Vepra poetike e dy poetëve martirë Vilson Blloshmi e Genc Leka “ Kur Bota ish në Gjumë “u promovua në Nju Jork për nder të Ditës Ndërkombëtare të librit në mjediset e Producers Club Theaters, në Royal theater duke bërë bashkë mjaft individualitete të spikatura shqiptaro-amerikane dhe shumë familjarë të afërt të familjes Blloshmi.
Veprimtaria e konceptuar si një homazh poetik u çel nga zonja Marjana Bulku e cila ndër të tjera falenderoi Vëllezërit Tollja ( Ernest dhe Alfred Tollja ) të cilët hapën dyert e teatrit për këtë event, gjithashtu ajo falenderoi Albanian Culture TV me drejtues ; Adem Dhe Mimoza Belliu të cilët e mbështetën të parët këtë organizim simbolik kushtuar poetëve martirë të pushkatuar nga diktatura komuniste .Pastaj ajo bëri një paraqitje konçize të jetës tragjike të poetëve të cilët u martirizuan për mendimin e lirë dhe vargun poetik që nuk i këndonte fitoreve imagjinare por realitetit të dhimbshëm e problematik.shqiptar.
Mjaft emocionues ishte mesazhi që Enrieta Blloshmi ( vajza e Vilson Blloshmit ) kishte shkruar enkas për këtë event .
Veprimtaria pati elemente të veçanta emocionuese, prganizative ku u alternuan informacionet letrare e analitike mbi veprën , me interpretimet magjepsêse të aktores Vilma Hodo e cila i dha ngjyra artistike mjaft të bukura veprimtarisë për nder të poetëve martirë.
Ajo interpretoi rreth 12 poezi duke shpalosur momente nga vepra por edhe kualitete artistike mjaft të larta që u pritën mjaft mirë nga të pranishmit.
Studjuesja e letërsise Zonja Arjeta Ferlushkaj bëri një veshtrim analitik mbi poezinë simboliste “ Saharaja” e cila mendohet të jete arsyeja e ndêshkimit të poetëve nga regjimi i kohës.
Emocionues dhe informues ishte materiali i sjellë nga studjuesi Mal Berisha, ish-ambasadori ynë nē Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.i cili e konsideron “gjumin” si një rrezik që i kanoset popujve që i dorëzojnë fatet e tyre regjimeve.
Botuesi i librit , profesor Bardhyl Musai kiishte pregatitur një material të plotë mbi veprën duke vlerat informative të kohës që sjell kjo lloj poezie e shkruar në terr.
Po sikur?! …ishte pyetësori dialogues që zonja Bulku zhvilloi me tri profesoret ; Mjaftime Brati, Mimoza Belliu dhe Drita Gjongecaj . Ato sollën qasjet e tyre intelektuale parë në prizmin një kohe tjetër ku liria e leximit , shkrimit, dëshirave ka dimensione lirie. Mjaf bukur ato sollën Vargjet e Saharasë në frengjisht dhe në anglisht .
Emocionet e kësaj veprimtarie ishin një konstante që buronin sa nga pesha e interpretimit poetik , po aq edhe nga interaktiviteti me të cilin Zonja Bulku e moderoi këtë event .
Në emër të familjes Blloshmi foli shkurt dhe fisnikërisht Ilirjan Blloshmi ,i lindur në internim por me shpirtin gjithmonë të lirë si poetët e gjakut të tij familjar .
Nuk mund të mungonte në këtë ngjarje libri Vatra e cila përmes Presidentit të Nderit zotit Agim Rexhaj shpalosi mesazhe njerëzore dhe institucionale në mbrojtje të fjalës së lirë dhe dinjitetit intelektual .
Fjalën e pasoi gazetari Beqir Sina i cili ftoi brezin e ri që të mësojë të shkuarën pêrmes këtyre dëshmive që përveç vlerave letrare kanë edhe vlërë historike.
Emocionet që solli Ilir Spata ishin surprizuese , ai recitoi vargje që ua kishte kushtuar poetëve martirë Vildon Blloshmi e Genc Leka.
Takimi u mbyll me interpretimin elegant dhe plot klass të artistes Vilma Hodo ecila i dha këtij homazhi poetik ngjyra përjetimitë paharruara
Marjana Bulku
************************************************
FJALËT PËRSHËNDETËSE TË AKTIVITETIT:
Të nderuar bashkëatdhetarë dhe pjesëmarrës të tjerë në homazhin poetik “KUR BOTA ISH NË GJUMË”
Fort e nderuar zonja Marjana Bulku, nismëtare dhe organizatore e këtij eventi.
Pak javë më parë përmes Face Book-ut lexova postimin e zonjës Bulku: “Kjo Ditëlibër 2023 vjen përmes lutjeve poetike që sjellin mes nesh pafajēsinë e dy shpirtrave poetikë që koha i shpalli Martirë të Demokracisë sepse i tillë ishte vargu i tyre; narrativë e një sistemi mëkatar që nuk duhet të përsëritet më.
Ju mirëpresim më 23 prill 2023 në një homazh poetik”.
Atë ditë kam përjetuar një nga emocionet më të fuqishme të jetës sime. Gjatë muajit mars isha e pranishme në Shqipëri në aktivitete promovuese të librit nën emërtimin: “Përkujtojmë poetët martirë”. Jam ndjerë shumë e vlerësuar dhe përjetova emocione. Kjo më dukej e natyrshme.
Po kur në New York, për nder të Ditës Botërorë të Librit, Albanian Culture TV organizon homazhin poetik, këtë nuk ma kish marrë mendja. Vilsoni dhe Genci, “kaluan”Oqeanin dhe mbrritën në Amerikë, në qendrën e botës. Për më tepër nderohen në një ditë të veçantë, atë të librit. Mahnitëse!
Jam e nderuar që t’iu përshëndes në këtë aktivitet mjaft dinjitoz, “homazh poetik”, për krijimtarinë letrare të Vilsonit dhe Gencit, të përmbledhur në botimin “Kur bota ish në gjumë”
Unë, vajza e Vilsonit dhe Eglantia, vajza e Gencit, ju falënderojmë pa masë dhe ju jemi mirënjohëse për këtënderim të veçantë që i bëni sot baballarëve tanë.
Unë, jetoj prej shumë vitesh në Itali, ashtu sikurse edhe juqë jetoni në Amerikë, e dimë se çfarë është emigracioni dhe malli për vendlindjen, për njëri-tjetrin. Në Itali kam ndërtuar familjen dhe karrierën. Jeta ime ka qenë e vështirë për shkak të rrethanave komplekse, por mëbesoni vitin e kaluar dhe tani, në dy ardhjet e mia nëShqipëri dhe kjo ditë e sotme, më bëjnë të ndjej emocionetë veçantë, që më ka bërë të hedh pas krahëve tëshkuarën e zymtë. Kjo për të vetmen arsye: nderimin që i bëni Vilsonit dhe Gencit me vlerësimin e krijimtarisë sëtyre letrare.
Të nderuar pjesëmarrës,
keni patur ndonjëherë momente të veçanta me babanë tuaj dhe ju ka munguar kaq shumë ajo kohë? Ne i duam baballarët tanë, por ndonjëherë nuk arrini t’u shprehnidashurinë, dhe kjo ndodh sepse është e vështirë të gjesh disa fjalë, veçanërisht kur përpiqesh t’i shkruash ato. Unë nuk kam qenë si ju. Fati im ka qenë krejt i veçantë, nuk arrita të shoh fytyrën e Vilsonit, e jo më buzëqeshjen dhepërkëdheljen.
Ju mund t’i tregoni dashurinë tuaj babait në shumë mënyra, sa kohë është gjallë, por për mua, është vetëm një: “Më mungon i dashur baba”.
Nëse do të mund të kthehesha pas në kohë kur babai im u largua nga kjo botë, do ta vonoja edhe pak, për të shijuar fjalët e tij të mençura që kurrë nuk i dëgjova.
Ne i njohëm baballarët tanë përmes poezive. Ato janë një mënyrë e shkëlqyer për të shprehur veten. Pavarësisht se ato shprehin gjendjen e tyre të trishtuar, brengat e mërzitjen sepse nuk ishin të lirë, por ato i kemi gjithnjë në dore që mund t’i përdorim si frymëzim, për të kuptuar kohën kur jetoi Vilsoni dhe Genci, që diktatura ua rrëmbeu jetën në moshën më të bukur.
Është e vërtetë se rëndësia e njeriut njihet më së miri vetëm në mungesë të tyre. Kjo ndodh edhe për baballarët tanë. Të kesh një baba të mrekullueshëm, si Vilsoni dhe Genci, është bekim në jetën tonë.
Kanë kaluar shumë vite që ata nuk janë më midis nesh, por jemi krenare që ata na kanë lënë një trashëgimi të pasur permes krijimtarisë letrare, e cila i ka bërë të përjetshëm. Unë kurrë nuk do të jem në gjendje të shpjegoj se sa shumë do të thotë për ne kjo.
Falemnderit organizatorëve dhe ju të pranishëm!
Mirënjohje e pakufishme!
Ju përqafoj me mall të gjithëve,
Eni
**************************************
23 prill Dita Botërore e Librit
“ Kur bota ish në gjumë “ dy të rinj edhe pse ëndërronin të ishin mësues nuk mund të bëheshin të tillë për shkak të bindjeve nacionaliste të parardhësve të tyre,
Bota ish në gjumë kur në një qytet të vogël por m’u në zemër të Europës së kësaj bote dy të rinj përndiqeshin vetëm pse mësonin frengjisht në mënyrë autodidagte dhe lexonin letërsi .
Kur bota ish në gjumë dy të rinj në kulmin e ëndrrave të tyre për jetën dënohen , pastaj burgosen e më pas pushkatohen sepse ishin të zgjuar , të drejtpërdrejtë, shkruanin poezi hermetike , simboliste ,ëndërronin liri në kohën kur edhe ëndrrat ishin të ndaluara.
Bota ish në gjumë kur bashkë me dy të rinjtë u varros edhe poezia e tyre realiste sepse ajo nuk i këndonte fitoreve imagjinare por realitetit të dhimbshëm.
Bota ish në gjumë, po po, se përndryshe kjo marrëzi nuk duhej të ndodhte.
Ishte gjumi i gjatë i letargjisë moniste .
Ishte letargjia që paralizonte intelektualizmin, të vërtetat vrastare që regjimet totalitare prodhojnë.
Është kaq tragjike që gjumi i heshtjes nuk e ndalon dot marrëzinë e shkrepjes së armës duke këputur në mes dy jetë, miliona ëndrra .
Duket se absurdi nuk ka limit në vendet ku fuqia e padrejtësisë nuk ka cak.
Kur bota ish në gjumë , në terrin e natës , dy të rinjtë pushkatohen përkrah njëri- tjetrit pa varr , në vetminë e netëve të territ të egër e të gjatë diktatorial…
Përse bota është në gjumë dhe hesht kur zinxhiri i padrejtësive mbyste pikërisht të diturit të pafajshmit , idealistët duke kërcënuar të brishtat liri prej të cilave lindin mirësi?!
Ne nuk pretendojmë që zgjimi të vijë nga kjo sallë e vogël e errët , por përmes lutjeve poetike ne të paktën mundemi të sjellim mes nesh pafajēsinë e dy shpirtrave poetikë që koha e padrejtë ua burgosi mendimin dhe ua ndërpreu padrejtësisht jetën e më pas i shpalli Martirë të Demokracisë sepse i tillë ishte vargu i tyre ; narrativë e një sistemi mëkatar që nuk duhet të përsëritet më .
Ka kaq shumë Hënë e yje në poezinë e tyre që pa frikë është drita e pashtershme që buron nga tharmi poetik që herë i ngjan qiriut që fiket e herë vullkanit që paralajmëron apokalipse.
Ndaj poetët nuk duhen neglizhuar , as harruar e kurrë jo vrarë , ky moment i risjelljes së vargut si kujtesë e homazh le të shërbejë si ndjesë e një ndjese që nuk ndodhi kurrë .
Si lexim i një vepre të zhvarrosur por jo të shfarosur .
Imagjinoni për një moment sikur e tërë kjo salle prej profesionistësh ti kundërvihej dikujt pse shkruan poezi , pse është i drejtpërdrejtë, pse mëson gjuhë të huaja, ç’tragjizëm i dyanshëm dhe çfarë gjygji apsurd do të ish!
Por kjo nuk duhet të ndodhi !
Mos ndodhtë kurrë më .
Marjana Bulku
******************************************
Veçori të botimit me krijimtarinë letrare të
Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës
Përgatitur për aktivitetin për nder të Ditës Botërore të Librit
në homazhin poetik “Kur bota ish në gjumë”
New York, 23 prill 2023
40 vjet më parë nuk ma kish marrë mendja se një ditë si kjo e sotmja do të merresha me poezitë e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës dhe të kisha rastin dhe nderin të përshëndes në një aktivitet larg Shqipërisë në Amerikën e largët, në New York në këtë “Homazh poetik”.
Sot, në ditën Botërore të Librit, Vilsoni dhe Genci hyjnë triumfatorë në PRODUCERS CLUB Theatres me një buqetë të pasur poezish duke nderuar veten, ne bashkëkombasit e tyre, poezinë shqipe në tërësi.
E nderuar zonja Marjana Bulku, organizatore dhe drejtuese e këtij eventi
Të nderuar pjesëmarrës.
Zonja dhe Zotërinj,
Është privilegj i veçantë t’ju drejtohem sot, audiencës suaj të nderuar e t’iu bëj me dije se unë, bashkë me një ekip profesionistësh dhe artistësh, arritëm më në fund të realizojmë kërkesën e vajzave të Vilsonit dhe Gencit në një botim krejt të veçantë nga të derisotmit.
Vilsoni dhe Genci shkruan poezi për të qenë askush tjetër veç vetes së tyre – të lirë nga të gjitha llojet e shtypjes në epokën e trazuar të luftës së egër të klasave.
Vilsoni dhe Genci jetuan një jetë tragjike, u mbështetën plotësisht tek vetja për të kapërcyer të gjithë pikëllimin dhe zhgënjimin e tyre. Për Vilsonin dhe Gencin, poema ishte liria, revolucioni dhe ata vetë në të njëjtën kohë.
Poezitë i dhanë djemve normalistë nga Bërzeshta e Librazhdit guximin të refuzonin të bënin kompromis me botën. Ata na treguan rrugën për të dalë nga errësira.
Vilsoni dhe Genci dëshmuan se vetëm ata që jetojnë jetën e tyre në stilin e tyre mund të shkruajnë poezi të vërtetë, të pazëvendësueshme. Kjo ishte ajo që poetët kishin luftuar për të arritur gjatë jetës së tyre të shkurtër që xhelatët e diktaturës ja ndërprenë dhe bashkë me të edhe ëndrrat e tyre.
Ekziston një shprehje, sipas së cilës, nëse e do njeriun, lëre atë të lirë. Por diktatura dëshmoi se nuk e donin Vilsonin dhe Gencin, andaj nuk i la të lirë, por ua rrëmbeu egërsisht atë. Ata e dinin mjaft mirë se poetët mendonin ndryshe, ishin anti sistem dhe për këtë qëndrim të shprehur përmes poezive ata quheshin të fajshëm, por ishin krejt pa faj pasi nuk kryen asnjë veprim kundër regjimit.
Vilson Blloshmi dhe Genc Leka dhe sivëllezërit e tyre nuk kanë poezi të pafajshme, siç duan të thonë djallëzisht. Poezitë e tyre janë me mëkate para poemave që i këndonin sistemit vrastar, diktatorit, partisë-shtet. Poezitë e tyre janë ndryshe, në fund të fundit nderojnë poezinë shqipe – shprehet shkrimtari Visar Zhiti, ish i burgosur politik.
Vilsoni dhe Genci u trajtuan egërisht në birucat e diktaturës, ndonëse hetuesit ishin katilë dhe xhahilë, ata u detyruan të pohojnë se nuk kishin asnjë provë se Vilsoni dhe Genci kishin kryer sabotime apo agjitacion e propagandë kundër regjimit. Dikatura nuk kishte nevojë për krime të dukshme e prova, ajo duke dënuar mendimin ka dëshmuar një shembull unikal në historinë botërore, ku në vende të tjera janë dënuar poetë disidentë dhe anti sistem, por në asnjë vend të botës nuk janë vrarë poetët. Ky është turpi i turpit, mëkati i diktaturës që mbetet njollë e pashlyer në historinë e saj.
Botimi i librit “Kur bota ish në gjumë” me krijimtarinë letrare të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës shlyen një borxh që u kemi poetëve, por jo për t’i thënë lamtumirë atyre, përkundrazi për t’i dhënë përjetësinë. Mesazhi që na përcjellin Vilsoni dhe Genci përmes poezive është: Bëhu vetvetja dhe jeto jetën tënde!
Titulli i botimit shpreh një të vërtetë të pamohueshme. Diktatura, në vitet ‘70 e kishte ashpërsuar luftën e klasave dhe përpjekjet për “zbulimin e armiqve të brendshëm”. Propaganda shurdhuese, terrori, frika dhe skamja na kishin vënë në gjumë, por jo Sigurimin, nuk guxonim të shpreheshim, pavarësisht çfarë mendonim. Ndërsa Genci dhe Vilsoni ishin zgjuar, ata shkruanin poezi me vargje fshikulluese ndaj sistemit.
Deri më sot janë botuar disa libra dhe shkruar artikuj për poetët, por krahasuar me ato, ky libër nga fillimi e deri në fund, është i pasur me interpretime e komente të poezive të tyre, madje të shprehura edhe përmes gjuhës grafike, imazhit. Ky homazh poetik “Kur bota ish në gjumë”, që i referohet libri të porsabotuar, për nga përmbajtja, organizimi, interpretimet dhe paraqitja grafike, shënon arritjen më cilësore të botimeve kushtuar poetëve martirë.
Ky libër nuk ka renditje të thjeshtë të poezive, por ai është një mjet i arrirë didaktik për studim nga nxënës të shkollave të mesme, studentë, pasionantë të letërsisë dhe të interesuar të tjerë. Gjithçka që duam të kumbojë në këtë libër, që vjen me konceptim të ri dhe interpretime të tjera, ndryshe nga botimet paraardhëse, është jeta.
Kjo e bën botimin me vlera të shumëfishta që i jep kënaqësinë çdokujt që e mban në duar, e shfleton dhe e lexon.
Ky libër mundëson një komunikim të ri me lexuesit, të zhveshur nga kumti biografik që ka shoqëruar përherë interpretimin e krijimtarisë letrare të Vilsonit dhe Gencit. Ndaj poezitë e renditura në këtë botim të ri, shtyhen të ngacmojnë emocionet, ndjesitë, kujtimet, përmes fjalëve.
Duke ju uruar suksese në këtë event, për të cilin falënderime të veçanta shkojnë për zonjën Marjana Bulku, pasionante e kahershme e letërsisë dhe organizatore e homazhit poetik të sotëm, bashkëorganizatorëve si edhe juve të nderuar pjesëmarrës, ju përshëndes me shumë respekt,
Bardhyl Musai
*********************************************
FJALË E MBAJTUR NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË LIBRIT NË MANHHATTAN, NEË YORK
Për librin “Kur bota ishnë gjumë” të autorëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
23 Prill 2023
Të dashur pjesmarrës!
I nderuar zoti Agim Rexha, President Nderi I Federatës Pan Shqiptare të Amerikës, VATRA
E nderuar zonja Bulku, antare e Bordit drejtues te Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA dhe inisiatore dhe organizatore e këtij aktiviteti!
…………..
…………..
…………..
• Vetëm dy ditë para se të udhëtoja për në New Jork pata nderin dhe kënaqësinë të takoja vajzen e Vilson Blloshmit, Enin. Mu duk se në sytë e saj ende shikoja dhimbjen e një fëmijë të mbetur jetim, për shkak se diktatura vendosi që ajo të rritej pa baba, pasi e ekzekutuan atë, thjesht për atë që ne gëzojmë sot këtu:
Lirinë e të qenurit këtu ku jemi.
Në të vërtetë, aq sa është kënaqësi pjesmarrja në këtë takim, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, po aq është edhe ndjenja e dhimbjes për autorët të cilët lanë jetën për letërsinë e Lirë.
Është një ditë kur e tërë bota I nderon poetët dhe shkrimtarët dhe e dini se përsë:
• Sepse ata janë pararoja e ndërgjegjës njerëzore.
Ata janë rrebelët, protestuesit, njerëzit që e kuptojnë më shpejt se të tjerët dhe e kundërshtojnë të keqen para të gjithëve.
Dhe e bëjnë këtë thjesht me shkrimet e tyre. Pa dhunë. Por me qëllimin e lartë të ndërgjegjësimit të atyre që i lexojnë, që ata të kuptojnë ku dhe si fshihet e keqja e imponuar nga diktatura.
• Mbase nuk është një rastësi që poetët dhe shkrimtarët më të mëdhenj janë ata të cilët janë ballafaquar me diktaturat, rregjimet repressive, me pushtetet e forta shtypëse të të drejtave të qytetarëve të vet.
Tashmë i kemi mësuar emrat e shkrimatërve tanë disidentë, Pjetër Arbnori, Visar Zhiti, Musine Kokalari, Kasem Trebeshina, Trifon Xhagjika, Adem Demaci, Isuf Gervalla…e sa e sa të tjerë që nuk mund t’i përmend të gjithë.
Siç mësuam edhe emrat e Henry Hajne, Anne Frank, Bertold Breht, Thomas Mann, Erih Maria Remark, Pastërmakut, Saharovit, Selzhenicinit, Vasllav Havelit, Nadezhda Mandelstam…etj, martirë të fjaslës së lirë nëpr diktaurat e shekullit të kaluar.
Emra të mëdhenje të letërsisë anti – rregjime, anti diktatura…
Midis tyre në epokën e errët të diktaurës sovjetike dalin emrat e të ekzekutuarve:
Arthur Koestler, Janosh Korçak, Andrei Platanov… për të përmendur vetëm disa prej tyre.
• Është një mrekulli që nëpërmjet të veprës së tyre të pavdekshmë po kujotjmë Vilsonin dhe Gencin
Sepsa ata na kujtojnë GJUMIN LETARGJIK që kemi jetuar dhe se si ata janë sakrifikuar dhe kanë shkuar vetë drejt gijotinës me ndërgjegje të plotë. Thjesht dhe vetëm që mos të konformohen me rregjimin dhe t’i binin një çange alarmi për zgjimin tonë nga gjumi letargjik.
Në këtë disidencë, shndrisin në qiell sot, të sakrifikuarit e kohës
Vilsoni dhe Genci, Martirë të Demokracisë, tashmë.
Në fakt libri I tyre KUR BOTA ISH NË GJUMË edhe pse Post Mortum, na bën të skuqemi që neve në atë kohë nuk e patëm as guximin, as zgjuarsinë as forcën që ta kundërshtonim atë rregjim.
• Në një rregjim aq të mbyllur, të izoluar neve NË GJUMË ISHIM pasi edhe pse ishim në moshë të maturuar dhe këto gjëra ndodhnin në mes të Shqipërisë, neve nuk dinim gjë se çfarë kishte ndodhur. Mbase në rrethinën e Librazhdit njerëzit e kanë ditur, por aspak më gjërë se aq.
• Është mirë që I kujtojmë sot, neve njerëzit e lirë, në këtë vend të lirë dhe nëpërmjet të veprës së tyre I mësojmë edhe brezin e ri me ato që kaluam neve.
Pasi historia që harrohet rrezikon të përsëritet.
Libri që kemi në dorë ka shumë vlera të spikatura.
• Vlera më e madhe e tij është që ata që I kanë shkruar këto poezi, janë martirë, heronjë, njerëz që nuk bënë kompromis me rregjimin;
• E dyta është se përmbajtja e jashtëzakonëshme protestuese, një thirrje që guxuan ti bënin njerëzve të asaj kohe, por që binte në vesh të shurdhër;
• E treta është stili, krejt I veçantë dhe eksperimentimi me fjalën artistike, madje me forma të cilat në atë kohë ishin heretizëm I vërtetë dhe konsideroheshin si cfaqje të huaja në letërsi;
• Së fundmi secila prej poezive ka një mesazh të fortë.
• Është një fat I madh që vepra e tyre ka shpëtuar dhe tanimë ajo është e e botuar dhe në dorën tonë.
• Me këtë rast dua të përshëndes pasardhëset e Vilsonit dhe Gencit si dhe njërëzit tyre të dashur këtu dhe kudo që janë. Vecanërisht ata që janë sot këtu me neve.
• Dua të përshëndes edhe botuesin e librit Prof Bardhyl Musajn;
• Një përshendetje të veçantë për zonjën Marjan Bulku për këtë organizim kaq të mrekullueshëm të këtij takim në një ditë shumë simbolike si kjo
• Kam edhe një përshendetje për ilustruesin e librit Piktorin Anasas Konstandini dhe Kritikut të veprës Eris Rusi.
• Duk e lexuar poezitë nuk iu shpëton dot komenteve të Dr. Eris Rusi, të cilin e konsideroj një njohës të jashtëzakonshëm të letërsisë. Këtë e ka dëshmuar në këtë libër.
Ai që në fillim iu referohet autorëvë më të mëdhenjë të të gjitha kohërave, disa prej të cilëve po i përmend këtu:
Albert Kamy, Dante aligeri, Kuinto Orakio Flako, Mondello, Emili Dickson, Tom Stpard, Italo Zevo, Carles Bukovskij, Frojdi , Aleksandër Bariko, Dino Buzati, Turkuato Tasso, Edmond De Amicis, Sergej Esenin, Andre Brink, Bertold Breht, etj
Librit i jep një vlerë të shtuar edhe shkrimi i shkrimtarit tonë të dashur e të nderuar dhe ish i vuajtur i diktaturës, diplomatit, Visar Zhiti, analiza e Primo Shllakut, Agim Vincës dhe Elida Qenamit.
Në mbyllja më lejoni të them se neve ende bajmë shumë pak për njohjen e autorvë tanë disidentë. Kjo veprimtari shkon në drejtimin e duhur dhe ky libër do të përdoret edhe ne shkolla. Me shpresë!!!
Por mos harroni, në makinën më të madhe kërkuese sot Artifical Intelegjence I gjen të gjithë emrat e shkrimatërve të ekzekutuar në diktaturat e shekullit të njëzetë, por nuk gjen dot as Vilsonin, as Gencin, as Avzi Nelën.
Dhe kjo sepse GJUMI YNË VAZHDON.
Le të jetë kjo ditë një zile zgjimi e kësaj dite të shënuar të librit.
Mal Berisha
*********************************************
Dr. Mjaftime Dushallari
PER NJE TABLO ME TE GJERE TE LETERSISE SHQIPTARE
Pershendetje te gjitheve!
Ndihem e nderuar qe marr pjese ne kete memorial poetik qe bart sa dhimbje aq dhe bukuri, qe buron nga vete jeta e shkurter, por plot endra, pasion, kulture, perpjekje e vizion te dy martireve te Demokracise, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekes. Falenderoj sinqerisht z.Marjana Bulku, organizatoren e ketij takimi, per ftesen dhe me kete rast dua te pergezoj ate dhe stafin e programit televiziv Kultura Shqiptare qe ne Diten Nderkombetare te Librit organizojne kete takim serioz duke bere nje zgjedhje te mencur te krijimtarise cilesore dhe mjaft interesante te dy poeteve te viteve ’70 qe po e pasurojne mendimin tone per Letersine Shqiptare mbas gati gjysem shekulli.
Me qe jam e fushes se Letersise, do te me pelqente te vija ne kete takim pasi te isha njohur me permbledhjen e krijimtarise se dy poeteve per te dhene nje mendim me professional ndaj tyre, por kjo nuk me pengon te shpreh mendimin tim mbeshtetur ne njohjen e deritanishme.
Kur fillova te lexoj dhe te njihem me jeten e ketyre dy martireve te lirise, ndjeva nje lidhje te brendshme shpirterore me ta. Si dhe keta dy te rinj nga fshati Berzeshte i qytetit te Librazhdit, edhe une jam diplomuar ne shkollen e mesme pedagogjike te Elbasanit, shkolle me tradita ne pergatitjen profesionale te mesuesve te rinj. U deshperova kur mesova qe ketyre studenteve te shkelqyer te Normales se Elbasanit, qe ishin diplomuar disa vjet para meje, u ishte hequr e drejta e mesimdhenies. E pashe kete veprim, jo vetem si denim e demtim te ketyre individeve te afte qe s’e kishin filluar ende jeten, por dhe si dem dhe humbje per fshatin e tyre te dashur, si dem dhe humbje per sistemin arsimor shqiptar, pse jo dhe per vendin, kombin shqiptar.
Por Vilson Blloshmi dhe Genc Leka nuk u denuan si mesues. As si punetore te bujqesise, per sabotimin e se ciles u akuzuan. Ata u vrane moralisht, u pushkatuan fizikisht sepse ishin Poete, edhe pse veprat e tyre nuk ishin botuar. Ky ishte veprimi me makaber, me ekstrem dhe i palogjikshem ne vargun e poshtersive te atij sistemi diktatorial. Jo cdokush mund te behet Poet. Poeti ka shpirt te madh, te bute, te ndjeshem, fisnik, te lire ndaj do te shprehet lirshem. Poezia eshte produkt i nje shpirti pa pranga. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, edhe pse vinin nga nje fshat i nje qyteti te vogel, ishin te rinj me kulture, me interesa dhe aftesi te vecanta. Poezite e tyre, qe po i njohim shume vone, jane shkruar me nje shqipe te paster dhe pershkruajne realitetin shqiptar te atyre viteve me vertetesi. Ato s’jane moralizime bajate apo thjesht kunderparrulla. Ku hapur e ku permes metaforave te goditura, ato percjellin me art te lexuesi mesazhe te fuqishme. Poezite e Lekes dhe Blloshmit rrjedhin me mjeshteri, por dhe te befasojne me guximin rinor e njekohesisht burreror ne pasqyrimin e te vertetave te jetes. Ata e mendojne dhe fundin, edhe vdekjen, sic shprehen ne disa poezi te tyre, por ajo nuk i tremb dhe as i zbeh endrat dhe deshiren per nje jete me te mire. Poetet Leka e Blloshmi e dinin se s’kishin c’te humbisnin me, se ata ishin vrare qe ne veze. Fati i tyre ishte parashikuar nga biografia e tyre. Asgje s’punonte me per ta. Vetem shpresa per nje te ardhme me te mire ishte motivimi i tyre per te shkruar dhe per te jetuar. Aty buronte edhe guximi dhe forca e mendimit te tyre ne poezi.
Shoqeria shqiptare u detyrohet shume ketyre dy te rinjve me tipare dhe aftesi te rralla. Eshte bere dicka per vleresimin e tyre. Memoriali ne kujtim te Genc Lekes dhe Vilson Blloshmit ne qytetin e Librazhdit, eshte i nje lloji te vecante. Ai te dritheron po aq sa jeta dhe fundi tragjik i poeteve. Dy kokat e te rinjve, njeri ende sycelur e tjetri i vrare e i pergjumur, duket sikur therrasin fort per lirine qe s’e pane dhe as e gezuan. Ideja e memorialit ploteson bukur dhe deshiren e tyre qe aty jashte, ne ate reliev, dielli te mund t’i ngrohe me shume…
Ne vitet postkomuniste, keta poete jane vleresuar dhe me tituj nderi plotesisht te merituara.
Qe te kompletohet vleresimi i ketyre figurave, une mendoj qe institucionet perkatese ne Shqiperi, mund te kujdesen qe poezite me te spikatura te ketyre poeteve te talentuar, te zene vend ne programet e shkollave shqiptare te te gjitha niveleve. Keshtu, brezi i ri do te kete mundesi t’i njohe, t’i vleresoje dhe t’i perjetesoje keta intelektuale me kulture dhe vepren e tyre. Ne kete menyre, njekohesisht do t’i behet nje sherbim i vlefshem dhe Letersise Shqipe ne pergjithesi dhe vecanerisht asaj te viteve ’70, e cila eshte prezantuar dhe njohur ne vend e me gjere, vetem permes veprave te shkruara conform metodes se Realizmit Socialist. Nderkohe, qe cdo dite e me shume behet dhe me e qarte se, ne ato vite ne vendin tone ka ekzistuar, eshte levruar dhe nje lloj letersie tjeter thellesisht realiste, dhe pse ishte e pamundur te shihte driten e botimit. Keshtu tablloja e Letersise Bashkekohore Shqiptare do te jete me e plote dhe me prestigjioze.
Perulem me respekt ndaj vepres letrare te dy martireve te Lirise.
Gezuar Festen Nderkombetare te Librit!
””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””
Pertefe Leka
E di që do të ishte më mirë t’ i tregoja gojarisht por shenova dy tri episode të jetuara për t’ju pershtatur temës “ Kur vriten poetët …….A ngrenë zërin kundra poetët e tjerë?
Zonja Mariana ju përgëzoj për këto organizime, sa e nevojshme asht që të kemi moralin Shqiptar nga trashëgimia e mirë, Ju admiroj ….
Sapo fillova t’ju shkruaja ne atë ngushticën e telefonit për të justifikuar mungesen time, papritmas me iku shkrimi pa e përfundue, por qe nxitje qe ta vazhdonim komunikimin ne telefon. Në të njejten kohë , ju me dërguat shkrimin me poezine “Kur shteti vret poetët e vet,” Sapo e lexova me hapet një teme, që kam 33- vjet që e tratoj dhe s’ ka të mbaruar …. ndaj s’po dija së çfarë do t’ju shkruaja. U rrembeva nga emrat e poetve të vrarë ,ku më zgjuat kujtimet e kolegut tim Enver Draçini ,kur fillova mesuesine në Vrakë, 1960 ,ne shkollën ku kishte bërë mesim Migjeni. Ishte vëllai i poetit të vrarë , Qemal Draçinit, ishte vëllai i profesorit të Gjimnazit të Shkodrës dhe të “Donika Kastrioti”
Qemal Draçini, ishte poet, kritik,prozator,,perkthyes,hartues tekstesh shkollore,kontribues në fushën e teatrit, sekretar i të madhit Atë Gjergj Fishta Ishte ,vetëm 15 vjeç kur u ndikue nga idete komuniste prej profesorit tij Skender Luarasi në Gjimnazin e Shkodrës, burgoset për këto ide , me vonë burgoset si antifashisht, dhe ishte në listën naziste drejte Prishtinës…..por shpëtoi …Drejtoi revisten “Fryma “ ku nder të tjera shkelqeu vepra poetike e Migjenit me shumë personalitete tjerë … Burgut komunist nuk i shpëtoi … Poeti vdiq në tortura ….. Ishte vetëm 24 vjeç…… e ….sot nuk ka një varr ….Mbeti Martir I mendimit dhe fjalës lirë. Vëllai i tij Enveri ,kurrë nuk e përmendi , asgjë nuk mësova prej tij , heshtje . Heshtën edhe kur morën dekoratën “Martir i Demokracisë “ me 1992 , isha prezent në sallën e Gjimnazit Shkodër, i thanë jo urrejtjes , përsëri heshtje
Nuk po zgjatem per të ndjerin kolegun tim Enver Draçini sepse edhe Ai ishte nje enciklopedi me vetë. Duhet trajtuar se ka merita të veçanta Ai për 50 vjet ruajti në fshehtesi dorëshkrimet e vëllait të vrare dhe pas 90-tës i permblodhi në librin “Era”………..
Tema që po diskutohet “Kur vriteshin poetet “. Ç’ bëjnë poetet e atij shteti ? A Ngrene zërin. kundra ….? …A pikëllohen ndopak …..?… është për të gjithë , kjo këmbanë bie edhe për mua Qëndrimi im mbi 30 vjet mësuese e real socialist .
Po shenoj disa raste që më kanë ndodhur kur jepja mësimin e letersisë në Gjimnazin Kristoforidhi . E vetmja shkollë e mesme e përgjithshme pa shkëputja nga puna ne Tiranë pak metra larg Lidhjes së shkrimtarëve .
Kisha ne klasë një nxënës “ rrebel” që me “bezdiste “me pyetjen “ Pse nuk e mësojme Fishtën”. Ai e dinte që jam nga Shkodra dhe e perseriste radhazi . Pergjigjja ime ishte…..heshtje ….Nuk kishte gjë më të rendë për mua që të pakten të citoja vargje te shkeputura, aqë me shumë që isha rrite e edukue nga Im atë mësues me veprat apo me vargjet e Lahutës bile Im atë edhe i kendonte. vargje të muzikueme “ Bini toskë e bini gegë si rrfeja qe shkon tue djegë”……Unë isha një memece , vetëm heshtje
Për koincidencë pas disa ditësh arrestojnë brenda në shkollën tonë Profesorin e historisë Pal Doçi studiues. Ai bënte mesim në një shkollë dy vjeçare që per mungese lokali kur mbaronim ne mësimin në dreke vazhdonin Ata , pikërisht në klasën time demonstrohet ky veprim i shemtuar, shkaku ishte —-Pse citonte vargje nga Lahuta e Malcisë në orën e mësimit për te konkretizue luftëtarët e veriut .Nga këto ngjarje në shkollë më shkonte mendja për keq, me dukeshin si provokim , përseri isha gojëmbyllur por shpirtvrarë, e pikëlluar kur mendoja absurdin që për vargje patriotike të izolohen e
a të vriten njerëz të pafajshëm . Unë nuk guxoja te flisja një fjalë , vetëm heshtje …
Ajo që me ka vra shumë ishte kur me arrestuan një nxënës.ishte djalë i qetë , rrinte në fund të bankave ,nuk e njihja familjen e tij . Për këte rast na therritën në hetusi me kolegen time edhe ajo mësuese letërsie
Hetuesi një djalë i ri me tha —shikoji ato libra, janë gjetur në shtepine e nxënesit tuaj , janë libra të shkruar për Papet e Romes. një nga keta ia ka dhënë shokut tij …….Pyetja e hetuesit ishte —A ka sjellë libra në shkollën tuaj ,?! ….Për fat të mirë nxënesi kishte sjellë një libër të vjeter në shkolle “Lulet e Veres “të N.Frasherit dhe ishte në dollapin e klasës ku mbaja fletoret e hartimit …I fola per nxënësin tim, ashtu si e njihja, shumë pozitivisht. …Djalit i bënë gjyqin në lagje ,ku e mbrojtën të gjithë , siç tregonin …Ai nuk foli , u zbardh në fytyre ,i ra të fiket. e derguan ne spital …. Djalin e falen , por Ai nuk erdhi me në shkollë ….As unë nuk e pashë më kurrë … përsëri heshtje … Kisha menduar së Ai djalë kishte një brengë , vinte nga veriu , dhe duhet të kishte pasë lidhje me besimtarë të religjionit katolik , që trashëgonin bibloteka të pasura te cilët u persekutuan nga regjimi komunist . ….
Po shenoj edhe diçka ndryshe
Kur në mesim jepja Kategorite estetike …E bukura e shemtuara e madherishmja e tjerë
sipas librit të Alfred Uçit …Sado që thellohesha në studime nga perkthimet që bëheshin nga rusishtja nuk isha e qartë ,psh për karakterin klasor të së bukurës një nxënës më pyeti —-një vazo me lule në tavolinen e punëtorit është e bukur ,dhe po kjo vazo me lule në tavolinen e borgjezit është e shemtuar … ?! Për fat të mirë kisha një nxënës që e kishte nenen Punonjese ne lidhjen e shkrimtareve . Një ditë më thotë : Në sallën e Lidhjes po promovohet libri me poezi i një poet të ri ..Me që paradite vinin më pak nxënës, me lejen e drejtoreshes .mora një grup maturantësh e shkova. Lokali ishte shumë afer . Mbledhjen e drejtonte Sh.Musaraj .Poeti i ri lexoi poezitë , njera nga poezite i kushtohej “Lules” . Njeri nga të pranishmit u ngrit e tha — kësaj poezie i mungon karakteri klasor !! poeti shtangu !!! Shpejt nderhyri Sh. musaraj duke thënë — edhe ajo rregullohet —- I shtoni vargun “ O moj Lulja për merak , ruhu mos të kepusi ndonjë kulak “ ……dhe poezia kalon …..
Të gjithë qëndruan serioz, asnjë buzëqeshje… heshtje per ideologjinë e gabuar
Për mua si mësuese ishte ore mësimi . I thashe vetes …. eureka …… në raste të tilla thashë , gjejë një artific që të dalësh nga situata …..
Në këte gjimnaz kam pasë kolegë poetin Nexhat Hakiu ,shkrimtarë i viteve 30 .Loni Papa, i njohur me dramen Cuca e maleve . Xhevahir Spahiu I cili qëndroi shumë pak në shkollen tonë . Më ka mbetur në mendje pyetja e një nxënësi ndofta me naïviteit !! Për vargun e poetit “Pika e Lotit sa Pesha globit” Profesori siç e therrisnin nxenesit. ishte prezent me register gati për mësim ,evituam pergjigjen , vazhduam. punen mbeti pa fjalë….. . Kështu ishte kur letersine e drejtonte një ideologji që predikonte dhunën patjeter do të ballafaqohesh me të tilla të papritura
Nga prof. Nexhat Hakiu kam mësuar diçka që kurrë nuk do të më shkonte mendja .
per personazhet në romanin Para Agimi të Sh.M. Ai me tregoi se pas Ermira Velo dhe Zotit Bardhi në Roman ishin Musine Kokalari dhe Branko Merxhani, Menjëhere. fillova të kopjoj nga teksti pjesë ku behej fjalë për këto dy personazhe pasi e kisha shumë të njohur B.Merxhanin nga revista Perpjekja Shqiptare dhe gjithë këto vite. kam hulumtue për këto kontribues në letërsi e sociologji. Këto shenime i përdora pas 90 -tës Kur u thye heshtja e gjatë dhe fillova te shkruaj. Artikulli i parë 2 korrik 1990 Gazeta Drita “Mbi disa kufizime ideore në letërsi “ dhe i dyti “ Pse nuk jam marksist “ në Prill 1991 Shkrimin e dorëzova në redaksine e Gazetës Republika shkrimtarit të madh Petro Marko I cili me tregoj se kishte qenë Ai që kishte shtypur në makinë Kryeartikullin e B.Merxhanit” “Pse nuk jam marksist “ edhe pse nuk perputhej me idete e tij ….Ishte takimi i parë dhe i fundit me maratonomakun e vuajtjeve shkaktuar nga shoket e idealit komunist, Ndërroi jetë pas 6 muaj te takimit. ,Edhe kolosi i letrave nuk foli …Pas 90-es Foli me Vetvetën … (. E Kam trajtuar gjatë këte takim)
Kështu morën udhë shkrimet e mija ku sot janë permbledhur në tre volume me Titullin
“ Refleksione të një harrese te imponuar “ ku. jam. munduar. të ruaj me krenari Statusin Mësuese , sepse nuk bëra gjë tjetër veç. plotësova atë që nuk pata mundësi t’ia mësoja nxënesve te mi kur ndiqnin shkollën .
Zonja Marjana e dëshiroj takimin me ju me diskutue ne se mund te kontribojmë per heshtjen e gjatë që sot duhet parë në kuptimin filozofik dhe mendimin progresiv ….
Paçi mbarësi në këto sherbime per kulturën shqiptare .
Pertefe Leka
”””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””
TË GJITHA FJALËT PËRSHËNDETËSE U DËRGUAN PËR BOTIM NGA MARJANA BULKU