
Albert Vataj/
Ka zëra dhe kumbime këndues shpirti që nuk i zbeh koha, që nuk i mbyt shtjella e pluhur e harresës dhe heshtjes. Ata jehona vijnë nga thellësitë e shpirtit të një populli dhe prekin në çdo trokitje zemrat të brezave. Ata që marrin jetë përmes këtij kumimi dhe thirren në zgjimin e përjetësisë prej magjisë së asaj thellësie që buron nga çdo frymëmarrje e Dragobisë, ku koha farkëtoi zjarret e zërave, zemrave dhe majat e maleve, si rrufetë.
Nuk janë vetëm tinguj, ato janë zgjime, janë jehona, janë thirrje eterne, janë vetë kujtesa që merr frymë. Në këtë rrafsh të ndjeshëm dhe të pashlyeshëm qëndron Fatime Sokoli, një nga ato gra që guxuan të jenë më shumë sesa një emër, më shumë sesa një zë, shumë më shumë se sa etja e udhës kah ëndrra, ishin dhe mbetën shënjime, kulmime, shëmbuj, sfida, kurajo… ishin mishërim i mistikës së atyre bjeshkëve.
E lindur në një kohë e në një vend ku gruaja duhej të mbyllej pas kanateve të traditës, ajo guxoi të çlirojë veten, shkallmoi ngujimet dhe të sfidojë kufizimet, duke ju dhënë krahëve të lirisë së këngës. Me çiftelinë në dorë dhe zërin si flamur, i tregoi malësisë dhe krejt shqiptarisë se kishte ardhur me mison. Nuk këndoi për të qenë e njohur, por për të qenë e dëgjuar, e pranuar, e barabartë. Me çdo këngë të saj ajo sfidoi rregullat, thyen heshtjet dhe solli dritë aty ku kishte vetëm zëra burrash.
Ky portretim nuk është vetëm një homazh për një artiste të madhe, por një përpjekje për të rikthyer në vëmendjen tonë figurën e një gruaje që jetoi për të ndryshuar mënyrën si e shohim gruan në art, në shoqëri, në histori. Fatime Sokoli nuk ishte vetëm kujtim. Ajo erdhi për të qenë zgjim. Ajo ishte thirrje. Ajo ishte këngë që s’pushon së kumbuari në çdo gurë dhe kullë, në çdo shkrep e livadh, në çdo zemër dhe zëshmëri.
Udha e saj ishte e shkurtër, por shtegu që ajo ndoqi e çoi atë në përjetësi.
Më 12 gusht 1987, në moshën 39-vjeçare, u shua nga një sëmundje e rëndë. Kishte ikur në udhën pa kthim, këngëtarja dhe instrumentistja e shquar tropojane, Fatime Sokoli. Shuarja e saj e hershme nuk e ndali dot jehonën që zëri i saj kishte mbjellë në odat malësore, në festivalet kombëtare, në lëndinat e Valbonës dhe skenat e Evropës. Në kujtesën e brezave që e njohën, ajo mbetet si një tingull i pavdekshëm i shpirtit shqiptar; për brezat e rinj, si një figurë që pret të rizbulohet, jo vetëm si artiste, por si model i emancipimit dhe guximit.
E lindur më 18 qershor 1948 në Dragobi, në një vend ku fjalën e fundit e kishin burrat dhe ku gruaja shihej si hijë e heshtur në strehën e shtëpisë, Fatime Sokoli erdhi si një thyerje e heshtjeve, si një arsye për të besuar se meritonte shumë më shumë se normat kanunore dhe ngurtësimi i rregullave të kohës impononin.
Ajo ishte gruaja e parë që i këndoi publikut të malësisë me çifteli në dorë, e veshur si burrë, për të kaluar kufirin e ndalimit gjinor dhe për të hyrë në arenën ku gratë nuk kishin guxuar më parë.
Nuk ishte vetëm një zë i rrallë dhe një interpretuese virtuozë; ajo u kthye në simbol të një kulture të gjallë që përtej vargut e melodisë mbante brenda dramën, krenarinë dhe epikën e një populli. E formuar në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Fatimeja nuk e braktisi kurrë vendlindjen: rikthehej gjithnjë në Tropojë për të dhënë mësim, për të ndërtuar, për të kënduar, për të qenë një shembull frymëzimi dhe një model për gratë që do të guxonin të tjerë përmasa të lirisë së tyre.
Në skena të mëdha si Festivali Folklorik Kombëtar në Gjirokastër, apo edhe në Dijon të Francës (1971), në Ohër (1974) e në shumë qytete të Kosovës dhe Maqedonisë, ajo u bë zëri i një populli dhe flamuri i një gruaje që sfidonte jo vetëm zakonet, por edhe kohën. Këndoi për Bacë Bajramin, Mic Sokolin, Haxhi Zekën, Tom Kolën, këngë që ishin më shumë se interpretime, ishin aktet e saj të angazhimit kombëtar dhe shpirtëror.
Në vitet kur artistët nuk kishin mundësinë të menaxhonin imazhin apo të përfitonin nga ekspozimi, Fatime Sokoli u bë e famshme vetëm me zërin, me prezencën dhe me shpirtin e saj artistik. Në fonotekën e Radio Televizionit Shqiptar ruhen dhjetëra këngë të saj, dëshmi e një trashëgimie që nuk i përket vetëm Tropojës, por gjithë kombit.
Titujt si “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe e Punës”, nuk ishin vetëm formalitete shtetërore, por vlerësime të fituara me përpjekje, sakrifica dhe një përkushtim që nuk e ndali as skamja, as sëmundja, e për më pak paragjykimet dhe mendësia që mbahej fort mpleksur pas shkëmbinjve të moteve që nguleshin thellë në qëndresën e gjeneratave.
Ajo nuk u ndal kurrë së kënduari deri ditën që sëmundja e rëndë e largoi nga jeta. U kthye me helikopter nga spitali në Tiranë për të vdekur në vendlindje, në Dragobi, aty ku gjithçka kishte nisur. Siç thonë banorët e zonës, “kur u shua Fatimja, heshti për pak edhe vetë Valbona.”
Fatime Sokoli nuk ishte thjesht një këngëtare popullore, ajo ishte një revolucione e heshtur me çifteli në dorë. Në një kohë kur gratë në Malësi nuk mund të dilnin në skenë, ajo jo vetëm që u ngjit në të, por u kthye në simbol të saj. E bëri duke kënduar jo për modën, por për nderin, jo për t’u pëlqyer, por për të treguar se edhe gruaja mund të jetë histori, edhe ajo mund të jetë zë.
Nëse ndonjëherë jemi në kërkim të figurave që kanë tejkaluar kohën e tyre, që kanë guxuar në heshtje dhe me art të hapin dyer që ishin të mbyllura, atëherë Fatime Sokoli është një nga ato emra që nuk duhet të mungojë në asnjë faqe të kujtesës sonë kombëtare.
Te shpella e Dragobisë ku buçiti për herë të parë zëri i saj, te skenat ku u duartrokit me zë të plotë, dhe në çdo shtëpi ku kënga e saj ka kumbuar në radio apo në dasma, Fatimeja ka lënë një dëshmi të pagabueshme, se arti i vërtetë nuk njeh as kufij, as paragjykime, as kohë.
Ajo i takon përjetësisë. Neve na takon kujtimi.
Fluturoj… “Me krahë shqipesh nga Tropoja” – kjo këngë nuk ishte thjesht titulli i një krijimi, por edhe rrëfimi më i saktë i jetës së saj.
(Falë mundësisë së jashtëzakonshme të IA, solla një foto të gjallë të Fatime Sokolit, një foto që e rikthen nga ikja dhe e sjell në kujtesën e gjeneratës dhe njohjen e brezit të ri)