Bujar Leskaj/
Greva e pedagogëve është 100% e ligjshme, e drejtë dhe dinjitoze. Është greva e elitës së kombit tonë, e cila është jo vetëm pasuri për kombin, por edhe truri i kombit tonë.
Pedagogët e universiteteve janë trajtuar në mënyrën më të keqe të mundshme në këto 9 vite të këtij sekti në pushtet, jo vetëm për pagat, por edhe për kërkimet e punën shkencore, për vlerësimin sipas titujve e meritokracisë, për pagesën që ata meritojnë për orët suplementare, për kontributin që japin në formimin, arsimimin e kombit tonë.
Ndërkohë që pedagogët protestojnë, Rama, në vend që të ulet e të gjejë zgjidhje kërcënon me mbylljen e universiteteve në jug, kërcëno me vetting, pavarësisht se vettingun duhet ta fillonte nga vetja e anëtarët e sektit që ka pranë.
Në vend që të marrë vendime e të bëjë gjithçka që të rinjtë e studentët të qëndrojnë në Shqipëri nuk thotë asnjë fjalë për studentët që përballen me një kosto të papërballueshme të studimeve, me rritjen galopante të çmimeve të ushqimeve, transportit, veshjeve, qirave, etj.
Në vend që të ulen e të mendojnë për politika arsimore që të rimëkëmbin arsimin tonë të shkatërruar, i cili është në gjendjen më të keqe në këto 30 vitet e fundit, kërcënojnë studentët me bllokim të diplomave për të mos u larguar nga Shqipëria.
Në vend që të bëjë më shumë për pedagogët, universitetet, arsimin në përgjithësi; sepse universiteti dhe pedagogët janë e vetmja gjë që i kanë ngelur Shqipërisë; i shkel syrin sistemit të dikurshëm komunist dhe centralizimit të pushteteve, pavarësisht se ashtu si arsimi, po shkon drejt greminës edhe Shqipëria.
Por ky sekt e urren arsimin, i urren elitat e arsimuara të kombit, pasi ka qëllimin e mendimin e mbrapshtë që të sundojë më mirë e më lehtësisht një komb të varfër e të paarsimuar!
Ndaj Rama e sekti i tij të lenë mënjanë presionet e papranueshme dhe kërcënimet, të cilat nuk trembin askënd, por të plotësojnë kërkesat e drejta të pedagogeve dhe studentëve.
Rama dhe qeveria e tij duhet që të lexojnë me kujdes një shkrim të sotëm të analistit Shpëtim Nazarko, i cili ngre këmbanën e alarmit dhe i drejtohet Ramës e sektit të tij: “Ditëzes, pa universitet e pa pedagogë, jemi pa atdhe!”