Nga New Yorku
Ramazan Çeka/
Një aktivetet madhështor nën kujdesin dhe përkushtimin e organizatorit kryesor z. Agim Kotaj, themelues dhe kryetari i “Xhamadani Foundation”, Shoqatës “Shqiptare Amerikane” Staten Island, New York me kryatar z. Naser Nika, aktivistit Shpetim Qorraj dhe vecanerisht Shoqatës “Kraja” me kryetar z. Sami Kanaqi.
Me pjesëmarrjen e qindra bashkatdhetarëve të Komunitetit Shqiptar në Amerikë, përmes një atmosfere dhe emocioni që nuk do të harrohet kurrë, mbretëronte Flamuri Shqiptar në Rrugën Ismail Qemali, në një nga rrugët kryesore në Staten Island në New York, që dukej sikur me frymën e tyre ky Flamur valëvitej madhështor.
Ishte ai Flamur që kishte ditëlindjen e tij, ishte ai Flamur që kishte mbledhur si një djalë i pashëm, i bukur e trim, familjen e tij, të afërmët e tij, bashkëkombasit e ti dhe shokët e miqt nga gjithë bota për të festuar.
Atë ditë ai valvitej shumë krenar, por ne ishim më krenar se ai, sepse, edhe pse kanë kaluar 111 vjet, është më i bukuri në botë.
Ishte madhështore dhe emocionuese kur pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar u ngjitën në skenë emra të shquar të Komunitetit Shqiptar në New York, këngëtarë e valltarë, të cilët me performancat e tyre u rreshtuan përkrah të pranishmëve, duke krijuar një atmosferë festive shqiptare.
Në Vlorën heroike, 111 vjet më parë, Plaku u urtë Ismail Qemali me një grup burrash të shquar të pushkës dhe të penës u mblodhën për ta bërë Shqipërinë të pavarur, për ta nxjerrë atë nga sundimi dhe errësira shumëshekullore dhe për të hedhur themelet e një shteti të ri shqiptar.
Kjo nuk erdhi për një ditë, pasi ky popull i shtypur dhe i sunduar do të nxirrte kurdoherë djemt e tij, prijësa, figura të shquara të iluminizmit që si një fanar që ndriçn errësirat më të thella, ata ndriçuan edhe mendjen e shqiptarëve të shtypur e njëkohësisht, vunë në ballë trimat e shquar që nuk kursyen as jetën.
Historia e popullit tonë i thirri ata, që t’i dalin zot vendit të vet me shkrim e këndim, me sakrifica dhe gjak, sepse ky popull me këta bij, me këto sakrifica ka mbijetuar në historinë e gjithë popujve të Europës.
Nuk kisha si ta nisja ndryshe këtë shkrim, që unë sot po e publikoj për t’i bërë jehonë festimit të Ditës së Pavarësisë në Amerikë, nëqoftëse nuk do të përmendja Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin, Dom Nikollë Kaçorrin e dhjetra firmëtarë të tjerë që nënshkruan Aktin e Madh të Pavarësisë.
Ishin pra këta burra që në një periudhë kaq të vështirë e delikate, me guximin dhe kurajon e tyre bënë realitet amanetin e Rilindjes Tonë Kombëtare, e vëllezërve Frashëri, e Çajupit, e Pashko Vasës, Ndre Mjedës, Jeronim De Radës e deri tek Asdreni i madh që na dhuroi fjalët aq madhështore, që sot ne i këndojmë me dorë në zemër në Himnin tonë Kombëtar.
Pikërisht me këto fjalë, me këtë Himn u hap, ashtu siç hapet çdo festë e tillë kombëtare edhe ky manifestim i madh, i cili u drejtua nga moderatorja e mrekulluzeshme Linda Doda Kavaja, e ftuar posaçërisht për drejtimin e këtyre spektakleve.
Mbresat e mia ndoshta janë të veçanta në këtë aktivitet madhështor. Ndoshta janë të tilla, sepse unë udhëtova nga Shqipëria për ta përjetuar ndryshe një eveniment të tillë dhe për t’u mbushur me frymëzim e krenari për çdo gjë që bashkëatdhetarët e mi bënë në këtë vend.
Për mua nuk është hera e parë që vij në Amerikë, por kjo radhë do të mbetet e pashlyeshme në kujtesën time, njëlloj si një rrugë e drejtë që ma ka mësuar një mësues i ditur.
Kjo fetë e bukur dhe madhështore do të pasqyrohet në televizionit TV1 Channel, në Shkodër dhe në ACTV New York në Amerikë.