Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, të të gjithë vatranëve dhe Shqiptaro-Amerikanëve ju dërgoj përgëzimet më të veçanta në këtë ditë të shënuar të përjetësimit në shtatore të Vatranit, Atdhetarit dhe Klerikut të shquar Mons. Zef Oroshi. Jeta dhe vepra e këtij patrioti të flaktë, rrugëtimi i tij, misioni dhe simbolika që na paraqet sot ky njeri i madh, janë një frymëzim i lartë patriotik sesi sakrifikohet dhe duhet Atdheu dhe i madhi Zot në ditë të vështira. Kishës Katolike rrallë do i vijnë klerikë kaq të lartë si Mons. Oroshi. Ai ishte antikomunist, prift frymëzues, teolog biblist, intelektual e atdhetar i shquar, njeri me zemër të madhe, meshtar i përkushtuar, patriot që punoi e jetoi për Kombin e Zotin tërë jetën e tij të Shenjtë. Veprimtaria fetare, klerikale, dhe atdhetare në New York janë shembuj frymëzimi e angazhimi në shërbim të njerëzve, Zotit dhe luftës së pa shembullt ndaj së keqes. Lavdi jetës, veprës, përkushtimit dhe nderimit të Mons. Zef Oroshit.
Me respekt dhe vlerësim
Kryetari i Vatrës,
Elmi Berisha