
Nga Evarist Beqiri*/
“Pse lufton a derëzi
As për mua as për ti
Por për gjithë Shqipëri.”
– Populli
Dikur Fan Noli shkruante se, shpesh dëgjojmë të thuhet se Shqipëria u krijua nga një pakicë. Kjo është një e vërtetë që s’duhet mohuar, por në thelb, është edhe historia e të gjitha kombeve të botës. Shembulli më domethënës është ai i Indisë, një vend me mbi 400 milionë banorë në kohën e çlirimit të saj. Por kush e çliroi Indinë? Mahatma Gandhi.
Kur nisi lëvizjen e tij, Gandhi nuk kërkoi armë, as luftë. Ai besoi se liria mund të arrihej me mjete paqësore. “Mjafton të kem 25 mijë njerëz që të ndjekin saktësisht atë që unë them, si ushtarë,” deklaronte ai. Dhe në të vërtetë, nuk pati më shumë se kaq. Me këtë grusht njerëzish, pa shkrehur asnjë armë, ai e solli lirinë në një ndër vendet më të mëdha të botës.
E njëjta gjë pak a shumë ndodhi edhe me Shqipërinë. Një lider, Ismail Qemal Vlora, udhëhoqi një pakicë idealistësh drejt pavarësisë. Ata ishin me vullnet të hekurt dhe besonin thellësisht në idealin e lirisë. Historia na tregon se shpeshherë, ndryshimet më të mëdha nuk i sjellin turmat, por grupimet e vogla që dinë çfarë duan dhe nuk ndalen përpara vështirësive.
Rrugëtimi drejt pavarësisë filloi që të merrte udhë me arratisjen e Ismail Qemal Vlorës nga Stambolli, më 1 maj 1900. Qysh, më 7 maj 1900, gazeta franceze “Le Matin” do të shkruante se, “Ismail Qemal beu është shprehur hapur për reforma serioze në Shqipëri. Duke paralajmëruar se përndryshe situata në këtë provincë do të ketë komplikime të rënda. Përmbledhtazi, ai kërkon njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, përdorimin e taksave të paguara nga populli shqiptar në favor të Shqipërisë, dhe vendosjen e një sistemi gjyqësor të paanshëm.”
Ismail Qemali ishte një shtetar i matur. Ai nuk dëshironte të rrezikonte menjëherë me kërkesën për pavarësi. Fillimisht, ai donte të bashkonte rreth vetes gjithë shqiptarët, përfshirë këtu edhe ata të cilët nuk e pranonin një shkëputje përfundimtare nga Perandoria Osmane, sepse mendonin se ruajtja e organizimit osman ishte e vetmja mundësi shpëtimi për shtetin shqiptar. Kjo është pikërisht ajo çka bën një lider, ai i kupton nevojat dhe shqetësimet e njerëzve të tij dhe i përgatit ata gradualisht për të ardhmen.
Në vijim, më 16 qershor 1900, Ismaili u nis nga Athina për në Itali. Gjatë qëndrimit në Romë, ai dha një intervistë për gazetën “Tribuna”, e cila u botua më 26 qershor 1900, në Romë. Intervista është një dokument me rëndësi, që ndriçon pikëpamjet e Ismail Qemalit për çështjen shqiptare. Intervista për gazetën e njohur italiane “La Tribuna”, u botua në faqen e parë të martën e 26 qershorit të vitit 1900, nën titullin “Kriza në Turqi”. Ajo është realizuar në Hotel d’Europe në Romë, ku Ismail Qemali po qëndronte prej dy ditësh, i ftuar si mik i Italisë, së bashku me tre djemtë e tij. Gazetari e prezanton Ismail Qemalin si “një njeri me ide reformatore dhe si një nga udhëheqësit më autoritarë të kombit shqiptarë, i cili kishte filluar të vlonte. Sipas artikullit, tema e Shqipërisë ishte një nga çështjet e ditës… Ismail Qemali përshkruhet si një burrë i pashëm, në kulmin e moshës. I gjatë, i bëshëm dhe me fytyrën e nxirë nga dielli e të rrethuar me një mjekër me qime gri e të bardha. Sytë e tij janë të gjallë e penetrues dhe ai të ngjall menjëherë simpati të sinqertë. M’u duk sikur nuk ishte hera e parë që po e takoja… – vijon gazetari Sombrero.
Ismail Qemal beu është i bindur se marrëveshja austro-ruse e vitit 1897 që e ndau Ballkanin në dy zona influence, është në favor të Rusisë… Ekziston një çështje shqiptare, – thotë Ismail Qemali, – sepse fuqitë evropiane me inkoherencën e tyre të zakonshme, pasi morën një vendim që do të duhej që t’ju jepte kënaqësi aspiratave legjitime të shqiptarëve, nuk u kujdesën që ta zbatonin. Sa i takon xhonturqve, është një tjetër gabim i Evropës që beson se ekziston në Turqi një parti me këtë emër; parti reformatore, e organizuar seriozisht. Quhen xhonturq të gjithë të pakënaqurit…
Ishte më mirë tek ne para 35 vitesh. Unë atëherë argëtohesha duke bërë gazetarin dhe mund të shprehja lirisht gjithçka që kisha në mendje. Tani është e ndaluar edhe të shqiptosh e të shkruash fjalët “komb” dhe “atdhe”… Këto që po jua them juve sot, kam pasur gjithmonë kurajën që t’ia them sulltanit. Sovrani im nuk është kurajoz, dhe nuk godet asnjëherë drejtpërdrejt. Një ditë të bukur sulltani më thotë se meqë në Tripoli i duhej një njeri i zgjuar dhe energjik, kishte menduar për mua, si guvernator. Ju përgjigja duke i kërkuar nëse po shkoja për të reformuar apo për të konservuar. Sulltani heshti…” Gazetari flet edhe për takimin e Ismail Qemalit me ministrin italian të Punëve të Jashtme markezin Viskonti-Venosta dhe Krispin “burrin e madh të shtetit që lavdërohet me origjinën e tij shqiptare. Në mbyllje të intervistës, gazetari Sombrero kujton se Ismail Qemali i shtrëngoi dorën duke i thënë: – “Mbaj mend: Kundër pan-sllavizmit nuk ka digë tjetër të mundshme përveçse lidhjes shqiptaro-greko-turke. Dhe e para që do të përfitoj do të jetë Italia!”.
Ndërkohë, sulltani po mundohej t’i krijonte pengesa dhe i dërgoi udhëzime ambasadorit të tij në Romë që të bënte çmos për ta larguar Ismail Qemalin, duke e kërcënuar për rrezikun e rrugës që kishte ndërmarrë. Njëkohësisht edhe në popull filloi propaganda kundër veprimtarisë së Ismail Qemalit. Këto përpjekje, si dhe takimi që sulltani kishte zhvilluar paraprakisht në Stamboll me Mbretin Viktor Emanuelin e Savojës, ku ai i kishte folur atij për Ismail Qemalin, rezultuan të dështuara. Ismail Qemali vazhdoi të qëndronte në Romë, ku vijoi takimet e tij me politikanë të ndryshëm për të çuar përpara çështjen shqiptare.
Ndër këto takime, më i veçanti ishte ai me ish-kryeministrin italian Françesko Krispin (1818 – 1901), i cili i foli me krenari të madhe për prejardhjen e tij shqiptare. Ismail Qemali, pati fatin të qëndronte në Hotel de l’Europe, ku shtetari i shquar banonte me të gjithë familjen. Ai i foli shqip Ismail Qemalit dhe me bindjen se së shpejti fati i Shqipërisë do të ndriste.
Nuk është i rastësishëm qëndrimi dhe takimet e Ismail Qemalit me këta politikanë në Romë. Tashmë, arbëreshët e Italisë kishin kaluar nga veprimet individuale te veprimet kolektive në kuadër të çështjes shqiptare. Me iniciativë të De Radës, Skiroit dhe Anselmo Lorecchio-s, në vitet 1895 dhe 1897, ishin mbajtur dy kongrese gjuhësore, të cilat shpalosnin dëshirën e arbëreshëve për të çuar përpara çështjen shqiptare. Në kongresin e parë të zhvilluar në Corigliano Calabro në tetor të 1895, Françesko Krispi ishte zgjedhur president nderi. Duke e pranuar nderin Krispi i telegrafoi kongresit dhe, duke u folur “si një shqiptar me gjak dhe me zemër”, ai i përgëzonte për iniciativën, e cila, siç shpresonte ai, do t’i shërbente civilizimit të Shqipërisë dhe progresit të letërsisë së saj.
Nga burime italiane mësojmë se, raca Shqiptare ishte, në sytë e Krispit, një komb i lashtë. Historia politike, institucionale, kulturore, fetare, dhe ajo e gjuhës, së Shqipërisë, ishte qartësisht e identifikueshme dhe organikisht e rrënjosur në historinë e Evropës Jug-Lindore; një histori që kishte qenë për një kohë të gjatë pjesë përbërëse e historisë së Evropës. Kështu, ai vijoi të mbronte energjikisht dhe me vendosmëri si interesat italiane në Shqipëri edhe interesat kombëtare të shqiptarëve, duke e mbajtur këtë rajon, me aq mundësi sa kishte, larg synimeve hegjemoniste austriake dhe duke theksuar vazhdimisht se krijimi i shtetit të lirë e të pavarur shqiptar ishte shkruar në mënyrë të pashmangshme në të ardhmen e Gadishullit Ballkanik, dhe se ky do të ishte faktori i stabilitetit, paqes dhe prosperitetit, qoftë për kombin shqiptar, për Italinë, për vetë Austrinë dhe gjithë Europën.
Krispi ishte me origjinë shqiptare dhe mburrej për këtë. Ai krenohej që i përkiste një race që dallohej për qëndrueshmëri dhe vlera. Në vitin 1860, në kulmin e fushatës garibaldiste, jo rastësisht ishte ai që inicioi dekretin e datës 12 tetor, që u lejonte arbëreshëve të Sicilisë, të cilët janë dalluar në ishull në të gjitha luftërat kundër tiranisë, që të gëzonin çdo liri të praktikimit të kultit ortodoks lindor.
Familja e tij kishte emigruar në shekullin e pesëmbëdhjetë nga Shqipëria dhe ishte vendosur në Siçili. Duke folur për Shqipërinë, Krispi një herë tha këto fjalë: “Ne kemi për detyrë të shmangim, ose të paktën të ruhemi nga çdo ndikim i huaj në këtë vend. Paprekshmëria e Shqipërisë duhet të vihet në krye të politikës sonë të jashtme. Neglizhimi i kësaj pike do të ishte ngritja e një pengese të pakapërcyeshme për të ardhmen tonë në Adriatik.”. Vizioni i tij për evoluimin historik të Gadishullit Ballkanik ishte gjithmonë shumë i qartë. Osmanët kishin penguar atje zhvillimin e popujve, atë që kishte ndodhur në botën evropiane nga shek i V e në vazhdim, duke e shuar me shpatë e zjarr çdo filiz të zhvillimit njerëzor.
Në një nga shkrimet e tij të datës 1 maj 1900, Krispi shpalosi idenë e tij për çështjen shqiptare: “Kohët e fundit, tha ai, pohohet me shumë lehtësi se diplomacia vjeneze po mediton për pushtimin e Shqipërisë. Ky pohim është më i veçanti. Shqipëria nuk është sllave; është një komb me personalitetin e tij, me një gjuhë dhe zakone që të kujtojnë origjinën e tij pellazge. Në këto kushte, do të kuptonte se duke pranuar një zotim të gjatë dhe të lashtë, do të pranohej që Shqipëria të shpallte pavarësinë e saj, por do të ishte një gabim shumë i rëndë ta inkorporoje atë në vendet sllave të Evropës. Pranimi për aneksimin e Shqipërisë në Austri nuk do të ishte një avantazh për këtë perandori, dhe do të ishte një dëm i pallogaritshëm për Italinë, e cila do të shihte kështu fshirjen dhe përgjithmonë të çdo gjurmë të influencës së saj mbi Adriatik. Një ofendim i tillë ndaj arsyeve tona, të drejtave tona, të mbështetura në një traditë të lavdishme, nuk do të ndodhë. Miqësia e ngushtë dhe e përzemërt, e kultivuar gjatë pesë shekujve, e sjell Shqipërinë shumë më afër nesh sesa me Perandorinë Austriake, ku aneksimi i saj vetëm sa do të rriste mosmarrëveshjet racore dhe konfuzionin e gjuhëve.”
Pas Krispi-t, Markezi i San Giuliano-s dhe Konti Guicciardini u kujdesën për Shqipërinë. Këta dy ministra vazhduan programin e Krispi-t. Gazetat italiane shtojnë se këta dy ministra me Krispi-n ishin pararendësit e promotorët dhe vazhduesit e politikës shqiptare që Italia inauguroi në 1890.
Pasi qëndroi tri javë në Romë, Ismail Qemali u nis për në Zvicër. Ndërkohë, ai u informua se, sulltani kishte dërguar agjentë në mbarë Shqipërinë për të zhvilluar propagandë kundër tij, me qëllim kundërshtimin e veprimeve të tij nga shqiptarët. Në shumicën kryesore të qendrave shqiptare njerëzit nuk u pajtuan me dëshirën e të dërguarve të sulltanit. Kurse Esad pashë Toptani, kreu i xhandarmërisë në Janinë, shkoi në Vlorë dhe u tha njerëzve aty, se do ta kishin punën keq nëse nuk jepnin deklaratë me shkrim kundër veprimeve të Ismail Qemalit.
Gjithashtu, Ismail Qemali, vihet në dijeni nga miqtë e tij në Stamboll, se sulltani kishte dërguar njerëz nëpër Europë për t’i bërë atentat. Madje, gjatë qëndrimit në Gjenevë, ai vihet në shënjestrën e atentatorëve të sulltanit, prandaj policia zvicerane i shtoi masat e sigurisë ndaj tij.
Ismail Qemali kishte një dëshirë të hershme për të pasur një organ shtypi për të mbrojtur kauzën shqiptare. Për këtë qëllim, ai i shkroi Faik Konicës, i cili botonte prej disa vitesh gazetën “Albania” në Bruksel, për t’u takuar me të dhe për të parë mundësinë që ta merrte ai gazetën “Albania”. Ismail Qemalit i pëlqeu shumë Brukseli dhe vendosi që ta zgjidhte si vendbanimin e tij të ardhshëm. Në fillimin e viteve ‘900, ai punoi së bashku me Faik Konicën për revistën “Albania”. Ai donte të gjallëronte revistën “Albania”, prandaj përfundoi një marrëveshje me Faik Konicën pronarin e saj, dhe mori drejtimin. Gazeta ndryshoi edhe emrin në “SHQIPNIA”, në periudhën që u drejtua nga Ismail Qemali. Marrëdhëniet me Faik Konicën nuk zgjatën shumë. Dhe Ismail Qemalit iu desh të hapte një gazetë tjetër. Ajo titullohej “Le Salut de l’Albanie”. Gazeta shtypej në shqip, turqisht e greqisht. Arsyeja kryesore e nxjerrjes së kësaj gazete ishte mbrojta e kauzës shqiptare.
Nga ana tjetër Ismail Qemali punonte me qëndrueshmëri për sensibilizimin e opinionit publik evropian, kundër pansllavizimit dhe pangjermanizmit. Një dëshmi e këtij fakti është intervista e Ismail Qemalit për gazetën italiane “Il Giornale d’Italia”, më 16 gusht 1903. Kjo intervistë me titull “Çështja e Lindjes dhe Italia”, për gazetarin e mirënjohur italian Vittorio Vettori, shpalos aftësitë diplomatike të Ismail Qemalit, i cili luftonte për çështjen shqiptare, duke ekuilibruar mjeshtërisht interesat e ndryshme të Fuqive. Gazetari e përshkruan fytyrën e Ismail Qemalit, me linja të ëmbla dhe energjike. Ai e konsideron atë si një shqiptarë nga lindja dhe nga shpirti. Gazetari nënvizon se, ideali i Ismail Qemalit është njohja e kombësisë shqiptare dhe reformimi i Perandorisë turke. Qysh prej largimit të tij dramatik në 1900 – vijon më ai më tej – Ismail Qemali mbron nëpër Evropë kauzën e një Shqipërie autonome dhe të lirë dhe të një Turqie civile dhe moderne.
Në një tjetër intervistë të dhënë për gazetën italiane “La Tribuna” më 27 korrik 1907, Ismail Qemali shfaqi një analizë të thellë dhe largpamëse mbi situatën gjeopolitike të kohës. Ai vlerësonte se, ndonëse Perandoria Osmane gjendej fizikisht pranë Evropës, ajo “ruante ende një frymë orientale”, e cila e pengonte integrimin e saj të plotë në botën perëndimore. “Turqia është një shtojcë e Evropës, por duhet të dallojmë në të një masë orientale që nuk mund të asimilohet tërësisht nga Evropa vërtet” – thotë Ismail Qemali.
Përtej këtij vëzhgimi kulturor, Ismail Qemali parashikonte me një qartësi të rrallë për kohën ndikimin përçarës që do të shkaktonin në Ballkan dy rrymat e mëdha ideologjike e gjeopolitike të shekullit XX: pangjermanizmi dhe pansllavizmi. Në kontekstin e dobësimit të Perandorisë, ai paralajmëronte për një destabilizim të pashmangshëm në hapësirën ballkanike, ku interesat e mëdha kombëtare e ndërkombëtare do të përplaseshin gjithnjë e më ashpër. Ky reflektim i hershëm i Ismail Qemalit nuk është thjesht një analizë historike, por dëshmi e një mendjeje politike që e kuptonte thelbin e ndryshimeve epokale që po afroheshin në Evropën Juglindore.
Procesi i krijimit të shtetit shqiptar nuk mund të kuptohet në mënyrë të plotë pa analizuar rolin vendimtar të diplomacisë ndërkombëtare, në veçanti përgjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (dhjetor 1912 – gusht 1913). Konferenca, e thirrur për të rishkruar hartën politike të Ballkanit pas Luftës së Parë Ballkanike, u kthye në një arenë negociatash midis interesave të kundërta të Fuqive të Mëdha, të cilat shihnin në Ballkan një zonë strategjike për influencën e tyre afatgjatë.
Në këtë kontekst, Austria-Hungaria dhe Rusia – dy fuqi që mbështesnin respektivisht interesat e shqiptarëve dhe të sllavëve jugorë – arritën një kompromis të brishtë. Kjo mundësoi njohjen ndërkombëtare të një Shqipërie të pavarur, por brenda kufijve të caktuar nga realpolitika ndërkombëtare, dhe jo nga parimi i vetëvendosjes së kombeve.
Për Austro-Hungarinë, krijimi i një shteti shqiptar shërbente si barrierë gjeopolitike ndaj daljes së Serbisë në Adriatik, duke ruajtur status kuo-në detare dhe ndikimin austriak në rajon. Nga ana tjetër, Rusia, si mbështetëse tradicionale e sllavëve ortodoksë, pranoi këtë pavarësi të kufizuar shqiptare me kushtin që të garantohej ekspansioni serb dhe grek në territore të tjera me shumicë shqiptare (si Kosova dhe pjesë të Maqedonisë dhe Greqisë së sotme), çka e deformoi rëndë hartën kombëtare shqiptare.
Shteti shqiptar ishte një kompromis i pastër diplomatiko-strategjik, ku liria politike e kombit shqiptar u sakrifikua pjesërisht për të ruajtur balancat e brishta të fuqive. Ky precedent diplomatik do të ndikonte për dekada të tëra fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë kufijve të saj zyrtarë, duke krijuar një çështje shqiptare të pazgjidhur, që vijon të ketë pasoja edhe në të sotmen.
Gjatë punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, ishte e qartë se vendimet nuk do të udhëhiqeshin nga parimi i vetëvendosjes së popujve, por nga interesat strategjike të gjashtë fuqive të mëdha (Britania, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Midis tyre, Britania e Madhe, edhe pse nominalisht në favor të ruajtjes së ekuilibrave në Mesdhe, mbajti një qëndrim shpesh kontradiktor, duke mos u angazhuar drejtpërdrejt për mbrojtjen e interesave shqiptare, por as përkrahur përparimin sllav drejt Adriatikut. Ndërsa Franca, si aleate e ngushtë e Rusisë, ruajti një qëndrim më të rezervuar ndaj idesë së një Shqipërie të gjerë dhe të konsoliduar politikisht.
Përkundrazi, Austro-Hungaria përfaqësonte mbështetjen më të fuqishme ndërkombëtare për kauzën shqiptare, jo domosdoshmërisht për idealizëm, por si pjesë e strategjisë së saj për të frenuar pansllavizmin dhe për të mbajtur nën kontroll qasjen e tij në Adriatik. Nga ana tjetër, Rusia, përmes mbështetjes së hapur ndaj kërkesave serbe, malazeze dhe greke, kontribuoi në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë në mënyrë të tillë që më tepër se gjysma e territorit etnik shqiptar të mbetej jashtë saj.
Austro-Hungaria dhe Italia dolën si mbrojtëset më të zëshme të çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më tepër nga nevoja për të frenuar ambiciet serbo-malazeze. Dhe njëkohësisht për të ruajtur ekuilibrin me Rusinë në Adriatik. Mbështetja e tyre për Shqipërinë kishte synim të qartë: të pengonte Serbinë dhe Malin e Zi të zinin portet në Detin Adriatik. Porti i Durrësit duhet që të ishte pjesë e Shqipërisë, nëse flasim për një shtet shqiptar funksional.
Referuar burimeve amerikane, Shkodra u bë simbol i ndërhyrjes austro-hungareze. Më 26 janar 1913, rusët kërkuan që nëse Shkodrën do ta mbante Shqipëria, qyteti tregtar shqiptar i Gjakovës në Kosovë, do ti jepej Serbisë, jo shtetit të ri shqiptar. Kjo kërkesë shkaktoi një bllokim të përkohshëm të negociatave, që zgjati deri në fund të marsit 1913, kur Austro-Hungaria pranoi që serbët ta mbanin Gjakovën, të cilën ata e kishin pushtuar. Në këtë kohë, ambasadorët e kishin vendosur që Shkodra do t’i mbetej Shqipërisë, pavarësisht fatit të rrethimit të saj.
Ndryshe nga kufijtë veriorë dhe perëndimorë, ku Austro-Hungaria u tregua pak më e vendosur, interesimi i saj për kufirin jugor të Shqipërisë ishte dukshëm më i vakët. Mungesa e një konflikti të drejtpërdrejtë me Greqinë dhe largësia e zonës nga interesat strategjike austro-hungareze çuan në një qëndrim pasiv. Austro-Hungaria lëvizte midis kalkulimit strategjik dhe indiferencës selektive. Ndërkohë, Greqia vendosi bllokadën detare për të izoluar Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe përpiqej që të siguronte Janinën dhe bregun jugor shqiptar. Asnjë Fuqi e Madhe nuk bëri asnjë përpjekje serioze në Londër për të ndaluar Greqinë që të merrte Janinën. Duke e lejuar faktin e kryer. Austro-Hungaria, që ishte treguar e vendosur për të ndaluar Serbinë dhe Malin e Zi që të dilnin në Adriatik, nuk tregoi të njëjtën vendosmëri ndaj interesave greke në jug të Shqipërisë.
Qasja e saj ishte thellësisht selektive. Ndërhyrja e vetme ndodhi vetëm kur marina greke bombardoi Vlorën, më 3 dhjetor 1912. Por, kjo ndërhyrje nuk u shoqërua me përpjekje të qëndrueshme për të garantuar kufijtë jugorë të Shqipërisë. Indiferenca ndaj çështjes së Janinës apo viseve të tjera shqiptare në jug dëshmon se për Austro-Hungarinë, Shqipëria nuk ishte një projekt në vetvete, por një mjet për të frenuar zgjerimin sllav dhe për të ruajtur ekuilibrin në Adriatik. Më shumë sesa një akt solidariteti me shqiptarët, ndërhyrja e saj ishte një manovër e kujdesshme e politikës së jashtme të Perandorisë së vjetër.
Në thelb, pavarësia e Shqipërisë u shpall në kushte kur vetë shqiptarët kishin pak ose aspak ndikim në vendimmarrjet ndërkombëtare. Fati i vendit u vulos nga përplasjet e interesave të Fuqive të Mëdha. Roli i Austro-Hungarisë mbetet gjithsesi vendimtar në përkrahjen e integritetit territorial të shtetit të pavarur shqiptar, sidomos në veri. Shpesh mbijetesa e një kombi të vogël varet më shumë nga balanca e frikës së të mëdhenjve, sesa nga zëri i vet.
Në këtë sfond të errët diplomatik, zhvillohet veprimtaria politike e Ismail Qemalit. Ai punoi me vizionin e një Shqipërie të pavarur, të bashkuar dhe të pranuar në skenën ndërkombëtare si subjekt politik më vete. Përmes shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, dhe krijimit të një qeverie kombëtare, Ismail Qemal Vlora i vendosi Fuqitë përpara faktit të kryer, përpara se diplomacia evropiane të vuloste fatin e Shqipërisë në kancelaritë evropiane. Por, përballë cinizmit të realpolitikës ndërkombëtare, përpjekjet e tij u përballën me kufizime të rënda.
Kompromisi austro-rus që prodhoi Shqipërinë, la pasoja të thella strukturore për zhvillimin e mëvonshëm të shtetit shqiptar. Së pari, ai thelloi ndarjen midis kufijve politikë dhe përbërjes etnike. Kjo padrejtësi historike do të bëhej burim i përhershëm tensioni rajonal dhe shtytje për narracione alternative kombëtare, duke ndikuar në politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë në mënyrë të pashmangshme.
Së dyti, vetë forma e organizimit shtetëror që u imponua – një principatë me një princ të huaj dhe një Komision Ndërkombëtar mbikëqyrës – çoi në një shtet të brishtë, të varur nga vullneti i fuqive të jashtme dhe të pazhvilluar institucionalisht. Ismail Qemal Vlora e konceptoi Shqipërinë nën frymën e një republikë të popullit, me përfaqësim të gjerë shoqëror. Por, projekti i tij u devijua si një projekt i importuar, i mbështetur në elitën feudale dhe në ndërhyrjet diplomatike. Kjo prodhoi një ndarje të hershme midis popullit dhe shtetit, me pasoja të afatgjata në legjitimitetin e institucioneve.
Në këtë dritë, vizioni politik i Ismail Qemalit, i cili kërkonte një Shqipëri të pavarur me përfaqësim politik të gjerë, me orientim evropian dhe me vetëvendosje reale, mbeti i paplotësuar, por jo i tejkaluar. Trashëgimia e tij ende sfidon modelin e shtetit shqiptar. Një shtet që vazhdoi të kërkonte baraspeshën midis sovranitetit të brendshëm dhe ndikimeve të jashtme.
Ismail Qemali dëshironte të siguronte mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për të realizuar mbijetesën e shtetit të ri shqiptar dhe, nga ana tjetër, të mos u jepte asnjë shkas fqinjëve grabitqarë për të copëtuar vendin. Dhe më në fund, shqiptarët arritën me sukses ta realizonin pavarësinë e tyre, pasi, siç shkruan konsulli italian në Vlorë De Façendis, më 6 dhjetor 1912: “Ata mënjanuan armiqësitë dhe u mblodhën rreth një burri superior në zgjuarsi, përvojë e dinakëri dhe kërkuan të shpëtojnë duke u shpallur të pavarur dhe duke iu drejtuar idealisht Italisë e Austro-Hungarisë, që janë për kontrast harmonik, të aftë të kujdesen për çështjen e tyre.”
Themelimi i një shteti nuk është një akt përmbyllës, por fillimi i një premtimi. Ismail Qemal Vlora nuk la pas vetes një republikë në formë, por një republikë në shpirt – të ndërtuar mbi dinjitetin, arsyen dhe vizionin. Trashëgimia më e madhe e Themeluesit nuk është thjesht një moment historik, por një model për të ardhmen.
* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Dr. Evarist Beqiri).
Gazeta “Shqipnia” e botuar në Bruksel, nga Ismail Qemal Vlora (Të pashfaqura më parë).
Gazeta në versionin greqisht e botuar në Bruksel nga Ismail Qemal Vlora (Të pashfaqura më parë).