
Nga Luan Çipi /Para një muaji u njohëm me romanin “TË PABESËT”, ndërsa sot, me një tjetër krijim prestigjioz të shkrimtarit Petraq J. Pali, JOANA, pa cilësim gjinie nga ana e tij, po që unë me plot gojën, do ta quaja gjithashtu roman dhe mandej do të shtoja qysh në fillim mendimin tim, si një prej romaneve bashkëkohor më të bukur lexuar prej meje në vitet e fundit, krahas romanit shumë cilësor të tij “GRUAJA ME TË ZEZA” (botuar nga i njëjti autor, në vitin 2007).
Po ta shikonim nga ana numerike, Petraq J. Palin, me 25 krijimet madhore vetjake të deri tanishme, të 5 bashkëpunimeve antologjike, si dhe të publicistikës së tij në shumë organe e në disa gjuhë, atë do ta përfshinim ndër shkrimtarët më produktivët të kohës, por, duke lexuar edhe veprën e fundit të tij “JOANA”, Adoleshenca ime (Vegime e bëma fëmijërore), do bindemi se kemi të bëjmë me një krijues letrar mjaft tërheqës e të dobishëm, të vërtetë e të sinqertë, që duhet lexuar me përparësi e vëmendje.
E kam njohur gati 50 vjet më parë, Petraq Palin, kur punonte si Teknik Ndërtimi në Vlorë: Ishte atëherë një burrë simpatik, plot energji, gjithnjë i qeshur dhe i gëzuar, që të jepte sa e takoje, miqësi e dashuri. Dëshira për shoqëri e aheng, nuk i linin kohë të lirë që të merrej me pasionin e tij të ndezur, për të shkruar e për të thurur poezi, pasuri që e mbante thellë të ndrydhur në shpirt dhe që ia kishte zbuluar dhe nxitur e frymëzuar babai i tij i madhërishëm, mësuesi i merituar, atdhetari i spikatur, poligloti, historiani dhe poeti qeparotas, Janko Pali.
Emigrimi i tij familjarisht, fill pas ndërrimeve demokratike, në Korfuz të Greqisë dhe më pas në Virxhinia të Amerikës, malli, patriotizmi në gjenezën Jankopaliane, dashuria për vendin e vet Qeparoin që e lindi dhe Vlorën e veprimtarisë djaloshare, që e zbuloi si ajkën e të rinjve të gëzueshëm, të zotë e të dashur dhe që e vuri në ballin e tyre si organizator, formuan ecurinë e mëtejshme të suksesshme të Petraq Palit. Ai u shqua si shkrimtar në Shoqatën Shqiptaro Amerikane, duke u zgjedhur dhe rizgjedhur dhe 8 vjet nënkryetar e sekretar i saj dhe së fundi u nderua si Anëtar i Akademisë Shkencore Shqiptaro-Amerikane dhe kalorës i disa ndereve, çmimeve e titujve të shoqatave, deri “Shkrimtar i Vitit 2018” dhe së fundi “Misionar i Paqes në Botë në vitin 2019”, si dhe prej muajit Maj 2019: “Anëtar i Unionit Global të Poetëve Shqiptar”.
Faqja e posaçme në internet dhe shoqata “Qeparoi” është një tjetër veprimtari që lartëson e paraqet vullnetin e pamposhtur dhe sakrificën pa interes, të këtij shqiptari të vërtetë, ndërsa, për disa vjet, Shkolla “Janko Pali”, është një tjetër mundim e sakrificë familjare e patriotike e tij.
Një tjetër mësim që na jep Petraq J. Pali, si rrallë djem shqiptar të tjerë të kësaj kohe, është kujdesi, respekti dhe shpenzimet financiare që i kushton kujtimit dhe nderimit të babit të vet, të cilit ia ka ruajtur krijimtarinë dhe veprimtarinë dokumentare patriotike, didaktike, shkencore e historike, i ka botuar të përpunuar një pjesë prej tyre dhe nuk i rresht përpjekjet, për ta vendosur atë në piedestalin që meriton.
Petraq J. Palin edhe tani, 75 vjeçar, kur me vullnet e durim ka përfunduar edhe arsimin e lart juridik, tek e shikoj energjik dhe lexoj e njihem me punët e tij, mrekullohem nga veprimtaria shoqërisht e dobishme e tij. Krenohem me të dhe i uroj, mikut tim, të ruaj natyrën e tij pozitive plot gjallëri dhe entuziazëm dhe të ketë shëndet të mirë e prodhimtari të pashtershme!
Duke ardhur te libri i tij i fundit “JOANA”, mund të themi, se është një tjetër arritje sipërore e autorit Petraq J. Pali, me redaktore z. Lejla Gorishti, me kopertinë e përpunim grafik të Petrit Rrapaj, përgatitur cilësisht për botim nga Shtëpia Botuese “Euriprint Vlorë”
Nuk dua të shtjelloj, apo të komentoj ngjarjet, që aq bukur dhe tashmë, si një letrar i pjekur, plot sinqeritet, dashuri e vërtetësi, trajton Petraq J. Pali, se kam frikë mos ju shuaj kërshërinë lexuesve dhe dashamirësve të tij.
Ju rekomandoj ta lexoni romanin “JOANA”, për t’u njohur me adoleshencën tepër interesante e të veçantë, me vegimet e bëmat fëmijërore, dështimet dhe prapësitë e pavullnetshme, teprimet dhe çapkënllëqet e Petraq J. Palit junior, si dhe me personazhet interesantë të romanit: prind, mësues e shokë të tij, por sidomos dhe me të dashurën e tij fatkeqe.
Le t’i urojmë prozatorit dhe poetit prodhimtar e cilësor, Petraq J. Pali, në 75 vjetorin e lindjes së tij, jetë të gjatë dhe shumë libra të tjerë, po kaq të bukur.
Vlorë, më 15 Qershor 2019