Ne Foto:Industrialisti Gazmend Toska me bashkëshorten/
Prej vitesh Gazmend Toska është industrialist dhe drejton katër fabrikat e tij në Francë dhe një në Berat. Ai thotë së jeta e tij ka kaluar në tre faza dhe se tani është në fazën e tretë. Pjesa e parë ka qënë në Shqipëri, deri në moshën 22 vjeç, pjesa e dytë në Francë, nga mosha 22- 50 vjeç, ku u formua me kulturën dhe mendimin francez dhe ku krijoi familjen me një shqiptare. Sot jeton familjarisht në jug të Francës, por udhëton shpesh për të drejtuar fabrikat e tij që ndodhen në qytete të ndryshme. Bashkëshortja, Ardjana, e diplomuar për gjuhën frënge në Universitetin e Tiranës, punon mësuese në gjimnaz ku jep frengjisht, histori dhe gjeografi. Vajza e madhe, Laura, studion në një nga shkollat më të mira të biznesit, që radhitet e 32-ta në botë ndër mijëra të tilla. Ka zgjedhur një specialitet që lidhet me industrinë e tekstilit, ndonëse në fushën e biznesit të luksit dhe modës. Gazmend Toska thotë se pjesa e tretë e jetës së tij, pas moshës 50 vjeç, lidhet me krijimin e “urave” midis Francës dhe Shqipërisë duke prurë në vendlindje eksperiencën e tij mbi 30 vjeçare dhe duke u bërë lobues i palodhur në Francë për imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Z. Toska ju jeni tashmë një industrialist i njohur si në Francë, ku jetoni prej vitesh, ashtu edhe në Shqipëri. Me pak fjalë si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj për të arritur deri këtu?
Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj mund të them se jeta ime ka kaluar në tre faza. Tani jam në “pjesën e tretë” të saj. Pjesa e parë ishte në Shqipëri, deri në moshën 22 vjeç, ku u formova, ndjeva dhe kuptova gjakun dhe zemrën shqiptare. Puna, respekti dhe dashuria për të tjerët janë vlera që mendoj se i kam trashëguar nga familja ime. Pjesa e dytë në Francë nisi nga mosha 22- 50 vjeç, ku u formova me kulturën dhe mendimin francez dhe ku krijova familjen me një shqiptare. Sot jetoj familjarisht në jug të Francës, por udhëtoj shpesh për të drejtuar fabrikat e mia që janë në qytete të ndryshme. Bashkëshortja, Ardjana, e diplomuar për gjuhë frënge në Universitetin e Tiranës, punon mësuese në gjimnaz ku jep frengjisht, histori dhe gjeografi. Edhe ajo kaloi përballjen me jetën franceze dhe fitoi konkursin për mësuese frengjishte, diçka e rrallë për një të huaj. Vajza e madhe, Laura, studion në një nga shkollat më të mira të biznesit, që radhitet e 32-ta në botë ndër mijëra të tilla. Ka zgjedhur një specialitet që lidhet me industrinë e tekstilit, ndonëse në fushën e biznesit të luksit dhe modës. Djali, Martini 14 vjeç, ndjek ciklin shkollor këtu. Ndërsa pjesa e tretë, pas moshës 50 vjeç, lidhet me krijimin e “urave” midis Francës dhe Shqipërisë, duke prurë në vendlindje eksperiencën time 30 vjeçare dhe duke u bërë lobues i palodhur në Francë për imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ju jeni larguar nga vendlindja në periudhën e regjimit komunist… Cilat ishin arsyet e largimit?
Fillimisht u largova në vitin 1983 kur isha në vitin e dytë në Universitetin e Tiranës, dega inxhinieri tekstile. Unë isha një ndër katër studentët e këtij universiteti që u përzgjodhëm për të përfunduar studimet në Francë, ku mora 3 diploma me rezultate të shkëlqyera edhe në informatikë e inxhinieri mekanike. Me rikthimin në Shqipëri në vitin 1989 u emërova pedagog në fakultetin e inxhinierisë së tekstilit në Universitetin e Tiranës ku punova vetëm 6 muaj sepse në vitin 1990, para përmbysjes së regjimit, u largova për arsye politike në Francë.
Nga media franceze ju konsideroheni si një industrialist franko-shqiptar i suksesshëm. Cili ka qënë çelësi i këtij suksesi?
Natyrisht që vështirësitë që një i huaj të bëhet sipërmarrës në Francë janë të mëdha, shumë më të mëdha sesa për autoktonët. Për të arritur këtu, duhen disa aftësi kryesore që, sipas përvojës sime, janë: kompetenca, kapaciteti i adaptimit me kulturën dhe mentalitetin francez, këmbëngulja dhe të qënit lider në mënyrë natyrale. Dëshira për të qënë i suksesshëm dhe motivimi janë kushte të domosdoshme, por jo të mjaftueshme. Kjo duhet shoqëruar me kompetencë në aktivitetet ku operon. Dhe për një të huaj në Francë shpesh këto janë dhe vështirësia më e madhe. Unë fillova punë si inxhinier në kërkime shkencore në fushën e kimisë në grupin “Rhône Poulenc”, grupi më i madh francez në atë kohë. Puna në atë grup më dha vit pas viti kualifikimin e nevojshëm. Më pas nga fusha e kërkimeve kalova në drejtimin e uzinave dhe projekteve, ku u specializova për menaxhimin e problemeve në uzinat në vështirësi apo në prag falimentimi. Udhëtoja shpesh në botë dhe mendoj se kjo eksperiencë është pozitive, pasi arrin të përmirësosh rezultatet në sektorët ku punon.
Në revistën më të madhe franceze ekonomike “LES ECHOS”, datë 19 tetor 2006, në rubrikën “Artikulli kryesor” botohej profili juaj si biznesmen me titullin “Gazmend TOSKA ka fibrën e tekstileve teknike”. Ju në këtë artikull cilësoheni si rimëkëmbës i ndërmarrjeve të tekstilit…
Falë eksperiencave që fitova vit pas viti, në vitin 1999 bleva një ndërmarrje në trajtimin e kollarisjes së fijeve sintetike në verilindje të Francës, e cila regjistronte defiçite të rënda prej shumë vitesh dhe ndodhej në prag të falimentimit. Arrita ta shpëtoj dhe pas 5 vitesh ajo u rimëkëmb tërësisht. Më pas bleva ndërmarrje të tjera, që ishin po ashtu në vështirësi, të cilave arrita t’u hap dhe t’u jap horizonte pozitive në vijim. Tashmë kam 4 sipërmarrjet e mia private në fushën e tekstileve teknike në Francë që qarkullojnë 15 milionë euro në vit, ndërsa kam punësuar direkt 150 punonjës dhe indirekt 600 të tjerë. Aktivitetin kryesor e kam me grupin “Noiret”, i specializuar në prodhimin e copave që i rezistojnë zjarrit dhe që përdoren nga ushtria, zjarrfikëset, forcat e ndërhyrjes speciale, industritë e mëdha mekanike, metalurgjia, pikat e karburanteve etj. Më duhet të them se aktiviteti që kryejmë kërkon një nivel të lartë specializimi, ndërsa është e pamundur ta transferosh aktivitetin në një vend tjetër. Por, në Francë shteti ofron mundësi dhe politika për industrialistët në përpjekje për ruajtjen e vendeve të punës.
Zoti Toska vitet e fundit ju vini shpesh në Shqipëri për t’i dhënë jetë ëndrrës tuaj për rigjallërimin e industrisë prodhuese në Berat, i njohur për ish-kombinatin e tekstileve, por jo vetëm. Si i shihni marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës dhe cili është modeli që ju zbatoni për zhvillimin e këtij biznesi?
Prej disa vitesh kam hapur në Berat shoqërinë “Marlotex” që sot punëson rreth 100 vetë dhe ka perspektivë për të ardhmen. Kjo shoqëri, që administrohet nga motra ime, e nisi aktivitetin me disa makina qepëse në një garazh dhe sot punon si filial i kompanisë La Bresse në Francë për prodhimin e konfeksioneve prej poliesteri dhe pambuku. Në Berat cilësia e punës e grave dhe vajzave është e nivelit evropian, por disponibiliteti i fuqisë punëtore varet nga pronari për ta balancuar përgjegjësinë sociale, për ta paguar e trajtuar si duhet punonjësin. Të 100 punëtorët e punësuar tek fabrika ekzistuese kanë të garantuar 4 javë pushime të paguara, pagesë 50% për ditët kur nuk punojnë. Përgjegjësia sociale është objektiv i punës sime pasi gjykoj se qëllimi final nuk është pasurimi i një pakice, por i gjithë komunitetit. Është e rëndësishme që modeli social dhe ligjet të respektohen rigorozisht, se nuk mund të kesh një ndërmarrje konkurruese me tregjet euriopiane pa motivim të fuqisë punëtore. Punëtorët duhet ta konsiderojnë “të tyren” ndërmarrjen nëse ndaj tyre zbatohen rregullat sociale. Është një lloj ekuilibri natyral mes punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe këto bëhen në mënyrë të ekuilibruar. Krahas shoqërisë “Marlotex” kam krijuar dhe agjencinë “Onufri Voyage” që promovon shkëmbimet turistike midis Francës dhe Shqipërisë si dhe fondacionin “G.Toska” që ndihmon në fusha si bamirësia, mbështetje në rast katastrofash natyrore, arsim, kulturë, ekologji, art, kulturë, në marrëdhëniet Francë-Shqipëri dhe promovimin e imazhit të Shqipërisë. Principi im është një shprehje e Nënë Terezës: “Ne s’mund të bëjmë gjëra të mëdha. Ne mund të bëjmë vetëm gjëra të vogla, por me shumë dashuri”.
Në këndështrimin tuaj përse ka nevojë zhvillimi i Beratit duke qënë se prej vitesh ju kontribuoni në vendlindje?
Për mua, zhvillimi i ekonomisë në Berat mbetet kushti kryesor që qyteti të përparojë. Në Berat, aktiviteti im ka një dimension social të rëndësishëm, pasi një pjesë e fitimeve shkon në dhënien e bursave në ndihmë të fëmijëve të braktisur dhe të të moshuarve në kushte ekonomike të vështira. Mendoj se është e rëndësishme që në Berat të punësojë banorët dhe të krijojë fitime që të mos dalin nga Shqipëria. Një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për rrjetat e mushkonjave sjell një tjetër shans për zhvillimin e industrisë së tekstileve në Berat.
Si një industrialist i suksesshëm në Francë si e konsideroni të ardhmen e industrisë së veshjeve dhe manifakturave në përgjithësi në Shqipëri? Çfarë këshille mund t’u jepnin biznesmenëve të fasonit?
Nisur nga kriza ekonomike që ka lëkundur tregjet europiane dhe botërore, industria shqiptare e fasonit duhet të ecë drejt ciklit të plotë të prodhimit duke e zgjeruar aktivitetin e saj edhe jashtë fasonit. Investimet e huaja në Shqipëri në industrinë e veshjes dhe tekstileve favorizohen nga tre elementë: kosto punëtore e ulët, taksat e ndërmarrjes të ulëta, tatim-fitimi dhe niveli profesional i punëtorëve shqiptarë. Por, nga ana tjetër fasonistët duhet të kenë njohuri të plota për tregun e lëndës së parë, deri tek produkti final. Qëllimi është që bashkë me këtë industri të reformuar të arrihet deri në 4-fishim të pagave. Për këtë duhet të krijohen ndërmarrje më të mëdha që të mbyllin ciklin e prodhimit. Roli i shtetit për sensibilizimin dhe ndihma e tij ndaj ndërmarrjeve në këtë fushë është i rëndësishëm.
Ju njiheni edhe si promotor i tërheqjes së investitorëve francezë në Shqipëri, sigurisht edhe në Berat…
Eksperienca pozitive në Berat më ka dhënë mundësinë që prej disa vitesh të bëhem “ambasador” i mesazhit drejtuar industrialistëve Perëndimorë se: “Në Shqipëri keni një Kinë të vogël” për prodhimet manifakturale ku punëtorët shqiptarë dinë të punojnë shumë mirë, nëse u krijohen kushtet.
Ç’mendoni për nismën e Albanian Excellence?
Është një iniciativë pozitive, natyrisht. Sepse mendoj se sa më shumë të flitet për eksperiencat pozitive të shqiptarëve kudo ku jetojnë, aq më shumë do t’u jepen shembuj pozitivë të rinjve, të cilëve këtu shpesh u mungojnë modelet.(Kortezi:ATSH)