Nga Olda ÇIÇO
Konsumimi profesional është një term që ka filluar të përdoret në botë prej disa kohësh dhe në Shqipëri kohët e fundit. Mendoj se iu referohet të gjithë atyre punonjësve që ndjejnë se nuk janë në vendin e duhur të punës, se lodhen shpejt dhe shumë, që duan të ndryshojnë shpesh pozicionin e punës dhe që në përgjithësi ndjehen të depersonalizuar.
Duke menduar se jo shumë kohë më parë, ky term nuk ekzistonte në vendin tonë, ndryshimet e mëdha e kanë bërë të dukshëm. Dëgjohen gjithnjë e më tepër shprehjet “nuk kam kohë…”, “nuk merrem dot me gjërat e mia…”, “dita do të duhej të bëhej me 48 orë…”. Nuk është e lehtë për ta menaxhuar për sa kohë mbartim në gene një kulturë tjetër pune. Ndërkohë jemi duke u përpjekur të bëjmë karrierë, kemi filluar të mendojmë se rrezja e diellit na përket vetëm ne, i duam të gjitha dhe menjëherë dhe po ashtu, duam familjen, fëmijët, argëtimin, shoqërinë. Kemi harruar se të gjitha këto vijnë me shumë punë e përpjekje, me lodhje dhe ndonjëherë, edhe me stërmundime, sepse vetëm kështu mund të mësojmë se ç’jemi të aftë të bëjmë në të vërtetë dhe të meritojmë më shumë mirëqënie në kthim.
Shkallët e karrierës sot janë bërë më të ndryshueshme, por pavarësisht nga kjo prirje, nga disa vlera nuk mund të hiqet dorë. Shkollimi në këtë proces luan një rol të veçantë, përcaktues për të hedhur suksesshëm hapin e parë. Më pas vjen aplikimi i njohurive në punë, qoftë edhe tek pozicioni më “i parëndësishëm”, sepse, më pas, mund të kujtohemi se sa shumë kemi mësuar aty.
Ashtu si në një ekonomi, ku zhvillimi i vërtetë vjen nëpërmjet prodhimit, edhe në karrierë, zhvillimi i vërtetë individual vjen vetëm nëpërmjet punës dhe gadishmërisë për të mësuar çdo ditë. Pasi të orientohemi në këtë drejtim, më pas mund të diskutojmë për konsumimin profesional apo termat e tjerë të kohës.