kësaj ëndrre, përpjekjet e popullit të vetëm qiellor vazhdojnë, por është e njohur tashmë se “sa herë që një popull i vogël është përpjekur luaj rolin e një fuqie në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e vet.”