
-Ministri Tahiri: Funksionalizimi i Dhomës së Posaçme zhbllokon 20 përqindëshin e mijëra punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore. 21 mijë lëndë janë në pritje/
-Në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës edhe kërkesat-paditë e punëtorëve të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja/
PRISHTINË, 18 Qershor 2019-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kosovë, pas mëse një viti, me ligj të ri funksionalizohet Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, kanë vizituar sot Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, ku janë pritur nga kryetari i kësaj Dhome, Sahit Sylejmani dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.
Gjatë takimit, ministri Tahiri ka theksuar se për shkak të kompetencës ekskluzive të Dhomës së Posaçme me çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, puna e kësaj gjykate ndikon drejtpërdrejt në dinamikën e procesit të privatizimit e sidomos tek shpërndarja e fondeve në mirëbesim tek punëtorët dhe kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore si dhe bartja e mjeteve të mbetura tek buxheti i Republikës së Kosovës.
Sipas ministrit Tahiri, me Ligjin e ri për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, që tashmë është miratuar në leximin e dytë në Kuvendin e Republikës dhe brenda javës pritet të dekretohet nga Presidenti i Kosovës, garantohet vazhdimësia e punës së kësaj Dhome pas përfundimit të mandatit të EULEX-it në gjyqësor, si dhe shënohet një momentum sa i përket përfitimit të pronësisë të sistemin tonë gjyqësore përmes shkëputjes së përhershme nga gjyqtarët ndërkombëtarë dhe kalimit të kompetencave të plota tek gjyqtarë tërësisht vendorë.
“Lajm i mirë është që më në fund po fillon trajtimi i 21 mijë lëndëve që kanë mbetur nga privatizimi. Janë mijëra qytetarë që presin 20 përqindëshin e tyre, disa prej tyre presin pagat në këtë proces, kreditorët presin mjetet e tyre. Puna e kësaj Dhome ndikon direkt në ritmin e punës së procesit të privatizimit”, ka thënë ministrit Tahiri.
Trajtimi i lëndëve, sipas ministrit Tahiri, do të zhbllokoj edhe rreth 100 milionë euro të bllokuara në Bankën Qendrore të Kosovës, të cilat do të derdhen në buxhetin e Kosovës.
“Ligji i ri mundëson strukturë të re organizative brenda kësaj gjykate, e cila përveç se respekton pavarësinë gjyqësore, parasheh përfshirjen e plotë të kësaj gjykate brenda kornizës së kompetencave menaxhuese të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, ka theksuar ministri Tahiri.
“Nëse gjatë viteve të fundit Dhoma e Posaçme është stërngarkuar me lëndë, e situata më pas është bërë edhe më e pamundur me bllokimin total të punës si pasojë e përfundimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë, tashmë me miratimin e ligjit të ri, nuk ka më asnjë arsyetim për gjyqtarët dhe Dhomën e Posaçme. Tani përgjegjësia bie mbi vet Gjykatën Supreme dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që të siguroheni që pikërisht lehtësimet të cilat ua ofron ligji i ri t’i shfrytëzoni maksimalisht për të çuar përpara punën e kësaj gjykate, për të zgjidhur 21 mijë lëndë që janë në pritje dhe si rezultat për të përmirësuar direkt jetën e qytetarëve tanë”, ka theksuar ministri Tahiri.
Në Kuvendin e Kosovës në 30 maj 2019 është miratur në shqyrtim të dytë Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i cili ishte miratuar në parim afër një vit më herët – në 12 korrik 2018.
Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja pas dëbimit e mbylljes së dhunëshme të kundrligjëshme nga UNMIK në vitin 2002 ka bërë tre padi në gjykatë, ndërsa në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj, bazuar në ligje, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila i mbështetë në vazhdimësi për të drejtat e tyre të ligjëshme dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës kanë bërë kërkesat e tyre edhe për kompensim për dëbimin kolektiv padrejtësisht nga puna, si dhe për pagat e papaguara për punën në kohë lufte. Në maj 2019 punëtorët e NSH Gazeta Rilindja – gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja kanë aplikuar për 20 përqindëshin që u takon me ligj nga vlera e pronës që kishin në Pallatin Rilindja, pasi Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 23 tetorit 2018 ka marrë vendimin të bëjë pagesën për shpronësimin. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që për nevojat e shpronësimit të ndërtesës së ish-NSH Rilindja – Pallatit të Shtypit Rilindja të ndajë 3.3 milionë euro.