Feja, gjuha, kombi, dhe porositë e librit “Me zotin flas shqip”, të Lulash Palushajt/
Nga Rafael Floqi/Pse ndodh që ne shqiptarët për një problem të caktuar fajësojmë të tjerët të huajt dhe asnjëherë veten? Është një qëndrim me të cilin ballafaqohesh qysh në fillim, me librin e ri te Prof. Lulash Palushaj me titull. “Me zotin flas shqip” në pamje të parë, të duket si diçka e rëndomtë. Ç’ ka më duhet mua, sesi një njeri flet me zotin, apo sesi flet Lulashi me zotin. Ai është shqiptar dhe do të flasë shqip?!.
Por kur e lexon librin e kupton, se në këtë ese, ka sa një pohim, ashtu edhe një pyetje, edhe pse pa shenjë pikëpyetje, një pyetje që kërkon e mëton të gjejë përgjigje, por jo ashtu siç e kemi zakon ne shqiptarët duke e drejtuar gishtin larg nga vetja për t’i gjetur fajtorët jashtë nesh, tek turku apo shkjau, por brenda vetes.
Ky libër është sa një ese, aq dhe një enciklopedi e jetës të malësorëve tanë të Malësisë së madhe. Ai është sa një kërkim aq edhe një përsiatje e një shqetësimi të madh, për zbulimin e mekanizmit të zverdhjes së shqiptarizmit, ndër malësorët dhe të kuptimit dhe luftimit me forcën e analizës, të dukurive sociale dhe etnike, që autorit, edhe të gjithëve neve na dhembin, e që shprehen me pyetjen, që çdo malësor e ka përbrenda: “Nga ku buron shkombëtarizimi i shqiptarëve të Malit të zi?”
Lulashi me anë të kësaj enciklopedie popullore, do ta quaja, sa historike aq dhe sociologjike, por pa zëra të veçantë, ka parashtruar, ashtu siç i sjell jeta, fakte dhe reagime, raporte nga takime burrash malësie, në sofra para kafes, apo gotës sa rakisë, si dhe në biseda mes grash, apo mes vëllezërve të një gjaku, por të besimeve te ndryshme mbi identitetin etnik shqiptar dhe bashkëjetesën dhe mbijetesën. Në kuvendet mes Marashit dhe Mehmetit, të vejushave Pashkës apo e Hakes, të shqiptarëve të Malësisë me ata të Anës së Malit, mes katolikëve dhe myslimanëve, mes Shkodrës si qendër shqiptare dhe Podgoricës, autori edhe pse rrëfen histori, tenton të japë jo vetëm një tablo me kolorit të plotë lokal, por me të njëjtën kohë të shoqëruar me një gjykim, vlerësim, që këlthet pohimin përse dhe pse, nuk duhet të ketë, dasi e urrejtje mes shqiptarësh.
Kundrimi paraqitja e vetë raporteve sociale në mes shqiptarëve, në Malësinë e madhe, duke medituar mbi disa kategori antropologjike e etnike, si Zoti, Feja, Gjaku, Gjuha, Kufiri, Etnia, të vet ndjerit shqiptar, e ka shpënë mikun tim, prof. Lulashin në këtë vepër, të qëmtojë nga brenda këto dukuri në rrafsh lokal, të zbulojë se nga buron e keqja e asimilimit të malësorëve myslimanë shqiptarë në boshnjakë, duke bërë, nga ana tjetër, në një rrafsh më të gjerë, të nënkuptojmë me nëntekst pyetjen një milion dollarësh: “Përse në Ballkan u konvertuan shqiptarët, dhe jo sllavët apo grekët?
Këtë pyetje, ia bëra paradokohe një profesori amerikan të antropologjisë dhe sociologjisë së Universitetit të Michiganit, prof. Mark Galaty, i cili pat bërë disa ekspedita antropologjike në Shqipëri, në jug në veri dhe në Kosovë, i martuar me një vajzë nga Kosova, i cili ndër shumë të tjera, ka hartuar një libër për antropologjinë e fiseve shqiptare të Shalës, “Light and Shadow: Isolation and Interaction in the Shala Valley of Northern Albania (Monumenta Archaeologica) Hardcover – April 15, 2013. Mendova se e zura ngushtë profesorin, por mora prej tij një përgjigje të shkurtër, por që më befasoi : ‘Pse ishin të zgjuar’, tha ai.
Të zgjuar, pse kishin 60 vezirë të Stambollit, mendova, por pse e shpallën të fundit Pavarësinë? Dhe pse malësorët, ata që e ngritën të parët flamurin kombëtar, me në krye Dedë Gjo Lulin, mbetën sot jashtë trojeve shqiptare, dhe në kufijtë e mbijetesës, si pakicë kombëtare. A na e ka fajin vetëm Evropa, fuqitë e mëdha , a na e ka fajin turku, shkjau. apo greku apo e kemi fajin deri diku edhe vetë?
Të parë në kuadër të mbijetesës së kombit shqiptar, përballë perandorisë osmane një popull i krishterë, rreth një milionësh historikisht, u konvertua, por edhe nuk u konvertua në islam, u konvertua në mënyrë laramane, ose u konvertua në sekte me të hapura liberale të islamit, si ai bektashinj, dhe diti, dhe mundi ta ruante identitetin e tij kombëtar, jo nga feja, por nga gjaku, nga etnia nga varret. Por nga ana tjetër në mjedise, ku shqiptarët mbetën minoritete që pati ashtu siç është rasti që shtjellohet në libër, ka komplikacione anësore, nën presionin e të qenit minoritet, sidomos në mes popullsisë së shqiptarëve në Mal të Zi. Të ndodhur të shkëputur përmbi 70 vjet nga kufiri që e ndau nga trungut të vendit amë, në tre njësi, si enklava në raport me njëra tjetrën, siç janë krahinat e Plavë Gucisë, Malësisë së Madhe dhe Ulqinit.
Mithat Frashëri një libër tij “Shqiptarë dhe sllavë” përmend një dukuri që udhëtarët e huaj në Ballkan ndër to dhe Edit Durham e patën vënë re, në fillim të shekullit “ Nëse pyet një grek, çfarë je ai do të thotë ortodoks, po kështu edhe në pyet një serb apo bullgar, nëse pyet një pomak apo një boshnjak do të thotë se është turk mysliman , por nëse pyet një shqiptar, pavarësisht nga besimi, apo klani, ai të përgjigjet “ Jam shqiptar”. Pra historikisht, ndryshe nga nacionalizmat e tjera ballkanike, uniteti i shqiptarëve buron nga etnosi, gjuha, gjaku, shqipja dhe jo feja, kategori që me analizën e tij, sa të qenësishme aq dhe anësore, sa të hollësishme, aq dhe përgjithësuese, rreket ti paraqesë dhe jo vetëm si hulumtim i thjeshtë, por si përgjithësim, jo pa guxim Lulashi në libër.
Në fakt kjo dukuri antropologjike, që shërbeu si faktor mbijetese tek shqiptarët u shkaktua dhe si rezultat i ngjarjeve rajonale historike, dhe faktit që perandoria osmane nuk e njihte konceptin e popullsive brenda saj, por i quante kombet me nocionin milet që nënkupton, jo etninë apo fenë, siç e pat përgjithësuar Pashko Vasa, që “Feja e shqyptarit është shqyptaria” por që nga ana tjetër, pat ndikuar negativisht në shfaqjen e vonë të nacionalizmit shqiptar. Ndarjet klanore / fisnore ishin dominante sidomos në Veri dhe çështjet sociale u rregulloheshin sipas marrëdhënieve personale, lidhjeve ose rivaliteteve. Ndarja më e qëndrueshme rajonale dhe gjuhësore ishte ajo midis Gegëve në veri dhe Toskëve në Jug. Për arsye gjeografike dhe historike këto të fundit kanë qenë më të hapur ndaj ndikimeve të jashtme dhe prandaj janë më të prirur për ndryshime shoqërore, ndërsa të parët kanë ruajtur një kulturë të rreptë tradicionale.
Disa shkrimtarë si Kadare shkuan aq larg sa të argumentonin se Gegët, për shkak të mbylljes së tyre historike në botën e jashtme, përbënin pasardhësit shumë linearë dhe të pacenuar të ilirëve që nga koha homerike, shkruante shkrimtari i madh “Tek një dosje për Eskilin. Kështu sipas kësaj ndarje – Shqipëria Qendrore, e cila përbëhej nga sanxhaqe dhe qytetet e Durrësit, Elbasanit dhe Tiranës, ku muslimanët suni formuan shumicën – përbënin një rajon të mbyllur ndaj ideve të nacionalizmit dhe ndryshimeve shoqërore. Kështu, komuniteti shqiptar i shekullit të 19-të mund të shihet edhe si i ndryshëm rajonalisht por edhe në mënyrë sociologjike. Izolimi i brendshëm, u avancua edhe për shkak të administratës osmane, që i ndau territoret shqiptare, në katër Vilajete: Kosovë, Shkodër, Manastir dhe Janinë, të cilat një malësor i madh si Sokol Baci, i pat kërkuar Perandorisë Osmane që të gjitha këto vilajete të ishin të bashkuara në një qysh për herë të parë qysh në vitin 1911. Megjithatë, gjatë sundimit osman u bënë disa ndarje rajonale të tokave shqiptare, këto të fundit nuk u kthyen kurrë në një njësi të vetme administrative. E kjo e fundit do të bëhej një nga kërkesat qendrore të elitave nacionaliste. Kështu, mungesa e një qendre të vetme administrative, ekonomike, kulturore apo fetare, ndikoi negativisht, në formimin e një ndërgjegjeje të përbashkët të komunitetit. Historia, Stephanie Schwandner-Sievers, Bernd Jürgen Fischer, Londër, C. Hurst & Co, 2002, f.36.
Nacionalizmi shqiptar, që konsiderohet i vonuar ose një “ardhës i vonuar” si i tillë, argumentohet se ka ndërtuar një karakter të dallueshëm, si nga ana e ithtarëve të tij ashtu edhe nga kritikët. Objektivi / detyra për të ndërtuar një komb “nga një grup i shpërndarë klanesh”, qe shtruar nga një prej etërve themelues të nacionalizmit shqiptar Mithat Frashëri (biri i nacionalistit të shquar shqiptar dhe midis udhëheqësve të Lidhjes Abdyl Frashëri) pasi shumica e shqiptarëve ishin myslimanë, përbënin strukturën kryesore strukturore të ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar. Për më tepër, mungesa e një qendre politike, mungesa e një klase borgjeze kombëtare, dhe, sidomos, mungesa e një tradite të gjuhës së shkruar, i shtonte më tej pengesat. E siç thotë Hobsbawm, përveç gjuhës, në rastin e nacionalizmit shqiptar “feja dhe me të vërtetë, pothuajse çdo gjë tjetër dukej se ishte më e përçarë se sa bashkimi”.
I përmendëm këto si parakushte sociologjike, të të gjithë paradigmës, që shtron Lulashi në libër. Atë nuk e shqetëson (por dhe e sikletos ) fakti se një pjesë e malësorëve janë konvertuar, përderisa ata e ruajnë: etnosin, gjuhën, gjakun, varret. Këtu ka deri diku një farë moralizimi, ka elementë jashtë boshtit kryesor tematik dhe ideor, që pak lidhen, por thelbi strumbullari ideor i një libri është shprehur shkoqur, siç shprehet autori, në fq. 170
“Edhe shqiptarët për vedin nji Zot kanë në qiell. Me e dashtë vedin vetëm fetarisht dhe aspak kombëtarisht, as Zoti nuk na ndihmon. Sepse ne, kajherë edhe pa dashje, përçajmë kotnasikoti njeni-tjetrin. Kurrë s’ka gabue asnjeni, kur asht marrë kombëtarisht. Unë s’mund të them, para çështjes kombëtare kurrë se jam katolik ose se jam musliman. Para të gjithave jam shqiptar dhe je shqiptar. Pyetja e dytë dhe përkatësia shpirtnore tek feja pas emnit shqiptar dhe shqiptari asht ndjenja fetare. Te Zoti nuk mund të jeshë ndryshe ma i pranuem se nga gjaku e gjuha dhe baba e nana që t’ka lindë. Pasi që lind, pagëzohesh me emën dhe mbiemën. E n’qofsh shqiptar, ke kombësi shqiptare dhe gjak e gjuhë shqiptare. Na lavdrohen të tjerët në këtë kuptim. Asnji komb të botës nuk krijojnë besim e fe për hatër apo leverdi të askujt. A kanë nevojë shqiptarët për nji gja të tillë? Absolutisht jo”.
Ky qëndrim, në fakt. është një farë refreni meditimi që shfaqet dhe e gjen në çdo faqe të esesë si shqetësim, duke u kthyer në një kënd tjetër, në vetë objektin e shqetësimit të tij, nëpërmjet rrëfimeve të bisedave të malësorëve, burrave të mençur, miqve të ftuar, grave vejusha, të rinjve të arsimuar, por edhe direktivave që marrin formën e drejtpërdrejtë të porosive kombëtare.
Dy tre vjet me parë, gjatë një bisede që pata me Lulashin, ai me shprehu interes për disa shkrime te të madhit Konica mbi karakterin e të metat e shqiptarëve, që edhe si Lulashi me ketë libër shton shumë pyetje. Por pyetja kryesore, është se cila është arsyeja, që po humb shqiptaria, ndjesia e të ndjerit shqiptar, aty në zgrip të kufijve të shqipes, pyetja që e shtron çdo shqiptar e çdo malësor sot në Malësi. Dhe këtë pyetje Lulashi e analizon, e përsërit, se përsëritja është mënyra, sipas tij, rruga për të shmangur të keqen, është të evokosh të mirën, të vërtetën. Ja si shprehet autori në faqen 21- 22.
“Tuzi një qytezë në Malësi. Pjesa dërmuese e atyne banorëve para 80 vitesh tanë flisnin shqip, se janë fise shqiptarësh të Hotit dhe Grudës. Në kohën e pushtimit osman janë islamizue. As në pesë breza të gjakut nuk shkojnë ma larg që u takojnë bajrakut apo fisit të Hotit e Grudës. Kur ishin me protektoratin Shkodër para Luftës së Dytë Botnore, tanë flitshin shqip dhe veprojshin si shqiptarë. Sa u mbyll kufini, nga mosndërgjegja kombëtare, ndodhi edhe e dyta. Të islamizuem ma parë, tash dhe u sllavizuen nga gjuha. Dije sa larg janë me njeni-tjetrin në gjakun e fisit shqiptar! Nga Gruda nji familje, Rexh Brahimi, Brahim Gjoka. Te Gjoka këta të Brahimit dhe Vuçënaj. Gjysh të përbashkët. E kush ma mirë e ma dashtnisht duhet me shkue se gjaku i përbashkët shqiptar? Me atë tjetrin mundesh me shkue miqsisht për respekt të ndjenjës njerëzore, por vëllau me vëlla duhet të shkojë mirë e dashtnisht për ndjenjën e gjakun vëllaznor, për nanën shqiptare, për gjuhën shqipe që ta ka mëkue ajo ç’se ke le dhe toka Shqipni që i mban. Shikjoni femnat shqiptare tash 25 vjet e këndej. Kah shkuenë e si shkuenë?! Ç’rrugë kanë marrë? A ban kryq e shkon në kishë, a ban lutje e shkon në xhami; edhe njana edhe tjetra kanë gjakun shqiptar që asht ma i shtrenjtë se çdo gja tjetër. Pra fjala asht për troje shqiptare. Nga nji shtëpi e përbashkët janë nda vëllaznit, por kanë mbetë vëllazën se e kanë si babën si nanën të përbashkët.”
Po i kthehem edhe një herë titullit, por, duke analizuar atë më shumë nga pikëpamja teologjike. “Në çfarë gjuhe plasim me zotin. Një shkrim i shenjtë në letrën që shën Pali iu çon Korintasve 14: 2, e cila thotë: “Sepse ai që flet në gjuhë (in tangue si gjuhë e panjohur pëshpëritje) nuk u flet njerëzve, por Perëndisë, sepse askush nuk e kupton; megjithatë, në shpirt, ai flet mistere. Por, duke lexuar kontekstin që është marrë ky varg, është e qartë që Pali po kritikon praktikën e të folurit në gjuhë vetëm për hir të tij. Ai tërheq një kontrast ndërmjet dy dhuratave: duke folur në gjuhë ku askush, se kupton përveç personit qe falet dhe Perëndisë. Pali shpjegoi kishës në Korint se të folurit në gjuhë ishte një dhuratë e ligjshme, por vetëm e dobishme, nëse përdoret për t’u drejtuar, diku tjetër, duke folur në gjuhën e tyre, në mënyrë që ata të mund të kuptonin! Dhe këtë porosi të Shën Palit z, Palushaj e ka pjesë të lisit të tij të gjakut, e ka çuar me tej. Pra me zotin shqiptarët flasin vetëm shqip, as latinisht as greqisht as arabisht por vetëm shqip. E për të qenë më afër bashkëvendësve te tij , malësorëve të Malësisë se Madhe e ka shkruar në gegnisht, me dialektin e tyre, me gjuhë shpirti.
Ka një pyetje aktuale që autori tenton t’i japë vetë përgjigje, si në bisedën me profesorin e tij Ylli Zajmi, ku Lulashi i pohon atij “se religjioni i tepruem nuk ka të bëjë gjë me punën e zotit, por ma fort se kush mundet, mbi atë tjetrin me dominue për përfitime”.
I gjithë libri rrjedh si shpërthimi i një pezmi, vrullshëm, ashtu si vërshimi i Cemit dhe plot shqetësim sa social aq dhe me vuajtje. Libri nuk është një letërsi artistike, fiksion, nuk është një roman me gjithë volumin, me karaktere personazhe e linja veprimi, por është një përsiatje e madhe shumë dimensionale, sa filozofike, aq dhe psikologjike, sa patriotike, aq teologjike, sa etnologjike aq edhe ekzistenciale. Ajo është sa dhimbje aq dhe shpalosje, sa introspektive që sheh brenda vetes, aq dhe ekstrospektive që e nxjerr mendimin e vlerësim jashtë.
Ka edhe një element tjetër social, që autorit nuk i ka shpëtuar, dhe vazhdon të na porosisë Lulashi, atë thënien që siç i thonë Italianët “Donne e buoi da paesi suoi”, që do të thotë “Gratë dhe qetë zgjidhi nga vendi yt”. “Këtë porosi Lulashi e shtjellon kështu në faqen 22 .
“Mend me xanë e jo me lanë, flitshin e folën gjyshat e gjyshet tona. Kudo që je, provoje me u martue me pjesën e kombit tand se jeta kalon e sido që t’i shërbejsh atij tjetrit, kurrë s’ka me të pranue as kuptue. O, sa njerëz shqiptarë e flasin dhe e debatojnë ketë. Por fjala asht fjalë e temeli i saj asht veprimi. Ma thuej, por të vërtetën. Tash 6 shekuj kanë shkue mbi nji miljon shqiptar në Turqi nga shkaqe të ndryshme. Ç’ka asht krijue atje shqip a jetë e traditë shqiptarie? Ku janë shkollat shqipe nga këta shqiptarë. Sa i kanë dhanë shqiptarët dituni, përmes dijetarësh të ndritun, strategë e shtetarë, s’ma merr mendja se i ka dhanë komb tjetër. A mos për këtë duhet që qenkemi vëllazën me turqit?!”
Me gjithë problematikat e gjera që trajton libri është një pyetje që mbetet ende edhe pasi lexon librin, që lypset të jepej një përgjigje më shteruese.
Pse ndodh që shqiptarë të një gjaku, malësorë, muslimanë, ndjehen më afër me vëllain në fe, sesa në gjak, me boshnjakun sesa me shqiptarin? A është faji i vetëm atyre, që humbasin ndjesinë kombëtare dhe në nën presionin malazias, e sllav, dhe kjo vihet re, jo vetëm ne Mal te zi, por dhe me Ortodokset e Rrekës. Malaziasit këta shqiptarë i preferojnë me mirë boshnjakë dhe sllav sesa shqiptarë, apo të konvertuar si kuçasit më parë në sllavë ortodoks.
Por a është kjo vetëm faji i ndarjes se kufirit ? A është vallë vetëm faji i atyre, që sllavizohen, apo edhe i neve të tjerëve, që i mbajmë larg vëllezërit tanë muslimanë, të një gjaku, sa ata ndjehen më mirë rehat me të qenit boshnjak sesa shqiptar ? Dhe kjo pyetje vazhdon e mbetet…
“Perëndia krijoi çdo njeri që të ishte i lirë. Aftësia për të zgjedhur, nëse do të jetosh i lirë ose skllavëruar, i drejtë apo i gabuar, i lumtur ose i frikësuar është diçka që quhet vullneti i lirë. Çdo njeri ka lindur me vullnet të lirë. Disa njerëz e përdorin atë, dhe disa njerëz përdorin ndonjë justifikim për të mos e përdorur. Askush nuk mund të kthejë në skllav, nëse nuk u lejon atyre. Askush nuk mund t’ju bëjë të frikësuar për asgjë, nëse nuk i lejoni ata. Askush nuk mund t’ju thotë, të bëni diçka të gabuar, nëse nuk i lejoni ata. Perëndia nuk ju krijoi kurrë të jeni skllav, njeriu e bëri. Perëndia kurrë nuk krijoi ndarje ose ngriti ndonjë kufij mes vëllezërve, por njeriu e bëri. Perëndia kurrë nuk ju tha të lëndoni ose të vrisni një tjetër, njeriu e bëri”.
Ndërsa teoritë e asimilimit etnik parashikojnë konvergjencë të identitetit në të gjithë gjeneratat, diskutimet mbi përkatësinë relative, identifikimin ndërkombëtar dhe ringjalljen fetare sugjerojnë se mund të ketë një thellim ose ndryshim të identitetit të pakicës në brezin e dytë. Megjithatë, dëshmitë empirike në mbështetje të këtyre perspektivave të ndryshme nuk janë shumë bindëse.
Këto janë të gjitha porositë, që autori sipas mendimit tim, donte të thoshte me këtë libër, jo për tu shfaqur, jo për t’u mbrojtur se mund ta akuzojë dikush, e jo për t’u dukur më shumë shqiptar seç është, por për të nxjerre jashtë atë që e mundon. E gjitha kjo është shfryrja e një vullkani shpirtëror idesh, qe ai i ka bluar kaq sa kohë brenda, e cila e gjen kuptimin në atë shfryrje shpirtërore. Posi lumi i Cemit duke turfulluar, autori jo pa dhimbje, e pranon konvertimin fetar, si pasojë e presionit osman, por nuk mundet, nuk mund të pranojë, a të gjejë arsye dot, për konvertimin etnik.
Në teorinë e letërsisë ka një rrymë të shkruari që quhet “rryma e përroit psikik” që nënkupton të shkruarit të mendimeve ashtu si të vijnë. Vrullshëm, si ujërat e Cemit, kuq e turbullt prej shirokut, kur del jashtë nga shtrati i vet, siç e fillon autori librin, me një përshkrim mjaft domethënës të përroit. Por unë do ta quaja këtë rrjedhë, si shtratin formal të kompozimit të këtij libri. E ndoshta Lulashi me këtë libër ka krijuar, “Rrymën e përroit të Cemit”. E vlerësoj mjaft bukur këtë hyrje me Cemin, dhe përshkrimin e pakrahasueshëm të autorit dhe paralelizmin që ai i krijon, gjë që i lejon autorit të ngërthejë pa humbur fillin: ndjesitë, meditimet e përsiatjet e tij me shtjellimin e temave, fakteve dhe apo personat e ngjarje konkrete, që janë indi, ku shprehen porositë e tij për malësorët e tij të dashur.
Miku im prof. Lulashi që nuk harron të më kujtojë, me mesazhe në çdo rast festash, më tha para do muajsh, me një farë lehtësimi, se libri i tij i fundit kishte dalë na shtypi. Kur më pohoi këtë. Unë ndjeva se kënaqësia e tij për veprën ishte më shumë gëzim, por ishte një çlirim shpirtëror, i “Kalorësit të Urdhrit të Skënderbeut” që e kishte bërë detyrën.
Mu duk, sikur më tha: “ Ç’ kisha për të thënë e thashë dhe shpëtova shpirtin”