-Në një familje të komunitetit serb uroi Krishtlindjet ortodokse/
PRISHTINË, 7 Janar 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot familjen e Milosh Markoviçit në Graçanicë, afër Prishtinës.
Ajo e uroi kryefamiljarin dhe familjen e tij me rastin e festës së Krishtlindjeve ortodokse, duke ju dëshiruar shëndet, fat dhe lumturi.
Presidentja Jahjaga uroi që Krishtlindjet si dhe viti që është para nesh të na sjellin forcë, këmbëngulje dhe vendosmëri për përmbushjen e qëllimeve tona të përcaktuara dhe që, në frymën e respektit dhe të tolerancës, t’i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë.
Në fund, ajo uroi që të punojmë së bashku për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, duke ecur përpara me hapa të përbashkët drejt një Kosove më të mirë dhe proevropiane, bën të ditur njoftimi dërguar nga Presidenca kosovare.
Në Republikën e Kosovës me gjithësej 38 komuna, Graçanica është një nga 10 komunat me shumicë serbe, një nga 5 komunat e reja, bashkë me Kllokotin, Ranillugun, Parteshin dhe Mitrovicën e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj./b.j/
Akti i Presidentes se Kosoves Jahjaga ashte nji akt qytetnimi te vertete. Pergezime!