Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies,
Budapest/
Familja e Engjëllorëve është e njohur për dorëshkrimet dhe veprat e shumta të botuara dhe të pabotuara që ka prodhurat gjatë historisë së ekzistencës së saj. Është një familje që përmendet shpesh për fallsifikate, por rrallë është shkruar për bibliotekën që ajo ka prodhuar dhe për pasuritë e shumta intelektuale që na ka lënë trashëgimi, por që nuk janë hulumtuar dhe aq më pak mbledhur deri më sot. Kisha katolike kishte një rol shumë të rëndësishëm dhe pothuajse vendimtar në mbështetjen e Skenderbeut në sferën politke, ekonomike[1] dhe ushtarake (veçaërnisht duke ndihmuar në mobilizimin e shqiptarëve si pjesë e luftëtarëve të Skenderbeut), pa lënë anash këtu edhe sferën shpirtërore. Deri me sot, pothuajse ka mbetur pa u trajtur në mënyrë shkencore, të pa anshme dhe sipas burimeve arkivore kjo çështje, ku do të dëshmohej roli i saj në dinamikat e zhvillimeve dramatike të luftës kundër perandorisë Osmane në shekullin e XV-të. I vetmi studiues që është marrë me këtë problematikë deri me sot, është medievisti kroat, me origjinë gjermane, Milan von Sufflay[2] në disa nga stuimet e tija, të cilat, edhepse të shkruara e botuara në shkeullin e kaluar, edhe sot e kësaj dite, janë të patejkaluara.[3]
Pos Vatikanit, ndikimin më të madh në bregdetin e Adriatikut në përgjithësi dhe në veçanti në Shqipëri e në fund-shekullin e XIV-të dhe shekullin e XV-të kishte Republika e Venedikut, e cila duke marrë Durrësin në sundim nga Gjergj Topia[4] në vitin 1392,[5] filloi të shtrinte ndikimin e saj edhe në territore tjera shqiptare, duke u bërë kështu mbrojtëse e interesave të vendasve dhe njëkohësisht duke garantuar paqe e siguri ndaj sulmeve të shpeshta që vinin nga Osmanët.
Ishte një plejadë e tërë e prelatëve shqiptarë, të përgaditur në fushën teologjike, diplomatike, filozofike, të drejtë kanonike e deri në mardhënjet ndërkombëtare, në qendrat më të njohura të kohës si. Padova, Venediku, Roma… e deri Konstantinopoli. Një pjesë e mirë e tyre, qëndroi në atdhe, duke shërbyer jo vetëm për fenë por edhe duke rrokur armët në raste të veçanta, një pjesë tjetër u mor me punë diplomatike, të tjerët ishin scribes – noter, levitë e kanonikë, të tjerët mësues nëpër selitë ipeshkvnore shqiptare[6] dhe një pjesë e mirë e kësaj kaste të prelatëve shqiptarë shërbeu në Raguzë, në funskione të ndryshme dhe profesione të ndryshme, në Padovë, Venedik, Mantovë, Firence, Romë, Napoli.. etj, në raste të caktuara si ambasadorë, të Skednerebut por edhe të finsikëve të kombësive tjera, si mjek, jurist, porfesor universitetesh, piktorë, skulptor, kancelar, astronom, etj. Do të duhej një hapsirë shumë e madhe për të rreshtuar emrat dhe profesionet e të gjithë prelatëve shqiptarë që vepruan në Shqipëri dhe Europë.[7]
Në mes të shekullit XV, në kohën para kthimit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut në Krujë dhe në vitet e para pas kthimit të tij, gjeografia kishtare në trojet etnike shqiptare ishte e ndarë në tre besime të ndryshme: territoret veriore dhe verilindore ishte nën ndikim e kishës katolike të krishterë, e cila administrohej, organizohej dhe mbikqyrej për ritet, të drejten kanonike, për klerin dhe gjendjen e përgjithshme të besimtarëve nga Selia e Shejtë, territoret jugore dhe juglindore ishin nën ndikimin dhe administrimin e Kishës Ortodokse me qendër Patriarkanën e Kosntantinopojës dhe viset e tjera ishin nën ndikim e të ashtuqujaturës “kishë uniate” e cila e merr këtë emër disa dekada më vonë, por këtu zbatohej liturgjia dhe ritet bizantine, në raste të caktuara, disa terriore ishin në administrimin e kishës sllave ortodokse e cila ishte mjaft agresive në zbatimin e të drejtës kanonike, ritualeve dhe liturgjisë e cila duhej patjetër të ishte në gjuhën sllave, përderisa organizimin e ndarjes së parë shërbehej në gjuhën dhe liturgjinë latine, në të dytën me gjuhën dhe liturgjinë greke.[8]
Në vijim po japim vetëm një pjesë të vogël të disa prej veprave të familjes së Engjëllorëve, vetëm për të tërhequr vëmendjen te këto pasuri që presin të rivlerësohen në dritën reale të kontributit që kanë pasur në kohën kur janë prodhuar e sigurisht edhe më vonë.
STATUTET DHE URDHËRESAT E KAPITULLIT TË KISHËS KATEDRALE TË DRISHTIT (STATUTA ET ORDINATIONES CAPITULI ECCLESIAE CATHEDRALIS
DRIVASTENSIS)
Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis e përkthyer në shqip si Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të kishës katedrale të Drishtit, e ruajtur në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës (Det Kongelige Bibliotek – København), është pa dyshim vepra më e famshme e familjes së Engjëllorëve dhe më i vjetri monument i shkruar që na ka ardhur i plotë deri në ditët e sotme.[9]
Dorëshkrimi i Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis është shkruar nga kanoniku dhe noteri i Tivarit, Simon Dromasys me 12 janar 1468.[10] Ai ka bërë edhe përshkrimin e variantit të zyrtarizuar të vitit 1464[11] nga libri i noterit[12] dhe kanonikut të Durrësit, Gjon Mauros,[13] që njëkohësisht ka qenë edhe sekretar i kryeipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit.[14]
Kushtetuta-statuti që zyrtarizoi katedralia e Drishtit më 12 janar të vitit 1468 nuk ishte tjetër veçse përmbledhja e rregullave kishtare dhe pjesërisht të së drejtës zakonore shqiptare, që ishin në fuqi prej një kohe të gjatë në Drisht dhe në territoret përreth. Zbatimi i tyre u zyrtarizua dhe u institucionalizua në formë zyrtare fillimisht nga Selia e Shenjtë, që ishte autoriteti i vetëm që lejonte apo miratonte dokumente të tilla, të cilat pastaj autoritetet vendore i studionin, përpunonin dhe plotësonin, duke i bërë publike.
Variantin e Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis nga viti 1464 e kishin punuar kanonikët nga Drishti, të cilët ishin të ditur dhe njihnin rrethanat, situatën dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me katedralen dhe me zakonet e Drishtit në të kaluarën. Për zakonet e lashta të katedrales së Drishtit flet vetë teksti në mënyrë eksplicite: laudabilem consuetudinem antiquorum nostrorum immitantesi[15] pastaj: antiquissimam constuetudinem imminantes[16] dhe antiquissima et observata consuetudine”[17] si dhe “secundum morem et consuetudinem antiquorum.[18] Pra, përveç përvojës, njohurive dhe njohjes së situatës së përgjithshme, kanonikët nga Drishti, kishin si shembull edhe këto statute të lashta a maioribus nostris quasdam constitutiones traditas,[19] që datonin të paktën nga viti 1397.[20]
Sipas të dhënave të tjera arkivore, mësohet se ky statut ishte edituar më 10 qershor të vitit 1456, [21] kur papa Kalisti III, i kishte dhënë autorizimin ipeshkvit të Sapës Gjergjit [ipeshkv në Sapë gjatë viteve: 1440-459][22] për një veprim të tillë, ipsique capitulum et canonici nonnulla statuta ediderunt.”[23] Shkaku se pse ky editim nuk u njoh zyrtarisht ishte vdekja e papës Kalisti III. Ndërkohë, në vitin 1459, vdiq edhe ipeshkvi i Sapës Gjergji, kështu që papa Piu II, pas një lutjeje me shkrim të bërë nga katedralja e Drishtit në vitin 1463,[24] emëron dy persona autoritarë për të verifikuar dhe nëse ka nevojë për të plotësuar statutin ekzistues të Katedrales së Drishtit. Këta ishin, kryeipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli dhe kryedhjaku i Shkodrës, emri i të cilit nuk na bëhet e njohur në statute.[25]
Pas një pune të kujdesshme, të kryeipeshkvit dhe kryedhjakut, më 21 nëntor të vitit 1464,[26] në manastirin benediktin të shën Theodori de Elohiero bëhet njohja zyrtare e Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis në prani të z. at Nikollë Lalemit, abatit të manastirit në fjalë dhe në praninë e z. Gjergj Topia dhe të burrave të nderuar, z. Pjetër, rektorit të shën Demetrij de Plumsis dhe të z. Gjin, rektorit të shën Venere de Managastis dhe në prani të dëshmitarëve dhe të të ftuarve të tjerë edhe të rogatëve (publikues të ligjeve).”[27]
Teksti i dorëshkrimi është shkruan në pergamen të butë,[28] fin dhe është i tëri në gjuhën latine.[29] Kopertina është diçka më e trashë se faqet e tjera. I tërë dorëshkrimi është shkruar me ngjyrë kafe nga një dorë e vetme.
Dorëshkrimi ka gjithsej 37 faqe tekst, 66 iniciale dekorative të madhësive dhe formave të ndryshme. Zakonisht në iniciale janë përdorur tre ngjyra: e kuqja, kafeja dhe bluja e mbyllur![30] Në tekst ka 54 kapituj, me 922 rreshta: 32 faqe kanë nga 27 rreshta, dy faqe nga 26 rreshta [f. 14v dhe 17v] dhe një faqe 6 rreshta [f. 18r]. Dimensionet e dorëshkrimit origjinal janë: 17.5 x 25.7 cm.[31]
Dorëshkrimi origjinal në pergamen ka dy lloj faqosjesh. Njërin lart në të djathtë, që fillon nga nr. 1r dhe vazhdon deri në nr. 18v[32] dhe faqosjen e dytë poshtë në djathtë, që fillon nga nr. 9r dhe përfundon në nr. 26v. Të dyja faqosjet janë të kohës së dorëshkrimit. Mesa duket ky dorëshkrim ka qenë pjesë e një apo më shumë dorëshkrimeve tjera të lidhura së bashku. Në faqen e fundit të dorëshkrimit është një gjenealogji e familjes së Engjëllorëve, e cila lexohet me vështirësi sepse është shumë e zverdhur. Kopertina e fundit e dorëshkrimit është mjaft e dëmtuar. Në të ka disa rreshta me shënime në fund të faqes, që janë shumë të dëmtuara nga koha dhe leximi i tyre është shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur.
Me një fjalë, Statutet janë ligje në të cilat është saktësuar, përkatësish është rregulluar ose sanksionuar e drejta e individëve dhe shoqërisë si tërësi si dhe marrëdhëniet e tyre të përbashkëta apo të veçanta. Nëse i shikojmë si strukturë, Statutet janë të ndarë në libra, të cilat në brendi të tyre janë të ndara pastaj në kapituj. Çdo libër në vetvete përmban rregulla të përcaktuara saktë të një fushe përkatëse të drejtësisë, ndërsa kapitujt me terminologjinë praktike të sotme mund t’i quajmë nenet përkatëse të një ligji të caktuar. Përveç fazës së parë të krijimit të Statutit, (zyrtarizimit të tij të parë), kemi edhe pjesët shtesë të Statuteve, të cilat zëvendësojnë një normë përkatëse ose reformojnë atë që ka filluar të vjetërohet apo të tejkalohet.
DORËSHKRIMI NGA BIBLIOTECA NAZIONALE MARCIANA
Në Bibliotheca Nazionale Marciana, Biblioteka e Shën Markut, në Venecie ruhet një kodik prej pergameni me 46 faqe ose 23 fletë me paginim 1r-23v. Dorëshkrimi është në fletët 1r-19v, përkatësisht në 38 faqet e pergamenit fin, që vjen mesi i shekullit të shtatëmbëdhjetë.[26] Kodiku ka kopertina të forta lëkure, të kuqe, me një dekorim floriri në mes, në formë të stemës, por pa shenja heraldike. Lart në mes të kopertinës është shënuar me laps të kuq: no 50. Edhe kopertina tjetër ka në mes të njëjtin dekorim. Nuk ka shënime të tjera në kopertina. Kopertinat janë të mbështjella me një mbështjellës special të fillimshekullit të njëzetë, me ngjyrë jeshile.
Në kopertinë brenda ka dy etiketa me shenime nga biblioteka Marciana: Mss. Latini Cl. 10. Nr. 232. Porvenienza. Morelli Giaci 261; dhe etiketa e dytë: Collazione: 3732. Më poshtë, në mes, është një shënim i shkruar me dorë: Morelli 261; Clasis X; Cod. CCXXXII. Në fund, në mes, është një gravurë me stemën e Shën Markut me libër. Fleta në vazhdim është e papaginuar/e panumëruar dhe ka të shënuar me laps plumbi lart në të majtë nr. 39 dhe pak më poshtë në të djathtë po ashtu me laps plumbi: XCVII/5. Faqja në verso e kësaj fletë është bosh.
Në vazhdim është dorëshkrimi i Kodikut, i cili është i paginuar vetëm në recto, lart, djathtas, me të njëjtën dorë që është shkruar edhe dorëshkrimi; paginimi është i kohës së krijimit të dorëshkrimit. Pas përfundimit të dorëshrkimit kemi edhe fletët bosh: 19v-23v, si dhe një fletë kartoni e cila është e papaginuar dhe nuk ka asnjë shënim. Shenime nuk ka as kopertinat e brendshme.
Ky kodik përmban një gjenealogi dhe i tëri është shkruar nga një dorë e vetme.
Dorëshkrimi fillon:
f. (1r) “ANDREAS ANGELUS. Dei gratia Iureque successionis Sanguinis atque hereditariam actionis ex Genitura …”
dhe përfundon:
“Aneas autem iamdictus Aquilam auream bino capit coronatam quapropter uocati sunt Flauii anno 2310. ante aduentum Domini .1650. in Vexillo suo posuit camque in Regio Latii exaltauit. Qui fuit .XIIII. Auus Constantini Flauii Maximi imperatoris silicet grad. 34. atque annis .4267. Christi uero .307. Igitur quos Deus concessit, seu donauit homo non reuocet et sic quos Deus coniunxit homo non separet et ideo nemo in terra potest dinspensarem seu disponerem contra Ius Diuinum. Matheus. Cap. XIX.”
Në mënyrë përmbledhëse sjellim përshkrimin fizik të dorëshkrimit të Kodikut të Bilbiotekës Nacionale Marciana: Mss. Lat. X, 232 (=3732):
f. 1r – është shkruar me flori emri i Anderas Angelus, dy herë.
f. 7v – në mes numrave 75 e 76, një dorë e dytë ka shkruan këtë fjali: “Andronicum Angelum ob: an: Christi 1116.
f. 8v – në marginë është një shenjë që tregon se emrat e personave në numrat rendorë 59 e 60 janë vëllëzër. Është edhe fjala latine për vëllezërit: fratres.
f. 15r – Është një stemë shumë e bukur, në të cilën gjendet një shqiponjë ngjyrë ari, me kurorë mbretërore sipër kokave të shqiponjës si dhe një kurorë e trefishtë mbretërore në mes të dy kokave. Sfondi është i kuq, oker. Teksti sipër stemës është: Anno Mundi ad Computum Musaisum 2310. Ante uero Aduentum Domini D.C.L. dhe poshtë stemës: Tuscus Princeps Tusciae a quo Tuscia uocata est habebat huiusmodi Aquilam Auream et deinde Aeneas. X. Descendens ab Eo ac Successores eius.
f. 15v – Është një stemë shumë të bukur. Stema është e njëtë me atë f. 15r, por ndryshojnë ngjyrat. Sfondi është i florinjtë dhe shqiponja është e zezë . Teksti sipër stemës është si vijon:
Anno mundi ad Computum iamdiem 4267. Poshtë stemës është: Constantinus Maximus Imperator Flauius Augustus ac Pontifex ultimus Romanus habuit Crucem a Domino contra Maxentium Tyranum qui habeat dictam Aquilam Auream; et anno .XIII. sui Imperii habuit Victoriam in Aquilonae et propter talem Victoriam fecit et fieri Aquilam nigram similem coronatam in campo aureo, id est flavo et prout uidetur anno 4278. Christi vero 318.)
f. 16r – Emri i Andreas Angelvs është i shkruar me grafema floriri.
f. 18v – Me shkronja floriri është shkruar shënimi: Constantine in hoc vince.
Disa rreshta më poshtë në të njëjtën faqe kemi edhe tre kryqa me ngjyrë të kuqe; të tre të dekoruar në forma të ndryshme.
KSOMBLLA ANTIKUAR E PAL ENGJËLLIT
(NIPIT TË KRYEIEPSHKVIT TË DURRËSIT, PAL ENGJËLLIT SENIOR)
Kjo ksombëll është botuar në Venecie më 7 maj 1524, me titull: Epistola Pauli Angeli: Ad Sanctissimum in Christo patrem et dominum nostrum dominum [d.n.d] Clementem diuina Prouidentia Papam Septimum…”[27] Ksomblla është e shkruar në latinisht dhe italisht. Ka një gjuhë të rrjedhshme, të qartë. Përmban letrat e autorit drejtuar Papa Klementit VII dhe studime të tjera. Në ksombëll është edhe një stemë e Engjëllorëve. Ksomblla ka gjithsej 98 faqe tekst. Pas përfundimit të teksti janë 2 fletë (katër faqe) boshe dhe kopertina e veshur nga brenda me letër të hollë të kohës. Ksomblla është e ndarë në dy pjesë dhe tre kapituj.
Kjo ksombëll është dëshmia më e mirë se intelektualët shqiptarë, kudo që kanë jetuar e vepruar, kanë lënë gjurmët e tyre, në formë të shkruar, duke treguar përgatitje të lartë profesionale, pjekuri filozofiko-teologjike dhe mendjemprehtësi të lakmueshme. Autori, Pal Engjëlli junior, komunikon përmes fjalës së shkruar me bashkëkohësit, duke na lënë dëshmi të forta për nivelin e lartë intelektual që kishte, njëkohësisht duke bërë që të ndihemi krenarë, kur shfletojmë libra të tillë antikuarë, të cilët mbartin në vetvete barrën e fatit të autorit, familjes së tij dhe vetë shqiptarëve për shekuj të tërë.
Kjo ksombël është e panjohur për albanologët dhe studiuesit shqiptarë. Ajo ruhet të paktën në nëntë kopje të botimit të parë nga viti 1524, dhe në një kopje të ribotimit të dytë nga viti 1525.
Përshkrimi fizik i ksombllës nga viti 1524
Të gjitha ksombllat e librit antikuar të Pal Engjëllit të botuara më me 7 maj të vitit 1524, janë të lidhura me kopertina të forta pergameni të bardhë. Në asnjërën prej 9 (nëntë) ksombllave që njohim ne, nuk ka shënime në kopertinë, as dekorime apo ndonjë vizatim. Menjëherë pas kopertinës janë 2 fletë boshe dhe pastaj vjen frontespici i cili është i shënuar në gjysëm-faqe. Ksombllat nuk kanë asnjë ndryshim nga njëra-tjetra, në asnjërën prej ksombllave që njohim ne, nga botimi i parë i vitit 1524. Të gjitha janë identike dhe kanë dimensione 21 x 14,5cm.
Përsa i përket botimit të dytë të librit antikuar të Pal Engjëllit, nga viti 1525, njohim vetëm një ksombël deri tani. Ndryshimi i vetëm është te dimensionet. Dimensionet e ksombllës janë më të vogla, përkatësisht 15 x 10cm. Poashtu edhe madhësia e grafemave është më e vogël, ndërsa është ruajtur e njëjta renditje si edhe te botimi i parë, i rreshtave në faqe, i paginimit, titullit dhe gjithçkaje tjetër. Faqja e frontespicit është e papaginuar. Në pjesën sipër tekstit është stema e Papës Klementi VII, e cila është e vendosur në kronizë katrore. Ksomblla nuk ka titull të shkurtër apo të veçantë, por fillon me një inicial, me grafemën “E” e cila është e shtrirë vertikalisht në tre reshta. Teksti i frontespicit përbëhet nga 14 rreshta.
Në frontespic nuk është shënuar vendi i botimit, as botuesi apo data, muaji apo viti i botimit i ksombllës, por këto shënime i gjejmë në faqen e fundit të saj (f. 49v). Nuk është shënuar as emri i botuesit e as vendi i botimit. Për vendin e botimit mund të pohojmë me siguri se është Venediku pas kërkimeve tona të bëra atje dhe literaturës së konsultuar.
Faqet janë të paginuara lart në të majtë. Dy faqet që janë të renditura menjëherë pas frontespicit nuk janë të paginuara, ndërsa fletët e tjera janë të paginuara edhe pse në disa raste numrat nuk vërehen, për arsye se ngjyra është e fshirë apo kur është bërë prerja e margjinave të faqeve të ksombllës.
Teksti i ksombllës që është në 98 faqe tekst është i ndarë në dy pjesë dhe tre kapituj. Pjesa e parë është e ndarë në dy kapituj të gjërë.
Kapitulli i parë është i ndarë në pesë nën kapituj:
f. 1r-8v nënkapitulli i parë; f. 9r-12v i dytë; f. 13r-15v i tretë; f. 16r-v i katërti; f. 17r-v i pesti;
Kapitulli i dytë është i ndarë në 12 nënkapituj:
f. 18r-20v i pari; f. 20v-22v i dyti; f. 23r-26r i treti; f. 26r-v i katërti; f. 26v-28v i pesti; f. 29r-30v i gjashti; f. 31r-v i shtati; f. 31v-33r i teti; f. 33r-v i nënti; f. 33v-34v i dhjeti; f. 35r-v i njëmbëdhjeti; f. 35v-39v i dyëmbëdhjeti.
Në f. 40r është përmbajtja tabelare e lëndës. Në f. 40v është stema e Pal Ëngjëllit. Stema është e vendosur në një shqyt, ndërsa shqyti brenda një katërkëndëshi. Nuk ka dekorime. Brenda shqytit të stemës është një engjëll që mban në dorën e djathtë një degë palme, ndërsa në kokë ka një kurorë mbretëore. Engjëlli i ka krahët të ngritur lart dhe është i gjunjëzuar dhe i kthyer në të majtë. Sipër shqytit është një kryq me dekorime të varfëra.
Pjesa e dytë e ksombllës fillon në f. 41r dhe ka këtë titull: Epistola Salutifera charitatis: Pauli cognomento Angeli. Në fillim të tekstit është një inicial me dekorime floreale ku dominon hardhia e rrushit me frut dhe gjethe të shumta, kurse brenda grafemës ‘E’ është një zog me krahë të hapur dhe kokën e kthyer në të majtë. Kjo pjesë nuk është e ndarë në kapituj, por paraqet një tërësi të vetme përmbajtësore dhe tematike. Siç thamë fillon në f. 41r dhe vazhdon deri në fund të ksombllës në f. 49v. Në fund të faqes 49v, është data, muaji dhe viti i botimit të ksombllës, pra ksomblla ka gjithesj 98 faqe.
E tërë ksomblla ka 107 iniciale (nistore), me dimensione dhe forma të ndryshme. Nga këto iniciale 3 janë me dekorime floreale, 68 e janë unicial dhe 38 janë grafema të vogla të tipit minuskul (italike).
Ksomblla që kemi në dorë fillon me letrën që autori i drejton papës Klementi VII, për të vijuar pastaj edhe me dy të tjera për të njejtin adresant. Letrat kanë karakter teologjik dhe trajtojnë probleme thellësisht fetare, aktuale për kohën. Edhe pjesa tjetër e ksombllës trajton të njejtën problematikë, në disa raste me një trajtim filozofiko-historik të problemit, ku vërehet thellësia e mendimit dhe euridicioni i gjërë i Pal Engjëllit.
Autori në më shumë se një vend shënon vitin 1524, por edhe muajt mars dhe datat kur ai shkruan letrat-debat, të cilat duhen studiuar e analizuar secila individualisht për porosinë dhe anën përmbajtësore shumë të pasur.
Veprat e tjera të panjohura të Pal Engjëllit junior
Ksombllat e librit antikuar të Pal Engjëllit ruhen në bibliotekën: Seminario vescovile–Como, në Biblioteca Statale di Cremona, në Biblioteca Nazionale Vittorio Emanuele III në Napoli, në Biblioteca Comunale Augusta në Perugia, në Biblioteca Angelica në Romë, në Biblioteca Vallicelliana në Romë, në Biblioteca Universitaria Alessandrina në Romë; në Biblioteca Civica në Padova dhe në Biblioteca Civica A. Hortis në Trieste. Gjatë kërkimeve dhe hulumtimeve tona shkencore, i kemi konsultuar këto ksomblla dhe kemi riprodhimet e tyre në letër në CD dhe në mikrofilm.
Pal Engjëlli është autor i gjashtë librave të botuara në periudhën kohore 1520-1544. Nga këta tituj, vetëm njëri është i njohur për studiuesit, albanologët dhe historianët shqiptarë dhe ai, vetëm si titull i përshkruar nga studiuesit e huaj, sepse studiuesit shqiptarë nuk e kanë pasur asnjëherë në dorë ksombllën origjinale me titull: Epistola Pauli Angeli ad Saracenos: cum libello contra Alcoranum: pro proudia: preuiaque dispositione conuersionis infidelium omnium mirabiliter: et fere repente: ad Iesum Christum Dominum Deum nostrum, uiam, ueritatem, et vitam plene satietatis: cui soli sit emper omnis laus, honor, et gloria, nobis autem obedientia fidelis, et pura tantum. Amen. Venezia: Alessandro Bindoni, 1520.”
Ksombllat e tjera janë si vijon:
“Epistola Pauli Angeli: ad Sanctissimum in Christo patrem et Dominum Nostrum Dominum [D.N.D] Clementem diuina Prouidentia Papam septimum. In Sathan ruinam Tyranidis et in salutiferi supersubstantialis panis quottidiani Christicolarum gloriosam resurrectionem triumhatem iterum in omnem terram. Item prefato eiusdem Paulum Angeli [P. A.] in summam angelicam ordinatiori transmutatione capitulorum iam reformatam pro quacumque etiam summam consimilim et prefato summi Pontifici suoque sacro Concistoriali Senatui corrigendam submissam, cum enucleata veraci, apertiorique declaratione perfectae detegenda… [Venezia, m.a.] Datum in Domo Domino Nostro Iesu Christi in peregrinatione nostratis, Anno Domini M.D.XXII, nonis Maii [7 maj 1524];
“Epistola Pauli Angeli ad Sanctissimum Dominum Nostrum Dominum [D.N.D] Clementem diuina Prouidentia Papam septimum. Venezia: Bernardino Viani da Lissona, 1525;
“Apologia: vel quasi exorcismus aduersus illorum hostium Dei peruersam: & ualde malignam intentionem: qui nuperrime triginta illas hamatiuas conclusiones Vuittemberge sic publice coaxare non horruerunt. Venezia: da Bartolomeo Zannetti, 1537;
“In transmutationis Summae angelicae orationem Pauli Angeli nouissima satiusque reordinata connexio. Venezia, 1543.
“Pauli cognomento Angeli Apologia aduersus Lutheranae perfidiae nonnullas versutas palliatas & impias conclusiones. Venezia: da Bartolomeo Zanetti, 1544.
Ksomblla e Pal Engjëllit ka një vlerë të veçantë për vetë faktin se renditet ndër librat e paktë të njohur deri me sot me autor shqiptar. Nëse e shikojmë në këtë kuadër, atëherë kjo ksombël me botimin e saj të parë (1524) dhe atë të dytë (1525) është një fillim i mbarë (së bashku edhe me titujt e tjerë të Pal Engjëllit për plotësimin e një boshllëku shekullor të krijimeve autoriale shqiptare në latinisht dhe italisht. Së bashku me paraardhësit ose bashkëkohësit, Marin Barletin, Marin Beçikemin, Mikel Marulin, Mikel Trkanjotin, Gjon Gazulin, Domenik Topinë, Dhimitër Frangun, Gjon Muzakën e ndonjë tjetër, Pal Engjëlli junior, me 6 veprat e tij, është njëri ndër autorët më frytdhënës me vepra kryesisht teologjike e përkthime, por edhe krijime të mirëfillta në latinisht dhe italisht.
*************
Referencat:
[1] Oliver Jens Schmitt, Paul Angelus, Erzbischof von Durazzo und seine Bedeutung für den Turkenkampf Skanderbegs. Thesaurismata. Bollettino dell’Instituo Ellenico di Studi Bizantini e Postbizantini. Venezia: Instituto Ellenico di Studi Bizantini e Postbizantini, 2000, anno XXX, 127- 161, këtu 129.
[2] Millan von Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët. (Pasqyra e këtyne në kohën e mesme). Me parathânjë të St. Stanojeviqit, prof. i Universitetit në Belgrad. Përkthyer prej slavishtes nga Zef Fekeçi e Karl Gurakuqi. Tiranë, 1926; shih edhe: Serbët dhe Shqiptarët. /Historija e shqiptarëve të veriut. [Përktheu: Zekeria Cana, 23-75]. Serbët e shqiptarët/. Prishtinë: Rilindja, 1968; Millan von Shuflaj, Situata të Kishës në Shqipërin; paraturke. Zona e depërtimit ortodoks në “digën” katolike. Botim II. (Shqip nga Edmond Malaj). Shkodër: Botimet Françeskane, 2016; Millan von Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht në mesjetë. (Städte un Burgen Albaniens hauptsäschlich während des Mittelalters). Përgatiti për botim Luan Malltëzi. Tiranë: Onufri, 2009.
[3] Viteve të fundit kjo problematikë është trajtuar nga Gjon Berisha dhe Gaspër Gjini, por vetëm për terriotrin e Kosovë. Shih: Gjon Berisha, Organizimi kishtar në Kosovë gjatë mesjetës. (Ecclesiastical organization in Kosova during the Middle Ages). Prishtinë: Instituti i Hisotrisë “Ali Hadri”, 2014; Gjon Berisha, Arbërorët ndërmjet kishës perëndimore dhe asaj lindore gjatë shekujve XI-XV. (Albanian betwen the western and eastern Church during the 11th – 15th centuries). Prishitnë: Instituti i Hisotrisë “Ali Hadri,” 2015; Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup Prirzen nëpër shkeuj. Ferizaj: Drita, 1992; [e njëjta vepër është përkthyer në anglisht në vitin 2000: “The Shkup – Prizren Diocese thorugh centuries.” (Translated by: Avni Spahiu). Ferizaj: Drita, 2000]., gjithnjë duke mbetur studime lokale për territore të kufizuara.
[4] Për më shumë rreth kësaj teme shih: Dorëshkrimin e Kodikut Ashb 1167, f. 25r-27v: dokumentin: “Konventat dhe paktet e bëra midis të ndriturit dhe të fuqishmit Dukës, zotit Gjergj Topisë, sunduesit të Durrësit dhe zotit Saracen Dandulit në emër të shumë të ndriturës Sinjori së Venedikut nga kështjella e Durrësit,” shih edhe: Schmitt, Paul Angelus, 129.
[5] Ky dokument ruhet në original në: Archivio di Stato di Venezia. Venezia, Libri Commemoriales, VIII, f. 163v-164r, (Olim 165v-166r); ndërsa është botuar edhe nga: Šime Ljubić, Lisitne o odnošajih izmedju južnoga slavenstva i Mletačke Republike. Knjiga IV. Od godine 1358 do 1403. (Monumenta spectantia historiam Slavorum Meridonalium. Volumen IV.). Zagreb: Jugoslavenska Akademija Znanosti i Umjetonsti, 1874, vëll. IV, 293-295, dok, 324 (18 gusht 1392); AA, vëll. II, 120A-B, dok. 480; [përmbledhje e shkurtër e dokumentit e shoqëruar me koment nga Sufflay]; Josephi Valentini S.J., Acta Albaniae Veneta saeculorum XIV et XV. Partis primae. Saeculum XIV complectens. Tomus secundus. Ab anno MCCCLXXXIV ad annum MCCCXCVI. Mediolani: Typis P. I. M. E., 1968, vëll. II, 154-157, dok. 451, (18. VIII. 1392), e boton komplet dokumentin.
[6] Siç ishte rasti me “të tri shkollat e mëdha: e shën Kryqit, e shën Gjergjit, e shën Mërisë” të Dirshtit, për të cilat bëher fjalë me rastin e dorëzimit të Drishtit nën sundit të Senjorisë së Venedikut, te dokumenti: “Konventat dhe paktet e bëra me zotin Françesk Kuirinon nga bujarët drishtianë që po i nënshtrohen atij nën emrin e shumë të Ndriturës Sinjorisë së Venedikut.” Shih: Dorëshkrmi i Kodikur Ashb 1167, f. 22v-25r, për shkollat shih f. 23v të dorëshkrimit; Shih edhe Schmitt, Paul Angelus, 133; Valentini, Acta Albaniae…, XVII, 227, nr. 4057.
[7] Etleva Lala, Klerikët shqiptarë të mesjetës. Zbulime befasuese nga arkivat e Dubrovnikut. Në: Rilindasi. (Suplementi i së dielës te Shqiptarja.com). Tiranë, 10 mars 2013, viti III, nr. 10, 13-15; Etleva Lala, Diplomacia e Selisë së Shenjtë dhe trojet shqiptare gjatë mesjetës sipas burimeve dokumentare nga Archivio Segreto Vaticano. Spiritus. /E përjavshme jo vetëm kulturore e gazetës Albania. 23 qershor 2007, viti I, nr. 6, 4-5./ Albania. /E përditshme kombëtare/. Tiranë, 23 qershor 2007, viti 13, nr. 143 (3584).
[8] Ibid., 186-187.
[9] Dorëshkrimi origjinal i Kodikut të: Statuteteve dhe Urdhëresave të Kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit (Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis, sot ruhet në sektorin e dorëshkrimeve të: Det Kongelige Bibliotek, Håndskriftsafdelingen, København, sektori i dorëshkrimeve, me signaturë/vendodhje: Ny kgl. S. 1822. Është botuar me facsimile, transkriptim dhe përkthim në gjuhën shqipe nga Musa Ahmeti dhe Etleva Lala, Statutet dhe Urdhëresat e Kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit. (Statuta et ordinationes capituli Ecclesiae cathedralis Drivastensis) (Tiranë: Shtëpia e Librit Ombra GVG, 2009).
[10] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat e Drishtit, 183, (në dorëshkrimin origjinal f. 18r).
[11] Šufflay, “Städte und Burgen Albaniens,” 68A, ref. 94; Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 182 (në dorëshkrimin origjinal f. 17v).
[12] Për përgjegjësinë, detyrat, obligimet dhe fushëveprimtarinë e noterit gjatë shekujve XIII [1286] – XVI [1586] është me vlerë të veçantë studimi i Padauin, Capitulare notariorum, 2-86; shih edhe Milan Šufflay, Dalmatinsko hrvatska srednjovjekovna listina. Povjest hrvatskog notariata od XI. do XV. stoljeća. /Prijevod s njemačkoga originala. Uredio, proslovnom pripremom popratio i preveo s njemačkoga Darko Sagrak/ (Zagreb: Darko Sagrak, 2000).
[13] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 182 (në dorëshkrimin origjinal f. 17v). Sipas informacioneve gë jep noteri Simon Dromasys, kolegu i tij Gjon Mauro kishte vdekur në vitin 1468.
[14] Kushtet e punës së noterit, veçanërisht në qytetet bregdetare të Adriatikut janë të përcaktuara me saktësi në studimin: “Tassatione, over limitatione delli pretii che dienno havere li Nodari,” 2-11.
[15] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 144, kap. II (në dorëshkrimin origjinal f. 3r).
[16] Ibid., 162, kap. XXXIX (në origjinal f. 9r).
[17] Ibid., 164, kap. XLIV (në origjinal f. 9v).
[18] Ibid., 169, kap. XLVI (në origjinal f. 11v).
[11] Ibid., 142 (në origjinal f. 2v).
[19] Šufflay, “Städte und Burgen Albaniens,” 68A.
[20] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 141, kap. II (në dorëshkrimin origjinal f. 3v). Në dorëshkrimin origjinal dhe në transkriptim tonë është e shënuar: MCCCCLVI quattro Idus Junii. Për llogaritjen e kësaj date veprohet sipas formulës mesjetare të mëposhtme: nga Idus Junii që është 13 qershor heqim shifrën 4 që qëndron përpara Idus Junii, dhe datës 9 që del i shtojmë 1. Për mënyrën e llogaritjes së datës së cekur dhe datave të tjera rekomandojmë të konsultohen: Adriano Cappelli, Cronologia, Cronografia e Calendario Perpetuo dal Principio dell’èra Cristiana ai nostri giorni. Tavole gronologico-sincrone e quadri sinottici per verificare le date storiche. Sesta edizione aggiornata. (A. Cappeli, Archivista-Paleografo. Direttore emerito dell’archivio di Stato di Parma) (Milano: Editore Ulrico Hopeli, 1988), 173 e f. 272; Torstein Jørgensen dhe Gastone Saletnich, Synder og Pavemakt. Botsbrev fra Den Norske Kirkeprovins og Suderøyene til Pavestolen 1438-1531. Diplomatarium Poenitentiariae Norvegicum (Stavanger, Norway: Misjonshøgskolens forlag, 2004), 212-213.
[21] Farlati, Coleti, Illyricum Sacrum VII, f. 277B-278A; Eubel, Hierachia Catholica II, f. 229; Gams, Series episcoporum, f. 416.
[22] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 139 (në origjinal f. 1v).
[23] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 19.
[24] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 19.
[25] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 182, (në origjinal f. 17v).
[26] Ahmeti &Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 182, (në origjinal f. 17v).
[20] Ellen Jørgensen, Catalogus Codicum Latinorum Medii Aeivi Biblioethecae Regiae Hafniensis (Hafniae: Prostat in Aedibus Gyldendalianis, 1926), 401; Musa Ahmeti, “Shqipëria një kushtetutë që në Mesjetë. /Mesjeta shqiptare pasurohet edhe me një dorëshkrim origjinal burimor nga viti 1468 me vlera të jashtëzakonshme për drejtësinë dhe albanologjinë” Shekulli viti IX, nr. 56 (2508), (Tiranë, 28 shkurt 2005): 21.
[27] “Duke qenë se shqiptarët e mesjetës nuk i kishin organizuar fuqitë e tyre në një shtet të tyrin, të vetëm, në këtë mes përjashtohen a priori akte shtetërore e administrative në gjuhë të vendit. Gjithashtu nuk mund të mendohet për ekzistencën e teksteve juridike shtetërore, siç i kishte mbretëria e perandoria serbe mesjteare, ku gjuha sllave ishte gjuhë e njohur dhe e pranuar zyrtarisht nga Perandoria dhe Kisha bizantine. Duke kombinuar të dhënat e historisë me lajmet e kohës, na del se gjuha zyrtare në shqiptarëve të mesjetës (gjuha e kancelarive të oborreve princore, aktet noteriale nëpër qytete etj) ka qenë e huaj. Shih edhe Eqrem Çabej, Studime gjuhësore VI. (Gjon Buzuku dhe gjuha e tij). Botim i dytë. /Gjon Buzuku. 1. Rrethanat historike/. Prishtinë 1988, vëll. VI, f. 18.
[28] Musa Ahmeti, “Gjendet dorëshkrimi origjinal i Statutit të Katedralës së Drishtit i vitit 1468.” Gjurmë historike. Kultura. Javore për kulturë, mediale e argëtuese (26 shkurt 2005), nr. 73, viti III; Zëri. Prishtinë (26 shkurt 2005), viti VII, nr. 1583, 20.
[29] Të dhënat e botuara në katalogun e Jørgensen, Catalogus Codicum, 401, për dimensionet 24,7 x 17, nuk janë të sakta.
[30] Ahmeti, “Gjendet dorëshkrimi,” 18.
[25] Në katalogun e Jørgensen, Catalogus Codicum, 401 gjejmë këtë përshkrim: “Ny kgl. S. 1822 fol. membr., saec. XV, ff. 19, cm. 24,7 x 17. Litt. Init. f. 1-18: Statuta et ordinationes ecclesie Drivastenis anno 1464 ab archiepiscopo Dyrrhachiensi Paulo Angelo confirmata. f. 19: Stemma Pauli Angeli archiepiscopo Dyrrachiensis. Prov. Illyricum. – Poss. Earl of Guilford. (Segnatura in inferiore parte tegumenti). – Sir Thomas Philipps. (In inferiore parte tegumenti: “Phillipps Ms. 7308”). – Empt. Lipsie anno 1920”.
[31] Në f. 19r gjejmë këtë shënim: “ante aduentum Domini 1650.”
[32] “Epistola Pauli Angeli: ad Sanctissimum in Christo patrem et Dominum Nostrum Dominum [D.N.D] Clementem diuina Prouidentia Papam septimum. In Sathan ruinam Tyranidis et in salutiferi supersubstantialis panis quottidiani Christicolarum gloriosam resurrectionem triumhatem iterum in omnem terram. Item prefato eiusdem Paulum Angeli [P. A.] in summam angelicam ordinatiori transmutatione capitulorum iam reformatam pro quacumque etiam summam consimilim et prefato summi Pontifici suoque sacro Concistoriali Senatui corrigendam submissam, cum enucleata veraci, apertiorique declaratione perfectae detegenda… [Venezia, m.a.] Datum in Domo Domino Nostro Iesu Christi in peregrinatione nostratis, Anno Domini M.D.XXII, nonis Maii [7 maj 1524].