Mijra njerëz nga Santiago në Havana: “Bukë e vaksina. Poshtë diktatura”/
Nga SARA GANDOLFI,- Përktheu Eugjen Merlika, /
Që nga “maleconazzo” i 1994, kur mijra njerëz manifestuan gjatë Malecón të Havanës, njëri ndër anëdetet më të shquar të botës, që në Kubë nuk shihej një protestë e tillë. Por këtë herë ishin shumë më tepër. Protesta e nisur nga san Antonio de los Bonos, një vend 5 kilometra në jugë – perëndim të Havanës dhe zemra “kulturore” e ishullit, seli e Escuela Internacional de Cine y Tv, e dashur nga Gabriel Garcia Marquez, e që u shtri në Cadenas, në Havanë, në Metanzas e në njëzet lokalitete të tjera deri në “kryeqytetin kryengritës” të Jugut, Santiago i Kubës. Gra, burra e fëmijë që kërkonin “bukë, ilaçe e vaksina”, por që thërrisnin edhe “Poshtë diktatura”, “Liri”, “Atdhe dhe jetë”, titulli i një kënge të kundërshtarëve që tallet me “Atdhe dhe vdekje” të kujtesës fideliane. Mijra njerëz të thirrur në sheshe edhe nga twitter me hashtagun # Sos Cuba. Dhjetra, ndoshta qindra, të përfunduar në arrestime, simbas disa burimeve.
Si tridhjetë vite më parë, në të vërtetë shumë më keq se atëherë. Janë ndërprerjet e vazhdueshme të korrentit dhe një krizë ekonomike urie të vërtetë, si në kohët e “Periudhës së veçantë”, mbas shëmbjes së BRSS, por është dhe pandemia (7000 infeksione e 50 të vdekur çdo ditë) dhe social network ku të rinjtë derdhin zëmërimin e zhgënjimin. Nuk janë më Kastrot, baballarët e Revolución, që i kanë lënë fronin një presidenti – inxhinjer bukurosh por shumë më pak karizmatik, i cili as nuk kishte lindur kur vëllezërit “mjekëroshë” rrëmbyen armët kundër diktaturës filo-amerikane të Fulgencio Batistës. Trashëgimtari Manuel-Diaz Canel ka dalë dy herë në televizion ndërmjet së djelës e ditës së djeshme. E para ishte një “thirrje nën armë” “revolucionarëve” të vërtetë, pothuajse një thirrje për luftë civile, që ndoshta “mbulonte” zbatimin e përndjekjes së protestave, jashtëzakonisht mizore. E dyta ishte më e përmbajtur: ka pranuar”keqkuptime” e “pakënaqësi” në popull, pastaj me tonet e Luftës së ftohtë ka drejtuar gishtin kundër bllokadës së SHBA që, prej 60 vitesh e mban të shtrënguar në rrethim ishullin – të fuqizuar nga masat e dëshiruara nga Trump-i e të pahequra nga Biden-i – “provokimet e mercensrëve të paguar nga jashtë”, “propaganda nëpërmjet internetit që manipulon kubanët”.
Me të thënë e me të bërë. Dje Kuba ishte e veçuar nga bota. Interneti nuk punonte në një pjesë të mirë të ishullit, i prerë nga presidenti që ka falënderuar botërisht “vëllain president” Nikolas Maduro, të serisë: kujtojuni se nuk jam i vetëm. Në fakt tek përndjekja e llahtarëshme e kundërshtimit në Venezuelë shkon mëndja, duke parë pamjet e filtruara nga Kuba të djelën në darkë. “Berretat e zeza” të korpusit të zgjedhur të Forcave të Armatosura Revolucionare që zbresin nga kamionçinat, policia që hap zjarr në rrugë, por edhe maqina të përmbysura nga disa manifestues dhe dyqane të bastisura.
Dje presisenti amerikan Joe Biden ka thënë se “SHBA qëndrojnë të lidhur fort me popullin kuban që shpalos hapur të drejtat e tij universale” dhe i ka kërkuar qeverisë kubane “të heqë dorë nga dhuna”. Asnjë shenjë për sanksionet që para-ardhësi i tij demokrat projektonte t’i hiqte dalngadalë. Kohë të tjera, të tjera tone edhe në Kubë. Nga një anë lëvizja San Isidro, një nga organizatat kundërshtare më vepruese, që deri në fund ka twittuar # “No tenemos Miedo” (nuk kemi frikë). Nga tjetra një president që imiton Fidelin: “Duhet të kalojnë mbi kufomat tona nëse duan të poshtërojnë revolucionin”. Në mes një popull i raskapitur.
“Corriere della Sera”, 13 korrik 2021 Përktheu Eugjen Merlika