
Luan Rama/
Të kujtosh fëmijërinë, kohën e largët që herë-herë të farfurit nëpër ëndërr e që papritur të bëhet aq e afërt, menjëherë ngazëllehesh si fëmijë. Shumë shkrimtarë, në libra apo shkrime të tyre i janë kthyer fëmijërisë. Koleta gjeti aty burimin dhe frymëzimin e romaneve të parë ku veten e quajti Klodinë. Balzak thoshte: “A nuk e keni vënë re që, në fëmijëri apo në fillimet e jetës sociale, padashur, ne krijojmë një model me duart tona?”. Çaplini shtonte se “Të gjithë fëmijët kanë diçka nga gjenialiteti, por do të duhet që ajo të shfaqet.” Nga ana e tij, shkrimtari italian për fëmijê shkruante: ““Sa peshon loti i një fëmije? Varet: loti i një fëmije tekanjoz është më i lehtë se era, ndërsa ajo e një fëmije të uritur është më i rëndë se gjithë toka.”Ç’ndodh vallë ne sytë e një fëmije kur sheh botën dhe fillon të kuptojë fenomenin njerëzor, ngjyrën e kaltër qellore, hënën që shkon? Ç’ndodh vallë me të kur fëmijëria e tij bredh në një atmosferë ku pikëtakohen ngjarjet kryesore të vendit të tij, mitingjet, kortezhet e udhëheqësve të huaj, turmat entusiazte, brohorrimat, fishekzjarret, të cilat padyshim i kupton më vonë? “Fëmija i bulevardit Stalin” jam unë, me botën time të kujtimeve që s’janë shuar, kujtime të ngjizura që në imazhet e para që mund të mbahen mend, fytyrat e prindërve që s’janë më, gëzimet e trishtet fëminore. Shumë imazhe padyshim janë shuar në mjegullën e kohës por disa kanë mbetur, kokëforta, me dritën e një kohe që nuk është më, me rrugicat, shokët, ikjet e para për të zbuluar një botë tjetër përtej atij bulevardi dhe sheshi të qytetit ku vërtitej fati i atij vendi. E megjithatë ishte diçka e veçantë të rriteshe në sheshin e kryeqytetit, në bulevardin që fillonte me monumentin e stërmadh të Stalinit të vendosur mbi një bazament të lartë. Bulevardi përfundonte tutje në cep te qytetit, në atë pjerrinë ku ishin një grumbull shtëpish të ulta tiranase, mbuluar me tjegullat e kuqe, gjithnjë në heshtjen dhe paqen e tyre. Pikërisht në atë bulevard ngrihej simboli i një ideologjie që do të përcaktohente jetën dhe ardhmërinë e Shqipërisë, fatin e vet, ku për 40 vjet, ai fat nuk do të ndryshonte dhe imazhi i Stalinit do të ishte gjithnjë i pranishëm.Personazhet e ndryshme të asaj lagjeje ku jetova fëmijërinë ishin të jashtëzakonshëm, po edhe shumë interesantë. Ishin njerëz të ardhur nga të gjitha krahinat, me fate nga më të ndryshmet dhe me profesione çfarëdolloj, çka përbënin një Shqipëri në miniaturë: përkrahës të pushtetit dhe kundërshtarë të tij. Ishte një mikrokozmos njerëzor ku gjeje nga të gjitha llojet e tipat, po edhe histori e ngjarje që, si të thuash, përmblidhnin një histori kombëtare me heronj dhe armiq, shqiptarë dhe të huaj të mbetur nga lufta, me fitimtarë dhe të mundur, me njerëz të moralshëm dhe me vese, pra, gjithçka përmban jeta dhe drama njerëzore.Një bashkëpunim i këndshëm për çka dua të falenderoj në veçanti botuesen Enxhi Hudhri. Po kështu dhe dy miqtë e mi, Artur Muharremin për ballinën e këtij libri si dhe Sejdin Cekani për redaktimin. Një udhëtin në botën e një fëmije udhëve të asaj Tirane që nuk ekziston më.