
Luan Rama/
Para katër vitesh kisha shkruar një tregim, « Mein lieben! – I dashuri im!” një fiksion mbi dashurinë e vërtetë të albanologut austro-hungarez Franz Nopcsa dhe sekretarit të tij shqiptar Bajazit Elmaz Doda,nga Reka e Sipërme e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe fundin e tyre tragjik. Diçka në frymën policeske pasi vdekja e tyre ishte diçka e bujshme në rrugën SingerStrasse të Vjenës në 26 prill të vitit 1933, ku policia ishte ndeshur në çastet e para me pikëpyetjen se përse kjo vrasje dhe nëse ajo ishte një vrasje apo një vetvrasje. Dy ditë më parë në një status të Paolo Muner pashë afishen e një filmi dokumentar « Doda », mbi jetën edhe veprën e Franz Nopcsa dhe dashurinë për sekretarin e tij Doda, një afishe që më bëri kureshtar menjëherë. Një film i realizuar pothuaj gjashtë vjet më parë por për që mua ishte i panjohur. Ky film ishte realizuar nga aktori shqiptar i Maqedonisë, Visar Vishka dhe kjo jo rastësisht, pasi Doda, më shumë se një shekull më parë kishte lindur pikërisht në fshatin fqinj të tij. Një nismë personale që solli realizimin e një filmi të shkëlqyer dokumetar, ku gjatë pesë vjetëve, ky aktor kërkoi në jetën e këtyre dy personazheve, duke na shfaqur njëkohësisht kontributin e madh të albanologut austro-hungarez në fushën e shkencës, paleontologjisë, etnografisë, histori,etj., në vitet 1910-1930. Ishte jeta e një shkencëtari i cili e donte aq shumë Shqipërinë dhe shqiptarët saqë në vitin 1913 vuri kandidaturën të bëhet mbret i Shqipërisë me ndihmën e Austro-Hungarisë. Filmi fillon me vdekjen e tyre dhe mbaron po kështu, në një kornizë brenda së cilës zhvillohet një histori e jashtëzakonshme e rrëfyer me shumë dashuri e profesionalizëm, duke mbaruar në një tragjedi të dhimbëshme Që në fillim të filmit shohim Visarin në sfondin e majëmaleve shqiptare ku shquhen malet e Sharrit dhe veriu shqiptar, kërkim që do vazhdojë në vendlindjen e albanologut në Transilvani, në njohjen me Dodën në Bukuresht në vitin 1906, udhëtimet në Kosovë, Shkodër, Dibër, ku Nopcsa me aparatine tij fotografik Kodak fotografoi shqiptarët duke na lënë kështu imazhe të jashtëzakonshme dhe autentike të Shqipërisë veriore të asaj kohe, duke vazhduar më pas me filmime në Londër, Vjenë, etj, duke alternuar intervista me Robert Eltsie, Paolo Muner, Mark Tirtja dhe dy specialistë dhe njohës të kësaj historie austro-hungareze. Edhe pse një film i gjatë mbi 1 orë e 40 minuta, ky film të rrëmben për të mësuar jetën e këtij albanologu dhe historinë e dashurisë së tij, i cili e në një çast tronditje nervore, siç e rrëfen në letrën e tij të fundit e kishte vrarë të dashurin e tij dhe pastaj kishte vrarë dhe vetveten. Ai s’donte ta linte Dodën në një gjendje të mjerë, duke dashur kështu ta merrte me vete. Vishka kërkon ndërkohë varret e tyre, ku më së fund arrin të gjejë vendin ku prehen eshtrat e Nopcsa-s rrëzë një peme të madhe. Një histori e dhimbshme dashurie që mbaron me një imazh simbolik mjaft të bukur të një drite të fuqishme që rend në horizont dhe ku dëgjojmë tekstin e një shkencëtari italian i cili për albanologun Nopcsa kishte shkruar: « Ai ishte si një kometë që shkonte me vërtik për tu çuar dritën të tjerëve ». Një film i mrekullueshëm me një histori humane ku mpleksen jeta, kontributi humanist, dashuria dhe vdekja dhe ku spikat ajo dashuri e madhe e këtij albanologu për popullin e kërcënuar shqiptar nga politikat shoviniste të fqinjëve të vet në këtë periudhë.