Behar Gjoka/
Një nga punët, e vyera dhe thelbësore, të mbaruara për mbrekulli, gjer në përsosje, nga Faik Konica, është edhe formësimi dhe shpalimi i eseistikës, si formë dhe frymë shprehëse, si thënie e përkryer e një mendje të ndritur euriditi. Një nga përcaktimet e bëra rreth kësaj figure nga Kujtim M Shala, në librin Elipsa, teksa shprehet: Konica i dha fund një modeli kulturor/letrar: himnizmi, dhe nisi një tjetër: modeli kritik, me duket se përfton natyrën dhe rolin e tij, përmasën dhe kontibutin, në të gjitha rrafshet kreative, qoftë edhe në lamin eseistik. Njëherit, ndërkaq eseistika e materializuar mjeshtërisht, në disa nga tekstet e tilla, njëkohshëm përfaqëson majën më të lartë, të veprimtarisë mendore dhe krijuese të kësaj figurë të shquar të historisë moderne shqiptare, që komunikon dhe ndërkomunikon po kaq natyrshëm sot e gjithë ditën. Vështrimi i kësaj ane të kontributeve të gjera dhe të vyera të Konicës, në lëmitë e shumta të kulturës, varësisht në lavrimin e esesë, shtron për shqyrtim disa çështje:
a – Tipologjia eseistike, si ngjyresë shprehëse, tiparet më të rrokshme të kësaj forme ligjërimi.
b – Eseja dhe eseistika, si formë komunikimi, në kohët moderne ka fituar hapësira më të mëdha.
c – Kontributi i Konicës, në historinë e mendimit dhe të literaturës shqipe, në shkrimin eseistik.
d – Rrënjët e shqiptimit eseistik të autorit, si dhe fondamenti artistik dhe kulturor i Faik Konicës.
Nëse për çështjen e parë do të përmendim qysh në krye kuptimin e termit, nga frëngjishtja essai = tentim, sprovë. Eseja, në pikëpamje formale, është një shkrim i shkurtër në prozë, ku zakonisht shprehen qëndrimet personale për çështje nga jeta, morali, shkenca, arti, politika etj. Sipas Sabri Hamitit, eseja është formë shkrimi e patrajtë (ku mungesa e trajtës është vetë trajta eseistike, që buron nga bashkëlidhja e letrares me joletraren- shënim imi), që njeh më parë impulset e krijimit se sa kufijtë e konventës dhe është forma më e përshtatshme për shpirtin krijues dhe kërkues, ku shkrepin idetë e pastra pa u lodhur të gjenden të gjithë argumentimet. Është forma më e lirë krijuese dhe lloji më i vështirë për t’u kanonizuar. ”. Megjithatë, eseja duke qenë një trajtë që ngërthen dhe përjashton të gjithë trajtat e ligjëratave, letrare dhe joletrare, ndërkohë përçon maksimalen e shenjës estetike dhe logjike. Prandaj, pranimi dhe shijimi i saj, si vatër dhe materie e shumëfishtë estetike, tekembramja, buron nga dija estetike. Në këtë rast, këmbëngulja e Kantit, teksa vëren se: “Një gjykim shijeje që nuk ndikohet nga hijeshia apo emocioni … dhe ku si tipar përcaktues është thjesht qëllimësia e formës, është gjykim i kulluar i formës”, na ndihmon sadopak për të depërtuar në hapësirat tekstologjike të eseistikës, jo pak të larmishme të autorit, që bart kjo enciklopedi e pashoqe e letërsisë sonë, me kaq shumë vatra sinkretike.
Rreth çështjes së dytë, po sjellim shkurtimisht, një pjesë të historisë, që zë fill me (Michel de Montaigne) i pari që e përdori këtë term, në vitin 1580. Megjithatë, formën e esesë e gjejmë te Sokrati, Platoni, Theofrasti, Ciceroni etj. Ndërmjet shekujve 16 dhe 17-të, shquhet Frensis Bekoni, ai e quante esenë si “figuracion që jep më shumë oreks se sa ngopje”. Eseja mori një pamje më moderne te autorët: Xhon Miltoni (1608-74), John Drydeni (1631 1700), Dr. Samuel Xhonsoni (1709-1784). Në Gjermani eseistika lulëzoi me Shilerin (1759-1805), vëllezërit Shlegel, kurse më vonë nga Hajnrih Hajne. Në shekullin e 19-të dallojmë esetë e Saint-Beuve-it, Brander-it, Lemaitre-it etj. Në shekullin 20-të shfaqen emra të rinj: E. M. Forsteri, Virgjinia Vulf, T.S. Elioti, Xhorxh Orvelli, Stefan Cvajgu, Andre Zhidi etj. Vihet re se, në shkollat dhe moderne dhe postmoderne, krahas shtimit të hapësirave të lëvrimit të eseistikës, pavarësisht llojit dhe problematikës, vështrimi eseistik i realitetit letrar, me gjasë vatra e shkrimit artistik, sa vjen dhe zgjeron praninë e vetë në letërsi. Në historinë e shkrimit të esesë, ashtu si në shumëçka tjetër, sërish duket se jemi më të vonuar se letërsitë e tjera, por fatlumnia e pranisë së eseve mjeshtërore të Konicës, e vunë mbë udhë të mbarë dhe në një hap me shoqet e tjera, edhe këtë lami të shkrimit letrar dhe joletrar, aq të përkorë dhe hijerëndë në kohët moderne.
Padyshim, çështja e tretë, që ka të bëjë me shkrimin mjeshtrëror të eseve, si dhe me hedhjen e themeleve të eseistikës në literaturën shqipe, si një kreativë e realizuar me cilësi të rrokshme nga Konica, shënon vatrën kryesore të qëmtimit tonë, për të cekur mu në thelbin e tipareve të saj. Duke qenë kështu, pra një pikësynim i shpallur, që përbën pikën më të vështirë dhe nevralgjike, po kaq vetë qëllimin e kësaj ligjërate, për veprën shkrimore të Konicës përheri e vlen të hedhësh një vështrim, në kontributet e shumëfishta të kësaj figure, pra eventualisht edhe mbi tekstet e sendërgjuara si ese, që me veprën e thukët letrare dhe joletrare, mbi të gjitha ndanë tradicionalen nga modernia. Pikërisht kjo shenjë unike dhe përtrimëse, e njeriut dhe kombit shqiptar, për të cilën kishte nevojë kultura dhe shoqëria shqiptare, jo rastësisht vjen prej pendës së lakmueshme, në stil dhe formë, fjalë dhe vokacion, madje diçka me tepër si një binar ku duhet të lëvizë vetë qenie njerëzore. Përcaktimi i sakët i numrit të teksteve, ku është lëvruar eseistika e mirëfilltë, pra janë pesë apo më shumë, mbase pavarësisht tematikës dhe problematikës, llojit dhe shprehësisë, në të gjitha rastet, thelbësore është marrëdhënia që vendoset me këto tekste. Sugjerimi i T. Todorov,: “Nuk ka gjë më të zakonshme se përvoja e leximit dhe nuk ka gjë më të shpërfillur. ” (2000: 165), tek libri Poetika e prozës, zbulon përpara lexuesit të çfarëdo niveli, dy anë të medaljes, se pa lexuar dhe rilexuar tekstet e shkruar si ese, nuk kemi asnjë mundësi dhe shans të rrokim idenë fillestare dhe ideale të autorit. Po kaq, leximi dhe leximtaria, pavarësisht se mund të jenë diturake dhe skolastike, akademike dhe të zakonshme, në të gjitha raste nuk shpëton dot nga rrathët e subjektivitetit {ngasjes se u tha fjala e mbrame, sepse e para dhe e mbramja fjalë i mbetet shkrimtarit}, pra të shijes personale, që gjithsesi mbetet unike dhe e pa përsëritshme. Madje, në një kuptim më të ngushtë, jo si dije diturake, por si nevojë e kumunikimit, me tekstet letrare dhe joletrare, të gjitha llojet e leximit, në këtë rast të eseistikes së Konicës të shpien tek dhe kah Konica, për të zbuluar, rizbuluar dhe mbi të gjitha për të vënë re vatrat e paqëmtuara më parë. Sprovat e shumta, si veprimtar dhe kërkues, në punët e shtetit, të kulturës dhe kombit, të fjalës dhe të letërsisë, të përkthimit dhe të gazetarisë, bën që kur mori pendë dhe kartë në dorë, për të shkruar esetë, e famshme, të kishte pjekurinë dhe shijen e majftë, për të vënë themele, të sigurta dhe të palëkundura, sot e gjithë ditën, të llojit të esesë në gjuhën shqipe. Midis teksteve të shkruara mrekullishëm si ese, do të mjaftonte eseja Shqipëria si m’u duk, për të krijuar një mendim përfundimtar për aftësitë shkrimore të Konicës në këtë rrafsh të ligjërimit, ku bashkëshkruhet letrarja me joletraren, shpirtërorja me logjiken. Mjeshtërisht në të pesë esetë e materializuara nën këtë titull, kapen aspektet më shqetësuese të kohës, lëngata e shoqërisë, në kapërcyell të dy shekujve, njëherit kryhet një operacion, etik dhe estetik, mbi sëmundjet më të përhapura të shoqërisë së kohës, derdhur kaq magjishëm në tekstet befasuesë të autorit. Në tekstet eseistikë të Konicës, simbas K. M. Shalës, vihet re se: Domeni është historia, zhnari – esja, duke hedhur kështu vështrimin në frymën dhe tipologjinë e shkrimit, si një ambiguitet brendashkrues i teksteve eseistike. Po nga Shala vjen edhe përfundimi tjetër, që ka të bëjë më tepër me natyrën e tipologjisë së saj: Eseja është zhanër modern në diskurset historiografike. Ky zhanër, përpos që bart informacion, përpos diskursivitetit, mundëson narracionin. Në këto piketa, të brendisë dhe shprehësisë që shaplojnë tekstet eseistikë të autorit, shfaqen edhe linjat e dalluara, në kërkimin dhe pranimin e veçansisë së shkrimit dhe shqiptimit, që bart dhe përçon, krahas anëve të tjera kreative, eseistika e autorit. Bie në sy, përvijimi i këtyre atributeve më kryesore që ngërthen eseistika e autorit, ndërkohë është përcjellur:
Së pari: Në anën e kufirit të shtetit amë, pra në Shqipërinë londineze, proza dhe eseistika, janë parë si të ndërthurura, madje janë të cilësuara si të tilla, në nivel të akademizmit, çka vihet re në qasjet dhe trajtimet e kryera nga studiuesit dhe botuesit e veprës së tij, letrare dhe kulturore, i cilët e shohin më tepër si pjesë të përafërt me tipologjinë e shkrimit të prozës, ndonëse njihet, por pa i përcaktuar ende vendin dhe rolin që bartin tekstet e realizuara si ese.
Së dyti: Në të përkundërt qëndrojnë studimet letrare të anës tjetër të kufirit, ose të Shqipërisë Atlantike, ku Sabri Hamiti, Kujtim M. Shala, e shohin esenë, tipin e shkrimit të gërshetuar të kërkimit me shprehësinë autoriale, madje duke shkuar deri në rastin e sqarimit të secilit tekst, që përcaktohet si një ese e mirëfilltë.
Së treti: Të një hipoteze, që do të kërkonte mund dhe kërkim, verifikim dhe interpretim, e sidomos kontributin e jo pak studiuesve, se Konica ka realizuar ese të mirëfillta, me anën e të cilave ka hedhur themelet e saj në kulturën shqiptare, por vështrimi eseistik, pra i ndryshëm dhe i përkundërt, si dhe një paraqitje e këtillë, ndërkaq mbizotëron krijimtarinë letrare dhe kulturore, në prozë, publicistikë, përkthim, poezi, madje në vetë jetën prej bohemi të shkrimtarit. Leximi, analiza dhe interpretimi i teksteve të konceptuara si ese, po kaq interpretimi i interpretimeve të bëra nga studimet letrare, vetëm sa na ndihmon për të shkuar tek Konica, tek tekstet e tij, ku fle dija, arti, logjika, mençuria dhe mjeshtëria e shkrimit, ku ligjërata bart shenja dhe ngjyresa të shumëfishta.
Një nga pikat e lëna disi në terr, mbase jashtë vëmendjes së shqyrtimeve letrare, janë rrënjët e figurimit të kësaj figure poliedrike, të këtij personaliteti kontrovers dhe të papërsëritshëm, të cilat tashmë duhet të hetohen, preken dhe vihen në barazlargimet e nevojshme, në marrëdhënie të ndërsjella me kontributet e shumëfishta të tij. Padyshim sendërtimi i eseistikës, i mendimit të lirë dhe argumentues, thanë ma troç i mendimit ndryshe, është prurja me e vlertë e Konicës. Adërmendësh, që qëmtimi i vlerës së teksteve të esesë, duke qenë diku në fillesë, sepse brenda shekullit të njëzet ai përjetoi shkëlqimin, rënien dhe rikthimin në panteonin e kulturës, do të kërkonte kohë dhe kontribute më të gjera. Ky ishte një fat, i mbrapshtë dhe lodërtar, që u ra për hise mjeshtrave të fjalës shqipe, si At Fishta, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, e dhjetëra figurave të tjera, të kulturës dhe letërsisë sonë. Shumëplanësia e figurës dhe veprës, po kaq e materies eseistike, mbase duhet parë në dyzimin e beftë, të plotënisë së jetës, me gjasë me paplotësinë e veprës. Një pjesë e teksteve mbetën të papërfunduara, çka është brenda rregullit, për të qenë ndryshe nga koha e tij, por edhe nga kohorta e mëvonshme. Individ i përveçëm, pavarësisht se diti të jetë, njeri i lirë, shkrimtar jashtë kodeve dhe kanoneve të njohura, dashnor i zjarrtë dhe pa skrupuj, njëherit burrështetash i përkorë, fitoi mbi gjithçka, sidomos triumfoi mbi turmën si pak të tjerë, ne gjallje dhe në amshim. Në jetë Konica mbeti rebeli i pandreqshëm, që pati raste që nuk binte dakord as me veten, e jo më me të tjerët. Paplotënia, e veprës letrare, varësisht përcaktimit metaforik dhe simbolik, që diku paraqitet e kryer, e diku tjetër e lënë në gjysëm të udhës, porse në të dy rastet na vjen e përsosur, përveç shkaqeve të tjera, se nuk ka kush t’i lexoj librat… siç e pati formulura dikur, duhet marrë me jo pak rezervë. Pikërisht, paplotësia e veprës, kinse lënia e papërfundur e disa teksteve, e ndërlidh natyrshëm me plotësinë e jetës, pra thelbin e natyrës së rebelit të pakundshoqshëm. Prandaj, thelbin ekzistencial të jetës dhe veprës, po kaq edhe të materies shkrimore eseistike, e përfaqëson rebelimi/kundërvënia, eventualisht ndryshimi në marrëdhënie me gjithë realitetet e shumëngjyrta shqiptare. Duke qenë ndërkaq vepra e tij thellësisht rebele/eksperimentale, ajo është e plotë, e përfunduar, pra e kryer, si një srpovë unike dhe autentike e shkrimtarit. Paplotësia, me gjasë hapësirat e lëna bosh, si me thënë rrafshet e lëna përgjysëm, lidhet me paragjykimin e zakontë, sidomos më kërkimin e akademizmit allashqiptarçe në mungesat, që hasen edhe tek Shekspiri, si dhe me lënien jashtë vëmendjes të pranisë së kësaj dukurie unike, letrare dhe kulturore. Duke i bartur kështu të dy atributet, pra të mjeshtrit të fjalës, anipse ndonjëherë të lënë në mes të udhës, por edhe të magjistarit të fjalës përlindëse të gjuhës shqipe, Konica shënon një dukuri unike në kulturën shqiptare. Gjatë leximit dhe rileximit, ku “Natyrisht shumimi i librave lirik dhe i eseve mund të krijojë këtë e kam vënë re, një shenjë të prapë të leximit rreth veprave artistike në vend se të lexohen ato, kështu mund të pajisemi me opinione në vend se ta edukojmë shijen. ” (1980: 36), siç pati sugjeruar Tomas Elioti tek libri Ese të zgjedhura, një fat i hidhur që i ra për hise edhe Konicës, në të gjithë krijimtarinë, pra edhe për tekstet e shkruara si ese. Është shtrirja hapësinore, që i jep kuptim të pandërprerë aktit të leximit. Ata që kanë përjetime të tilla, të humbjes dhe përftimit, ose lexuesit virtualë, janë fare pak. Një numër i vogël dhe krejt i shpërfillur, përballë turmës unike apo lexuesit real.
Në historinë moderne, për veprën dhe natyrën e saj unike, Konica mbetet një nga figurat më befasuese dhe më të ndërlikuar, të botës sonë, e prandaj zbulimi i këtyre rrënjëve, është shenjë e zgjerimit të komunikimit me natyrën, karakterit dhe laryshinë e veprës kulturore dhe letrare të këtij personaliteti. Mjedis dëshmive, që të shpien kah rrënjët e tipit, njeriut gjenial, arritjeve në lëm të letrave dhe të kulturës, të vijnë në mend këto rrethana:
– Pinjoll fisnikësh të një derë më emër dhe kontribute të vyera në ndihmë të dheut dhe gjuhës shqipe.
– Njeriut bohem, që gjithçka e kërkon përtej mëhallës së vetë, teksa gjezdiste Parisin, Londrën, NJy jorkun, kryqendra të qytetërimit botëror, vetëm sa pasuronte sqimën e tij, madje shpesh i habiste me dijet dhe zgjuarsinë sallonet mondane.
– Nga të paktët poliglot dhe buzëhollë, i historisë së kulturës shqiptare, që fliste dhe shkruante në shtatë gjuhë.
– Misionari i ndarjes me botën tradicionale, të mbytur në krenari dalëbojëse.
Bashkëshkrimi, ku fle arti dhe mendimi, shija dhe lodrimi, pohimi dhe tallja, aspirata dhe iedeali estetik, si dhe gjerësia e kontributeve, nuk e pengoi aspak për të kërkuar thelbin e veprës, që vjen dhe shpaloset në dy forma:
I – Me anë të lavrimit të shkrimit letrar dhe joletrar, krejt ndryshe, madje edhe nga bashkëkohësit, shoqëruar me kundërshtimin e klasicitetit, duke shpallur botërisht kredonë e lëvizjes dinamike për të ndryshuar, për të ecur në ritmin e botë së qytetëruar. Vetë thelbi i ndryshimit ka të bëjë me eksperimentin dhe përmbysjen, tipare të cilat i hasim në çdo tekst shkrimor, por të ngjyrosura me një cilësi të shkrimit autorial, ku secili tekst letrar dhe joletrar, bart njëherit një tipar të bashkëshkrimit, si një aureolë eseistike, pra me bashkëlidhjen, e shkrimit letrar dhe joletrar, të përcjelljes së materies, përmes vështrimit eseistik, që e bën më të rrokshme dhe më të thekuar natyrën eksperimentale të veprës së larmishme të Konicës.
II – Me themelimin e mendimit eseistik, krahas të gjitha prurjeve letrare dhe kulturore, madje të realizimit të llojit të esesë, në atë nivel dhe formësim të njëmendtë, në historinë e mendimit dhe të letërsisë shqipe, në të gjitha tipet dhe llojet, duke gdhendur portretin e mjeshtrit të fjalës shqipe. Sendërtimi tipik dhe i përveçëm i eseve të mirëfillta, që si materie tekstuale, duket sikur janë shkëputur nga tipika letrare dhe joletrare, dhe më tepër, tashmë bëjnë jetë më vete, si tipologji specifike, që bart dhe përçon uniken dhe universalen, logjiken dhe formalen, letraren dhe joletraren, për të formësuar kështu një tip të ri dhe të përveçëm të komunikimit, siç është eseja. Realizimi me bukuri dhe magji shkrimi, në atë situim etik dhe estetik, të përkujton Pol Gajer, teksa shprehet se “kënaqësia që marrim nga e bukura është një reagim thjesht ndaj formës së perceptueshme të një objekti, pavarësisht nga përmbajtja që mund të ketë ajo., çka në rastin e eseistikes së Konicës lidhet me të dy rrafshet, të thënies dhe ligjërimit shprehës
Pjesë unike e mendimit eseistik, mbase edhe si një testament vetjak, me gjasë një emblemë e pashmangshme e verifikimit, të dijes dhe idealit, është edhe tekti “Lutja e shkrimtarit” një smerald i gazetës së mirënjohur “Albania”. Aty, më qaerë dhe gjithkund dhe se gjithëherët, zbulohet në një dritë të pazakontë fuqia, shpirti, fyrma e Konicës, teksa shprehet: “Ati yne që je në qiell, jepna fuqine të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetem me paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembimet e gjuhës dhe lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë!”