NGA ASLLAN BUSHATI*/
Ka njerëz që hyjnë në histori me një akt të vetëm dhe kjo është normale dhe e pranushme kur dikush jep jetën me vetëdije për dicka që e vlerëson si të shenjtë ose madhore. Por ka të tjerë që hyjnë në histori dalngadalë, pa zhurmë, pa bujë, pa mburrje, por me vepra , beteja, kuvende të njëpasnjëshme, të cilat ndryshojnë rrjedhat e historisë. Abaz Kupi u përket atyre që hyjnë ngadalë sepse ai ka bërë shumë beteja në jetën e tij dhe dashuria për atdheun e besa, kanë qenë motivet që e kanë shtyrë përpara . Ato i kanë përsosur karakterin si burrë zakoni e si udhëheqës popullor, dhe i kanë shumëfishuar energjitë duke e bërë hero në të gjallë e në jetën e përtejme.
Për një periudhë të gjatë kohe, shteti totalitar komunist në Shqipëri dhe vecanërisht vetë diktatori Enver Hoxha ,u përpoqën me të gjitha mënyrat, për ta tjetërsuar figurën, veprën dhe kontributin e madh të Abaz Kupit në historinë e Kombit tonë. Hodhën shumë baltë mbi të, nëpërmjet makinës tyre të propagandës, përhapën shumë gënjeshtra, trilluan e tjerërsua ngjarje, data, ndodhi, takime e konferenca . I burgosën, interrnuan e torturuan familjen, por nuk ia arritën qëllimit. Balta e llumi që ata gatuan e ngritën kundër Abaz Kupit, u ra atyre që e bënë. Sot figura dhe vepra e Abaz Kupit shkelqen e ndrit sic ju ka hije heronjëve të vërtetë të Kombit Shqiptar
Por, si ballafaqim me qëndrimin dashakeqës, poshtërues, të gënjeshtërt e hipokrit të komunistëve shqiptar, dëshiroj të sjellë në fokusin e kujtesës tuaj,për atdhetarinë, mprehtësinë dhe integritetin në bisedime të Abaz Kupit, thëniet e dy ushtarakëve të lartë britanik .Së pari atë të Julian Amery në librin “Bijtë e Shqipes” ku thotë:”Në takimin e parë me të u befasova nga përzemërsia që tregoi dhe vecanërisht më bëri përshtypje profili i tij me atë të Napoleonit, me një cullufe mbi ballë, me të cilën mundohej të fshihte një shenjë plage plumbi…Ai fliste pak me ngadalë, por me një shprehje të mahnitshme, me gjeste dhe me një ton të ngrohtë, të cilat përkthyesi i kishte shumë të vështirë të na i përkthente”.
Së dyti Davis Smajli në librin me titull”Me detyrë në Shqipëri”, thotë:”Ishte i qetë dhe i rezervuar nga natyra, ai kishte sjellje të përsosur dhe kurrë nuk i tradhëtoi ndjenjat me ndonjë gjest apo shenjë të dukshme”.
Të nderuar bashkatdhetar, ne bëjmë shumë mirë që mblidhemi në cdo janar pranë varrit të Abaz Kupit. Ky ritual, në radhë të parë është nderim për veprën madhore të gjeneralit popullor,
por edhe për Familjen Kupi. Është nderim edhe për komunitetin tonë shqiptaro-amerikan, për Legalitetin e Vatrën, është nderim për të gjithë ata që vunë gurë të mëdhej në themelet e Republikës së Shqipërisë. Të asaj Shqipërie që Abaz Kupi e deshi kaq shumë, që edhe ne e duam po ashtu shumë, por që na loton syri nga mjerimi që e ka pushtuar, nga korrupsioni e kriminaliteti dhe mbi te gjitha nga keq qeverisja e cila i ka hapur rrugën largimit masiv të rinisë shqipatre.
I nderuar qoftë kujtimi dhe vepra e Gjeneral Abaz Kupit.
*Fjalim i mbajtur sot, 11 Janar 2020, me rastin e Pervjetorit te 44 vjetorit te ndarjes nga jeta te Gjeneral Abas KUPI, tubi i organizuar nga Levizja e Legalitetit dhe Familja Kupi ne Nju Jork