Shkruan: Bardhyl Mahmuti/
Publiciteti që iu dha në mediumet shqiptare akuzave “të Fatos Lubonjës” dhe “të Arben Idrizit” kundër personaliteteve më të shquara të historisë së re të Kosovës u përpoqën ta arsyetojnë me njërën nga të drejtat themelore të njeriut: të drejtën për të shprehur lirshëm mendimin e vet!
Në shkrimin tim të titulluar «’Mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’» nxora në shesh se nuk bëhej fjalë për mendim të lirë por për shpërndarje të kualifikimeve serbe të sintetizuara në të ashtuquajturën “Bela Knjiga”(“Libër i bardhë”) dhe të titulluar “ Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji (Terrorizmi shqiptar dhe kriminalitetit i organizuar në Kosovë dhe Metohi, teksti origjinal me rreth 200 faqesh gjendet htt://sorryserbia.com/wp/belaknjiga.pdf)
Për të fshehur burimin e vërtetë serb të cilësimeve për “vrasës” dhe për “kriminel” Fatos Lubonja drejton gishtin nga libraritë evropiane, ku “qarkullojnë lirshëm” librat me kualifikimet e lartpërmendura, ndërsa Arben Idrizi deklaron haptazi se përkundër asaj “se nuk ka as prova dhe as shenja për t’i akuzuar si vrasës dhe si kriminel” ai e bën këtë “duke u bazuar në instinktin e zanatit të vet prej shkrimtari dhe intelektuali”. Madje, këtë formë të denoncimit publik dhe “pa prova” ,Halil Matoshi dhe “zanatçinjtë tjerë me instinkt” përpiqen ta ngrenë në nivelin e “detyrës për intelektualin”!
Në shkrimin e sotëm do të përpiqem të nxjerr në shesh atë që fshihet prapa “instinktit të shkrimtarit”, “instinktit të intelektualit” dhe “instinktit të zanatçiut” te të cilat bazohen Arben Idrizi dhe kompania e tyre. Zhveshja e këtyre nocioneve do të na mundësoj të kuptojmë edhe një dimension të mekanizmave përmes të cilave tentojnë që ‘vizionin serb për Kosovën’ ta mbanë gjallë në hapësirën mediatike shqiptare.
Në këtë kontekst, nocioni ‘instinkt’ del si nocion qendror. Për këtë arsye po ndalem shkurtimisht dhe po përmendi disa nga të dhënat shkencore lidhur me këtë nocion dhe nocionet që janë në raport me te.
E shoh të udhës të përmendi faktin se filozofi, doktori i mjekësisë dhe themeluesi i psikologjisë amerikane, William James, në vitin 1870 evokoi idenë e ndarjes së trurit në tri shtresa dhe secilës prej tyre i atribuoi funksione të caktuara. Mbështetur mbi këtë orientim hulumtues, një shekull më vonë, në vitin 1971 neurologu amerikan Paul Donald MacLean, në veprën e njohur ‘Tre trurët e njeriut’ e zhvilloi teorinë e tri niveleve të trurit që korrespondojnë me tri periudha të zhvillimit të gjallesave.
Për temën tonë është me rëndësi të theksojmë se strukturat e moçme të trurit të njeriut, që ngërthejnë funksionet dhe veprimet më të thjeshta dhe që paraqesin qendrën e reagimeve të menjëhershme dhe të pamenduara (instinktive) dhe që janë të lidhura me luftën për mbijetesë të gjallesave, neurologu amerikan Paul MacLean e emërtoi si «truri reptilian». Ky emërtim u bë për arsye se forma e pavetëdijshme dhe instinktive e veprimeve dominon te reptilët (zvarranikët)! Për dallim nga zvarranikët, truri i njeriut zhvilloi, sipas të njëjtit autor, edhe dy struktura të veçanta: «truri limbik», si qendër të emocioneve dhe «truri noekorteks», si qendër e tërësisë së aktiviteteve të vetëdijshme dhe intelektuale.
Kjo teori gjeti mbështetje të madhe në mesin e neurologëve, biologëve dhe psikologëve.
Përkundër vërejtjeve që mund t’i bëhen kësaj teoria, pas zbulimeve të ‘epokës së gjenetikës’, të gjithë pajtohen se vlera e kësaj teorie qëndron në trajtimin e trurit si organ që është produkt i evolucionit miliona vjeçar dhe që përbëhet nga struktura të ndryshme që janë prezent edhe te gjallesat tjera.
Një e arritur tjetër e madhe e shkencës qëndron në verifikimin e faktit se neuronet, për dallim nga qelizat tjera që ripërtërihen vazhdimisht, ato mbeten të njëjta tërë jetën tonë. Ky fakt na mundëson të kuptojmë mekanizmin e memorizimit të të dhënave, (gjuhës, ideve, figurave…) dhe në raste të nevojshme t’i transmetojmë këto njohur të ngulitura në neuronet tona që përcaktojnë kujtesën. Sidomos, në pjesën ballore të trurit (lobin frontal) ku janë qendrat e mendimit, kujtesës, logjikimit, krijimit artistik etj…
Mirëpo, një fazë tjetër vendimtare që të mund të qarkullojnë informatat e memorizuara nga një neuron në tjetrin, vendosja e lidhjeve në mes të tyre është e domosdoshme. Këtë funksion të lidhjes (të konektimit) e kryejnë sinapsat. Pra, sinapsat vendosin lidhjet e komunikimit të neuroneve, në shikim të parë të pavarura, që të komunikojnë dhe të përçojnë informacionet e njëjta…
Kjo është në “aspektin mikro”! Ti kthehemi “aspektit makro” të temës së transmetimit të informatave!
Në artikullin « Mbi vrasësit tjerë » Arben Idrizi si ‘ fakt ‘ për ‘ vërtetësinë’ e akuzave të Fatos Lubonjës sjell ‘të qenurit intelektual dhe instinktin e zanatit të tij’. Në të njëjtën logjikë ai deklaron për ‘vërtetësinë’ e ‘akuazave të ‘veta’ se ‘ unë e di, pa i pasur provat e shenjat, por duke u mbështetur në zanatin dhe instinktin e zanatit tim prej shkrimtari, se vrasës është ….. etj. etj. ‘
Dikujt mund t’i duket i rastësishëm togfjalëshi ‘instinkt zanati’ ( ‘instinkt shkrimtar’ apo ‘instinkt intelektuali’) dhe si rezultat i mosnjohjes së teorive shkencore të funksionimit të trurit.
Mirëpo, përdorimi i nocionit ‘instinkt’, që është karakteristikë dominonte (por jo e vetme) e zvarranikëve, në vend të ‘intuitës’ dhe ‘inteligjencës’, që karakterizon njeriun dhe sidomos shkrimtarin dhe intelektualin nuk është rezultat i mosnjohjes apo rastësisë.
Nëse përqendrohemi shkurtimisht në pjesën e mësipërme të teorive shkencore të funksionimit të trurit do të shohim se përpjekjet për ta paraqitur si rezultat të ‘instinktit’ listën dhe cilësimin e shqiptarëve për ‘vrasës’ dhe ‘kriminel’, fshehin ‘SINAPSËN’ serbe që përmes pendës së ‘zanatçinjve me instinkt’ bën konektimin e ‘trurit të zvarranikëve’ për të transmetuar informatat e të ashtuquajturës “Bela Knjiga”(“Libër i bardh”) të përpiluara nga institucionet inteligjente të Serbisë!
Përpjekja që t’i atribuoni ‘instinktit’, që buron nga ‘truri juaj i zvarranikut’, transmetimin e shpifjeve dhe insinuatave të shërbimeve inteligjente serbe kundër personaliteteve më të shquara të luftës çlirimtare të Kosovës është strategji e shfajësimit.
Mirëpo, krahas pafajësisë që përpiqet të nënkuptojë, atribuimi i këtyre veprimeve ‘instinktit’ nxjerr në shesh edhe strategjinë e mbijetesës së llojit. Në këtë strategji agresiviteti, siç thekson neurologu amerikan Paul Donald MacLean, është element konstituiv i veprimit për mbijetesë.
Agresiviteti dhe frika për ruajtjen e llojit del haptas në shkrimet e “shkrimtarëve dhe intelektualëve zvarranikë” të tipit Lubonja, Idrizi, Matoshi etj.etj. “Akuzat nga njëra anë dhe frika ‘se mund të të vrasin si qen’ nga ana tjetër, siç bën Arben Idrizi, janë manifestime të këtij agresiviteti ‘instinktiv’ të ruajtjes së llojit të neuroneve të konektuara nga ‘Sinapsat’ e Shërbimit Inteligjent të Serbisë për të mbajtur gjallë ‘vizionin serb’ në Kosovë.
Dhe në fund, ne ‘turma pa mend e me muskuj’, siç ju pëlqen t’i quani mbështetësit e vizionit shqiptar për Kosovën dhe për personalitetet që bënë historinë moderne të saj, e dimë se akuzat që ngriti Shërbimi inteligjent i Serbisë dhe që ju i transmetoni ‘instinktivisht’ me ‘trurin e zvarranikut’ janë, ashtu siç e pranoni edhe vet në shkrimet tuaja, PA PROVA DHE PA SHENJA!
Por, kjo formë e transmetimit të shpifjeve dhe njollosjeve serbe në mediumet shqiptare nxjerr në shesh PROVAT DHE SHENJAT e urrejtjes ‘instiktive’ të zvarranikëve që në Kosovën e pavarur humbën privilegjet që kishin gjatë simbiozës së vëllazërim-bashkimit me Serbinë!
13 gusht 2013