
– Skënderbeu dhe shtabi i tij – Trimi i mirë me shokë shumë
Fotaq Andrea & Dritan Muka
Pjesa III
Prania e Gjonit djaloshar në këtë skenë të fantazuar e shkëput krejt tablonë nga çdo lloj alegorie lidhur me Pirron e Epirit. Është njëfarësoj vetë Skënderbeu që prezanton të birin si pasardhës të shtetit të tij të Arbrit, por edhe përpara vetë Historisë. Në këtë mënyrë spostohet, do thonim, qendra e analizës studimore, nga qeni në qendër të tablosë – ku Louise Rice merr shkas për të përmendur historinë e qenit të Pirros së Epirit -, te djaloshi Gjon Kastrioti II, figurë po aq qendrore në tablo sa dhe vetë Skënderbeu, strumbullari i krejt kompozimit.
Në fakt, pak është folur në historiografinë skanderbegiane për Gjon Kastriotin II në periudhën e tij adoleshente si “Qytetar Nderi i Sinjorisë”. Ky nuk ishte një titull formal, thjesht me karakter garancie për jetën e tij. Por ishte në radhë të parë titull funksional, në kuadër të marrëdhënieve komplekse të Venedikut me Skënderbeun dhe shtetin e tij të Arbrit. Siç dihet nga Historia, ka pasur jo pak raste mbretërish në moshë adoleshente dhe përgjithësisht, kjo moshë nuk përbënte aspak pengesë në veprimtaritë drejtuese, politike a diplomatike të të rinjve adoleshentë, me misione të caktuara, kur prapa tyre qëndronin sigurisht edhe këshilltarë të posaçëm, tutorë, etj. Në rastin konkret, kryepeshkopi Pal Engjëlli do të ishte mëse i pranishëm në krah të djaloshit Gjon Kastrioti II në lëvizjet e tij të herëpasherëshme, si përfaqësues i t’Et në Venedik apo Raguzë. Prof. Luan Malltezi ka vënë në dukje se “Në tetor [1467], Skënderbeu dërgon në Venedik Gjon Kastriotin (të birin) dhe Pal Engjëllin për të kërkuar që t’i dërgoheshin ndihma ushtarake e financiare, si dhe të furnizohej Kruja me rezerva ushqimore”.18 Po ashtu, në veprën “Raguza és Magyarorszag”19, një dokument i 15 dhjetorit 1467 nënvizon se djali i Skënderbeut me 30 kalorës po kthehej nga Venediku për në atdhe nëpërmjet Raguzës dhe se caktohej Rektori së bashku me Këshillin e ngushtë të merrnin masa për të emëruar dy të dërguar të posaçëm që ta prisnin djaloshin kastriotas me nderim dhe të kujdeseshin për mbarëvajtjen dhe ushqimin e shpurës.20 Gjon Kastrioti II shfaqet kështu në tablo në krah të t’Et si një personjazh real historik, gjë që dëshmon se Stella e ka njohur nga afër Historinë dhe Bëmën e Kastriotit të Madh.
Së treti, krejt trupa shoqëruese, vendosur mbi një kodër, dhe që ka vënë në mes Skënderbeun me të birin, shfaqet me madhështi fisnikërore jo vetëm në qëndrimin e tyre hijerëndë e krenarë, grusht-bashkuar rreth Heroit për ta ndjekur atë pas gjer në fund, por edhe me veshjet e tyre karakteristike, ku bien në sy sidomos kapat apo mbulesat e kryeve, veç manteleve dhe armëve që mbajnë mbi trup. Nuk ka si të mos dallojmë mes tyre kapelen shqiptare apo albanojën, me/pa majuc, për të cilën kanë folur mjaft kronikanë të kohës.21 Domosdo, vërehen në kompozim edhe kapa të tjera me forma të çuditshme, zbukuruar me tufë pendësh (panache) apo me shirita mëndafshi. Është i njohur në këtë drejtim në ikonografinë kastriotine portreti i Skënderbeut me kapën zbukuruar me pendë struci botuar në veprën “Icones Diversorum” në vitin 1591, pra katër dekada më parë se kompozimi i piktorit Stella22 (shih foto 14). Por, mund të themi pamëdyshje se Stella, sikurse mjaft piktorë bashkëkohorë, mpleks qëllimisht në tablonë e tij veshje me stile të kohës, sidomos te kapat. E bën këtë për një paraqitje sa më ekzotike të personazheve, duke i dhënë një ngjyrë disi orientale krejt kompozimit të tij, gjë që e shohim të shfaqet jo vetëm te disa mbulesa të kryeve në formë çallme, por edhe te vetë simboli i gjysmëhënëzës mbi shatorren kryesore të fushimit të ushtrisë, paraqitur në sfond.
Veçse, duke u përqëndruar tek personazhet fisnikë arbër që kanë vënë në mes Kapedanin e tyre, si dhe në fizionomitë që paraqesin, shohim të na shfaqen mosha të ndryshme, nga krerë të moçëm deri tek më të rinj. Kemi të drejtë të mendojmë se ndodhemi këtu përpara “Shtabit drejtues të Skënderbeut” në një çast fushimi të ushtrisë së tij. E në këtë rast, mendja na shkon te fisnikët kryesorë arbër që Skënderbeu i bashkoi me dorë të hekurt më 1444 në Besëlidhjen e Lezhës, të quajtur gjithashtu “Kuvendi i Krerëve Arbër”, ku ishin të pranishëm Gjergj Arianit Komneni, Andre Topia, Pal e Nikollë Dukagjini, Lekë Dushmani, Lekë Zaharia, Pjetër Spani, Gjergj Stresi, Teodor Muzaka, etj. Dhe Kapedani apo Kapiteni i tyre nuk do të ishte tjetër për 25 vjet me radhë veçse Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që njihte me përpikmëri e mjeshtëri artin e luftës dhe cilësohej “Trim mbi Trimat”.
Nga ana tjetër, gjithë këta fisnikë e prijës arbër – nëntë personazhe, ku bie në sy figura e flamurmbajtësit – i shohim të bashkuar si një trupë e vetme, si një entitet apo bashkësi e plotë politike-ushtarake, që në zanafillë do të përbënte bërthamën e fuqishme të shtetit të parë arbër në Histori, të Albanisë së ardhme ekzistenciale, tezë e hedhur poshtë fatkeqësisht nga prof. Louise Rice, siç e vumë re gjatë studimit të saj. Tek shohim tërë këta krerë kreshnikë përreth KryeHeroit, të vendosur në plan të parë të tablosë, shfaqet në dritë të diellit jo vetëm ideja madhore e qëndresës historike shqiptare kundër hordhisë osmane, por edhe ideja po aq madhore e dashurisë për trojet arbërore, e më tej për vatanin e kombin, në kuptim edhe më të gjerë etnik, si një formacion i plotë politik kombëtar. Në këtë dashuri, që forca e gjuhës shqipe e shfaq me dy termat e saj të barasvlefshëm mëmëdhe e atdhe, konvergojnë krejt vullnetet e bashkuara të krerëve arbër si një forcë e vetme dhe e gjithfuqishme që asgjë nuk e ndal dhe s’ka si ta ndalë. Buthton e lulëzon këtu edhe ideja e një populli të tërë të bashkuar, pa kurrfarë dasie që, në emër të lirisë kombëtare, i shkon pas kapedanëve të vet, dhe që shfaqet simbolikisht në tablo tek një ushtri në çast fushimi, para një sulmi rrufe.
Që kemi të bëjmë për më tepër në tablo me një shtab luftarak, dëshmojnë edhe grupet e truprojave me kapa albanojë vendosur në lartësi për të vrojtuar lëvizje të mundshme të armikut. Po ashtu, shatorrja e madhe në qosh të tablosë dëshmon për ushtrinë e përhershme të Skënderbeut prej 15 mijë luftëtarësh të regjur, që luftonin për mbrojtjen e trojeve arbërore, duke pasur për aleat jo vetëm malësinë e Krujës dhe malet e Shqipërisë, por edhe pyjet e dendur në fushat e Tiranës, Fushë-Krujës e Mamurrasit,23 nëpër të cilat ata njihnin tërë shtigjet dhe manovronin bukur për të zënë në befasi armikun dhe sidomos prapavijat e tij. Do të ishte po kjo ushtri dhe krejt garda e Skënderbeut që, pas vdekjes së tij, do të përhapej dhe do të përbënte, e detyruar – siç pohon vetë Louise Rice –, jo vetëm ajkën e jeniçerëve sulltanorë, por sidomos ajkën e Kalorësisë së lehtë europiane dhe të gardave perandorake e mbretërore në mbarë Europën perëndimore, nga Spanja deri në Vendet e Ulta e më tej. “Skënderbeu, ka thënë Fan Noli, ka qenë pa dyshim komandant i madh dhe meriton të çmohet lart për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve, por s’duhet harruar se edhe ushtarët e tij kanë pjesë në këto merita”.24
Në këtë mënyrë, vërejmë në tablo se të dy krahët e kompozimit artistik në plan të parë janë mëse të baraspeshuara në personazhe, duke na shfaqur figura të gjalla arbërish, për t’ia lënë vendin ballor e qendror elementëve hieraldikë e simbolikë,
(foto 8) J. Stella, “Skënderbeu dhe Shtabi i tij”.
Janë hequr nga tabloja elementët heraldikë.
engjëjve, e më tej shiritit të shndritshëm apo udhës së jetës së amshuar drejt parajsës së premtuar me mori personazhesh në miniaturë, burra e gra, që ngjiten në qiell. Tërë këta elementë, për mendimin tonë, shfaqen njëfarësoj në rrafsh dytësor a tretësor, dhe nuk përbëjnë thelbin e tablosë.
Së katërti, për herë të parë në ikonografinë kastriotine, kjo tablo e francezit Jacques Stella na e shfaq Skënderbeun më 1631 me përkrenaren e tij emblematike mbi krye, dhuratë e shenjtëruar nga Papa Pali II më 1466. Është një risi tepër e veçantë, po të kemi parasysh se deri në atë kohë, në artet figurative, përkrenarja e Skënderbeut vendosej në tokë, pranë këmbës së tij, si një element në plan të dytë, për të lartësuar krahun e fuqishëm të Skënderbeut me shpatën e tij shndërruar në legjendare. Kujtojmë këtu shprehjen e famshme të Skënderbeut në letrën drejtuar sulltan Mehmetit II, “të dhashë shpatën, por jo krahun”. Shumë shpejt që nga ajo kohë, dhe sidomos me idenë gjeniale të Stella-s për ta vendosur këtë helmetë mbi krye të Skënderbeut, shohim në ikonografinë kastriotine se kjo përkrenare do zërë vendin e saj të merituar. Të merituar sepse, në zanafillë, kjo përkrenare duhet të ketë pasur domosdo përdorim funksional, e bekuar siç ka qenë nga Papa, (nënvizimi ynë) e dalë nga duart e artizanëve artistë të Vatikanit. Ishte pra një përkrenare nderi dhe nderimi bashkë, simbol i shenjtë krishtërimi i vetë Papatit. Dhe përtej funksionit të saj të mbrojtjes së kryeve, kjo përkrenare do të na shfaqet më pas edhe si një element i fuqishëm e i veçantë identifikues, që vetëm Skënderbeu ynë e ka mbajtur me krenari, dhe askush tjetër. Nuk ishte assesi një “lodër” papale, kur sot, ajo përkrenare, “e zvetënuar” nuk futet dot as në kokën e një fëmije! Nuk ishte as e porositur nga vetë Skënderbeu, siç shprehet Louise Rice, për t’i përngjasuar Pirros së Epirit. Historia dëshmon qartë në këtë drejtim me dokumentacionin e duhur bashkëkohor.
Kësisoj, përkrenarja mbi kryet e Skënderbeut të Jacques Stella-s do të zinte tani e tutje një vend parësor, po aq sa dhe shpata e tij legjendare dhe, me kohë, ajo do të shfaqej si element heraldik i mëvetësuar. Stella, me këtë tablo të tij, ka meritën e padiskutueshme se është i pari piktor në rang europian që e vendos përkrenaren me brirët e dhisë mbi kryet e Skënderbeut. Sigurisht që ai e bën këtë për sa më shumë ekzotizëm. Sigurisht që kërkon me ngulm të tërheqë sa më shumë vëmendjen tek një personazh i veçantë ballkanas, tek Heroi i Shqipërisë, një vend që ndodhet brenda Europës, pranë gadishullit Apenin dhe republikave italiane, të cilat vazhdimisht kërcënoheshin me pushtim nga Perandoria osmane, për hegjermoni tokësore e detare.
Nga ana tjetër, duke u shkëputur nga përkrenarja, dhe duke u fokusuar në fizionominë e Skënderbeut të Stella-s, vërejmë po ashtu se kemi këtu një dallim të dukshëm nga portreti klasik i Heroit tonë, që na shfaqej kryesisht me profil nga e majta: këtë radhë, te Stella, Heroi ynë na paraqitet me pamje treçerek djathtas, pa mjekrën e tij të derdhur karakteristike, por vetëm me mustak të gjatë e të përveshur, me faqe, nofull e mjekër të mirëdukshme, portret i cilësuar, për nga pamja e veshja, i “stilit hungarez” të shekujve XVI-XVII. Dhe kjo paraqitje e ka një arsye të thellë në konteksin e vet të caktuar historik. Ja pse historiani hungarez i artit Sander Baumgarten hulumtoi drejt “pistës hungareze” për zbërthimin e përmbajtjes së tablosë të Stella-s: ai u nis thjesht nga paraqitja e personazheve historikë
(foto 9) “Skënderbeu” i Stella-s 1631, “Skënderbeu me kapelen
albanoja” te Theatrum Genealogicum, 1598 dhe “Skënderbeu” i Th. Whincop, 1747.
hungarezë me mustak dhe “nga kapat me pendë të këtyre personazheve”, siç shprehet studiuesi Sylvain Kaspern.25 Por, pa mundur të gjithë këta studiues të identifikojë te tabloja e Stella-s kapelen shqiptare albanoja, siç vumë tashmë në dukje. Dhe, që jemi kokë e këmbë brenda tematikës shqiptare, këtë e shpreh më së miri për herë të parë ilustrimi Georgius Castriotus, gravurë në dru, botuar në Theatrum Genealogicum, më 1598, të cilin e nënvizon edhe vetë Louise Rice (foto)26. Kemi këtu kështu një paraqitje tepër të veçantë të Skënderbeut në “stilin hungarez”, pra thjesht dhe vetëm me mustak. Dhe po ky “stil hungarez” i portretit të Skënderbeut do të shfaqet edhe herë të tjera, deri vonë te ilustrimi i tragjedisë të Thomas Whincop “Scanderbeg, or Love and Liberty” i vitit 1747. Veçse, dy elementë thelbësorë na shfaqen në përqasjen e “Skënderbeut” të Theatrum Genealogicum me “Skënderbeun” e Stella-s, pa i rënë në sy Rice:
(foto 10) J. Stella, Albanoja, Kapuçi shqiptar me majë.
- te Theatrum, Skënderbeu ynë mban mbi krye albanojën e famshme të stradiotëve shqiptarë të kohës zbukuruar me pendë (foto 9), kur edhe vetë mbreti i Francës Henri IV na shfaqet në po atë periudhë me po atë kapele shqiptare në kokë, vërtetuar nga kronikanë të kohës27;
(foto 11) Shqiptarë me kapelen albanoja dhe mbreti francez Henri IV me po atë kapele shqiptare.
Albanoja është më e vjetër se Kapotini anglez i vitit 1590 që solli kapelen cilindrike angleze.
b) po te Theatrum, kemi për më tepër, si rrallë herë në atë kohë, edhe tablonë gjenealogjike të Skënderbeut dhe të birit të tij quajtur në latinisht Johannes Castriotus II (Gjon Kastrioti II). Kuptojmë kështu që Stella jo vetëm i është përmbajtur në paraqitje gravurës së Skënderbeut të kësaj vepre, por ka njohur nga afër edhe gjenealogjinë e saktë të Skënderbeut: që ka pasur një djalë të vetëm, gjenealogji e mbështetur te Barleti.