
Nga Rafael Floqi/
Ka lindur një zhanër i ri gazetarie në Shqipëri. Nuk quhet gazetari investigative, as gazetari terreni. Quhet gazetaria e motit politik. Është gazetaria e pritjes. Gazetaria që nuk shkon në protestë për të parë çfarë ndodh, por për të pritur momentin kur protesta mbaron. Gazetaria që nuk e ndjek ngjarjen, por fundin e saj. Formula është bërë aq e përsosur, sa mund të përdoret si manual. Kamerat mbërrijnë në shesh shumë përpara protestuesve. Filmojnë asfaltin, stolat bosh, ndonjë kalimtar të rastësishëm dhe ndonjë polic që pret fillimin e shërbimit. Pastaj, kur sheshi mbushet, kamerat zhduken si me magji. Sikur dikush të ketë fikur butonin e transmetimit. Dhe vetëm kur protesta mbaron, ose kur bie një shi veror që i detyron njerëzit të largohen përkohësisht, operatorët rikthehen me një mision të vetëm: të gjejnë fotografinë e sheshit bosh.
Titulli është gati për edicionin qendror: “Protesta u shua.”
Po të zbatohej kjo logjikë në sport, finalja e Kupës së Botës do të transmetohej vetëm para se tifozët të hynin në stadium dhe pasi të gjithë të ishin larguar. Goli nuk do të kishte rëndësi. Rëndësi do të kishte fotografia e tribunave bosh. Ajo që të habit nuk është vetëm sjellja e televizionit publik. Në një sistem normal, televizioni shtetëror mund të ketë prirjen të pasqyrojë këndvështrimin e qeverisë. Por çudia shqiptare është se një pjesë e mirë e televizioneve private, të financuara nga oligarkë, nuk sillen si media konkurruese. Sillen si degë të së njëjtës redaksi. Njëri publikon kronikën, të tjerët e riprodhojnë. Ndryshon logoja, por jo përmbajtja. Ndryshon spikeri, por jo këndvështrimi. Nëse do t’u hiqje logot, publiku do ta kishte të vështirë të dallonte se cili kanal po flet.
Është gazetaria e fletës së karbonit. Copy, paste dhe transmeto.
Mjafton që mesazhi të mbetet i njëjtë.
Në të njëjtën kohë, rrjetet sociale tregojnë një pamje krejt tjetër. Transmetime të drejtpërdrejta, pamje nga dronët, video nga qytetarët, fotografi nga çdo cep i sheshit. Për herë të parë në historinë shqiptare, televizioni nuk është më monopolisti i realitetit. Ai është vetëm një nga shumë burimet e informacionit. Dhe kur realiteti që sheh qytetari në telefon nuk përputhet me atë që i serviret në ekran, humbësi nuk është telefoni. Humbësi është besueshmëria e medias.
Një episod domethënës ishte publikimi në rrjetet sociale i fotografive që tregonin njerëz të mbledhur për të ndjekur një ndeshje futbolli, ndërkohë që protestat vazhdonin. Si interpretim politik, kjo mund të lexohet si një përpjekje për të relativizuar vrullin e protestës ose për të sugjeruar se interesi publik po zhvendosej diku tjetër. Por ironia është se vetë nevoja për të kërkuar këto pamje tregon diçka tjetër: se protesta ishte bërë aq e rëndësishme, sa duhej konkurruar edhe në planin simbolik.
Në fund të fundit, askush nuk përpiqet të minimizojë një ngjarje që e konsideron të parëndësishme. Nëse një protestë nuk përbën shqetësim, nuk ka nevojë për kronika që presin sheshin bosh, për foto alternative apo për narrativën e “shuarjes”. Vetë përpjekja për ta paraqitur si tullumbace që po shfryhet tregon se dikush shpreson pikërisht këtë: që vrulli të bjerë me kalimin e ditëve.
Këtu hyn metafora e flamingos. Për disa, ajo është simbol i protestës. Për të tjerë, duket se është një tullumbace rozë që pret të humbasë ajrin. Çdo ditë pa shi është zhgënjim. Çdo mbrëmje me pjesëmarrje është lajm i padëshiruar. Çdo zbrazje normale e sheshit pas përfundimit të tubimit interpretohet si fundi i lëvizjes. Sikur historia të matet me minutat e fundit të një proteste dhe jo me arsyet që i nxjerrin njerëzit në rrugë.
Ndërkohë, në shesh vazhdon të dëgjohet një thirrje e fuqishme: “Ju erdhi fundi!” Shumë e lexojnë si slogan kundër qeverisë. Por ajo ngre edhe një pyetje më të gjerë. A mos kjo thirrje është edhe një sinjal për modelin e medias që për vite me radhë zgjodhi të raportojë jo atë që ndodhte, por atë që dëshironte të kishte ndodhur?
Historia e mediave është e mbushur me raste kur ato humbën kontaktin me publikun jo sepse nuk kishin teknologji, por sepse humbën besimin. Besimi nuk ndërtohet me montazhe, as me kronika të njëanshme. Ai ndërtohet duke treguar ngjarjen ashtu siç është, jo vetëm pesë minuta para se të fillojë dhe pesë minuta pasi të ketë mbaruar.
Qeveritë ndryshojnë. Opozitat ndryshojnë. Protestat lindin dhe përfundojnë. Por kriza më e madhe për një media fillon atë ditë kur publiku vendos të mos e besojë më. Në epokën e telefonave inteligjentë, të transmetimeve “live” dhe të kamerave në çdo xhep, manipulimi i pamjes është shumë më i vështirë se dikur. Realiteti qarkullon më shpejt se kronika e montuar.
Ndoshta për këtë arsye, disa media duken më të shqetësuara nga protesta sesa vetë politika. Sepse politika mund të fitojë ose të humbasë zgjedhje. Media, nëse humbet besimin e publikut, rrezikon të humbasë arsyen e ekzistencës së saj.
Dhe atëherë pyetja që dëgjohet gjithnjë e më shpesh nuk është vetëm “a do të shuhet protesta?”, por edhe një tjetër, po aq e rëndësishme: nëse qytetarët nuk u besojnë më kronikave të gatshme dhe kërkojnë të vërtetën diku tjetër, a mos vallë ka nisur të shuhet modeli i vjetër i propagandës televizive? Nëse po, atëherë “Ju erdhi fundi!” mund të jetë një thirrje që shkon përtej politikës dhe prek vetë mënyrën se si prodhohet dhe shpërndahet informacioni në Shqipëri.