Piktorja Estela Ruka në një intervistë për Diellin ne Vatrës dhënë Editorit Sokol Paja, zbulon detajet e ekspozitës së saj të pikturave, që do jetë e hapur 30 ditë nga 1 – 30 Shtator 2022. Ekspozita është hapur në Nyack Library. Ekspozita ka 34 punime dhe shumica janë piktura në stilin abstract. Fuqia e mesazhit dhe ndjenjave vijnë nga shijimi i së bukurës…
NJË EKSPOZITË, DY VITE PUNË, PASION E PËRKUSHTIM
Një nga zhanret e Artit që unë e dua shumë është dhe Piktura, gjë që brenda meje ishte si një dëshirë për ta realizuar. Duke qënë se profesioni im bazë me të cilin punoj akoma është Mjeke Stomatologe, gjatë kohës në Shqipëri nuk gjeta mundësinë ta zhvilloja. Të pikturosh apo të bësh art është edhe çështje frymëzimi, dhe ndoshta këtë frymëzim e gjeta në Amerikë, ku gjërat shkojnë më të planifikuara dhe më në sinkron në përgjithësi. Ekspozita ime e hapur pikërisht më 1 shtator 2022 është një punë e dy viteve rresht me pasion e përkushtim.
JETA DUHET PARË ME BUKURITË QË TË SJELL…
Mesazhi që përcjell është se jeta duhet parë me bukuritë që të sjell që nga natyra, muzika, njerëzit e afërm, shoqëria, dhe duhet të jemi falenderues ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit, dhe ti falim momente sa më të bukura artistike dhe njerëzore njerëzve tanë të shtrenjtë, shoqerisë , kolegëve, pra të gjithëve. Ekspozita do jetë e hapur 30 ditë nga 1 – 30 Shtator. Ekspozita është hapur në Nyack Library. Ekspozita ka 34 punime dhe shumica janë në piktura në stilin abstrakt. Mua më pëlqejnë ngjyrat e forta në pikturë pasi kanë dinamikë të fuqishme zhvillimi.
LIDHJA E NJERIUT ME TË BUKURËN…
Njerëzit e duan artin në shumë zhanre të tij, është pikërisht lidhja që ka njeriu me të bukurën, njëlloj si me muziken që ështëe pavdekshme dhe lidhet direkt me ndjeshmëritë e njeriut, ashtu dhe me pikturën, artin pamor të së bukurës. Këto dy vitet e fundit kanë qënë vite të vështira pasi ishte një kohë e gjatë pandemie dhe njerëzit u mbyllën për muaj me radhë, nuk patëm mundësi argëtimi, mbledhjesh në gëzime të përbashkëta, udhetime etj. Unë gjeta një mënyrë për të kaluar kohën time duke hequr mendjen nga lajmet dhe shumë gjëra që të stresonin në atë kohë, dhe kjo ishte piktura me orë të tëra. Sinqerisht ishte e vetmja gjë antistres që bëja.
NGA BUZËQESHJA QË I FAL NJERËZVE…
Të jesh Ambasadore e paqës për mendimin tim puna fillon që nga buzëqeshja që i fal njerëzve, komoditeti që i krijon atyre që në komunikim, të bësh më të mirën në atë punë që bën, ndërkohë nëse ke një talent në art, ta ndash atë me të tjerët për ti krijuar sa më shumë kënaqësi dhe gëzime. Ideja që në daten 11 Shtator të bëja ftesa për njerëzit në ekspoziten time, nuk ishte vetëm promovimi i ekspozitës , por një takim kryesisht me shqiptarë të diasporës, për të folur edhe për arritjet e tyre në Amerikë, njohjen në komunitet, përcjelljen e një mesazhi të madh që nga Skënderbeu yne, bashkimi bën fitoren, kjo në kontekstin e ndihmës reciproke të shqiptarëve.
SHQIPTARËT SI KRIJUES, SI ARTISTË
T’ju tregojmë miqve tanë me kombësi të ndryshme se shqiptarët janë krijues, janë punëtorë, jane njerëz largpamës, dhe të ngrejmë vlerat tona të edukuara që nga familja, gjysher e stergjysher, e deri tek fëmijet tanë si tradita, gjuha, historia e vërtetë shqiptare dhe vlerat kombëtare. Në ditën e promovimit dhe takimit me bashkëatdhetarë do jenë shumë miq e koleg Amerikanë të ftuar në komunitetin tonë për tu njohur më mirë me Shqipërine dhe shqiptarët. Zëri i Shqipërisë në botë duhet të dëgjohet si i barabartë dhe i vlerësuar. Zëri i Shqipërise në diasporë jemi pikërisht ne shqiptarët, dhe kemi përgjegjësi jo vetëm për familjet tona por edhe për vendin tonë që ta përfaqësojmë denjësisht. Shpresoj që 11 Shtatori të jetë një takim frytëdhënës artistik.