Ne Foto: Kisha e Shën Gjon Kryepremit, apo Kisha e Kuvendit të Arbërit/
Nga Klajdi Musabelliu/.- Kisha e Shën Gjon Pagëzorit, objekt i kultit i cili ndodhet në fshatin Mërqi të qytetit të Lezhës që i përket shek XIV-XV, do të propozohet për marrjen e statusit monument Kulture.
Ky propozim pritet të vijë ditët në vazhdim nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Shkodër, të cilët pas një inspektimi të realizuar së fundmi në kishën e Shën Gjon Pagëzorit dhe në rrënojat e manastirit pranë, kanë njoftuar se do të apelojnë për marrjen e statusit monument kulture pë objektin i cili ka një rëndësi mjaft të veçantë.
E njohur në të kaluarën edhe me emrat si “Kisha e Shën Gjon Kryepremit” apo “Kisha e Kuvendit te Arberit”, ky objekt nuk përfaqëson vetëm kulturën fetare, por edhe një ngjarje të rëndësishme historike, siç është edhe mbajtja e Kuvendit të Arbrit( apo Koncili i Kishës katolike i trojeve shqiptare ) në 15 janar të vitit 1703, i drejtuar nga Papa Klementi XI Xhanfrançesk Albanit me origjinë shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit.
Kisha e Shën Gjon Kryepremit apo Kisha e Arbërit përmendet për herë të parë në relacionin B.Orsinit, ne vitin 1629.
Kjo kishë ka një rëndësi të veçantë për historinë e dioqezës së Lezhës dhe më gjerë për kishën katolike shqiptare Restaurimi i fundit i kësaj kishe është kryer në vitin 1996.
Në anën jugperëndimore të kishës nga ana e restauratorëve është lënë enkas një pjesë muri e pa suvatuar, me qëllim për të kujtuar hershmërine e saj.
Kisha ka katër dritare të ngushta, në anët veriore dhe jugore. Në pjesën ballore të kishës, hyrja kryesore është organizuar me dy dyer me arkada të bukura prej guri të gdhendur. Sipas traditës dhe gojdhënave të banorëve, njëra prej portave është përdorur për burrat dhe tjetra për gratë.