Esse nga Raimonda MOISIU/
Dallimi thelbësor në mes shkrimtarit e gazetarit është se shkrimtari krijon një univers dhe karaktere që ekzistojnë në të shkruar dhe në mendjen e imagjinatën e tij. Shkrimtari shpreh botën e tij ideale, veti kjo që mbart identitetin unik të botës së brendëshme të autorit, emocioneve e përvojave jetësore me brishtësinë dhe intensitetin e tyre. Dhe ka raste që shkrimtari është parashikues i të ardhmes së shoqërisë në të cilën ai jeton. Me ndjenjën e thellë e të hollë të përulësisë e ndërgjegjësimit, shkrimtari është përgjues mbas bravës së realitetit e sfidave të jetës, përballjen e tyre, për t’i bërë ato të njohura nëpërmjet talentit, pasionit e artit që ai ka dhunti e zotëron. Të shkruarit është ndjenjë e fortë e brendshme që ka një kundërshtar të madh, që vjen e rritet përditë, -të konsideruarit zanat. Sepse një shkrimtar nuk është i ndryshëm nga një murator apo shofer autobusi. Secili prej tyre vepron me disiplinë. Oscar Wilde ka thënë se të shkruarit është 10% dhunti, aftësi apo talent dhe 90% disiplinë. Pra edhe shkrimtarit, njësoj si punë e atyre që përmenda pak më lart, -i duhet disiplinë për të shkruar. Kjo nuk është detyrë e lehtë. Kërkon vetmi, përkushtim dhe i izoluar larg shoqërisë. Do kurajo, guxim dhe vullnet për ta bërë atë. Në kuptimin se; shkrimtari gjatë procesit të të shkruarit nuk është vetvetja, por është dikush tjetër. Kur shkrimtari shkruan, ai ka nevojë të qëndrojë në vetmi, i tërhequr nga shoqëria Por….edhe pse askush nuk është aty me të, shkrimtari, nuk i dorëzohet vetmisë. jetës së tij, dhe nga shoqëria në të cilën jeton e punon, shkrimtari e di mirë se vetmia ushqen edhe dashurinë Nën shoqërinë e frymëzimit, ai bisedon me personazhet, duke lexuar apo shkruar, bisedon në heshtje me çdo objekt që e rrethon si pjesë e natyrës, bisedon me çastin në çdo vend, kohë e situatë. Shkrimtari e di shumë mirë se vetmia ushqen shpresën, besimin, pasionin dhe përkushtimin se mund të jetë dikushi, se mund të japë diçka nga përvojat dhe eksperiencat e. Shkrimtari rrëfen ngjyrat e ndjenjave dhe sfidat e jetës, se ajo ka shumë gjëra, që i duhen të përballet e aq më tepër t’i bëjë të njohura nëpërmjet talentit dhe artit, që ai zotëron. Shkrimtari ka strategji dhe “mban nën mëngë çelësin sekret”, shqisat e tij bëhen ëndërrimtarë që nuk ngurrojnë të rrëfejnë realitetin e përbashkëta – Jetën . Raportit njerëzor mes shkrimtarit e gazetarit i përkasin njerëzit e thjeshtë – intelektualët, politikanët, shkrimtarët, njerëzit e medias , të artit e kulturës, jetës social –ekonomike. Gazetaria ka guximin e kurajon për të hedhur në letër atë c’ka synon të jetë e vërtëtë, informacionin profesional, të saktë e në kohë. Në një roman, tregim apo novelë personazhet, natyra, gjeografia dhe rrëfimi kanë kuptimin dhe ekzistencën e tyre tërësisht nëpërmjet university metaforik të shkrimtarit. Ndërsa në gazetari personazhet dhe rrethanat janë më të kufizuara dhe ata fitojnë domethënien, kuptimin e vërtetë nëpërmjet penës së gazetarit. Sepse personazhet ekzistojnë në qenien aktuale, dhe nuk janë personazhe të imagjinatës, por ato ekzistojnë në të përditëshmen njerëzore.Gazetaria në të vërtëtë është portretizimi apo përshkrimi i realitetit, të etjes sonë për cfarëdo fakti ose njohuri, nëpërmjet artikujve, reportazheve, profileve, opinioneve, analizave,esse, intervista, etj, brenda rubrikave të gazetarisë. Gazetaria efektive ka nevojë për makinën narrative, është forca e gravitetit që tërheq lexuesin nga fillimi deri në fund. Ndonjëherë se cfarë ndodh brenda botës së shkrimtarit, atij i duhet të krijojë pozicionin e forcës rrëfyese-se jo gjithcka mund të vijë nga dinamika e brendëshme e tij, por është gazetaria ajo që e furnizon makinën narrative dhe historia shpaloset. Në raportin shkrimtar–gazetar ekziston konfuzioni, konfrontimi, diferenca dhe vështrimi i drejtpërdrejtë, trysnia mediatike e përvojave jetësore, që gazetarët me etjen e tyre për cfarëdo fakti ose njohuri që lidhen me ngjarje reale e të paharruara-ngjarje që të japin idenë për të shkruar një tregim apo novelë. Më kujtohet një thënje e shkrimtares Isabela Aljende: “Cdo histori më intereson shumë; disa prej tyre më ndjekin pas derisa t’i hedh në letër”. Kombinimi i së tashmes me të kaluaraën, kombinimi i letërsisë me gazetarinë në fushën e letrave përbën bazën e letërsisë së sukseshme, packa se është një teknikë e vështirë për ta pasqyruar në letër, por jo e paarritëshme. Perceptimet gazetareske dhe reale, të cilat ne përjetojmë si gazetarë, duke vënë në dukje njohuritë tona në sfond kur kjo është absolutisht e nevojëshme, të japin shansin e madh për ta jetuar një ngjarje a histori, para se ta hedhësh në letër, por janë edhe baza e suksesit të një proze-romani, tregimi apo novele.Dhe po të lexosh tregimet e romanet, përqindja më e madhe e tyre janë të bazuara në ngjarje të vërteta, nga përvojat jetësore, nga ngjarjet reale të ndodhura. Një tension i brendshëm, që qëndron në zemër të secilës prej këtyre pjesëve të gazetarisë tradicionale e profesionale. Është kompromisi që gazetari apo publicisti bën me traditën, historinë, kulturën,politikën, vlerat tona kombëtare e identitetin shqiptar.Publicisti është ndërmjetës midis profilit të lartë të vlerave njerëzore, qytetare e intelektuale, atdhetare e kombëtare, vlerave të njerëzve të thjeshtë e të shquar që kanë bërë e bëjnë historinë, publicisti është largëpamës dhe zbulon detajet më të imta, përkthen emocionet e një situate në mënyrë të drejtë e reale thellësisht te lexuesi, për të kultivuar imazhin e afërt të mesazhit apo vlerave që ai përcjell nëpërmjet penës publicistike. Publicisti e gazetari operon në kushte të ethëshme me sakrilegjin e vetvetes dhe të pavarësisë intelektuale për lirinë e fjalës, jo për t’u bërë i famshëm, por i sinqertë me lexuesin, me “kockë të fortë intelektuale” dhe shpinën e mendjes, ai na sjell pjalmin e jetës, nëpërmjet shkrimeve publicistikë, reportazheve, opinioneve, esseve, profileve, analiza politike, sociale, shoqërore e kulturore, intervistave me njerës të profileve të ndryshme, si dhe shkrime të veçanta studimore në fushën e letërsisë, monografi, kritikës letrare,etj. Lëvrimi i publicistikës bashkëkohore të ofron privilegjin për të shprehur ndjenjat ndaj kombit dhe bashkëkombasve, të jep “luksin” e lirisë për të prekur idealizmin e qytetarisë e inteligjencës shqiptare për progres e zhvillim, përcjell mesazhe të thjeshta e komplekse, që sigurojnë identitetin tonë kombëtar dhe janë drita që lemë pas, për të bërë të njohur atdheun dhe vlerat e një kombi, brenda njerëzores së përbashkët – Jetës!
Vështrimi metaforik i shkrimtarit.
Shkrimtari si një gjeolog, rrëmon në thellësitë e shpirtit, kujtesës, mendimit dhe përvojave jetësore të tij, të njerëzve të afërt apo edhe të atyre që e rrethojnë. Në këtë proces shkrimtari është thellësisht i vetmuar. Të jesh shkrimtar është një nga zanatet më vetmitarë në botë. Në teatër, film apo në një zyrë, ke kolegët, regjisorët, aktorët apo producentët,etj, ndërsa kur shkruan je brenda botës tënde shpirtërore, emocionale dhe frymëzuese, krejt e vetmuar.. Duhet të biesh në dashuri me të shkruarin dhe personazhin apo çka je duke shkruar për të, kjo të bën ti tolerosh vetvetes vetminë e të shkruarit. Vëmendja është vetë-mposhtur në një mënyrë. Ka dy gjëra të vlefshme që lënë pas, njëra është që shumicën e kohës gjatë procesit të të shkruarit e kalon në një dhomë duke jetuar me veten në një botë imagjinare, dhe tjetra është për të përfshirë në këtë botë imagjinare gjerësisht në lidhje me atë se çfarë mund të bëjmë teksa në jemi me këmbë në tokë. Unë nuk mund ta di nëse kjo është e rëndësishme për të gjithë shkrimtarët, ashtu sikundër nuk mund ta dish se a do të jesh në gjendje apo të arrish diçka që ëndërron e dëshiron, apo ke talent, por ngadalë me kalimin e kohës vë re se shumë nga gjërat që ke përjetuar, i mendon se janë të dobishme, për ti shkruar, ashtu sikundër janë jetuar me dhimbjen e shpresën, me gëzimin dhe hidhërimin, me të bukurën e të shëmtuarën, me optimizmin dhe pesimizmin, me idealizmin dhe grotesken,- pra përvojat jetësore. Është një lojë e rrezikshme ti kërkosh shkrimtarit se çfarë ata mendojnë, kur shkruajnë në lidhje me një temë të përgjithshme, sepse vetë shkrimtari është lexuesi më pak objektiv i punës së tij, por një nga gjërat që iu intereson si shkrimtarë është sfera e ndikimit te çdo personazh apo lexues, që do të ndikojë në botën e tyre dhe me ambientin që i rrethon. Shkrimtarët nuk janë partizanë të politikës dhe synimi i letërsisë nuk është kritikë apo reformim shoqëror.Një shkrimtar mund të ketë pikëpamjet e tij politike, por këto pikëpamje kurrsesi domosdomërisht nuk duhet t’i manifestojë në krijimin e tij letrar.Shkrimtari duhet të jetë vetvetja , brenda brishtësisë së individualitetit të tij. Shkrimtari e di se gjithkush përballet me kufizime të shumta në shoqëri dhe është zhytur ose në kakofoninë e turmës ose mbizotërohet nga ligjërimi i pushtetit.Kjo është sfidë e frikëshme për të shprehur pikëpamjet e dikujt në rrethana të tilla, një individ konfirmon ekzistencën e tij nëpërmjet një sfide të tillë nga mjedisi i tij.Duke e shikuar nga ky këndvështrim shkrimtari e di se letërsia nuk është armë për kritikë, por një dëshmi për ekzistencën.Një shkrimtar apo artist është dëshmitar për kohën e tij, dhe letërsia përbën një dëshmi të gjallë për njerëzimin. Janë ndjenjat idealiste që i bëjnë të shkruajnë për dhimbjen e dashurinë e të tjerëve, sigurisht që e përbashkëta është – Jeta. Kur je duke shkruar, një ide merr jetë, magnetizohet me idetë e tjera në drejtim të saj, dhe ajo që dëshiron të bësh më pas të shtyn të shkruash ngjarjen ashtu sikundër ka ndodhur, se si ajo ngjarje i ka prekur njerëzit, mendon disa momente dhe më pas fanatazon. Lloji i ndryshimit që gazetarët e shkrimtarët sjellin është domosdoshmëri e ndryshimit, ngandonjëherë ndodh ndryshimi vërehet në kohë, por ka që merr edhe kohë të gjatë, por rëndësi ka që mesazhi i ndryshimit është përcjellë.
Jeta e njeriut është poezi, – poezia është Poeti!
Poetët janë shprehës dhe emërtuesë të emocionit të fortë, që shpërthen nga bukuria e psikikes, njerëzores e shpirtit artistik. Poetët e vështrojnë botën jo nga fasadat e pikturuara e të stolisura me gjithfarë ngjyrash, ata janë krijuesit e universit të intimitetit të bukurisë shpirtërore e verdiktit për vazhdimësinë e njerëzores. Poetët janë Sovranë të heshtur e modestë. Liria dhe përjetësimi i dialogut me veten e botën që e rrethon, -mes brengës e mallit, nostalgjisë e kujtimit, urtësisë e mencurisë, vlerës e antivlerës, bukurisë e groteskes, vdekjes e jetës, admirimit dhe respektit, nën aureolën e njerëzores, dashurisë dhe jetës. Bota dhe vargjet poetike të Homerit janë aq të cmueshme e të admirueshme për Homerin, si fitoret e Agamemnonit që janë të Agamemnonit, ashtu janë bota dhe vargjet poetike të cdo poeti për poetin. Poetët nuk presin të cfaqen heronjtë e të urtët, apo të bëjnë sehirxhiun e ndihmësin në studion e piktorit,-jo-poetët janë “arkitektët” e ekzistencës njerëzore nën efektin e frymës dhe muzës poetike. Poetët njohin lirinë e të shprehurit, jeta e njeriut është poezi, – poezia është Poeti! Poezia është liria e ndjenjës, moment, gjendje emocionale e shpirtërore që ndodh në jetë. Të krijosh poezi është përpjeka për të arritur të njëjtën përgjigje emocionale në akord me lexuesin. Poezia është gjerdani i artë i fjalës, i ëndrrave, pasioneve, dëshirave, psikikes e shpirtërores. Poetët janë të kulturuar, pasionantë,ëndërronjës të shoqërisë me parametra qytetare dhe intelektuale. Poezia është ndjenja, mendimi i shprehur në pak fjalë dhe histori e tërë, e dhimbshme, reale dhe e bukur. Poetët përtej gjithë aftësisë, pasionit e talentit të tyre, brenda lëkurës poetike, nënkuptojnë rrjedhat dhe tendencat e mendimit filozofik, që i japin formë psikikes e shpirtit artistik, nga e cila rrjedhin fjalët e shkruhen vargjet. Me dritën poetike ata penetrojnë ndjeshëm në kontrastet shoqërore, mes mendimit të pakufi të filozofisë së poetit dhe pikëpamjes së gamës së problemeve, konsekuencave, evolimit të tyre, mes formimit shumëdimensional e pasurimit ideor, meditimit e dinamizmit, forcës sociale dhe ngarkesës emocionale,duke përfshirë edhe veçantitë e personalitetit të tyre,si pjesë e së tërës,-universit njerëzor e shpirtëror dhe dukurive të tyre psikologjike, besimi në të vërtetën e sfidës për mbijetesë-riëndërrimin e dashurisë për jetën e me jetën. Gjithmonë kam menduar se edhe një mjekrosh i poezisë mund të ketë rast gjatë jetës së tij të turpërohet para poezisë së një vajze adoleshente. Në të vërtetë ky lloj turpërimi mund të shqisohet nga një mjekrosh që vazhdon të jetë poet përsëri.
Një poet që vazhdon të jetë poet tërë jetën është në kërkim të së bukurës, të poezisë së bukur, e cila gëlon ngado, patjetër ashtu, sikurse gëlon gjallesa e jetës, sikurse gëlon natyra; sikurse gëlon një kopsht me fëmijë të vegjël dhe që askush nuk e parashikon se cili prej tyre do të bëhet, kush shkrimtar e poet i mjerë.
Derzhavini i shquar i Rusisë, kur dëgjoi vetëm një poezi nga një djalosh 16 vjeçar tha vetëm kaq: “Ja se kush do ta zëvendësojë Derzhavinin”. Djaloshi ishte Pushkini.Vargjet poetike kanë në qendër simbolikën e lidhjes së fortë me lirinë e psikiken e shpirtit, imtësira psiko-analitike e figura të goditura metaforike, imazhin e dhimbjes e dashurisë, përjetimit të përvojave jetësore e fantazisë, pasionit e shpresës mes kontrasteve të jetës e artit, raportin mes natyrës e njerëzores, sikundër i ka ndjerë e jetuar, poeti.
Vështrimi metaforik i shkrimtari, i lirikes,psikikes e shpirtit artistik të poetit, pamvarësisht diferencës dhe vështrimit të drejtëpërdrejtë të gazetarit e publicistit,- e përbashkëta e tyre është-Jeta!
Raimonda MOISIU
HARTFORD CT USA
Janar 2014