-Kryeministri Mustafa: Trashëgimia kulturore e Kosovës është vlerë e secilit qytetar të saj dhe universale për njerëzimin mbarë/
PRISHTINË, 27 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Kosovë u hap sot Parku Arkeologjik “Ulpiana”, me një ceremoni, ku ishin kryeministri Isa Mustafa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryetari i komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiç, ambasadori i Francës, Didier Chabert, arkeologë, studiues dhe studentë të shumtë të kësaj fushe. “Trashëgimia kulturore e Kosovës është vlerë e Kosovës dhe vlerë e secilit qytetar të saj. Ajo është e gjithë botës sepse ka vlera universale për njerëzimin mbarë”, u shpreh kryeministri. Prandaj, vijoi ai, secili qytetar duhet ta ruajë trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe ta gëzojë e ta shijojë atë. “Kosova mburret me këtë trashëgimi kulturore prej kohërave më të vjetra e deri më sot. Kosova, po ashtu, mburret me trashëgimi të larmishme të krijuar gjatë mijëvjeçareve dhe shekujve të kaluar nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar në këto treva. Kjo është trashëgimi e Kosovës dhe duhet të mbrohet, të ruhet sepse na përket të gjithë neve”, tha kryeministri Mustafa.Më tej ai tha se Trashëgimia kulturore e Kosovës dhe trashëgimia arkeologjike si kjo në Ulpianë, ka qenë dhe mbetet prioritet i qeverisë së Republikës së Kosovës.“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës do të vazhdojnë të përkrahin institucionet e trashëgimisë kulturore, duke ngritur buxhetin dhe duke rregulluar fushën e trashëgimisë kulturore me ligje, akte nënligjore, strategji e reformime institucionale”, tha kryeministri.Kryeministri Isa Mustafa, së bashku me ministrin Shala, kryetarin Kostiç dhe ambasadorin Chabert bënë zbulimin e pllakës së Parkut Arkeologjik.