
Gëzim Zilja/
Ashtu si njerëzit dhe teatrot kanë fatin e tyre. Ata lindin e vdesin; të shumtit harrohen por ata që kanë bërë histori mbeten të përjetshëm. Në këtë shkrim do të merrem shkurt me vdekjen dhe ringjalljen e të parit Teatër shekspirian “Globus” pas 400 vitesh dhe dënimin me vdekje të Teatrit të Parë Kombëtar Shqiptar nga barbarët e sotëm.
Teatri i parë publik në Londër u krijua në vitin 1576 me emrin e thjeshtë “Teatri.” Përshkrimi i Teatrit ruajtur deri në ditët e sotme tregon se ishte ngritur në hyrjen e një shtëpie londineze e rrethuar me dy galeri trekatëshe anësore (shiko foton) ku rrinin njerëzit e pasur dhe një pjesë para skenës, që ngrihej gati 1.5 metra mbi platenë, ku rrinin njerëzit e varfër. Gjithë pjesa e përparme platea dhe skena ishin të pambuluara dhe në ditët me shi nuk jepej shfaqje. Teatri ishte një ngrehinë e zakonshme prej druri e përshtatur në oborrin e një shtëpie për të dhënë shfaqje dhe nuk paraqiste ndonjë ndërtesë të veçantë me arkitekturë moderne për kohën. Gjatë një shfaqjeje godina mori zjarr dhe u dogj plotësisht. Dy vjet më vonë u rindërtua në të njëjtin vend, në të njëjtat përmasa dhe mori emrin Globus. Teatri “Globus” zgjati shumë vjet, gjatë së cilës u luajtën veprat e Shekspirit. Shekspiri vdiq më 23 prill 1616 ndërsa Globus mbijetoi deri në vitin 1642. Në ngjarjet e mëvonshme që përfshinë Anglinë, Teatri u braktis dhe u shkatërrua plotësisht. Hapsira u lirua për të ndërtuar shtëpi banimi dhe gjurmët e Teatrit ekzistues u fshinë përfundimisht. Katër shekuj më vonë rreth viteve ‘80 autoritetet britanike ngarkuan një grup arkeologësh për të zbuluar saktësisht vendin ku shtrihej teatri gjë që u realizua pas shumë vite gërmimesh. Ekipi i përbërë nga arkitektë të famshëm, inxhinierë dhe historianë të teatrit e ringjallën “Globusin” plotësisht ashtu siç ishte katërqind vjet më parë. Inaugurimi u bë në vitin 1997. Në teatër nuk ka ndriçim artificial dhe shfaqjet mund të bëhen e të shikohen vetëm ditën. Nga gjithë teatrot edhe ata supermodern, që ka Londra, “Globus” është më i vizituari dhe më tërheqësi. Rreth tij janë vendosur muze, ku vetëm ai i rekuizitës (Gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar me fadromë rekuizita 75 vjeçare u shkatërrua) që përbëhet nga vizatime dhe veshje të aktorëve të atij shekulli, vizitohet nga të paktën tre milion njerëz çdo sezon. Çmimi për të vizituar teatrin si një muze i teatrit të kohës së Shekspirit është 7 £ për fëmijët dhe £ 11 për të rriturit.
Në Tiranë më 24 Maj 1945 u krijua për herë të parë Teatri Popullor. Godina historike në zemër të qytetit e ndërtuar nga italianët, ishte e vetmja godinë futuriste e inxhinierit dhe arkitektit italian, Giulio Berté, projekt i nisur në fillimjanarin e vitit1938 dhe përfunduar në shtator 1939. Nga kjo godinë lindën institucionet më të rëndësishme të kulturës dhe artit: Teatri Operas dhe Baletit, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Salla e Parë e Ekspozitave të Arteve Pamore etj. Në mars të vitit 2020 Teatri Kombëtar i Shqipërisë u zgjodh nga “Europa Nostra” mes 7 monumenteve të rrezikuara në Evropë, si shembull përjashtimor të arkitekturës moderne italiane të viteve ’30 të shekullit të ‘20 dhe një nga sitet më të shquara kulturore të Shqipërisë. Pas dy muajve, më 17 maj 2020 godina e teatrit u shemb me Vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe bekimin e Kryeministrit Rama. Nëse Teatri “Globus” kishte vetëm vlera historike, Teatri Kombëtar veç vlerave të padiskutueshme historike si Teatri i Parë Kombëtar e mjaftueshme që të mos t’i vihej kazma, vlerësohej dhe si vepër e arkitekturës moderne italiane për vitet tridhjetë të shek, XX. Sot në vendin e rrafshuar të Teatrit Kombëtar punojnë fadromat dhe betonierat për ngritjen e një teatri modern me financimin e qeverisë shqiptare.
PS Ne nuk kemi pasur teatër 500 vjeçar, si anglezët, italianët, francezët apo gjermanët. Kur Europa ngrinte Teatro e Universitete, pas vdekjes së Kalorësit të Krishtërimit Gjergj Kastriot Skënderbeut, Shqipërinë e kishte mbuluar me qefinin e vdekjes gjysmëhënëza turke. Katërqind vjet iu deshën shqiptarëve të braktisur nga Europa, të cilës iu bënë mburojë për 25 vjet rresht, të luftonin për mbijetesë, duke ruajtur doket, zakonet, këngët, veshjet, ritet e dasmave e vajeve, të ndryshme nga ato turke dhe atë që dallon një komb thellësisht nga një komb tjetër gjuhën tonë të bukur shqipe. Tetëdhjetë vjet më parë ne krijuam Teatrin Kombëtar Shqiptar. Aty filloi një histori e mrekullueshme me Mihal Popin, Naim Frashërin, Kujtim Spahivoglin, Kadri Roshin, Violeta Manushin, Tinka Kurtin, Roza Anagnostin, Sulejman Pitarkën, Drita Pelingun, Bujar Lakon, Bujar Asqeriun, Ndriçim Xhepën, Rajmonda Bulkun etj, etj, një histori për tu mësuar, parë e treguar. E ç’bëjnë rilindasit? Ashtu si zhdukën kinematë e famshme “Republika,” “Partizani,” “17 Nëntori,” stadiumin “Qemal Stafa” parkun e fëmijëve Shatë Xhuxhat etj, zhdukën dhe Teatrin Kombëtar për të ndërtuar një histori të re betoni e korrupsioni të Velisë, Ramës, Xhaçkës, Spiropalit e compani. Ndoshta në të ardhmen, bijtë e shqipes, do të kuptojnë çfarë ka ndodhur dhe përsëritin historinë e “Globus” në dheun e të parëve të tyre, Çdo gjë mund të ndodhë…