AKAD.GJOVALIN SHKURTAJ: MBROJTJA E GJUHËS SHQIPE LETRARE NUK ËSHTË CENSURË, POR DETYRIM E PENG MORAL GJITHËKOMBËTAR
-Kemi pasur e kemi probleme jo me gjuhën e normat e saj, por me mungesën e kulturës dhe me mungesën e dëshirës për ta nxënë e për ta shkruar e folur shqipen; ka mjedise që nuk i zbatojnë rregullat e drejtshkrimit e normat morfo-sintaksore, ashtu si nuk i zbatojnë as rregullat e mirësjelljes gjuhësore.
– Gjuha letrare e njësuar është̈ sfondi kryesor, është̈ varieteti më i parapëlqyer, por nuk është̈ dhe nuk mund të jetë as vetëm një̈ dhe as i vetmi varietet, as për një̈ bashkësi të gjerë kombëtare në përgjithësi, as për gjuhën e letërsisë̈ artistike në veçanti.
– Midis shqipes së shkruar e të njësuar vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë̈; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një̈ farë turbullimi, me kohë treten e bëhen pronë e shqipes standarde, por edhe mund të mbeten jashtë̈ saj…
-Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar. Siç shprehej aktori i shquar italian Vittorio Gazman, secili njeri mendon në dialekt, por shprehet në gjuhën e përbashkët e të njësuar. Qysh në lashtësi, ka mbetur proverbi “Caesar non supra gramaticos” (Cezari nuk është përmbi gramatikanët).-
Akademia e Shkencave e Shqipërisë nisi sot programin e bashkëbisedimeve pesëditore me temë “Ditët e drejtshkrimit” në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në Bibliotekën e Kryeministrisë.
Kjo veprimtari e organizuar në bashkëpunim me COD në kuadër të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, do të mbahet deri më 25 nëntor, në orën 11. 00 të paradites.
Sot u diskutua tema “Shqipja standarde në funksionet zyrtare” nga prof. dr. Emil Lafe, akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj dhe prof. asoc. dr. Linda Mëniku.
Leksionet e hapura, ku ishin të pranishëm akademikë, studiues, profesorë e studentë, u shoqëruan me konkluzione dhe diskutime për arritjet e deritanishme të gjuhës dhe zhvillimet e reja e prirjet e shqipes së sotme, si dhe problemet që dalin në keqpërdorimin e gjuhës në shkolla, në institucione të vendit dhe sidomos në media.
Probleme të shumta u përcaktuan jo vetëm në përdorimin e fjalëve të pasakta nga ana e drejtshkrimit e drejtshqiptimit, por edhe në sintaksë, ku vitet e fundit kanë ndikuar edhe modelet e gjuhëve të huaja.
Gjuhëtarët Lafe, Shkurtaj e Mëniku argumentuan se gabimet drejtshkrimore që vërehen sot në praktikë, flasin më tepër për pakujdesi dhe përgatitje të pamjaftueshme gjuhësore gjatë shkollimit, sesa për rregulla të papërshtatshme të standardit. Drejtshkrimi i shqipes mund të vështrohet si i qëndrueshëm e i përcaktuar përfundimisht.
Dolën në rrafsh të parë detyra të tjera të mëdha për të përballuar, që i diktojnë ndryshimet politike të rajonit dhe statusi i ri që ka fituar gjuha shqipe në Kosovë e në Maqedoni.
U shtrua kërkesa që shteti të luajë një rol më të madh në ndalimin e këtyre dukurive, nëpërmjet formave të ndryshme, forcimit të kërkesave në sistemin arsimor dhe praktikave ligjore që i shërbejnë ruajtjes së shqipes, si detyrim gjithëkombëtar, ku rezja e veprimit të shqipes standarde ka ardhur duke u shtrirë gjithnjë e më shumë si në pikëpamje territoriale, ashtu edhe në pikëpamje të shtresave shoqërore. Në Shqipëri e në Kosovë gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, në Maqedoninë e Veriut statusi i gjuhës shqipe ka përparuar dhe ka marrë edhe funksionet e gjuhës zyrtare në komunat me popullsi shqiptare.
“Mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk është censurë, por detyrim e peng moral gjithëkombëtar”, tha akademik emeritus Gjovalin Shkurtaj.
***
Përmbledhje e shkurtuar të leksionit të akad. Gjovalin Shkurtaj
Lidhur me këtë̈ anë, marr lejen e të pranishmëve të kësaj Konference të mos zgjatem shumë, meqë̈, prej vitesh, qoftë në librin tim “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran” (Tiranë 1988), në ligjëratat universitare, në tekstin e “Sociolinguistikës”, qoftë edhe në kumtesa e artikuj të ndryshëm, dhe, së fundi në përmbledhjen “Kultura e gjuhës sot” (Pegi,2022) besoj se , jo vetëm e kam thënë̈, po edhe ta kem argumentuar, se gjuha letrare e njësuar është̈ sfondi kryesor, efshtë̈ varieteti më i parapëlqyer, por nuk është dhe nuk mund të jetë as vetëm një dhe as i vetmi varietet, as për një bashkësi të gjerë kombëtare në përgjithësi, as për gjuhën e letërsisë artistike në veçanti.
Kam mendimin se kjo rrethanë duhet të merret parasysh më shumë e më mirë edhe nga shkolla shqiptare, në mënyrë që, në të gjitha nivelet e saj, larmia dhe gjerësia e varieteve të gjuhës shqipe, të gjejnë hapësirën e vet dhe të jenë kurdoherë si gurra të pasurimit e freskisë shprehëse. Sociolinguistika e sotme, po edhe dialektologjia tradicionale apo “gjeografia gjuhësore” kanë dëshmuar bindshëm se sa të shumta kanë qenë e janë kudo në botë, pra edhe tek ne, përthyerjet e degëzimet krahinore të gjuhës, po edhe se krahas dialekteve territoriale ka pasur edhe degëzime apo dialekte sociale, lindja dhe mbijetesa e të cilave ka të bëjë me faktorë të ndryshëm të ndarjes dhe të diferencimit shoqëror, si: seksi, mosha, besimi fetar, mjeshtëria apo profesioni, arsimi dhe edukata, mjedisi apo vendi ku kryhet komunikimi e deri edhe gjendja shpirtërore apo humori i folësit në çastin e ligjërimit.
Nuk është aspak e rastit që sociologu amerikan Joshua Fishman, sot i mirënjohur kudo si themelues i një disipline të re e të tumiruar, siç është sociolinguistika, në vitet ’50 të shekullit të njëzetë pushtoi zemrat e mendjet e studiuesve të shkencave shoqërore me formulimin e tij, tashmë lapidar, të ndryshimeve të panumërta e të gjithllojshme gjuhësore e stilistike në gji të çdo bashkësie kombëtare, sipas kriterit-çelës: “Who speak, with whom, where, why and in what language variety? ” “Kush flet, me kë, ku , përse dhe në çfarë varieteti gjuhësor”.
Ritheksoj se kam qenë e jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si mbërritje me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme gjeoplolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare në kushtet e sotme të ecjes drejt Europës e nën trysninë e globalizmit.
Kam qenë e mbetem ithtar i thënies urtake të Atë Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se njeriu sipas rasteve e rrethanave “mundet me e dredhë g-juhën” duke iu përshtatur rrethanave dhe mjediseve të caktuara. Pra, të njëjtit njerëz, edhe sot e gjithë ditën, sipas nevojës e rrethanave të shprehjes, mund të shkruajnë e të flasin në shqipen standarde, të cilën e nxënë në shkollë, po edhe në të folmen a dialektin e vendlindjes përkatëse.
Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që duke zbatuar terminologjinë e sociolinguistikës bashkëkohore quhet “standard”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë tretën e bëhen pronë e shqipes standarde, por edhe mund të mbetën jashtë saj.
Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes. Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.
Situata e sotme e kulturës gjuhësore në krejt bashkësinë shoqërore shqiptare nuk është ashtu si duhej të ishte dhe, në disa mjedise e raste, sidomos në ligjërimin e politikanëve dhe të mjaft gazetarëve, është vërtet shqetësuese. Ka shumë vjet që është lënë pas dore kujdesi për shqipen e shkruar dhe të folur.
Ka gazeta e revista që dalin pa pasur asnjë redaktim a përkujdesje drejtshkrimore e pa i respektuar normat e rregullat morfo-sintaksore të shqipes. Kultura dhe etika e të folurit publik kanë pësuar ”krisje” të dukshme e të rënda. Ka shpërthyer një vërshim i pafrenueshëm i fjalëve të huaja të panevojshme, shtimi i termave të huaj në vend të termave shqip që përdoreshin normalisht. Sa herë flitet për zjarret që bien gjatë stinës së thatë,apo për përmbytjet e vërshimin e ujërave kur ka reshje të shumta po thuhet “Të gjithë jemi në alert”. Edhe një emision famëkeq në një nga televizionet ka titullin “Alert”.
Po shohim të shkruar në faqet zyrtare apo në postime on-line të shtetarëve, si dhe në publikime të shkruara e në faqet zyrtare, foljet dakordësoj, dakordësohem dhe emrat e formuar préj tyre si dakordësim, dakordësi, të cilave u janë qasur me dashuri të donkishoteske gati të gjithë zyrtarët shqiptarë! E pse na u dashka që, pa asnjë arsye as kuptimore, as stilistike të lëmë pa përdorur flalët shqipe merrem vesh, marrëveshje apo mosmarrëveshje.
Ismail Kadareja, i cili ka shkruar edhe një libër të tërë me titullin “Mosmarrëveshja” as që e ka ndier nevojën ta përdorë, qoftë edhe një herë të vetme “mosdakordësinë” apo “dakordësinë”.
Tmerri veshçjerrës i fjalëve fokus, fokusohem e fokusim, si dhe i reklamave ku nuk mungojnë limit, limtoj, i limituar na shoqëron çdo ditë, qëkur hapim televizorin për të dëgjuar lajmet e deri në emisionet e orëve të vona të mbrëmjes. Kjo është me të vërtetë një sëmundje ngjitëse, që mund të marrë përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse. Kemi shkruar e folur shpesh për këtë gjendje të pamirë të shkrimit e përdorimit të shqipes në zyrat e shtetit, në botimet dhe në institucionet arsimore e kulturore dhe, sidomos në reklamat e televizioneve e në ligjërimin e politikanëve. Ka ardhur koha që të marrin fund shkeljet kaq të rënda e të padurueshme të normave të gjuhës letrare zyrtare. Shteti dhe të gjitha institucionet zyrtare duhet të veprojnë ashtu siç veprohet në çdo vend të qytetëruar, duke mos lejuar botime e shkresa që nuk i zbatojnë rregullat e gjuhës letrare kombëtare.
Pakujdesia dhe papërgjegjshmëria për shqipen e shkruar e të folur shfaqet dukshëm edhe në rendjen e pamotivueshme e të papranueshme pas fjaëve të huaja dhe mënyrave të të thënit të “shartuara” sipas modeleve të anglishtes, por që nuk janë as të pranueshme dhe as të nevojshme.Gjithmonë shqiptarët kanë thënë, p.sh.: pi kafe, ha bukë, ha drekë, ha darkë etj. Tashti “modernët” po thonë gjithnjë e më shpesh: konsumoj një kafe, po konsumoj një drekë apo darkë etj.
Me keqardhje shohim se është zbehur ose edhe mungon kujdesi apo disiplina gjuhësore e shtetit dhe e institucioneve arsimore e kulturore,sikundër e kemi theksuar shpesh prof.EmilLafe dhe unë, apo ajo që akad.Shaban Sinani e ka quajtur me të drejtë “higjiena” e të shkruarit dhe e të folurit në mjediset e për qëllime zyrtare, shtetërore.
Ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk është censurë, por detyrim zyrtar për secilin institucion që shkruan e boton. Kjo duhet bërë sidomos në titujt e gazetave e revistave, në përkthimet me shkrim të filmave, në reklamat e faqet popullarizuese etj.Të ndjekim shembullin e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës së qytetëruar, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit.
Në Francë revista “Defence organizèe de la langue française” (Mbrojtja e organizuar e gjuhës frënge) vazhdimisht boton artikuj e studime “contre le franglais” kundër fjalëve të huaja nga anglishtja). Edhe në Itali, cdo të shtunë e të diel, në RAI-1 mbahet rubrika “Prontosocorso linguistico” (Ndihma e shpejtë gjuhësore), si dhe punohet me kujdes për cilësinë e të gjitha llojeve të botimeve zyrtare.
Gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, i pasqyron trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme gjeopolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare.
Jam ithtar i thënies urtake të Atë Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë se çdo njeri “mundet me e dredhe g-juhën” sipas rasteve dhe mjediseve të caktuara. Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes.
Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar. Siç shprehej aktori i shquar italian Vittorio Gazman, secili njeri mendon në dialekt, por shprehet në gjuhën e përbashkët e të njësuar. Qysh në lashtësi, ka mbetur proverbi “Caesar non supra gramaticos” (Cezari nuk është përmbi gramatikanët).
Kemi pasur e kemi probleme jo me gjuhën e normat e saj, por me mungesën e kulturës dhe me mungesën e dëshirës për ta nxënë e për ta shkruar e folur shqipen; ka mjedise që nuk i zbatojnë rregullat e drejtshkrimit e normat morfo-sintaksore, ashtu si nuk i zbatojnë as rregullat e mirësjelljes gjuhësore. Ngjashëm me shoferët që nuk i zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe dihet se sa veta humbin jetën ose gjymtohen për sherr të tyre. Për këtë dukuri, si dhe për shumëçka tjetër që lidhet me shqetësimet dhe detyrat e sotme të bashkësisë shoqërore e sidomos të detyrave që u dalin strukturave shtetërore e publike sapo kam botuar këto ditë librin “Kultura e gjuhës sot” (Botimet Pegi, 2022). Në krerët apo sythat e tij shqyrtohen raste të shumta të sinkretizimit (në fakt të varfërimit) të shprehjes në emër të “modernitetit”, si p.sh. fillimi i letrave dhe i “letrave on-line’” (E-mail-eve) me fjalën e paadresuar dhe krejt të përgjithshme: “Përshëndetje”, në vend të asaj game të gjerë të përshëndetjeve të bukura me mbiemra cilësorë, që ka pasur shqipja e shkruar në traditën e saj, qysh kur ka filluar të shkruhet, dhe që janë edhe sot të gjalla në gjuhën e folur: i nderuari, i ndershmi, i dashuri, i paharrueshmi, i përndritshmi, i shtrenjti etj.
Gjuha e reklamës po i eklipson fjalët e bukura duke i zëvëndësuar me fjalë të huaja, apo me elemente të zhargonit të pakrehur e të papranueshëm,ku zotërojnë fjalë me kuptime të ndryshuara, si çmendur (i,e) për i mirë, shumë i mirë apo i lirë, shumë i lirë ( i çmime të çmendura), çmenduri për gjë e bukur, veprimi a kujtimi më i bukur (cila është çmenduria më e madhe që ke bërë?); folja rrëmbej me kuptimin fitoj, marr,meritoj (rrëmbeu çmimin, rrëmbeu medaljen) dhe kjo, madje, edhe në një reklamë televizive për një lloj ëmbëlsire (Rrëmbe një Snikers) etj.
Pra, kemi probleme me kulturën, me mungesën e kulturës, me mosnjohjen e vlerave të kulturës shqiptare e të gjuhës shqipe dhe, mbi të gjitha, me raste të shpërfilljes e mënjanimit të padrejtë të vlerave të mira etnokulturore e gjuhësore të popullit tonë, gjoja në emër të “modernitetit” e me parapëlqime të pamotivuara e të panevojshme të së huajës.
Tiranë,21.11.2022
See Insights and Ads
55