
– përsiatje dhe polemikë -/
Nga Visar ZHITI
NJË KUARTET THËNIESH:
1- “Ne jemi ajo që kujtojmë. Të treguarit është kujtim dhe kujtimi është të jetuarit.”, – shkruante një nga poetët më të mëdhenj në Europë, Mario Luzi.
2- “Më jepni një dhëmbje, t’ju jap një vepër të madhe”, – duket se po lutet ende kështu, madhërisht, Fjodor Dostojevski, i burgosuri që e dënuan me pushaktim si kundërshtar i Carit, por që u fal po prej tij.
3- “Gjithçka përreth kërkon kujtesë/ dhe për kujtesë mall veç ka…” – janë dy vargje të Kadaresë të një poezie të dikurshme nën diktaturë, që sikur parandjenin kanosjen e një harrese të dëmshme.
4- “Diçka i mungon tokës,/ nga qielli t’i zbresë./ Diçka edhe qiellit,/ nga toka t’i ngjitet, ka shpresë./ Më bëhet i gjej te vetja/ ç’mungon te gjithësia:/ Qiellit: urrejtja,/ tokës: dashuria” – Poezi e poetit të burgjeve Pano Taçi, që na kumton mungesat e mëdha, që dhe duhet urryer sin ë tokë për të dashur më shumë si në Qiell…
* * *
Në letrat tona tashmë ka ardhur dhe është konsoliduar si pjesë e saj dhe një “letërsi tjetër”, ajo e dhëmbjes të tejme, e dalë nga burgjet dhe internimet, që tregoi të patreguarën, persekutimin e njeriut nga njeriu, ferrin mbi tokë, nga shkaku i sistemit dhe i ideologjisë sunduese dhe i mbylljes mizore, etj, që tronditi lexuesin dhe shoqërinë në tërësi.
Dhe s’kish si të mos flitej për këtë letërsi, duke u krijuar një opinion kritik, madje e gjithë ecuaria e saj, ajo prurje e madhe dhe e beftë, duhej të përcillej me qëndrime të ndryshme, edhe të skajshme, që shpesh u kthyen në përballje.
Do të desha të qëndroj në këtë çështje. Së fundmi, ditë më parë kam ndeshur në konstatimin se letërsia e kujtesës, (kupto: letërsia e burgjeve dhe e internimeve, shën. imi), “nuk ka mundur të dalë nga përvoja personale dhe i mungon qasja universale.”. E shprehu një veprimtare e kujtesës, përkthyese dhe autore, Jonila Godole, pedagoge dhe drejtuese ekzekutive e një Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.
Shqetësimin, duke mos e menduar si vetëm të sajin, e konsideroj si tregues që, përderisa merren me këtë letërsi, ajo tashmë është dhe pranohet.
Por më vjen të pyes menjëherë, i mungon qasja universale apo e universalizimit? E përvojën personale ta lidhë me përvoja të tjera, të largohet nga vetja?
GJATË ECURISË:
Për të arritur deri këtu, vështrimet ndaj kësaj letërie kanë evuluar. Do të doja rishikimin e tyre sintetizueshëm, ku më interesojnë më shumë ato vështrime që kanë patur brenda goditjen.
Do desha të pyes që pse kjo letërsi quhet kaq thjeshtë “e kujtesës”?
Në fakt, diktaturat ndjehen në armiqësi me kujtesën dhe e luftojnë atë. Ndërsa nga letërsia që natyrisht vjen prej kujtesës, kanë frikë dyfish. Libri është kujtesa e botës, sipas Borhesit.
Po a thua ka letërsi të harresës? Nën “kulturën e së keqes” bëhen përpjekje të angazhuara për të harruar ç’nuk u duhet regjimeve dhe për të kujtuar dhunshëm ç’duan ato.
Më është dukur çudi që letërsia që sjell atë jetë, me saktë atë antijetë, në burgjet dhe kampet e internimeve të dikaturës, që tregon dramat e mëdha kur ideologjitë marrin pushtet, dhunën e përbindshme dhe qëndresën mitike për të mbetur njeri edhe në rrethana çnjerëzore, përpjekjet sizifiane për racione lirie, etj, veçohet duke u quajtur “Letërsi e kujtesës”. E gjithë letërsia e tillë është, ç’lexohet është e së shkuarës, e “muzeut të kujtesës” dhe shtoj dhe “e kujtesës të së ardhmes”, e ka këtë forcë e magji letërsia.
Ta veçosh këtë si “Letërsi të kujtesës”, duke nënkuptuar një nënpjesë të saj, pa fiksion, pra pa “fantazi”, mua më duket sikur e mpakin, gati sikur të thuash se ajo nuk është plotësisht letërsi, ditare apo memuaristikë dhe aq, kurse në të vërtetë kjo letërsi ka në themel të vërtetën dhe, më shumë se sa fantazinë e autorit, ka fantazinë e hatashme të realitetit, që sipas Dostojevskit, ia kalon çdo fantazie tjetër.
“Letërisë së kujtesës” pa një përcaktor tronditës, më duket se i shpërndahet misioni, i tretet në një të përgjithshme të pa përcaktuar, i hiqet dhe diçka nga martirizimi dhe terri.
Unë e kam quajtur “Letërsi e dënuar” në një studim timin, “Panteoni i nëndheshëm”, botuar vite më parë, duke përfshirë kështu gjithë letërsinë e prodhuar në rrethana të dënuara, veçanërisht burgjeve dhe internimeve, por gjithsesi jo vetëm nga të dënuarit dhe kam marrë në ndihmë atë që thoshte hebreu-hungarez,Imre Kertész, nobelist, i cili ka qenë i mbyllur në kampin e Aushvicit, dhe kjo, sipas tij, përbën thelbin e krijimtarisë, me matricën se “…cili autor, në fund të fundit,nuk është shkrimtar i Holokaustit?. Vetë pyetja është dhe përgjigje ndërkaq. “Holokausti është një përvojë universale… – vazhdon Imre Kertész, – që nuk ndan, përkundrazi bashkon… Holokausti tani ka krijuar një kulturë,e cila s’mund të mohohet se ka ardhur dhe vjen ende dhe letërsia e kësaj kulture mundi të frymëzojë Shkrimet e Shenjta dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane, – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të lindë faljen ose vetë shpirtin dhe katarsisin... Evropa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin” (Imre Kertesz “Il secolo infelice”, Bompiani, Milano 2007. fq, 54, 258, nënvizmet e mia.) Kjo letërsi, e holokaustit/ gulagut/ burgjeve / internimeve erdhi dhe tek ne. Ortek letrar. Kujtesë dhe ndërgjgjegje. Moral dhe përgjegjshmëri dhe akuzë e qortim. Art. E rrëmbeu lexuesin dhe e çoi atje ku nuk kishte qenë. Por, siç e kam thënë, edhe duke u ndeshur dhe me mosmiratime e përshtypje provokative me jehona mediatike, etj, etj, gjë që nuk i bëhej fare letërsisë së mbetur të Realizmit Socialist.
Po rikujtoj:
1- Në fillim u tha se “nuk mund të kishtenjë letërsi e tillë. Por ja, që ajo erdhi. Është e dëshmuar.
2- Që tek ne “s’mund të kishte letërsi disidente, sepse, siç dihet, diktatura në Shqipëri ishte më e egra në Europë, më mizorja, e çmendur dhe po të pranonim disidencën, për rrjedhojë do të dilte se diktatura tek ne ka qenë e arsyeshme dhe e butë”.
Vërejte e drejtë, por, që të mos zgjatem, e përsëris, disidenca letrare në Shqipëri nuk lejohej, ishte klandestine/e fshehtë. Dhe metaforike e me gjuhë të Ezopit. As e rrymave letrare apo e bashkësive kulturore, por indviduale. Shembujt tashmë janë, janë vepra me vlera të qendrueshme në letrat shqipe.
3- Pastaj u dyshua dhe te sasia e tepërt e saj, u diskutuan deri dhe faqet e datat…
“Letërsia shqipe është ngarkuar shumë me këtë lloj letërsie, duke çuar në kategorizimin e saj si letërsi burgu…” – më është thënë dhe mua së fundmi. I konsideroj provokime të duhura, që të mund të thuash diçka.
Letërsia vetëngarkohet me realitetin dhe shqetësimet e tij, e di ajo (letërsia) se si, se ç’duhet të sjellë dhe ç’duhet të lërë dhe kategoria “letërsi burgu” erdhi për ta dalluar, për të treguar temën dhe vendin zanafillor, siç vihet ndonjëherë vendi dhe data në fund të një romani, dhe jo vetëm kaq, është dhe përmbajtja që e dallon, qëndrimi gjithashtu.
Letërsia është një e tërë, një Oneness, pra është ose s’është si e tillë.Ligjësitë dhe kalendari i saj janë ndryshe dhe përcaktohen së brendshmi, nga vetvetja, përmbushjet dhe mangësitë dhe nuk kanë të drejtë regjimet, institucionet e tyre, ideologët, shefat jo e jo, askush, që të masin nëse u shkruajt mjaftueshëm ose jo për një kohë, epokë, luftë a paqe, për një vuajtje a dhëmbje të madhe e një populli a njeriu të vetëm, njëlloj është për letërsinë, por ne kemi të drejtë ta lexojmë, ta njohim, ta analizojmë, të kërkojmë, ta kritikojmë, ta ruajmë.
Harresa duhet të jetë vetëm letrare, si përforcim i kujtesës, ku duhet të mbeten vlerat që i përzgjedh e ardhmja dhe jo “harresat jashtë letrare”, të qëllimtat, politiket, përsundueset, të këqiat.
“Letërsia e burgjeve”, i detyruar ta përdor këtë term tashmë, nuk erdhi të zevendësojë letërsinë shqipe, siç dhe u trembën shkrimtarë të realizmit socialist, por për të sjellë vetveten dhe kjo e drejtë s’mund t’i mohohej gjithsesi. Kur dhe diktatura aq mizore e përndoqi, e mpaku, por nuk e zhduku dot e ajo s’mund të zhbëhet tani. Veçse rritet…
4- Dhe pastaj iu kthyen cilësisë, u godit cilësiae kësaj letërsie, më e rëndësishmja dhe kriteri më qenësor, vlera letrare.
Prandaj dhe u tha se “na zhgënjeu letërsia e burgjeve…”. Keqardhje? Cinizëm? Apo një krahëmarrje kundër saj? Pse? Nuk durohej dot e vërteta dhe morali që solli? Vlerat? Në fakt zhgënjyese mbetet letërsia e Realizmit Socialist.
“Letërsia e burgjeve” është një mrekulli ringjalljeje, do të thosha, se ajo u gatua në terret e vdekjes. Dhe në burgjet e diktaturës nuk është futur kurrëkënd për t’u bërë shkrimtar, përkundrazi, por për të mos shkruar dot, për t’i thyer “penën dhe kokën”.
Dhe është për t’u adhuruar së pari akti i të shkruarit atje, ku ishte e ndaluar, shenjtëria e krijimit, e paguar dhe me çmimin e jetës. Dhe nëse doli nga burgjet dhe internimet qoftë dhe një poezi, një tregim, ca fletë ditari, një dëshmi letrare, i është arritur misionit, jo më që kanë dale qindra poezi, tregime të shumta e romane, ditarë e memuaristikë, sprova e drama e skenarë, një letërsi e tërë.
Horizonti i pritjes së letërsisë shqipe u zgjerua kështu, u pasurua me të vërteta, me metafora e metamorfoza, etj, i treguam vetes dhe të tjerëve se qendruam dhe dhamë vlera, edhe kur dukej e pamundur. Dhe bota e vlerëson këtë dhe tregon interes.
Pasi tronditën lexuesin shqiptar, kur është arritur të përkthehen, janë vlerësuar nga kritika jashtë si vepra me rëndësi përtej lokales, përtej kombëtares.
Dhe qerthulli i kritikave të kësaj letërsie u bë më profesional dhe më domethënës.
KRYEVEPRA?
Po a “është shkruar ‘kryevepra’ mbi vuajtjen e krimin në diktaturë?” – jam ndeshur me këtë pyetje, ku fjala “kryevepër” ishte e futur në thonjëza.
Sipas meje të gjitha “letërsitë” e të gjithë vendeve dhe kohëve tentojnë “kryeveprën” e tyre prandaj vazhdojnë. Ky është një paradoks, “kryevepra” veç kërkohet pa pra dhe është duke mos ardhur që të mohojë të mëparshmet a të tjerat. Tragjedianët grekë nuk erdhën që të rrëzonin Homerin, përkundrazi. As Shekspiri të zevendësonte Danten, as Servantesi Shekspirin, as Gëte, as Xhojsi, as Kafka, etj, etj.
Të zbresim te letërsia jonë, Fishta, (i goditur nga diktatura sa edhe varrin ia shprishën), as nuk e zëvendëson dhe as nuk e rrëzon Naimin, as Kadareja De Radën (edhe ky i burgosur në Itali, por e liruan të ri, se ishte poet) apo Migjenin.
Poezia e Trifon Xhagjikës nuk zevendëson atë të Vilson Blloshmit, as Jorgo Bllaci Frederik Rreshpen dhe asnjëri prej tyre, p.sh., Fatos Arapin.
Pra “kryevepra” është shkruar, Besoj unë.Cila është? Të gjitha së bashku, e tërë ajo letërsi që e quajtëm “letërsi e dënuar” dhe shumë nga veprat e saj veç e veç. Varen nga leximet.
Letërsia shqipe përgjithësisht është letërsi martire. Ajo që në fillimet e saj nisi nën pushtim, me autorë të përndjekur, me poetë të vrarë e surgjynosur. Po kaloj në kohën e romanit të parë shqiptar, te romancieri i parë, Dom Ndoc Nikaj, që u la të vdiste në burg, në diktaturë, plak 86 vjeçar dhe romani i parë i letërsisë shqipe nuk është “Shkodra e rrethueme” e tij, botuar në 1913, por një tjetër, po e tij, “Marcia”, i 1889-ës, pra jo ajo e fillimit të shek. XX, por tjetra e fundit të shek. XIX. Na pëlqen kjo zhvendosje e së vërtetës. Por si të pranohej një subjekt biblik si fillim në kohën e socrealizmit?! I mbiquajtur “Balzaku shqiptar”, vepra e Dom Ndoc Nikajt ende nuk është botuar e gjithë dhe harrohet bashkë me të, duke u bërë pjesë dramatike e letërsisë së harruar.
Dhe tragjediani i parë dhe i vetëm shqiptar, klasiku Et’hem Haxhiademi vdiq në burg, ashtu si dhe dramaturgu Kristo Floqi, pak ditë para lirimit. Mendohet se u helmuan.
Dhe helmimi gjithsesi do të vazhdonte me forma të ndryshme në letrat shqipe.
Dhe vepra antropologjike, pararendëse, ajo e motrës së tyre të burgjeve, Musine Kokalari, shkrimtarja e parë grua, disidentja e pare në perandorinë komuniste. Që mund të quhet dhe ajo “e pushkatuar”, iu vra shpirti, iu ndërpre krijimi, vetë jeta që iu shua para kohe në internim.
Shikoni sa poetë të pushkatuar ka poezia e re shqipe! Lemeri e vërtetë! Klasikët si Dom Lazër Shantojës, Dom Ndre Zadesë, At Bernardin Palaj, Dom Aleksandër Sirdani, At Viçnes Prenushit, Baba Ali Tomori, Trifon Xhagjika – “Lorka shqiptar”, Vilson Blloshmi e Genc Leka – dy shokët baladianë, Havzi Nela, që futi i pari në poezinë tonë “Helsinkin” e të drejtave të njeriut, i varuri i fundit në të gjithë perandorinë komuniste. Natyrisht ata nuk mund të kenë poezitë e pushkatimit të tyre apo të arrestit. Por ata dëshmojnë dhe ndërprerjen tragjike, e rëndë për kombin dhe e pa zevendësueshme ajo që ata do të mund të shkruanin. Dhe kështu ata së bashku bëjnë një antologji që trondit të gjitha letërsitë. Dhe e kam bërë. Ka fatin që është vetëm në shqip. Duan një përkthyes…
Po poezia në burg? Një tjetër antologji, një epos modern. Të kujtojmë “Sonetet e Kanalit” të Arshi Pipës, “Ferri” i poezisë shqipe. Si i burgosur i shkruajti fshehurazi mbi letra të holla cigaresh, i gjithë libri ishte a s’ishte sa një kuti shkrepseje, me to u arratis dhe u botuan së pari në Romë, në 1959.
Në atë burg ishte dhe mjeshtri Mitrush Kuteli, ai që parapriu estetikisht në letrat shqipe, i përndjekur bashkë me veprën, me atë të rrëfyer shqipçe, gjithë zë dhe gërxhe, duke krijuar kështu një si shkollë, që harrohej.
Po kështu dhe Petro Marko, që e fusnin në burg në çdo kohë dhe s’mjaftonte një vend, me romanet e tij dhe memuaristikën, shkon te kryet dhe ky në letrat shqipe.
Shohim një kronologji romanesh të burgut të emrave Astrit Delvina, Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Mehmet Myftiu, Mustafa Greblleshi, Kin Dushi, Zyhdi Morava, Halil Laze, Spartak Ngjela, etj, që vazhdoi dhe pas burgut me autorë ish të burgosur si Agim Hamiti, Loni Mishtarit, etj, që e nderojnë letërsinë dhe mund të barabiten me botimet kudo.
Romanet e Bashkim Shehut dhe të Fatos Lubonjës kanë njohur dhe përkthimin dhe kanë marrë vlerësime të denja si për çdo kryepunë. Po kështu dhe romanet e Henrik Gjokës janë vlerësuar me çmime. Makesen Bungo, i burgosuri i kënetës së Maliqit, ka botuar dy herë romanin tronditës “Këneta e vdekjes”, sfidues dhe shkatërrues i një romani tjetër paralel të socrealizmit, “Këneta”. (Më gjerë si dukuri e kam trajtuar në sprovën “Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e dënuar”)
Kam bindjen se letërsia e dalë nga burgjet e rrënon moralisht e jo vetëm, së bashku me kohën, letërsinë e mbetur të Realizmit Socialist.
Monumentale, e vlerësuar dhe jashtë, është memuaristika romanore e At Zef Plumit, “Rrno për me tregue”. Maja janë dhe veprat e korpusit të shkrimtarit, studiuesit, poetit dhe përkthyesit Lazër Radi.
Vazhdojmë me emra të tjerë të dënuarish, ku përzihen studimi, dokumenti dhe një lëndë e begatë letrare: Sami Repishti, Ejëll Çoba, Gjergj Bubani, Amik Kasoruho, Petrit Velaj, Gjergj Titani, Bedri Blloshmi, Reshat Kripa, Tanush Kaso,, Gëzim Peshkëpia, Petrit Kalakulla, Agim Musta, Leka Tase, Beqir Ajazi, Eugjen Merlika, Maks Rakipaj, Gëzim Çela, Skënder Tufa, bashkëshortët Liri dhe Todi Lubonja, Fatbardha Saraçi Mulleti, Miho Gjini… kujtoj tregimtarët e së ashprës dhe të së brishtës, Bedri Çoku e Astrit Xhaferri e deri te botimet më të vonshme, të prozatorët Hasan Bajo, Dine Dine, etj.
Veçoj artistin Maks Velo, se krahas veprës letrare, poezi e prozë, ai ka dhe një vepër të sukseshsme në pikturë, skulpturë e arkitekturë, që është profesioni i tij, po kështu dhe Lekë Pervizi, shkrimtar dhe piktor.
I rikthehem yllësisë së natës dimërore në diktaturë, të poetëve të burgjeve dhe të internimeve, Kudret Kokoshi, Pano Taçi, Zef Zorba, Jorgo Bllaci, Frederik Rreshpja, Uran Kostreci, Pirro Kuqi, Jamarbër Marko, Daut Gumeni, Gëzim Metolli, Ylber Merdani, Zeus Çoku, Luan Burimi, Pëllumb Lamaj, Ahmet Kolgjini, Gjergj Peçi, Bajram Hyseni, Jusuf Alibali, nga internimet Vehbi Skënderi, Jozef Radi, Ferdinand Laholli, Drita Çomo, Vitore Stefa, etj.
Dukuri me rëndësi është dhe dramaturgjia e të persekutuarve, veprat e Leka Totos, Hekuran Zhitit, Minush Jeros, etj.
Po drama e habitëshme “Rrajët lëvizin” e emigrantit politik, i dënuar me vdekje në mungesë, themeltar në tregimin modern shqiptar, Ernest Koliqi? Moshatar me George Orwell-in ai shkroi, si të thuash veprën “antioruelliane”, “anti 84”, që parashikonte rënien e komunizmit, aty nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, “gaboi një ose dy dekada, por një libër të tillë nuk e ka e gjithë Letërsia e Lindjes.
Edhe unë jam në këtë aradhë autorësh të ferrit dhe pata fatin, ndër të paktit, të nxjerr gjallë nga burgu rreth 300 poezi, të shkruara fshehurazi. Dhe i dënuar isha për poezinë, nuk duhej të shkruaja më, me gjyq. Shumicën e tyre e kam botuar tani. Janë përkthyer dhe në gjuhë të tjera, madje dhe janë kompozuar. Po kështu krijova burgologjinë time për Spaçin, “Rrugët e Ferrit” dhe Qafë-Barin, “Ferri i çarë”. Vazhdova me romanet “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” dhe “Në kohën e britmës”, etj, të pritura mirë nga lexusi ynë dhe i huaj.
Talenti i përbashkët, mundimi golgotian në burgje e internime arritën të jepnin një afreskë madhore, tragjike të ferrit shqiptar, e gjitha një kryevepër, formësuar prej të tillash.
UNIVERSALJA APO UNIVERSALIZIMI?…
Dalim atje ku e nisëm, te universaljae Letërsisë tonë të dënuar “të kujtesës”. Ia ka dalë të jetë e tillë apo ka mbetur te personalja?
Natyrisht në mendimin kritik, që më shumë duket se mungon, si të thuash, s’është si institucion, boshësia e tij është mbushur me mosbesim, me njohje të mangët, mënjanësi ku dhe ngrehina e Kujtesës Kombëtare ka pjesë të rrënuara, teksa shfryn vazhdimisht mendësia e së shkuarës, që e çorodit dhe moleps kujtesën kolektive.
Përvojat dhe arritjet në letërsi s’kanë si të mos jenë personale, ndërkaq universalja është lokalja pa mure,thoshte poeti Fernando Pessoa dhe ashtu është.
Lokalja/përvoja personale në prurjet e “letërsisë së kujtesës”/ të burgjeve dhe internimet, pra janë, madje të begata në rrëfime e kumte, për vete e të tjerët, të huajt, në ndjesi e ide, në dëshmi dhe art, etj, që aq sa origjinale është, po aq dhe e barabitëse me çdo “letërsi kujtese” tjetër, madje dhe habitshme – e prodhuar nga një popull i pakët dhe në majat e saj kjo letërsi gjithsesi ka qasjen universal. Vuajtja dhe njeriu i saj, shpresa dhe njeriu i saj, ëndrrën për liri, përvoja vetanake janë të universalta te kjo letërsi, edhe realizimi, sa klasik, po aq dhe modern, ku ka ngjizme të traditës me risinë, por e pa universalizuar aq sa meriton e do të duhej, pra “muret” përreth kësaj letërsie janë, normale që do të ishin, pra i gjeti, jo se i vetëngriti.
Qëllim do të ishte shëmbja e këtyre mureve. Kjo letërsi duhet “të dalë dhe nga burgu” i saj, – po përdor titullin e një shkrimi të studiuesit Ndriçim Kulla për shkrimtarin Astrit Delvina – dhe ky “burg” s’është vetëm mosbesimi i vetes, pozitive më shumë kjo, dhe i të tjerëve, negative më shumë kjo, por mënjanimi dhe harresa, të qëllimta ose jo, nëvleftësimi, i qëllimtë ose jo, mos përkushtimi ndaj saj, mos mbëshetetja ndaj saj, të qëllimta ose jo. Të qëllimta më shumë, besoj.
Letërsia jonë e kujtesës e ka bërë detyrën. Meriton “Mirë-Njohjen”, pra njohjen e mirë. Nga universalja e saj origjinale duhet kaluar në universalizimin e saj. Së pari duhet të nisë nga brenda.
PUNA ME PËRKTHIMIN
Ndërkaq në njohjen e saj nëpër botë, në bërjen e saj universale dhe “gjeografikisht” e pengon dhe fati i gjuhës amë, e cila i përket një populli të vogël në numër. Absolutisht që është gjuhë e bukur dhe e lashtë, me vlera, që mbart çdo kryevepër, botërore dhe tonat.
Për paradoks unë do të doja vërtet dhe ca “përkthyes të veçantë” që letërsinë tonë të kujtesës “ta përkthenin” nga shqipja në shqip për shqiptarët që ta njihnin më shumë e ta donin dhe pastaj të punohej për më tej. Se përpjekjet, janë vetanake më shumë, me mundësi të pakta deri më tani.
Vitet e fundit i ishte dhënë një rëndësi institucionale përkthyesve më shumë se autorëve, atyre nga gjuha e huaj në shqip, ndërkohë është shuar shkolla e madhërishme e shqipëruesve të burgjeve dhe internimeve, heronjve të fjalës si Gjon Shllaku i “Iliadës”, Pashko Gjeçi i Dantes, Guljelm Deda i Ariostos, Vexhi Buharaja i Saadiut, etj, të cilët aty derdhnin talentin e madh e të ndaluar si poetë…, pra, kur do të duhej, në mos më shumë për çështjen që po trajtojmë, e ndërsjellta, të mbështeteshin përkthyes nga shqipja në gjuhë të tjera si Jusuf Vrioni, edhe ky i burgosur, që dha në frengjisht veprën e përbotshme të Kadaresë, apo të huajt si Robert Elsie apo, në nderim të tyre po përmend nga ata që njoh, si Jaochim Hans Lancsh, Aleksandër Zotos, janë arbëreshët si Elio Miracco, Kate Zuccaro, Eugenio Scalambrino, etj, por ka dhe shqiptarë të tjerë të talentuar si Luan Topçiu, Smajl Smaka, etj, e kam fjalën veç për kalimin e veprave të letërsisë tonë të dënuar në gjuhët e tjera të mëdha si në anglisht, gjermanisht, frengjisht, në italisht, rumanisht, greqisht, polonisht e në gjuhët sllave të Ballkanit.
Që të çmohet “Letërsia e dënuar e kujtesës” ashtu si jashtë vendit dhe brenda vendit, nuk është më dhe aq punë e vetë shkrimtarëve, por e shoqërisë, e institucionit të kritikës dhe institucioneve gjegjëse, Ministrisë së Kulturës, të Arsimit, akademive dhe universiteteve, të shoqatave, jo vetëm të të persekutuarve, mecenatëve të kulturës, etj, patjetër dhe e Shtetit. T’i jepet vendi i duhur në studime, të jetë e qëndrueshme në Kulturën Kombëtare, të zerë vendin e merituar në tekstet shkollore, deri dhe universitare. Si të thuash duhet zyrtarizuar si e tillë dhe pastaj është detyrë e shoqërisë përsëri, për t’ia bêrë të njohur të tjerëve. Botës. E meriton.
Duke parë përvojat e vendeve të tjera, që janë dhe sa ne, Izraeli, p.sh. një kulm botëror, por dhe e më të vegjëlve se ne dhe ngjitur, Maqedonia e Veriut, p.sh., dhe nga e kaluara, nga diktatura që punonte për përhapjen e veprave që i duheshin, edhe mbretëria, që, p.sh., paguante florinj për përkthimin e “Lahutës së Malcis”.
Malet e Shqipërisë kanë dhe veprat e shkrimtarëve, një tjetër vargmal ky, i shpirtit dhe i identitetit.
========================================================
Shembëlltyrë:
Ç’KANË THËNË PËR VISAR ZHITIN studiues dhe kritikë arti që jetojnë jashtë vendit dhe të huaj, poetë e botues për poezinë dhe prozën e Visar Zhitit, përkthyer në gjuhë të tjera:
– Dr. G. Alpion, në Universitetin e Birminghamit në Angli për romanin “Funerali i pafundmë”: “…krahasohet denjësisht me autorë si Kafka, Orwell, Salinger Heller dhe Sollzhenicin… »
– Dr. Luan Topçiu në Rumani, jo vetëm për poezitë, por për veprën në tërësi: « …të tillë mesazhe do të dërgonin Dostojevskij, Lorka, Sollzhenicini, Stainhard, Mitrush Kuteli, Petro Marko, etj »
– Poeti i njohur Mario Luzi, sanator i përjetshëm në Itali dhe kanditat për Nobel, shoqëronte me një shkrim librin “Croce di carne” në Itali, ku ndër të tjera thotë: “Mbase ka, por unë nuk kujtoj e mbi të gjitha nuk kujtoj një vepër kaq të freskët e të menjëhershme, që e kap botën drejtpërsëdrejti, e zbulon dhe e dëshmon…”
– Kritiku dhe poeti irlandez në Londër, Kevin Higgins, do të botonte një ese për librin «The condemned apple », ku thuhet :“…Është dhe ilustrimi më i shkëlqyer që kam parë, ku shpjegohet se si shpresat e larta, me socializmin e fillimit të shekullit të 20-të, degjeneruan në një tirani të përditëshme. Është një nga ata librat e rrallë që ka forcën t’ia ndryshojë lexuesit vizionin për botën. Merreni dhe mbajeni fort! »
Përzgjodhi Botuesi.