Nga Alfons Grishaj/
Inoçenca dhe defiçenca në punën intelektuale janë si zhiva e një termometri të thyer që nuk përbën më instrument matës. Shumë intelektualë e anashkalojnë këtë. Krekosur dhe rrumbullakosur shfaqen me madhështinë e fanitjes se një meteori që shuhet pa rënë në tokë, por dhe nëse bie, bën kraterin e rradhës.
Shpesh herë viktimë e inoçencës bien dhe studiues seriozë. Vetkënaqësia ua mbulon logjikën analitike shkencore, duke menduar që boshllëkun akademik ua mbulon paraqitja autoritare personale. Në shkencë, përdorimi i autoritetit pa prodhim dhe memorje është si autograf në rërë. T’i biesh ziles pa lëshuar tinguj është njësoj sikur një miop të përdorë skeletin e gjyslykëve pa lente.
Le të marrim një shembull: “Dimri i Vetmisë së Madhe”. Një libër që duket se është harruar se nga kush është shkruar. Ky roman shënonn kulmin i glorifikimit të Partisë Punës dhe udhëheqësit të saj. Këtë libër mund ta emëroja pa droje si “Manifest i Partisë Punës”. Kritikët dhe analistët e sotëm nuk merren me atë libër, por merren me ca letra të mykura të mbetura në arkivat e PP-së, për të treguar anti-komunizmin dhe rrezikun që i kanosej autorit tek “Pallati i Endrrave”, që në fakt, autorit jo vetëm nuk i ndodhi asgjë, por fama e lavdia e tij u rritën më tepër… falë Neronit shqiptar. Enveri, nuk e detyroi shkrimtarin të vriste veten si Neroni, Senekën, por e lartësoi dhe e mbuloi me përkujdesje atërore drejt kultit.
Arkivat në kohën e PP-së, nuk ishin për krijimin e një memorje pë rritjen e shërbimit historik dhe për syrin e gjërë intelektual, por thjeshtë skedime me një çelës , të cilat shërbenin sipas oreksit , herë për glorifikim , herë për hakmarrje. Pas rënies së Çausheskut , arkivat u pastruan dhe mbetën vetëm letrat që i lanë enkas për të demaskuar heronjtë në njërën anë, dhe në tjetrën, për t’u hedhur hi syve popullit që të besonte se “Ballarët e Indoktrinimit” gjoja paskëshin qenë në rrezik të madh…! Kështu, programi kripto-komunist të vazhdonte. Sot ne, jemi në kurthin e këtij plani, prandaj populli Shqiptar, historianët… nuk kanë dalë akoma prej këtij impakti. Vajza e Kadaresë është dhe një ndër shembujt e planit komunist, e cila sipas kalkulimit dhe origjinës hodhi bombën kundër Amerikës në OKB. Pas kësaj (nëse nuk ndërgjegjësohemi), bomba të tjera do të ketë populli shqiptar.
Në të shumtën e rasteve, letërsia komuniste ka pasur me shumicë elementë halogene që kontaminuan mendjet e asaj kohe. Normalisht në shekullin tonë, sajesat e stisura të diktaturës ende qëndrojnë në “arkiva” nuk duhet të merren seriozisht dhe shkencërisht, sidomos nga mendjet e hapura që premtojnë korigjimin e historisë, të cilët paraqiten si zbulues në moçalin e manipulimit dhe degradimit, por realisht reflektojnë inoçencë dhe infantilizëm. Moçali duhet sjellë ashtu si është, me ujin e ndyrë, ushujza dhe baltë, pas mund të bësh filtrin njerëzor dhe profesional, duke e sërvirur si ujë të pijshëm. Zbulimi në folenë e korbave konkludon në vezë shumë ngjyrëshe që nuk janë të tiranozaurit, por të zogjve të tij!
Ka pasur shkrimtarë që shpëtuan prej ngerçit ideologjik që ishte si kusht për të hyrë në letërsinë e asaj kohe. Miqtë e mi, Naum Prifti, Frederik Rreshpja dhe të tjerë, në fillimet e tyre patën një tis indoktrinimi, por gjenialisht kthyen timonin (me kosto që askush nuk i mbrojti), duke krijuar figurën reale të ndëgjegjes krijuese. Paraqitja e babait të indoktrinimit komunist, kalorësit protektor të Enver Hoxhës, glorifikuar si një shkrimtar modern e antikomunist… nuk është asgjë tjetër vetëm defiçencë intelektuale…sepse, analogjia nuk bëhet mes viktimës dhe gjakësorit si shpirt binjak!!
Megjithatë, për hir të ndërgjegjes intelektuale, duhet të pranojmë aksidentin, pasionin dhe inoçencën si kompromis njerëzor, por jo defiçencën dhe hipokrizinë si katalizator për të ardhmen. Përpjekja për të bërë analiza historike kripto-analogjike, ushqen alterkacion dhe dëmton sistemin limbik jo vetëm të një njeriu, por të një shoqërie të tërë.