Foto:Fireworks light the sky at a pre-Inaugural “Make America Great Again! Welcome Celebration” at the Lincoln Memorial in Washington, Jan. 19, 2017./Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha se, vendi do të shohë “diçka vërtetë të mahnitshme” të premten, kur ai të betohet si presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara. Pas një koncerti të enjten në mbrëmje në shkallët e Monumentit të Linkolnit, zoti Trump tha se ka pak rëndësi në se moti do të jetë i bukur apo me shira të dendur, duke shtuar se gjithë bota po ndjek atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara. Për ditën e inaugurimit parashikohet shi i lehtë me temperatura relativisht të buta për janarin.
Disa minuta para nje shfaqje me fishekzjarrë në qiellin e Uashingtonit, zoti Trump premtoi të punojë intensivisht për të bashkuar vendin dhe “për ta bërë Amerikën të madhe për të gjithë”. Sean Spicer, i cili do të jetë zëdhënësi i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë, tha se presidenti i zgjedhur po vazhdon t’i bëjë ndryshime fjalimit të përurimit, që do të mbajë të premten në shkallët e ndërtesës së Kongresit. “fjalimi do të jetë me tone të forta personale, ku do të shpaloset vizioni i tij për Amerikën”, tha ai. Zoti Trump synon të theksojë “sfidat me të cilat ndeshemi”, shtoi zoti Spencer. Ai e cilësoi fjalimin një deklaratë filozofike, se ku presidenti synon ta çojë qeverinë amerikane dhe jo si një agjendë legjislative.
Duke filluar të premten pasdite dhe në ditët në vijim, tha zëdhënësi, zoti Trump do të nënshkruajë urdhëra ekzekutivë “për një agjendë ndryshimesh reale”. Presidenti ende po punon se në cilat fusha do të fillojë dhe në çfarë radhe, tha ai.
Zoti Trump mund të shfuqizojë menjëherë, përmes urdhërave ekzekutivë, disa vendime të presidentit Obama. Nën presidenti i zgjedhur Pence tha se ata do të jenë “gati t’i shërbejnë Amerikës që ditën e parë”. Ai po ashtu falenderoi presidentin Obama dhe nën presidentin Biden për bashkëpunimin gjatë periudhës së tranzicionit.
Pas emërimit të ish guvernatorit të Xhorxhias, Sonny Perdue, në postin e Sekretarit të Bujqësisë, zoti Trump i plotësoi të 21 postet e kabinetit të tij. Zëdhënësi Spicer tha se 536 zyrtarë janë me agjencitë federale në Uashington për të përfunduar tranzicionin, kur qeveria të rifillojë punën të hënën.
Zoti Spicer tha se 50 zyrtarë të administratës së presidentit Obama, që kanë punuar për tranzicionin, kanë rënë dakort të qëndrojnë në detyrë edhe me administratën e re.
Nën presidenti i zgjedhur tha se zoti Trump i ka planet gati për ditën e parë, për 100 ditët e para dhe për 200 ditët e para, për politikat e reja që administrata e re synon të zbatojë. Interesimi për të punuar për administratën e re është shtuar nga dita në ditë, tha zoti Pence, me 86 mijë persona që kanë aplikuar për vende pune. Trump dhe Pence, fituesit e një prej garave më të forta të zgjedhjeve presidenciale, morrën pjesë në disa aktivitete në kryeqytet të enjten.
Zoti Trump falenderoi disa prej anëtarëve të kabinetit gjatë një dreke në Hotelin Ndërkombëtar “Trump”, jo larg Shtëpisë së Bardhë. Ai përmendi kalimthi se do të emërojë pronarin miliarder të ekipit të futbollit të Nju Jorkut “Jets”, si ambasador në Britani.
Kandidati i emëruar për Sekretar të Thesarit, Steve Mnuchin u ndesh me pyetje të vështira rreth rolit të tij në një bankë që mblidhte kreditë e papaguara të shtëpive, që u shoqërua me humbjen e shtëpive për shumë familje, gjatë recesionit të vitit 2009. Zëdhënësi Spicer kritikoi senatorin Chuck Schumer, udhëheqësin e demokratëve në Senat për vonesat në miratimin e anëtarëve të kabinetit.