![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2019/05/1-a-Shaqe-Grishaj-1.jpg)
NGA ALFONS GRISHAJ/
GjysmPerëndia nënë la bekimin…
Amanet mes urës thyer të dy botëve
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2019/05/Shaqe-Grishaj.jpg)
Peng i shpresës së panjohur
Luftës besimit dhe mosbesimit
Misterit pohimit dhe mohimit
Në dizenjon e universit plot shkëlqim e terr.
Në magjinë e tingujve yjorë
La memorjen mistike të tranzicionit
Valëve mijëvjeçare ndërplanetare
Lidhjen magnetike mes lindjes dhe perëndimit
Forcën e limitizuar njerëzore
Ku ndahet dëshira dhe mundësia
Endrra dhe qenësia
Në cakun e gunës së hirtë të dimensioneve.
Në tavolinën ekzistencialiste … zaret e hedhura nga
Jaspers, Marcel, Kafka, Heidegger, Sartre, Nietzche…
Frymëzuesit e mikroZotave (mbinjeriut)
Që si hije sillen mbi kokat boshe dhe gjokset e bjerruna
Për me peshku marshin e përjetësisë.
Vdekja nuk ekziston kur besimi është i padeportueshëm
Prej piskamave të sorrave që dalin prej zgavrave
Mbi gropat e rrugëve qorre.
Nëna skaliti uratën mbi mermerin e ftoftë si memorje
Jehonë membranash , zefir ndër vite,
Melodi nën zë mjalti i fjalëve plot përgjim…
Lotët e fundit ngrohtësi e përdëllim.
Nietzche ! “Zoti nuk ka vdekur!”
Ai bashkoi nënën dhe babën në përjetësi…
Atje ku shpirtërat ushqehen me nektar !
Atje ku nuk ka mbretër , të varfër , këshjella e as varr!
GjysmPerëndia nënë , madhështia e të vërtetës ,
Burim magjik dhe sekreti i jetës .