Eduard Selami, 24 vite më parë ishte frymëzues i studentëve dhe themeluesi i PD-së, duke luajtur një rol të rëndësishëm në përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri që në vitet e para të demokracisë. Por ai është edhe ish-sekretari i parë i përgjithshëm i demokratëve që nga 12 dhjetori ‘90 deri më 22 mars, kohë kur PD-ja erdhi në pushtet ndërsa ai u zgjodh kryetar i saj. Pas kaq vitesh, z.Selami tregon për “Gazeta Shqiptare”, se ka vendosur të hyjë sërish në garën për postin e sekretarit të përgjithshëm, me besimin se do të fitojë. Ai ka telefonuar dy kandidatët e tjerë që hyjnë në këtë garë, Arben Ristanin dhe Enkelejd Alibeajn, ndërsa vetë thotë se kandidon për vazhdimësinë dhe vlerat e reja në PD. Eduard Selami ka vendosur të vijojë karrierën e suksesshme në PD, që nisi që në orët e para të krijimit të saj, vijoi me karrierën profesionale në SHBA dhe rikthehet sërish si i duhuri për të drejtuar postin e sekretarit të përgjithshëm. Sepse ka çfarë të ofrojë, pikërisht kontributin dhe eksperiencën e gjatë në Partinë Demokratike.
Z.Selami, si e shikoni procesin zgjedhor brenda PD-së, që nisi nga baza dhe po shkon drejt përfundimit të zgjedhjes së lidershipit të ri?
Këtë proces e konsideroj shumë të rëndësishëm, i cili nisi fill pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit. Procesi tashmë është drejt plotësimit dhe për mendimin tim e ka bërë Partinë Demokratike një forcë më të mirë, ka zgjeruar demokracinë brenda partisë, ka krijuar një hapësirë për thirrjen e elementëve të rinj, një harmonizim të vlerave dhe kontributeve brenda PD-së. Sot PD-ja ka rritje të ndjeshme të anëtarëve të saj. Janë plot 106 mijë anëtarë, me rreth 5200 seksione, 527 grup seksione në 53 degë në mbarë vendin dhe sot PD-ja është më e fortë dhe më e shëndetshme se ç’ishte më përpara. Ky proces do të vazhdojë. Ne po bëjmë një opozitë konstruktive, ballore, në interes të Shqipërisë dhe forcimit të Partisë Demokratike.
Është e vërtetë që ju do të kandidoni për sekretar të përgjithshëm?
Po, është e vërtetë. Do të kandidoj për postin e sekretarit të përgjithshëm.
Ju keni qenë sekretari i parë i përgjithshëm i PD-së në fillimet e saj, për dy vite me radhë, nga themelimi i saj më 12 dhjetor e deri në fitoren e ’92-shit. Çfarë përbën për ju rikthimi tek ky post në rrethana krejt të tjera?
Po të lëmë mënjanë anën emocionale, e cila është e paevitueshme sepse unë kam qenë sekretar i përgjithshëm që në themelimin e PD-së, është një detyrë që e shoh me shumë përgjegjësi. Në ato vite të vështira, së bashku me themeluesit e tjerë ne kemi shkuar në çdo cep të Shqipërisë, për të filluar gjithçka nga e para, duke qenë partia e parë opozitare që iu kundërvu diktaturës më të egër komuniste. Ne në një kohë shumë të shkurtër e kthyem urrejtjen që kishin shqiptarët kundër komunizmit, në shpresë për të ndërtuar një Shqipëri si gjithë Europa. Unë mendoj që PD-ja tashmë ka ndryshuar, është në një stad tjetër. Me shumë dëshirë kam pranuar që të ofroj kontributin tim, sepse gjykoj se PD-ja sot është në një proces të rëndësishëm të organizimit të saj, të bërjes së opozitës, të ruajtjes së shtetit ligjor dhe të interesave të qytetarëve tanë.
Kam dëgjuar se, në momentin e vendimit për të kandiduar për këtë post keni telefonuar dy rivalët tuaj, Ristanin dhe Alibeajn…
Po, është e vërtetë që telefonatat e para ua bëra dy kandidatëve të tjerë, për të cilët kam respekt. Kjo është një garë brenda familjes politike. Është një garë se kush e bën këtë punë më mirë dhe vendimi u takon me votim të fshehtë 278 anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Ju personalisht, ç’po bëni për ta pasur më të sigurt postin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së, pasi me sa di unë, kandidatët e tjerë po lobojnë me anëtarësinë e Këshillit Kombëtar të PD-së?
Fillimisht kam biseduar dhe takuar shumicën e deputetëve, më shumë për të shkëmbyer vizionin dhe vlerat e përbashkëta që ndajmë. Ajo që mund të them është se kjo është një garë brenda familjes, është një garë që gjithkush ka të drejtë të mendojë se mund të japë kontributin e tij. Unë kam vendosur të jap kontributin tim. Mendoj që së bashku me kryetarin Basha, ky do të jetë një kombinim i mirë i historisë që unë mbart dhe gërshetimit të vlerave që e themeluan PD-në, si një forcë me orientim të qartë euroatlantik dhe përfaqësuese e vlerave të lirisë e demokracisë.
Në momentin që ju vendosët të kandidonit, kush ka qenë personi që ju telefonoi?
Kanë qenë disa, që unë dua t’i falënderoj, kanë qenë deputetë, kryetarë degësh, anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe mjaft anëtarë të thjeshtë, që prej muajsh më kërkojnë më shumë angazhim brenda partisë.
A është zgjedhja juaj, më e mira për PD-në?
Në këtë moment besoj se po.
Pse duhet të votojnë emrin tuaj anëtarësia e Këshillit Kombëtar të PD-së?
Mendoj se unë kam një eksperiencë të gjatë në PD. Kam një profil politik të cilin demokratët e njohin. Kam një eksperiencë dhe lidhje të rëndësishme në Amerikë dhe në Perëndim, aty ku Shqipëria është duke shkuar.
Të ndalemi pak tek qeverisja e majtë; si po qeveris ajo?
Është për të ardhur keq që është një qeverisje e cila lë shumë për të dëshiruar. Për mendimin tim, rrallë ka pasur një qeverisje që për një kohë kaq të shkurtër, të thyejë shumë premtime dhe ta vendosë Shqipërinë në një pozitë të vështirë në shumë plane. Ftesës sonë për konsensus dhe dëshirës sonë për të bashkëpunuar me të për interesin kombëtar për integrimin evropian, fatkeqësisht mazhoranca iu përgjigj me thyerjen e konsensusit dhe një raprezalje në spastrime nga puna, duke shkelur ligjin. Vërejtjet e mia janë po ato që shprehen dhe në progres-raportin e BE-së; përpjekja për të zhbërë institucionet, sulmi ndaj institucioneve të pavarura, përpjekja për të rrudhur demokracinë, futja e dhunës në parlament, janë shenja serioze që më shqetësojnë mua dhe shumicën e shqiptarëve.
A e ka ndjerë zona që ju përfaqësoni, ajo e qarkut të Elbasanit, këtë keqqeverisje që ju thoni?
Po, dhe shumë më shumë se ç’paraqitet në media! Madje shumë më shumë se ç’mendoja dhe unë si opozitar! Jo larg, por dje (të premten) unë isha në një zonë të Elbasanit, në Belsh, së bashku me kryetarin Basha, ku rreth 30 mijë vetë prekeshin drejtpërdrejt nga ai premtim i dhënë gjatë fushatës elektorale, që do të rritej çmimi i blerjes së duhanit deri në 600 lekë, nga 320 që ishte më përpara. Dhe jo vetëm që nuk u rrit, por tashmë ka shkuar tek 180 lekë, ku kostoja e tyre është tek 270. Pra preken rreth 30 mijë banorë dhe familjet e tyre. Ajo që është më shqetësuese është se nuk kanë mundur të kontaktojnë as me deputetët e PS-së dhe kryetari i Bashkisë së Belshit, Asqeri Kuqja më tha se prej kohësh përpiqet pa sukses të kontaktojë me kryeministrin e vendit. Këto nuk janë praktika bashkëkohore.
Për këto arsye del në protestë PD-ja më 22 nëntor?
Protesta e 22 nëntorit, nuk është vetëm e PD-së, është e të gjithë shqiptarëve; është protestë kundër premtimeve të pambajtura, është protesta e moshapjes së vendeve të reja të punës dhe e varfërimit të përditshëm, rritjes së çmimit të energjisë elektrike, si dhe mungesës së shpresës. Prandaj iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë pa dallime partiake në protestë, si një formë e rëndësishme për mirëqeverisjen.
Në kushte të tilla, a po i përmbush PD-ja detyrimet e saj si opozitë?
Unë them që po. Ne po shkojmë tek qytetarët. Këto shqetësime që unë po ngre, janë hallet e përditshme të shqiptarëve, të prekur drejtpërsëdrejti nga arroganca e qeverisë. Nuk janë shqetësime të sajuara prej nesh. Ne po përcjellim problemet që kanë shqiptarët. Ajo që është për të ardhur keq është që qeveria dhe kryeministri janë larguar nga qytetarët dhe premtimet e bëra.(Kortezi:Valentina Madani-Gazeta Shqiptare)