NGA EUGJEN MERLIKA/
NGA EUGJEN MERLIKA/
Ka dymijë vjet që, në fillim një pjesë e vogël njerëzish, më pas gjithënjë në rritje, deri në shifra astronomike, në çdo 25 dhjetor, festojnë lindjen e fëmijës Jezu. Ndërkaq, në rruzullin tonë, në këtë pikë t’Universit të zgjedhur nga Krijuesi për të ndërtuar botën e të ngjajshmëve të tij, lindnin çdo ditë shumë fëmijë. Ata rriteshin, burrëroheshin, plakeshin e vdisnin, për t’u mbuluar me pluhurin e përjetshëm të harresës që do të kursente shumë pak prej tyre, ata që do të hynin në botën e vogël të “farëve”, t’atyre që do të merrnin përsipër misionin e zhvillimit e të ecjes përpara të gjithë njerëzimit.
Fëmija i lindur në një shpellë të Betlehemit ishte i veçantë. Kishte dalë nga barku i një virgjëreshe që quhej Maria. Ai nuk ishte fruti i një pasioni njerëzor që i a bën të pranueshme çdo femre gjithë mundin, dhimbjet e sakrificat e një akti që është në bazën e vazhdimit të historisë njerëzore. Megjithatë ai ishte një fëmijë i zakonshëm që prindët do t’a merrnin në krah, për të ikur larg së bashku drejt një vendi që do t’u epte mundësinë të shpëtonin jetën e tij të kërcënuar nga një urdhër fëmivrasës i një mbreti. Ai do të rritej si gjithë të tjerët në shtëpinë e marangozit Jozef, do të luante me fëmijët, do të miqësohej me moshatarët.
Ungjillori Luka na tregon se në një rast kur Jezui 12-vjeçar kishte shkuar bashkë me prindërit në Jeruzalem, për të festuar Pashkën ebraike, u zhduk për tre ditë dhe u gjend në Tempullin e madh të qytetit, tek kuvendonte me të diturit e kohës, doktorët e tij. Ky episod, ndër të paktit që ndriçon fëmijërinë e tij, dëshmon brumin mendor me të cilin kish lindur e ish formuar djaloshi. Në ndryshim nga moshatarët Ai kishte orë të tëra, në të cilat qëndronte i vetmuar, i zhytur në mendime e përsiatje. Ato orë përbëjnë misterin, të pazbuluarën të cilën Jezui, Shpëtimtari, e mori me vete. Në një çast të caktuar, kur Ai mbushi tridhjetë vjeç, rrjedha e qetë e jetës ndryshoi.
Ai filloi të flasë gjatë mes njerëzve e të bëjë “mrekulli”. Fjalët e Tij hynin drejt e në zemrat e ndigjuesve, i bënin jehonë dëshirave të tyre të fshehta, portretizonin një botë krejt të ndryshme nga ajo në të cilën jetonin. Bota e tyre, e ndërtuar mbi themelin e sundimit të më të fortit, ku mbizotëronte “përdhuna e krenarit, vonimi i ligjës, gojëçthurja e zyrtarit dhe shkelmat që çdo vlerë zemërgjërë nga të pavlershmit merr…”, po të parafrazojmë të madhin Shekspir, do të përballej me një përfytyresë të re ku vëndin e dhunës, të mizorisë së të fuqishmëve do t’a zinte dashuria për njëri tjetrin. Fjalët e Tij ishin mesazhi i Krijuesit për një njerëzim të sëmurë, që luhatej në rrugën e tij mes ecjes përpara e vetëshkatërrimit.
Fjalët e Jezuit, sermonet para turmave e ndjekësve, parabolat e thjeshta me të cilat zbërthente thelbin e dukurive njerëzore, do të përbënin revolucionin më të madh që ka njohur njerëzimi në rrugën e tij të gjatë.Ai nuk ishte një revolucion me dhunë ku një pjesë njerëzish, të armatosur me një paketë bindjesh e idesh, do t’u a bënin të detyrueshme konceptet e tyre pjesës tjetër nëpërmjet armëve, terrorit e vdekjes, siç do të ndodhte shumë shekuj më vonë. Ai ishte shpallja e një doktrine barazie e drejtësie, ku elementi kryesor që do të përcaktonte marredhëniet mes njerëzve do t’ishte jo urrejtja, por dashuria e ndërsjelltë. Parimi themelor i asaj doktrine ishte “të mos i bëhej tjetrit ajo që nuk do të të pëlqente të të bëhet ty” e fuqia e saj në lajmërimin e një epoke të re ku njerëzimi, i sfilitur nga mëkatet e shumta, do të kishte mundësinë të shëlbehej e të ringjallej. Për t’ia arritur kësaj Zoti kishte dërguar në tokë birin e tij që, nëpërmjet kryqëzimit, do të shpëtonte njerëzimin nga pesha e mëkateve. Ishte një hap më tej kundrejt tabelave të Moisiut, që përcaktonin kontekstin moral në të cilin duhej të përshkohej jeta njerëzore. Krishti sillte mes njerëzve shpresën. Ky ishte rezultati më i rëndësishëm i pranisë së tij të shkurtër mes frymorëve të këtij planeti.
Fuqia e mesazhit të Tij ndau më dysh historinë njerëzore duke përcaktuar fillimin e një ere të re. Për dhjetëvjeçarë me rradhë historiografia e regjimeve komuniste e quajti me këtë term vitin zero kur lindi Krishti, duke mbajtur n’errësirë popuj të tërë mbi një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë njerëzore. Habit fakti që tani pasardhësit e atyre regjimeve janë bërë “mbrojtës të flaktë” të besimeve fetare e që marrin pjesë në meshat e Këshndellave apo Pashkëve, ose shkojnë në Vatikan për të kërkuar bekimin e Papës. Nëse nuk është shprehje tipike e hipokrizisë, e lidhur me interesa të mëdha të imazhit për oportunizëm politik, siç mendoj, duhet t’a pranojmë këtë dukuri si një nga mrekullitë e viteve të fundit të Jezuit.
Mesazhi i Krishtit u luftua, i u nënështrua për shekuj të tërë dhunës së Perandorisë më të fuqishme të kohës, asaj Romake, në lashtësi. Të njëjtin fat pati në kohët e reja, kur u bë prè e sulmeve të paparimta të revolucionarëve të ndryshëm, në veçanti të idhtarëve të Marksit, të ardhur në pushtet në më shumë se një të tretën e botës. Megjithatë ai nuk u ndal, nuk u kufizua, nuk reshti së pushtuari mëndje e zemra njerëzish gjatë dymijë viteve. Kjo provon vërtetësinë e tij, sepse vetëm e vërteta ka fuqinë të shkallmojë mure, prita, gardhe që dhuna, në forma të ndryshme, i ve përpara për t’i penguar ecjen. Ai ushqeu gjithmonë shpresën për kohë më të mira e i armatosi njerëzit me durimin për të përballuar me dinjitet edhe sfidat më të tmerrshme, mbasi edhe në përshkimin e tuneleve më t’errëta të jetës fjala e Tij ishte një dritë në fundin e tyre.
Qindvjetori i shkuar vuri në provë shumë popuj e shumë njerëz nëpër lagerët e gulagët e pafund të ferreve naziste e komuniste. Ata qindra milionë krijesa njerëzore, që patën fatin e keq të kalojnë nëpër to, që u ballafaquan në çdo çast me dhunën e mizorinë, e dijnë mirë se me çfarë besimi e shprese në zemër i drejtonin sytë nga qielli, në heshtje duke kërkuar ndihmën e Tij… Dukej sikur pesha lehtësohej, dhimbja pakësohej e fuqitë shtoheshin. Thonë se në vitet e tmerrshme të shtypjes policore në kampin e Spaçit, mbas revoltës së 1973-shit, në netët e ftohta të dimrit mirditas, hija e Krishtit shoqëronte vargun e të burgosurve që i ngjiteshin malit për të marrë turnin e punës. Nuk di me siguri sa është e vërtetë kjo. Shfaqjet e Zonjës së Bekuar janë të vërtetuara në Luvër, në Fatima, në Mezhdugorie, madje dhe të fotografuara, të Jezuit më pak. Por nuk do të kishte asgjë për t’u habitur dukuria e Spaçit, mbasi rrallë herë prova e dhimbjes ka qenë kaq e hidhur sa në qelitë dhe galeritë e atij kampi të mallkuar, në mesin e viteve 70.
Mesazhi i Krishtit është një gjithësi vlerash, konceptesh, dukurish, që shkojnë nga jeta intime e njeriut, tek bashkësia e parimet e saj, tek Shteti e ligjet e tij, tek Krijuesi e raporti i krijesës me të. Është një godinë madhështore ku nuk ka skuta të pandriçuara, ku parimin e dënimit e ka zëvendësuar ai i faljes, ku njeriu është objekt e subjekt i historisë së tij vetiake dhe njëherësh i asaj të njerëzimit. “ Nuk kam ardhur t’i u sjell paqen, kam ardhur me shpatë në mes tuaj…” shprehet Krishti në një nga predikimet e Tij. Në dukje ka një paradoks, jep idenë se edhe lajmëtari i dashurisë hyjnore ka nevojë për dhunën për të mbështetur argumentat e Tij. Në fakt shpata është simbolike, është lufta e brëndëshme që duhet të përballojë njeriu për të sendërtuar paqen me veten, me t’afërmit, me bashkësinë njerëzore e deri me vetë Krijuesin. Për vetë natyrën komplekse të njeriut, të përbërë së shumti nga instikte, dëshira, synime e interesa vetiake të njëanëshme, rruga e përsosmërisë morale, shtegu i domosdoshëm për të kaluar në paqen e brëndëshme dhe botën sipërore të Krijuesit, lufta brënda individit bëhet një praktikë e përjetëshme. Në këtë luftë del i fituar më shumë ai që mëkatet e tij i shlyen nëpërmjet pendesës së sinqertë, mbas një pjese jete të stuhishme, se sa ai që kalon jetën e tij duke respektuar parimet. Kur kthehet në shtëpi “djali plangprishës” shkakton më shumë gëzim se sa vëllai që çdo ditë punon normalisht për familjen. Duket diçka e pakapëshme për logjikën e thjeshtë tonën, madje bie ndesh me të, si në rastin kur Krishti predikon për t’i kthyer faqen tjetër shpullës.
Njerëzimi i projektuar nga Krishti është një shoqëri ideale e cila përjashton dhunën, si faktor rregullues i bashkëjetesës. Por sa i mundshëm do t’ishte sendërtimi i kësaj shoqërie që trashëgon që nga agimet e saj luftën mes njerëzve, madje dhe brënda një bashkësie apo familjeje, që fillon me vëllavrasjen? Krishti predikon, këshillon, shëron, bën mrekullira, por është i vetëdijshëm se mësimet e Tij janë më shumë në bazën e shëndoshjes e ringjalljes shpirtërore të njerëzve se sa të organizimit të tyre shoqëror e shtetëror. “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote “, “ Rrugët e juaja nuk janë rrugët e mija “, janë pohime që nxjerrin në pah personalitetin jashtëtokësor të profetit. Ai nuk merr pozën e ligjvënësit dhe as të zbatuesit të ligjeve tokësore. Për Të është i huaj pushteti zyrtar mbi njerëzit, por Ai fiton mbi ta atë shpirtëror, sepse është zëdhënës i fjalës së Atit, i dërguar në Tokë për të ndryshuar rrjedhën e mbrapshtë të lumit njerëzor. Megjithatë Ai predikon parimet e rregullat e bashkëjetësës mes njerëzve, si koncepte rregulluese të shoqërisë, në të cilën institucionet shërbejnë si katalizatorë të dukurive shoqërore, pa të cilët bashkësia njerëzore do të kthehej në një anarki shkatërruese. Në këtë anarki do të përfitonin parazitët, mashtruesit, lajkatarët, njerëzit pa skrupuj që kanë për parim vetëm interesin e tyre. Në Tempullin e madh të Jeruzalemit Njeriu – Zot rrëmben kamzhikun dhe përzë me të farisejtë që e kishin mbushur.
Njeriu jeton në dy sfera që duken të ndara, por që nuk përjashtojnë njëra tjetrën. Njëra është ajo temporale, jeta e zakonshme materiale me problemet e saj të përditëshme, me lodhjen, varfërinë, punën, familjen, Shtetin e marredhëniet e individit me të dhe ligjet e tij. Tjetra është ajo shpirtërore, që duhet të mbështetet në raportin e brëndshëm me t’afërmit e me Hyjninë e në pregatitjen e vetes për ballafaqimin me Të, kur jeta tokësore të ketë mbaruar kursin e saj. Por ky dualizëm harmonizohet nga ligjet universale të Krijuesit që, nëpërmjet fjalëve të Krishtit, gjejnë përhapjen e tyre mes njerëzve e shërbejnë si udhërrëfyes në jetën e tyre. Në këtë kontekst është tepër domethënëse dhe e një aktualiteti të paperëndueshëm thënia: “Jepini Qezarit atë që është e Qezarit dhe Zotit atë që është e Zotit!”. Është një porosi shumë e vyer të cilën, fatkeqësisht, Njerëzimi, në rrugën e tij të gjatë, nuk e mbajti parasysh.
Vetë godina e Jezuit, Kisha katolike, për kohë të gjata, lakmoi rolin e Qezarit e, sa herë Qezarët e rradhës mëtuan të zëvendësojnë Zotin në jetën e vartësve të tyre. Neve, si popull, na takoi shorti më i keq, mbasi “Qezari” ynë e fshiu krejtësisht Perëndinë, jo vetëm nga goja e nënshtetasve të tij, duke u a bërë t’a paguanin me kokë, ose vite të gjata burgimi e pune të detyruar ushtrimin e kultit të saj, por edhe nga fjalori, duke e kthyer Shqipërinë, zyrtarisht, në Shtetin e vetëm ateist në botë edhe nga ana juridike.
Në qendër të doktrinës së Krishtit është koncepti i faljes, që bëhet urdhërues e merr tone madhore kur është fjala për të vrarë me gurë një prostitutë : “ Ai që e ndien veten pa faj të hedhë gurin e parë!” Është një nga pikat kulmore të Testamentit të Ri, një çast, në të cilin Krishti na paraqitet si një poliedër që rrezaton dritë gjithandej. Na zbulohet si vetëdija kritike e Njerëzimit, nga buron një konceptim i ndryshëm i ligjeve në fuqi, të trashëguara apo të fituara. Nuk mjafton të zbatohet një ligj që dënon një grua që shet trupin e saj, mbasi, në rastin konkret, faji nuk përqëndrohet vetëm në personin, por merr përmasat e një dukurie të përgjithëshme, në të cilën, thellë në vete, secili ka një pjesë. Prandaj aftësia e gjykimit njerëzor zbehet, nuk ka fuqi, i lëshon vendin gjykimit hyjnor, që shprehet nëpërmjet fjalëve që Jezui i thotë Maria Madalenës, të ulur në gjunjët e tij.
Jeta e shkurtër e predikuesit më të shquar të Njerëzimit përfundoi në kryq. Çastet e fundit nxjerrin në pah më së miri dyfishësinë e qënies së Tij njerëzore e hyjnore. Ajo klithmë dëshpërimi “Ati im, Ati im përse më ke braktisur?”, mbas një torture sfilitëse tri ditëshe i gozhduar në Kryqin e drunjtë, kur fuqitë njerëzore pothuajse ishin shterrur, është përsëritur me miliona herë në historinë e gjatë të mizorive njerëzore. Viktimat e këtyre mizorive kanë lehtësuar shpesh peshën e vuajtjes duke menduar Shpëtuesin e Njerëzimit në kryq. Ajo klithmë dhimbjeje e dëshpërimi u pasua nga qetësia e vdekjes dhe ngjitja në qiell. Ky akt përfaqëson mesazhin më të përkryer të shpresës, një mesazh që ngulitet thellë e që bën të mundur përballimin e së keqes në format e saj më skajore.
Kanë kaluar dymijë vite, por në çdo natë Këshndellash ne rijetojmë çastin e Betlehemit. E rijetojmë në forma e mënyra të ndryshme, jo rrallë edhe nëpërmjet shfaqjesh që s’kanë asgjë të përbashkët me personazhet e shpellës së Betlehemit. I rijetojmë ata çaste me një hidhësirë në gojë, sepse jemi të vetëdijshëm se, megjithë përparimet që ka bërë Njerëzimi në rrugën e tij drejt zhvillimit e mirëqënies, megjithë realizimet fantastike të disiplinave të ndryshme shkencore, megjithë shpalosjen e paprerë të parimeve më fisnike në karta e dokumenta, ne mbetemi ende larg sendërtimit t’asaj shoqërie në të cilën mësimet e Krishtit të mos jenë vetëm objekt predikimesh klerikësh nëpër kisha.
Në çdo prag mesnate, kur presim në heshtje e të zhytur në përsiatje çastin simbolik t’ardhjes së Mesisë së Betlehemit mes nesh, secili në botën e tij të vogëli bën një shqyrtim vetes, për të shkoqitur në intimitetin e tij, ku i vetmi dëshmitar mund të jetë Zoti, gjithshka që nuk duhet të kishte bërë apo ato që duhet të bënte dhe i mungoi dëshira, vullneti, interesi. N’atë intimitet të secilit, larg çdo lloj hipokrizie njerëzore, mbasi vetëm vetja nuk mund të gënjehet, ndoshta fillon ecja në rrugën e gjatë e të vështirë të sendërtimit të mësimeve të Krishtit. Aty lind shpresa se diçka do të ndryshojë për mirë. Ne e ushqejmë atë edhe se përvoja e gjatë e së shkuarës së Njerëzimit na le pak shteg për të besuar. Kjo është fuqia e Natës së Këshndellave, që nuk kanë mundur t’a pakësojnë as shekujt, as njerëzit, as teoritë apo doktrinat e tyre, që vazhdon të pushtojë, të magjepsë, sepse i flet shpirtit të njeriut dhe ai është i përjetshëm.