Në jetën e saj të bujshme, nëna jonë Terezë bashkoi njerëzit, popujt dhe kulturat. Me veprën e saj jetësore, ajo u bë shpresa për të varfrit, frymëzim për njerëzimin dhe udhërrëfyese e përbotshme.
Sot jemi këtu për ta përjetësuar figurën e saj në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në vendin e saj të lindjes.
Nga këtu, misionarja, humanistja, nobelistja e shenjëtorja jonë, nisi një udhëtim me qëllim, i cili do ta çonte përtej kufijve të atdheut të saj dhe në zemrat e miliona njerëzve në mbarë globin.
Dashuria dhe ndjeshmëria ndaj njerëzve dhe njerëzimit është ana e fortë e karakterit dhe moralit të nënës sonë të madhe, ndaj në asnjë ditë të vetme të jetës së saj nuk reshti duke bërë vepra humane mbi bazën e dashurisë dhe dhembshurisë ndaj te tjerëve. Këtë e dëshmojnë edhe faktet historike, jeta dhe vepra e saj.
“Unë ja kam dhanë besën e shqiptarit Zotit me prue dashni dhe paqe mbi gjithë botën”, thuhet në një letër dorëshkrim, të cilin Nënë Tereza, më 1989 ia ka drejtuar kreut të atëhershëm të Shqipërisë.
Sot, jemi bashkë në këtë ceremoni nga të tri shtete fqinje, me të cilat lidhet historia personale e Nënë Terezës.
Është e lindur në Shkup, prindërit e saj janë nga Kosova, ndërkaq në Shqipëri, respektivisht në Tiranë, jetuan dhe vdiqën njëra pas tjetrës nëna Drande dhe motra Age.
Prandaj, jam e lumtur që sot jemi bashkë me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj , duke u bërë te gjithë bashkë në nderim të shënjtorës sonë si një simboli i miqësisë sonë ndërmjet shteteve, marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme dhe të ardhmes sonë të ndritur në familjen euroatlantike.
Shtetet tona janë shtylla të qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe miqësisë ndërmjet popujve tanë, në një rajon të trazuar. Afërsia jonë gjeografike, historia e ndërthurur dhe vizioni i përbashkët euroatlantik janë e përbashkëta jonë dhe shpresë për një rajon stabil dhe të zhvilluar ekonomikisht.
Miqësinë tonë e bën më të fortë, figura e Nënë Terezës.
Ajo po kthehet e skalitur në Shkupin e saj, ndërkaq ne të gjithë duhet të jemi krenar që botës i dhamë nënën më të madhe që njohu njerëzimi, nënën e nënave, Gonxhe Bojaxhiun, të Shenjten Terezë.
“Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”. Këto janë fjalët e ikonës globale, simbolit të dhembshurisë, dashurisë dhe vetëmohimit – Nënës Terezë.
Vepra e Nënë Terezës është një testament i gjallë i fuqisë së një individi për të bërë ndryshim. Me përkushtim të pakufishëm, ajo iu afrua atyre që shoqëria i kishte lënë me një anë, duke u kujdesur për të sëmurët, të varfëritë dhe njerëzit e tjerë në nevojë me një dashuri që nuk njihte kufij.
Zemërgjerësia e saj, tejkaloi fetë, kombet dhe statuset shoqërore, duke bashkuar njerëzit nën flamurin e dhembshurisë dhe humanizmit.
Ky bust, që do të përurohet sot, është simbol kujtese jo vetëm i jetës së Nënë Terezës, por edhe i vlerave që ajo mbrojti – mirësisë, përulësisë dhe dashurisë për njerëzit.
Duke qenë bijë e nënës Dranafille Bojaxhiu nga Prizreni dhe babait Nikollë Bojaxhiut nga Gjakova, shikimi i saj në bust sikur është kthyer nga andej prej nga, gjeografikisht vijnë prindërit e saj, dhe na kthen në vëmendje ditët e errëta të luftës së vitit ‘99, kur ne na kërcënohej shfarosja nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit e kur Nëna Terezë mori në telefon presidentin Clinton dhe i tha: “Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi”. Presidenti Clinton dhe e gjithë bota demokratike na dolën në ndihmë, derisa Shqipëria e Maqedonia e Veriut kishin hapur dyert e zemrat për qindra mijëra refugjatë nga Kosova.
Kjo ditë në të cilën ne po e përurojmë bustin e Shën Terezës përkon me një ngjarje të hidhur, me përvjetorin e 11 shtatorit të vitit 2001, kur aleati ynë i përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pësuan një ndër goditjet më të rëndë terroriste, nga sulmet e koordinuara terroriste, të cilat tronditën themelet e demokracisë dhe ndryshuan rrjedhën e historisë.
Prandaj, nga ky përurim i bustit të Nënës që kontribuoi shumë për paqe e dashuri ndërmjet kombeve, duam sërish të kujtojmë mijëra viktimat që humbën jetën më 11 Shtator dhe të urojmë për paqe kudo në botë.
Një botë ku dhuna dhe urrejtja zëvendësohen me ndjeshmëri, dhembshuri dhe respekt për njerëzimin, ashtu siç bëri dhe siç na la testament Nëna Terezë.
Kjo, ngaqë në këtë botë mbijetojnë veprat e mira, ndaj nuk duhet të reshtim asnjëherë duke bërë vepra të tilla.
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Le t’i bëjmë ato gjëra të vogla dhe le t’i bëjmë me dashuri të madhe”, thotë Nëna Terezë.
Nëna jonë Terezë nuk është vetëm bust i skalitur në mermer, por është në jetën e transformuar të miliona njerëzve dhe në dashurinë e pakufishme që dhuroi.
Ambasada e Republikës së Kosovës , prej sot është e bekuar me prezencën e përhershme të Nënës Terezë!
Shpirti i saj e ka gjetur paqen e përjetshme, ndërkaq trashëgimia e saj do të vazhdojë të na udhëheqë në rrugëtimin tonë drejt një bote më të dhembshur, më humane e më të mirë!