Nga Reshat Kripa/
Lexova intervistën e dhënë nga zoti Bilal Kola, Drejtor i Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë, gazetës “Telegraf” në datat 21 dhe 22 gusht 2014. Të them të drejtën, në përgjithësi, jam dakord me arsyetimet e shprehura në këtë intervistë. Por, më duket, se në to ai nuk i shkonte deri në fund arsyetimit. Më dukej sikur diçka e frenonte. Mos vallë humbja e vendit të punës? Nuk e di. Nuk dua të besoj se një intelektual i mirëfilltë që ka përfunduar studimet e larta për drejtësi në Universitetin South Bank, në Londër dhe ka marrë titullin Doktor Shkencash nga Universitetyi Ndërkombëtar Montgomery, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që zotëron një Master në të Drejtën Ndërkombëtare Tregtare nga Universiteti Metropolitan i Londrës, si dhe një diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare të Aviacionit, druhet se mos humbasë një grusht të hollash që shteti shqiptar ia jep si shpërblim për punën e kryer, në një kohë kur mund të fitonte shumë më tepër duke ushtruar profesionin e tij privatisht.
Natyrisht ai është në fillim të karrierës së tij të re dhe nuk mund të pritet që të reagojë menjeherë për ato që sheh se nuk janë të drejta. Të përndjekurit politikë në vendin tonë kanë një sërë problemesh të pazgjidhura me shtetin shqiptar, që duan një ndërhyrje urgjente dhe të vendosur pranë organeve qeveritare për t’u zgjidhur. Kështu që ne jemi në pritje se çfarë do të bëjë Instituti i Integrimit të Përndjekurve Politikë për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Le t’i marrim me rradhë këto dhe t’i shqyrtojmë. Në tetor 2006 Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”. Në çastin e miratimit të kësaj rezolute deputetët socialistë braktisën sallën e Kuvendit. A do të keni kurajon t’i kerkoni Kryeministrit që të kërkojë falje për këtë braktisje, pasi ishte pikërisht ai Kryetar i Partsë Socialiste që urdhëroi për një veprim të tillë? Nuk e di se si e konsideroni ju këtë rezolutë pasi nuk kam dëgjuar asnjë mendim nga ju për të. A do t’i kërkoni ish-Kryeministrit Pandeli Majko që të kërkojë falje për shprehjen e thënë në Komisionin e Ligjit të Kuvendit të Shqipërisë kur diskutohej projekt-ligji i qeverisë shqiptare për dëmshpërblimin e të vrarëve pa gjyq të martirëve të rezistencës antikomuniste, kur tha se ata ishin “Plehra”? Më falni, por dua t’ju kujtoj se në rradhën e atyre që ai i quajti “plehra” ishte edhe gjyshi juaj që ju i keni marrë emrin.
Këto ishin vetëm për anën morale të çështjeve që u përkasin të përndjekurve politikë. Tani të shohim edhe çështjet konkrete.
A do të kërkoni, ju i nderuar zotni, dënimin e diktatorit Enver Hoxha, si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore?
A do të kërkoni rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore?
A do të kërkoni bërjen publike të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë dhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve? A do të kërkoni hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara? A do të kërkoni hartimin e një strategjie kombëtare për eleminimin e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipëri dhe a do të ftoni institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekurit politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike? A do të kërkoni fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste duke përfshirë rishikimin e librave shkollore, shpalljen e nje dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe rikthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar? A do të kërkoni organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe të ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimet totalitare? Unë mendoj se pikërisht këto pika duhet të jenë piksynimi juaj gjatë kryerjes së funksionit që iu kanë ngarkuar. Në të kundërt gjithçka do të jetë një demagogji e ulët, gjë e cila nuk ju nderon juve si përfaqësues i kësaj shtrese të nderuar. Në intervistën tuaj ju thoni: “Në gjykimin tim është absolutisht e padrejtë që një person , qoftë dhe për arsye objektive, nuk ka mundur të dorëzojë dosjen në kohë, të përjashtohet nga përfitimi i diçkaje që ia njeh ligji si të drejtë. Kjo është për mendimin tim hallka më problematike, por që ligji i ri nuk e ka shtruar për zgjidhje” Ndërsa më poshtë vazhdoni:
“ Unë gjykoj se në Shqipërinë komuniste, qoftë edhe për ta agravuar situatën e një të burgosuri, akuzat për vepra terroriste nuk ishin terma ligjorë dhe terma faktikë, nuk ishin akuza standarte që mund të ngriheshin si në vendet e tjera të lindjes”.
Një arsyetim i përsosur. Atëherë si ka mundësi që, kur në mbledhjen e Komisionit të Çështjeve Sociale të Kuvendit të Shqipërisë, mbledhje në të cilën mernim pjesë edhe shoqata e jonë dhe ku ishit të pranishëm edhe ju, nuk ngulët këmbë në miratimin e propozimit të bërë prej nesh për zgjatjen e afatit të pranimit të dokumentave për dëmshpërblim nga 01.07.2009 në 31.12.2015? Si nuk na përkrahët në kërkesën tonë për heqjen e nenit të terrorizmit nga ligji i dëmshpërblimit? Përse heshtët? Një veprim jo korrekt juaj që bie në kundërshtim me mendimet e shprehura në intervistë.
Në atë mbledhje ne bëmë edhe disa propozime të tjera si atë për zgjatjen e afatit të përfitimit të dëmshpërblimit nga data 30.11.1944 në 25.10.1944, atë të përfitimit të dëmshpërblimit edhe për fëmijtë e birësuar, për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë që janë gjallë dhe kanë mbushur moshën 75 vjeç për meshkuj dhe 70 për femra brenda dy kësteve dhe përfundimin e plotë të dëmshpërblimit brenda vitit 2017. Nga të gjitha këto kërkesa që ne bëmë nuk u miratua asnjera. Ju heshtët për të gjitha këto. Vallë mos mendoni se ne nuk kishim të drejtë? Në rast se mendoni kështu do t’ju lutesha të na i konfirmonit dhe të na paraqisni edhe argumentat tuaja.
Në mbledhjen e mësipërme ju deklaruat se. sipas Ministrisë së Çështjeve Sociale janë gjithsej 2574 të burgosur politikë që jetojnë ende dhe se fondi për të mbyllur dëmshpërblimin e tyre qenka 85.000.000 $. Duke u mbështetur në këto të dhëna më lejoni të bëjë një llogaritje të thjeshtë. Dihet që të burgosurit politikë që jetojnë kanë marrë deri tani dy këste dëmshpërblim, kështu që u mbeten edhe gjashtë të tjerë. Atëherë:
2574 persona X 365 ditë X 20 $/dita X 6 këste = 112.741.200 $
Siç e shihni kjo shifër nuk është e njëjtë me atë që paraqitët ju. Në këtë shifër nuk
përfshihen ata të burgosur politikë që kanë kryer mbi 13 vjet burg pasi ligji përmban që dëmshpërblimi për një këst nuk duhet të jetë më i madhë se 10.000 $. Pra, po të bëjmë një llogari të thjeshtë del maksimumi që mund të marrë një i dënuar
10.000 $ X 8 këste = 80.000 $
Në një vit një i dënuar politikë përfiton:
365 ditë X 20 $/dita = 7.300 $
Atëherë:
80.000 $ : 7.300 $ = 10.95 vjet (e rumbullakosur 11 vjet)
Duke i shtuar kësaj dëmshpërblimet e fituara më parë del 13 vjet që dëmshpërblehet gjithsej. Po ata që kanë kryer më shumë vite burg që, në Shqipëri, kjo periudhë arrin deri në 35 vjet, kur do të dëmshpërblehen? Duke shtuar këtë shumë si dhe shumën e dëmshpërblimit të atyre të burgosurve politikë që nuk kanë marrë asnjë apo një këst, atëherë shuma e dëmshpërblimit të atyre që janë gjallë arrin në më tepër se 130.000.000 $.
Këto llogaritje mund t’i bëjë kushdo që të paktën ka arsimin e mesëm. Atëherë për sa kohë mund të shlyhen ata që janë gjallë:
Sipas jush fondi i sivjetëm për këtë kategori është:
18.000.000 $ – 2.800.000 $ të shpërndara deri tani = 15.200.000 $
15.200.000 $ X 70% = 10.640.000 $ për këtë vit
I shtojmë kësaj shume edhe atë të planifikuar për vitin e ardhshëm:
20.000.000 X 70% = 14.000.000 $
10.640.000$ + 14.000.000 $ = 24.640.000 $ për dy vite
Atëherë:
130.000.000 $ – 24.640.000 $ dy këstet e para = 105.360.000 $ duhen për dy këstet e tjera.
A do të sigurojë qeveria dhënien e këtij fondi për mbylljen e dëmshpërblimit të atyre që janë gjallë brenda vitit 2017, siç parashikohet në ligj dhe siç deklarohet me të madhe nga drejtuesit e këtij shteti? Po përfundimi komplet i ligjit të dëmshpërblimit në cilin vit do të jetë. A është në gjendje qeveria ta paracaktojë atë. Ne jemi në pritje. Nuk duam demagogji por duam një përgjigje konkrete. Jemi ngopur mjaft deri tani me demagogjira boshe.
Këto ishin, i nderuar zotni, pyetjet që doja t’ju bëja. Në rast se e quani veten përfaqëssues të vërtetë të kësaj shtrese dhe meqënëse keni marrë mbi shpatullat tuaja atë detyrë të rëndësishme ju lutem të më përgjigjeni. Në rast se nuk mundesni ose nuk keni mundësi t’iu përgjigjeni, hiqni dorë dhe vazhdoni profesionin tuaj. Ky është qëndrimi i kujtdo që pretendon se i përket kësaj shtrese fisnike.
* Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë për Tiranën
* Artikulli u dergua enkas per DIELLIN