PRISHTINË, 9 Dhjetor 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Presidenti Amerikan Joe Biden. Samiti zhvillon punimet virtuelisht më 9-10 Dhjetor 2021, marrin pjesë më shumë se 100 shtete nga mbarë bota.Hapja e Samitit bëhet nga Presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, ndërsa Presidentja Osmani në fjalën e saj në këtë Samit paraqet pikat kryesore të zotimeve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve.Në këtë Samit marrin pjesë liderë botërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ata nga sektori privat, ndërsa është paraparë të diskutohet për: forcimin e qëndrueshmërisë demokratike, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen kundër autoritarizmit, mbrojtjen e institucioneve demokratike, kundërshtimin e autoritarizmit digjital dhe afirmimin e vlerave demokratike.Ftesa për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci i është dërguar Presidentes Osmani nga Presidenti Biden më 9 Nëntor 2021. Presidentja ka përshirë në delegacionin e saj që merr pjesë virtuelisht në samit edhe përfaqësues të institucioneve të tjera publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.